E diele, 28.04.2024, 01:03 PM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Qosja: Pse Sali Berisha është dhe sillet si Muamar Gadafi

E shtune, 05.03.2011, 02:07 PM


Mbi 100 intelektualë kanë shkruar kundër sjelljeve antikombëtare të akademik Rexhep Qosjes

--------

 

“Pse Sali Berisha është dhe sillet si Muamar Gadafi”

01 Mars 2011

Nga REXHEP QOSJA

 

Të dy flasin me një gjuhë. Prej se po shkruaj për krizën politike, institucionale, kushtetuese, morale, të përgjithshme, në Shqipëri, kam bërë një gabim, që nuk ia fal vetes: kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, e kam krahasuar me kryetarin e Tunizisë, Ben Alinë, dhe me kryetarin e Egjiptit, Hosni Mubarakun. E ndiej se, duke bërë këtë krahasim, u kam hyrë në hak edhe kryetarit tunizian, edhe kryetarit egjiptian. Them kështu, sepse, si i pari, Ben Alia, ashtu edhe i dyti, Hosni Mubaraku, doli se ishin shtetarë me përgjegjshmëri politike dhe shtetërore të cilën kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk e ka dëshmuar ndonjëherë. Kur e vërejtën se sundimi i tyre nuk i përgjigjet më njëmendësisë së vendeve të tyre, kur e kuptuan se popujt e tyre nuk i donin më, si kryetari i Tunizisë, Ben Alia, ashtu edhe kryetari i Egjiptit, Hosni Mubaraku, edhe pse në zgjedhje kishin fituar me shumë më tepër vota se kryeministri shqiptar, u tërhoqën prej pushtetit. Dhe, pikërisht për këtë arsye, për arsye se u tërhoqën prej pushtetit pa pritur zhvillime tragjike siç i priti kryeministri shqiptar në vitin 1997 dhe siç tregoi se ishte i gatshëm të priste pas 21 janarit, krahasimi i tij me ata është cenimi i dinjitetit politik dhe shtetar të Ben Alisë dhe të Hosni Mubarakut. Shumë më tepër se këtyre dy shtetarëve arabë, kryeministri i Shqipërisë, me mendësinë politike dhe, në përgjithësi, me natyrën e tij, i shëmbëllen një sundimtari tjetër arab: i shëmbëllen kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadaf. Dhe, këtë shëmbëllesë e shfaqi qartë, vetë, edhe këto ditë.Kjo shëmbëllesë e natyrës politike dhe e asaj pushtetore e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, me diktatorin e Libisë, Moamer el - Gadafi, duhet ta shqetësojë shumë Shqipërinë.Shqipëria duhet të jetë shumë e shqetësuar pse kryeministri i saj, Sali Berisha, flet me të njëjtën gjuhë politike me të cilën flet edhe kryetari i Libisë, Moamer el-Gadafi, për popullin që proteston.

E dëgjuat fjalimin e Moamer el-Gadafit të mërkurën, më 23 shkurt 2011? E dhanë disa televizione të huaja. U dha edhe në ndonjë televizion të Tiranës. Nuk u dha në tërësi - se Moamer el-Gadafi flet gjatë, sado tani, i janë shkurtuar fjalët: ia shkurtoi populli i Libisë.

E keni dëgjuar edhe fjalimin e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, menjëherë pas protestave të 21 janarit 2011. Keni pasur rastin ta dëgjoni shumë e shumë herë. E kanë dhënë të gjitha televizionet. Në mënyrë të veçantë e kanë përsëritur shumë herë televizionet që kanë qejf dhe detyrë ta kallëzojnë shpesh, sa më shpesh, kryeministrin, qoftë edhe kur, në cilësinë e kryeministrit, mori pjesë në garat kombëtare të notit krol në Detin Adriatik, qoftë edhe kur, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, mori pjesë në garat e ngjitjes në Murin kinez, në të cilat merrnin pjesë kryetarët dhe kryeministrat e shumë shteteve!Ç'është e vërteta, tani, as televizionet që kanë qejf dhe detyrë ta kallëzojnë shpesh kryeministrin, qoftë edhe në garat e notit në Adriatik, qoftë edhe në garat e ngjitjes në Murin kinez, nuk po e japin më fjalimin e tij të mbajtur menjëherë pas protestës së 21 janarit.Disa ditë kam menduar: nuk po e japin sepse kryeministri i Shqipërisë mban shumë fjalime, nga disa fjalime në ditë, prandaj po të jepej edhe ai i 21 janarit prapë e prapë nuk do të dihej se cili është i sotmi, më i fundit! Dhe më i rëndësishmi! Por, sot, kur e dëgjova fjalimin e diktatorit të Libisë, Moamer el-Gadafit, sikur e kuptova pse televizionet tona, sidomos ato që kanë qejf dhe detyrë, detyrë demokratike, ta kallëzojnë aq shpesh kryeministrin e Shqipërisë, nuk po e japin më fjalimin e tij të 21 janarit.E pse nuk po e japin më atë fjalim historik e revolucionar?

Nuk po e japin më sepse është shumë i ngjashëm, diku-diku plotësisht i njëjtë, me fjalimin e diktatorit të Libisë, Moamer el-Gadafit, dhe frikësohen mos ky fjalim do t'i frymëzojë shikuesit e tyre të mendojnë e të thonë: diktatorët, tiranët, despotët kanë një gjuhë - gjuhën e kërcënimeve, të frikësimeve, të dhunës, të vrasjeve.E televizionet tona, sidomos televizionet tona që kanë qejf dhe detyrë ta kallëzojnë kryeministrin e Shqipërisë jo vetëm si noton dhe si ngjitet në Murin kinez, madje, edhe në Malin e Dajtit, por edhe si flet dhe çka flet, ndoshta nuk janë të lumtura pse ai, domethënë kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Libisë flasin gjuhë shumë të ngjashme politike, diku-diku gjuhë plotësisht të njëjtë politike. Revolucionare! Të pakohtë! Parake!

Por, në qoftë se televizionet, që kanë qejf dhe detyrë ta kallëzojnë shpesh kryeministrin, nuk kanë qejf të dëgjohet më fjalimi i tij i 21 janarit, domethënë nuk kanë qejf ta bëjnë popullin të vetëdijshëm se kryeministri i tyre flet me gjuhë politike shumë të ngjashme, diku-diku plotësisht të njëjtë me gjuhën politike të kryetarit të Libisë, populli e ka shënuar në kujtesë atë fjalim dhe nuk e harron lehtë. Ata që e kanë kujtesën e jashtëzakonshme si Gjergj Fishta, si Fan Noli, si Faik Konica, si ish kryetari i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, si ish kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ylli Popa, si unë e si një numër tjetër i mjekëve, i fizikanëve, i shkrimtarëve të Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës, nuk do ta harrojnë kurrë, kurrën e kurrës, atë fjalim. Dhe, nuk do ta harrojnë kurrë, sepse ishte fjalim antologjik revolucionar, si edhe fjalimi i kryetarit të Libisë i mbajtur më 23 shkurt.Ç'është e vërteta numri më i madh i qytetarëve të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë intelektualët e sipërpërmendur, e dinë fare mirë se fjalimet e kryeministrit të Shqipërisë, gjatë shumë e shumë vjetëve të tij në pushtet, qoftë si kryetar i Shqipërisë, qoftë si kryeministër i Shqipërisë, qoftë si kryetar i përjetshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë, qoftë, më herët, si sekretar i organizatës themelore të Partisë së Punës në Universitetin Shtetëror të Shqipërisë në Tiranë ndonjëherë ishin edhe më revolucionare se fjalimi i 21 janarit apo se fjalimi i Moamer el-Gadafit i 23 shkurtit. Krahasojini fjalimet e kryeministrit tonë, që ka mbajtur si sekretar i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në mbledhjet e kësaj organizate në Universitetin Shtetëror të Tiranës; fjalimet që ka mbajtur si kryetar i Shqipërisë, mbasi u shpërbë organizata themelore e Partisë së Punës në të cilën ishte sekretar; fjalimet që ka mbajtur si kryeministër i Shqipërisë; fjalimet që ka mbajtur, oh sa shumë fjalime, si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, qe njëzet e sa vjet - krahasojini të gjitha këto fjalime të tij me fjalimet e kryetarit të Libisë dhe do të shihni, do të shihni e do të bindeni, se fjalimet e kryeministrit të Shqipërisë, në vazhdimësi ishin fjalime revolucionare sa fjalimet e kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadaf.Ngjashmëria, kur e kur njëjtësimi i plotë i fjalimeve të fundit të këtyre dy shtetarëve, u bë më i dukshëm se i fjalimeve të tyre të mëparshme, sepse ishin fjalime kur edhe njëri edhe tjetri e ndien veten pisk, u gjetën në, si e quan filozofi Karl Jaspers, situatë skajore, të rrezikuar në fronin në të cilin ishin venduar. Fjalime më të mira gjithmonë mbahen kur gojëtari është i tronditur. Ishin ato dy fjalime antologjike revolucionare të dy politikanëve të tronditur shumë emblematikë të popujve të tyre, që jetojnë në dy kontinente: njëri në kontinentin afrikan, kurse tjetri në kontinentin evropian, që jetojnë larg njëri-tjetrit, por që shumë i përngjasojnë njëri - tjetrit pikë së pari sepse e duan pushtetin si t'i kishte bërë një nënë! Dy fjalime shëmbëllyese. Revolucionare historike!Çka i bënë të ngjashme, jo, më falni, çka në thelb i bënë identike këto dy fjalime të të dy shtetarëve prej të cilëve njëri sundon dyzet vjet, kurse tjetri njëzet vjet? Ngjashmërinë, kur e kur njëjtësinë e këtyre dy fjalimeve të parët e kanë vërejtur dhe paraqitur matur, kujdesshëm, më mirë se unë, në tv, Filip Çakuli, Saimiri dhe Doktori - tre artistët, që për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, për shëndetin e tyre politik e moral, për demokracinë, po bëjnë më shumë se shumë institucione dhe se shumë intelektualë bashkarisht. Unë, ndërkaq, po merrem edhe me shkaqet që i bëjnë të ngjashme këto dy fjalime.

Përmbajtja e shëmbëllesësTë dy fjalimet i drejtohen popullit, në tërësi. Natyrisht. Tiranët, despotët dhe diktatorët kanë qejf t'u drejtohen të gjithëve, por të qërojnë hesape me të veçantit.Në të dy fjalimet bëhet dallimi midis atyre nënshtetasve që rrinë urtë, qetë, që janë besnikë, ndaj sundimtarit të tyre dhe atyre që janë ngritur në protestë kundër atij sundimtari.

Në të dy fjalimet thuhet, shumë vendosmërisht, se pavarësisht prej numrit të protestuesve, as kryeministri, as kryetari, nuk do të tërhiqen. Jo! Kurrën e kurrës. Pavarësisht sa do të zgjasin aty protestat.

Në të dy fjalimet ftohen anëtarët e partisë së kryeministrit Sali Berisha dhe besnikët e kryetarit Moamer el-Gadaf që të jenë në gatishmëri kur t'u thuhet të dalin në protestë, të cilën i pari e quan miting, kurse i dyti e quan popull, për të treguar përkrahjen ndaj sundimtarit.

Në të dy fjalimet, protestuesit, herë të gjithë e herë disa grupe të tyre, quhen kriminelë, jo, më falni, banditë.Në të dy fjalimet, protestuesit zhvlerësohen si përdorues të drogës dhe të alkoolit, që i bëjnë të sillen pakontrollueshëm e të ushtrojnë dhunë kundër forcave të rendit!

Në të dy fjalimet, protestuesit quhen të paguar, më së shumti prej armikut të brendshëm - opozitës, por nuk përjashtohen as paratë e armikut të jashtëm, të vjetër a të ri.Në të dy fjalimet arsyetohen vrasjet e protestuesve me "argumentet" e gjithmonshme të tiranëve, despotëve e diktatorëve - janë vrarë duke u përpjekur të pushtojnë institucionet dhe të marrin pushtetin!Në të dy fjalimet akuzohen protestuesit se kanë plagosur e kanë vrarë njëri-tjetrin me qëllim që për vrasjen e plagosjen e tyre të akuzohen forcat e rendit, domethënë mbrojtësit e kryeministrit të Shqipërisë dhe të kryetarit të Libisë.Në të dy fjalimet, të dy sundimtarët, ky i Shqipërisë gojavetë dhe me gojën e ministrit të ushtrisë, kurse ai i Libisë, me gojën e të birit, i përkujtojnë protestuesit se, po e deshi puna, protestuesit do t'i paqesojë ushtria!Në të dy fjalimet autorët e tyre tregojnë se e duan shumë krahasimin si figurë të shprehjes politiko-poetike: edhe kryeministri shqiptar, edhe kryetari i Libisë, i krahasojnë organizuesit e protestës, domethënë armiqtë politikë, me miun që lyp vrimën për t'u fshehur kur hidhërohen ata!Në të dy fjalimet, siç shihet, mbizotërojnë dy trajta të ligjërimit: akuza dhe kërcënimi.Pikat e takimit, në të vërtetë pikat e njëjtësimit të fjalimit të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe të kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadafi, janë më të shumta, por edhe këto të theksuarat janë të mjafta për të dëshmuar se koncepti pushtetor i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe i kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadafi, është në mos plotësisht i njëjtë, së paku tepër i ngjashëm.

Si të mos jetë, o Zot!

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, edhe kryetari i Libisë, Moamer el-Gadafi, e njëjtësojnë qeