E diele, 28.04.2024, 12:22 PM (GMT+1)

Mendime

Nazmi Demishau: Nocioni ''maqedonas'': Përdorimi ose keqpërdorimi i tij

E premte, 04.03.2011, 09:59 PM


Letër nga Amerika                 shkruan: Nazmi Demishau

 

 

                Shënim:

                          Artikullin që po e sjellim këtu më poshtë   

                       ( edhepse revista e përkohshme “STRUNGA” 

                       e shtypi në numrin e saj të tretë në vitin 2005),

                po e sjellim  për ata që nuk kanë patur rastin që ta lexojnë. 

     Autori

 

 

NOCIONI  ”maqedonas ”: PËRDORIMI ose KEQPËRDORIMI I TIJ.

 

Çështja, për të cilën do të flasim më poshtë, sipas mendimit tim, është temë që i  përket shkencëtarëve e historianëve që të reken me të, por ja që ata (shkencëtarët dhe historianët) si dhe intelektualët, gazetarët  dhe artikullshkruesit e famshëm shqiptarë, po heshtin. Kur themi se po heshtin, nuk pretendojmë të themi se ata heshtin qoftëlargë në punën e tyre profesionale (sepse janë bërë doktorra mendermethon) dhe nuk ndalen së punuari mirëpo, sa i përket përdorimit, thënë më mirë keqpërdorimit të termit maqedonas, kjo atyre nuk ia vret veshin fare dhe asqë orvaten që ta edukojnë masën e gjerë popullore shqiptare se si ata duhet ta përdorin atë nocion. Bile, bile, shumëherë, edhe ata vetë, intelektualët shqiptarë pra, e keqpërdorin këtë nocion dhe, nga neglezhenca e paskrupullt, duke mos i kushtuar, sipas mendimit tim, vëmendjen e merituar kësaj çështjeje kaq të rëndësishme. Për fat të keq, ata dorëzohen përpara faktit, duke mos ia marrë mendja se janë ata, të cilët mund të bëjnë diçka për ta ndërprerë, fundja, për ta”shëruar” këtë “sëmundje kronike”. Shkurt, këtë fenomen ata e konsiderojnë atë si “mentalitet shqiptar” sakaq, jo vetëm që kujtojnë por me gjasë edhe besojnë se duke e injoruar kështu, “shkarkohen” nga çdo obligim, jo vetëm nga ai profesional por edhe nga ai moral. 

 

Sa i përket Çështjes Ilire dhe autoktonisë së shqiptarëve në përgjithësi, historianët shqiptarë e të huaj, e kanë ndriçuar atë duke u mbështetur në fakte të pakundërshtueshme historike, topografike e të tjera si: Eqrem Çabej, Edith Durham, Idriz Ajeti, Faik Konica, Qemal Murati, Radu Vulpe, Radosllav Katiçiç, Eric P. Hamp, Eleonora Petrova e shumë e shumë të tjerë. Kjo e fundit bile, në librin e Qemal Muratit: “Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik…”, faqe 150, mes tjerash shkruan dhe citojmë:

“Territori i Maqedonisë kah fundi i mijëvjeçarit të dytë dhe gjatë mijëvjeçarit të parë para erës së re ishte i banuar nga fiset pajonike ilire.”

 

Nga ana tjetër, shumë të tjerë e sidomos ata të Akademisë së Shkencave të Serbisë (të cilët i kanë nxitur edhe shkencëtarët dhe historianët të huaj në zë për t’i shtrembëruar faktet e autoktonisë së shqiptarëve), si kundërshtarë të denjë të vërtetësisë së kësaj çështjeje, prej vitesh, për interesa personale e politike, nuk kanë hezituar që ta shtrembërojnë të vërtetën pra ta shtrembërojnë historinë. 

 

Që në Kongresin e Dibrës (23 Korrik, 1909), për shembull, njëfarë Elezoviç, në Mbledhjen e Dytë të Kongresit, shprehet si më poshtë dhe citojmë:

 

“…Si u këndua telegrafi për fjalën (besa), Z. Elezoviçi (Shkup) mori fjalë dyke e thënë. Firma të mos i vihet (kongra konstitucional Shqiptare) por le të shkruhet (Kongresa e Rumejlis a e Maqedonisë) sepse ktu në kët Kongresd s’ndodhen vetëm Shqiptarë por ka edhe të tjerë, si un Serb e kush Bullgar e të tjerë. Veç kaj fjala “besa” përdoret vetëm në Shqipri e jo gjetkë. Me gjith këtë kjo fjalë n’Europë njihet si nji lloj barbarizmë.”

 

Diskutimit të këtij të vetquajturi serb, dhe shumë shqipfolësve turkomanë, iu kundërvunë zëra patriotësh shqiptarë si: Mufti Rexhepi, z. Hafiz Aliu e të tjerë. Ndër ta, edhe bullgari Shanof (Kosturi), i cili iu drejtua me këto fjalë:

 

“…besa (është fjala për besën shqiptare, shënimi ynë) në Shqipëri është fjal’ e vjetër, unë të mos i besonja shqiptarëve në besë si nji bullgar që jam nuk vinja këtu pra besën e shqiptarëve e shënjëtroj me gjith shpirt.”

(sh. Librin e Dr. Lutfi Kurteshit: “Dibra nëpër shekuj (I) - Kuvendi i Dibrës”, faqe 171, 172)…  

 

Unë, vetëm që e mora guximin që, këtë temë kaq provokuese ta hedh në prehër të atyre që duhet të mirren me çështje si kjo, duke mos pretenduar as edhe për një moment se jam kompetent për të dhënë analiza shkencore lidhur me këtë dhe çështje të tjera historike e autoktonike të cilat megjithatë më preokupojnë mua. Mendoj dhe dua të besoj se kjo dhe shumë çështje si kjo dhe të ngjajshme, i brengosin shumë shqiptarë të tjerë, qofshin ata historianë, intelektualë pa edhe thjesht shqiptarë.

 

          Para se të zhytemi në thelbin e qëllimit të këtij punimi, duke u orvatur gjithmonë që lexuesi i nderuar të mos e fitojë përshtypjen se autori i këtyre rreshtave është ndonjë fodull, gjoja me kulturë perendimore dhe përpiqet kështu të na shesë mend. Lexuesit të nderuar do t’ia rikujtoja se shumë gjëra që ndodhin e praktikohen prej vitesh në hapësirën e quajtur Maqedoni, qofshin ato positive ose negative, është bërë modë të cilësohen se janë zakon a traditë shqiptare, thënë thjeshtë, rezultat ose pasojë e mentalitetit tonë. Pra të shtiren, si thonë, të gjitha në një thes dhe të konsiderohen si “mentalitet shqiptar”. Ta zëmë se kjo është e vërtetë, por, a do të thotë kjo se shqiptari nuk është aq i zgjuar që ta kuptojë e t’a pranojë (poqese i sqarohet) një përmirësim që është në dobinë e tij? Dhe si thamë, kjo nuk ndodh ekskluzivisht me masat e gjera të popullit por kjo ndodh edhe në shtresën e intelektualëve. Edhepse ekzistojnë shumë sosh, le të përqëndrohemi vetëm në disa nga ato:

 

1.     Nëpër dasma e gëzime të tjera familiare për shembull, të shtënat në ajër me armë zjarri, përkundër reagimeve të vjetpërvjetshëm të shumë intelektualëve e gazetarëve të mirfilltë shqiptarë, ndër ta edhe autori i këtyre rreshtave, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. (sh. Artikullin “Zoti Dhe Nato Na Ndihmofshin!” botuar në revistën “DRINI” shtator –tetor, 1999, sjellur pastaj edhe në formë faksimile në librin “Mes Dy Zjarresh“ N.D. f. 308).

 

2.     Pastaj, keqidentifikimi i monedhës domethënë, i denarit të sotëm në Maqedoni. Dhjetë denar-i për shembull, identifikohet si “një miliardë”, njëqind denari si “dhjetë miliardë” etj., etj. Ç’absurditet është ky? Sa i përket pareve të imta, atyre metalike si: 1, 2 dhe 5 denar-i, ato identifikohen për vlerën që kanë.

 

3.     Pastaj, përdorimi i panevojshëm i barbarizmave nga ana tjetër, është edhe një problem që kërkon ballafaqim serioz. Thuhet i panevojshëm sepse,  shumë barbarizma që përdoren nga shqiptarët, edhepse ekzistojnë fjalë e emërtime në gjuhën shqipe, vazhdojnë të emërtohen në gjuhën sllave. Për shembull; për taketuken thuhet “pepelare”, për tavolinën “masë”, për pirunin “vilushkë”… E të tjera. E të tjera. Dhe

 

4.     Nocioni “maqedonas” dhe përdorimi ose keqpërdorimi i tij.

 

Për t’u angazhuar në një “debat” të këtillë, bje fjala, në një “tavolinë të rrumbullaktë”, duhet, së pari të sqarohen disa çështje lidhur me përdorimin e drejtë të nocionit “maqedonas” dhe atë të përdorimit të gabuar të tij. Madje, të mirren parasysh pasojat që mund të vijnë nga keqpërdorimi i këtij termi.

 

Jo për fajin tonë por për interesat e “Fuqive të Mbëdha” dhe lëvërdinë e shteteve grabitqarë fqinjë, që nga trembëdjeta e këtej shqiptarët që jetojnë brenda kufijve artificiale të Shqipërisë, identifikohen; ata vetë por edhe ne, me të drejtë i identifikojmë si “shqiptarë të Shqipërisë”. Shqiptarët e Kosovës, me plot të drejtë identifikohen, ata vetë, por edhe ne i identifikojmë si kosovarë. Ata pastaj (pra shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës), neve, shqiptarëve që banojmë në truallin tonë të lashtë, të quajtur Maqedoni, me të drejtë na identifikojnë si “shqiptarë të Maqedonisë”, “maqedonë” ose “maqedonas”. Kjo, shumë shqiptarëve të Maqedonisë (përfshirë edhe autorin e këtij punimi në të kaluarën e afërt), u ka tingëlluar keq, saqë një gjë të tillë e kanë konsideruar si ofendim i rëndë. Kjo tanimë për mua nuk lë përshtypje negative por, në biseda me shqiptarë të rangjeve e profileve të ndryshëm, fitohet përshtypja se dukshëm hezitohet për t’u angazhuar dhe për tu futur në bisedime rreth një teme si kjo, të cilën shumica e konsiderojnë si “Hot potato” (“patate të nxehtë”), si punë e dikujt tjetër, megjasë e historianëve, duke e mbështetur pastaj tezën se është një gjë “e ngulitur thellë në kokën e shqiptarit”. Pra, sërish e lidhin atë me “justifikimin” banal se gjoja është zakon a traditë shqiptare pra, “mentalitet shqiptar”!(?)…

 

Mirëpo, poqese thellohemi vetëm pak dhe ta analizojmë nocionin Kosovë dhe, shqiptarët të cilët jetojnë në trojet e tyre stërgjyshore në Kosovë, ashtu si dhe pjestarë të kombësive joshqiptare që jetojnë në Kosovë, konsiderohen kosovarë. Atëherë, pse shqiptarët (dhe të tjerët) që jetojnë në trojet e tyre stërgjyshore në Maqedoni, të mos i quajmë ashtu si ç’janë, maqedonë ose maqedonas? Paçka se aty jetojnë sllavë e ardhacakë, të cilët, si pasojë e asimilimit, si Elezoviçi për shembull, ose për arsye të interesave të tyre personale e politike të kohës, nuk ndihen ose fundja, nuk janë shqiptarë. Sakaq, si shqiptarët që jetojnë në Kosovë me të drejtë e quajnë veten kosovarë, flasin shqip sepse janë shqiptarë nga Kosova ilire edhe ne, si shqiptarë që jetojmë në Maqedoni, me të drejtë duhet ta ndiejmë veten ashtu si që jemi, maqedonë ose maqedonas pra, shqiptarë nga Maqedonia. Flasim shqip se jemi shqiptarë të Maqedonisë pellazgo- ilire – shqiptare sepse dihet që komb maqedon nuk ka! As gjuha zyrtare që flitet sot në Maqedoni, të cilës si ne ashtu edhe sllavët, i themi “gjuhë maqedone ose maqedonishte” ajo në fakt është gjuhë sllave që për alphabet ka atë sllavo-qirilik. A thua është gjë e rastit ose aksident që Greqia sot nuk e pranon Maqedoninë? Jo! Por, kjo është një temë që sot-për-sot i përket politikës. Ne do të përqëndrohemi tek termi “maqedonas”.

 

Për hir të argumentit pra, le të bëjmë një krahasim të thjeshtë: Në Amerikë për shembull, dihet se vendas ose popull autokton janë indianët e Amerikës mirëpo, amerikanë janë të gjithë ata që jetojnë aty dhe mbajnë shtetësinë amerikane. Flasin gjuhën angleze, spanjole, italiane, shqipe, serbe etj., etj. Në Itali, italianë janë të gjithë ata që jetojnë në atë territor dhe që mbajnë shtetësinë italiane. Flasin gjuhën italiane, shqipe, spanjole, turke etj. Edhe në Maqedoni, maqedonas konsiderohen të gjithë ata që jetojnë në atë territor dhe mbajnë shtetësinë maqedone. Flasin gjuhën shqipe, sllave, greke, rumune, rome etj. A nuk dihet tanimë se kush është Maqedonia dhe kush janë maqedonasit? A nuk është kjo Maqedoni, të cilës dëshirojmë t’i themi ne pa edhe e tërë bota: Maqedonia e Aleksandrit pra, e Lekës tonë të Madh? A nuk i referohemi ne dhe mbarë bota atij (Aleksandrit të Madh) si: Aleksandri i Maqedonisë, i cili historikisht është provuar e dokumentuar me fakte se ishte ilir, pra shqiptar? (Sh. Enigma -Tanimë e Zgjidhur nga Robert d’Angely sidhe librin “Shqiptarët: Historia e Popullit Shqiptar Nga Lashtësia Deri Në Ditët e Sotme” nga  historiani Edwin Jacques). Të instruktuar nga akademia e shkencave sllavo-serbe të Beligradit, nga politika destruktive e Athinës dhe Tiranës si dhe kleri përçarës orthodoks, katolik e musliman, ca historianë botëror, Aleksandrin e Maqedonisë pra, Lekën tonë të Madh e konsiderojnë grek. Këtë e bëjnë sa për të mos  thënë se ka origjinë pellazge ose ilire sakaq, edhe shqiptare por, e kanë kot sepse edhe si grek ne nuk na pengon që ta quajmë ilir sepse si shqiptarët, edhe grekët kanë prejardhje pellazgo-ilire. Pra, grekët dhe shqiptarët janë vëllezërit të një gjaku. Kjo, sipas gjurmuesit dhe historianit çam (arvanitasit të ndjerë Aristith P. Kola) i cili, në librin e vet ”Arvanitasit Dhe Prejardhja e Grekëve”, i hedh poshtë të gjitha tezat e atyre që duan të na largojnë me grekët dhe argumenton me fakte historike se grekët dhe shqiptarët kanë një prejardhje, atë pellazgo-ilire. Pra, janë një popull dhe vëllezër të një gjaku. Mu për këtë, edhe vdekja e këtij kërkuesi të vendosur dhe të paepur të çështjes shqiptare, është klasifikuar si misterioze dhe e dyshimtë.

 

Në këtë kontekst pra shqiptarët, duke e identifikuar popullsinë sllave që jeton në Maqedoni gabimisht, si ”maqedonë” e “maqedonas” dhe jo vet-veten pra, pellazgo-iliro-shqiptarët, a thua se i bëjmë ndonjë shërbim çështjes shqiptare dhe aspiratave tona kombëtare? Dihet se jo! Kështuqë, me ose padashje, çojmë ujin në mullirin e armikut. Pra, bëjmë punën e atyre që, për interesa vetiake politike dhe fetare e kanë shtrembëruar dhe vazhdojnë edhe sot e tërë ditën, ta shtrembërojnë historinë. Sllavët, gjithmonë, me qëllim, e kanë vjedhur dhe vazhdojnë ta vjedhin historinë. Ne, nga ana tjetër, duke hezituar kështu, që vet-veten ta quajmë maqedonë ose maqedonas, i ndihmojmë atyre (sllavëve) që ata t’i realizojnë qëllimet e tyre të errta; që Maqedoninë tonë (e jo Karpatet, prej kah e kanë prejardhjen ata), ta quajnë “mëmëdheun” e tyre vendin e Lekës tonë të Madh.  Ne, edhe sot e gjithë ditën, i ndihmojmë që ata (sllavët) të vazhdojnë, si deri më tani, ta bëjnë hero të tyre Lekën, ta konsiderojnë si që e konsiderojnë të tyren Nënën tonë të Madhe Gonxhe Bojaxhiu, ta konsiderojnë si atdhe të tyre Maqedoninë tonë pra, Mqaedoninë e Aleksandrit të Madh, Maqedoninë e Nënë Terezës tonë të Madhe. E të tjera! E të tjera!

 

Për hir të argumentit, për ta ilustruar këtë që thamë më sipër, sjellim atë që më së miri na mëson historiani jonë i mirënjohur z. Qemal Murati. Ai, në librin e tij “Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik në dritën e emrave të vendeve dhe të familjeve”, jep sqarime bindëse e shkencore lidhur me patronimin ose mbiemrin “maqedon” dhe citojmë:

 

“Makedon m. Patronim që e ndeshim të përdoret te shqiptarët e fshatit Nikshiq të Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1485: Gjoni, i biri i Makedonit; Deda, i biri i Makedonit (sh. Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, ASHSH, Tiranë, 1974, 373). E hasim edhe në përmendoret mesjetare dalmatinase, te tregtarë dubrovnikas në vitin 1376 – 1412, me formën sllave Makedon. Ky emër te shqiptarët del të përdoret edhe sot e kësaj dite si mbiemër Familjar Makedonci (Kosovë), që dmth. se në onomastikonin shqiptar është mjaft i ngulitur. Siç e ka shpjeguar K. Jireçeku (Romani, 299), ky emër gjithsesi rrjedh nga gr. Mak edov.”                     

                                                                                                                            (Qemal Murati “Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik f. 106)

 

 

Neve, na ka ënda të themi se Aleksandri (Leka i Madh) ishte pellazgo-ilir pra, shqiptar, Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu) ishte shqiptare, se Maqedonia është ilire etj., etj. por, në të njëjtën kohë, hezitojmë të themi se këta që përmendëm më lart ishin maqedonë ose maqedonas. Themi vetëm se ishin shqiptarë po nga cili vend ishin këta shqiptarë more? Siç duket këtij fakti i shmangemi. Dihet se shqiptarët janë nga: Shqipëria, nga Kosova, nga Mali i Zi, por janë edhe nga Maqedonia. Apo jo? Mosvallë do ta pohojmë dhe qoftë largë ta pranojmë si fakt atë që, për interesat e tyre, ne e kanë shpifur dhe na e shpifin sot e tërë ditën armiqtë tanë se gjoja ne “jemi” ardhacakë ose “pakicë” në vendin tonë?

 

Historia e ka argumentuar me fakte se sllavët në Ballkan kanë filluar të paraqiten aty nga shkulli VI- a VII-të pas Krishtit kurse, Aleksandri i Maqedonisë ose Laka i Madh, ka jetuar (aty pra, në Ballkan, në Maqedoni) në shekullin e IV-të përpara Krishtit. Atëherë, si na “dalin” sllavët “maqedonë” e “maqedonas” pa qenë aty pra pa qenë në Maqedoni fare?

 

Lidhur me Nënë Terezën, sa i përket shtatores, monumentit ose përmendores të saj që duhej të shpalosej në dymijë e trenë në Romë, është shkruar mjaft. Këtë akt, pa e menduar mirë dhe pa e shoshitur sa duhet por, nga ana tjetër, ka gjasa që ndoshta edhe për faktin se sot, ashtu e kërkon “klima politike” e ditës, këtë e ka kundërshtuar edhe shteti shqiptar. Vlen të shënohet se kundërshtimet që janë parashtruar si kusht kundër ngritjes së përmendores, mua, së paku, nuk më duken aq bindëse dhe aq më pak të arsyeshme, bazuar në citatin që shënon FAKTI i dates 19 Korrik, 2003, ku citohet Majori ose Kryetari i qytetit të Romës, Valter Veltronin-i, të ket thënë si më poshtë:

 

Monumenti i Nënë Terezës, me mbishkrimin E kombit maqedonas’, nuk ka për t’u ngritur në kryeqytetin Italian.

 

Pse? Vallë, a nuk ishte Nënë Tereza “e kombit maqedonas”? Ajo Nënë e Madhe shqiptare pra maqedone nga Shkupi, nga Maqedonia pellazgo-ilire- shqiptare? Ç’e shtyu majorin Italian pra, kryetarin e Romës ta thotë këtë? Ç’e vriste samari atë? Kush e detyroi atë që të thotë një gjë të tillë? Të gjitha këto, janë pyetje që kërkojnë përgjigje. Pastaj, sipas mendimit tim, citati i sipërshënuar i majorit ose i kryetarit të Romës mund të konsiderohet si “thikë me dy teha” ose medaljon nga mund të paraqiten dy kënd-vështrime. Mund të shikohet si fitore, por edhe humbje njëkohësisht. Fitore sepse sllavët, të cilët sot e sundojnë Maqedoninë (poqese kanë insistuar që në mbishkrim të përdoreshin shkronjat sllave ose qirilike, gjë që për mua as kjo nuk ka aq rëndësi sepse realiteti, në ç’farëdo alfabet që të shkruhet, ai është dhe mbetet realitet. Në këtë rast flasin faktet dhe ato janë evidente. Kështuqë, kur flasin faktet, thotë E Drejta Romake, edhe zotrat pushojnë), nuk arritën ta realizojnë qëllimin e tyre të skenuar e cinik. Është humbje madje, që në Romë (edhe sikur me shkronja të alfabetit qirilik, si thamë), nuk u ngrit shtatorja e një nëne grandioze, humanistja e të gjitha kohërave, fituese e Çmimit Nobel, shëmbëlltyra e të cilës është marrë si model në mbarë botën, veçmas në atë katolike. Fundja, historia tanimë e ka argumentuar se Maqedonia është territor pellazgo-iliro-shqiptar sakaq, nuk duhet të ket asnjë dyshim se ne, shqiptarët e Maqedonisë, jemi maqedonë ose maqedonas. Dhe, poqese e pranojmë këtë fakt, atëherë sllavët le t’i quajmë ashtu si që janë: SLLAVË!

Dhe pikë!

 

Me këtë çështje, ndaj të cilës u ngrit aq pluhur, përveç gazetarëve, u muarën edhe organizata shtetërore e partiake bile, edhe letrarë me renome ndërkombëtare. Si që u tha më sipër, shumë shqiptarë, përfshirë këtu edhe autorin e këtyre rreashtave, në mënyrë të pavetëdishme, i kanë ndihmuar dhe, për fat të keq, një numër shumë i madh, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, t’i ndihmojnë hipotezave sllave. Këtë e bëjmë duke u thënë “maqedonë” ose “maqedonas” sllavëve, çka ata nuk janë. Ata janë sllavë prandaj, edhe në qoftë se i identifikojmë si të tillë, ata nuk do të ofendohen por përkundrazi, do të krenohen. Fundi i fundit, atyre si t’iu pëlqejë. Ne do t’i quajmë ashtu si që janë: sllavë dhe vet-veten do ta quajmë dhe do të identifikohemi ashtu si që jemi, sipas vendit ku jetojmë den-baba-den; shqiptarë të Maqedonisë pra, maqedonë ose maqedonas. Sepse, si që do të shohim më poshtë, edhe Eqerem Çabej thotë: “…edhe maqedonas e deras janë lidhur ngushtë me elementin ilir.”

 

Prandaj, këtij nocioni dhe keqpërdorimit të tij si dhe  keqpërdorimeve të tjera që i përmblodhëm në këto katër pika (kuptohet dhe padyshim ka edhe shumë të tjera që duhet t’i kushtojmë kujdes), njëherë e mirë duhet t’i themi: STOP! T’i themi stop dhe të mos lejojmë më që, si deri më sot, edhe këtu e tutje, të na uzurpohet historia. Kështu do të na rekomandonin historianët, etnologët e leksikologët shqiptarë e të huaj.

 

Për ta provuar sa u tha më sipër, në vijim po sjellim citate të disave prej tyre nga libri i Qemal Muratit “Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik”.

 

Për shembull:

 

Eqrem Çabej, shkruan:

 

Jo vetëm mesapë e japigë, tribalë, dardanas,  peonë e të tjerë janë ilirë: edhe maqedonas e doras janë lidhur ngushtë me elementin ilir.

                                  Qemal Murati “Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik” f. 6

 

Radu Vulpe, shprehet:

 

Shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e drejtpërdrejtë  të ilirëve ose, për t’u shprehur më mirë, ata janë vetë ilirët.”                                             

        Qemal Murati “Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik” f.6

 

Elenora Petrova, nënvizon: “Territori i Maqedonisë kah fundi i

          mijëvjeçarit të dytë dhe gjatë mijëvjeçarit të parë para epokës së re

          ishte i banuar nga fiset pajonike ilire.”    

               Qemal Murati “Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik” f. 148                            

Atëherë, në qoftë se i besojmë: Eqerem Çabejit, Radu Vulpes, Leonora Petrovës e shumë historianëve, etnologëve, leksikologëve shqiptarë e të huaj, a nuk duhet vallë ne, shqiptarët e Maqedonisë, me krenari të identifikohemi si maqedonë ose maqedonas?

 

            Në të kundërtën, sipas mendimit tim, vazhdimi i këtij avazi absurd, i cili dihet se pritet krahë hapur nga të gjithë sllavët, veçmas nga ata që jetojnë në Maqedoni, do t’i ndihmonte atyre për t’i realizuar qëllimet e tyre të errëta, djallëzore, shoviniste e antishqiptare.

 

Ne, me të drejtë ankohemi se na është vjedhur bile, edhe sot e tërë ditën po na vidhet historia, e nga ana tjetër, sllavëve iu themi: “Ju jeni maqedonë ose maqedonas! Ata (sllavët) sa që nuk na falënderojnë. Pastaj, gazetarët tonë nëpërgjithësi, kur duan që t’i identifikojnë ose që t’iu referohen pushtetmbajtësve sllavë ose popullsisë sllave që jeton në Maqedoni, përdorin nocionet: maqedon, maqedonët ose maqedonasit. Turp! Ku mund të gjindet absurditet më i madh se ky? Ka gjasa, që nuk është aspak për t’u habitur se, këta gjoja gazetarë ende mendojnë se sllavët në Maqedoni janë vendas. Mirëpo, hulumtuesi dhe historiani i mirënjohur arvanitas, Arisdith Kola mendon ndryshe dhe, me fakte të pakontestueshme e kunëdrshton atë. Prandaj intelektualët shqiptarë dhe të gjithë ata që dijnë shkrim-lexim shqip, duhet ta lexojnë librin e tij “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” dhe, si unë, edhe ata do ta kuptojnë se jo vetëm që sllavët që jetojnë në Maqedoni nuk janë maqedonë por grekët (të cilët deri dje edhe unë i kam konsideruar si armiq të shqiptarëve) janë të një gjaku me shqiptarët pra, janë pellazgë, ilirë domethënë shqiptarë.

 

          Me këtë punim tejet provokativ (të cilin, si që kemi shënuar në fillim, në v. 2005 e botoi revista “Strunga”No-3, por, për fat të keq, nuk arriti që t’i zgjoi nga gjumi të paktën intelektualët shqiptarë-struganë e lëri më “doktorrat” e “historianët” të rinjë mender-me-thon e, ku më masën e gjerë popullore shqiptare që thoni ju), po e vendoj edhe në internet, duke shpresuar se do të arrij që t’i nxis intelektualët shqiptarë në Maqedoni, Kosovë a Shqipëri, që të marrin nisiativën për të organizuar një “tavolinë  rrumbullaktë” që kjo temë, në baza historike e shkencore, të shoshitet mirë e mirë dhe, sa më parë që të jetë e mundur, shqiptarët e Maqedonisë të mos hezitojnë që të ndihen madje edhe sinqerisht dhe pa droje, ta quajnë vet-veten maqedonë ose maqedonas dhe si të tillë edhe të identifikohen. Sepse, shqiptarët, kudo që të jetojnë, ata janë SHQIPTARË dhe të tillë duhet të identifikohen! Dhe, jo vetëm aq. Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, jo vetëm që duhet të vetidentifikohen si maqedonë ose maqedonas por ata duhet të kërkojnë edhe nga të tjerët që t’i identifikojnë drejtë, ashtu si që janë: shqiptarë maqedonë ose maqedonas, domethënë shqiptarë që jetojnë në Maqedoni. Sllavët që jetojnë në Maqedoni, do t’i identifikojmë jo maqedonë ose maqedonas por ashtu si që janë: SLLAVË!

 

Sa për ilustrim, këtu më poshtë po sjellim disa shembuj:

 

Vendi dhe identifikimi - vet-identifikimi    –    njëjës / shumës                                              

 

Në Shqipëri     shqiptar nga Shqipëria     =     shqiptar  -   shqiptarë

Në Kosovë       shqiptar nga Kosova         =     kosovar   -   kosovarë

Në Çamëri       shqiptar nga Çamëria     =     çam        -    çamë

Në Maqedoni  – shqiptar nga Maqedonia          =     maqedon –  maqedonë

 

I lutem lexuesit të nderuar që këtë temë ta marrë me seriozitetin më të madh dhe, poqese dëshiron të diskutojë osepo të debatojë lidhur me këtë, më lajmëroni mes rubrikës përkatëse. Unë jam i hapur si për diskutim ashtu edhe për debatim.

 

Ju falemnderit!

 

Maj, 2009

 

FuND



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora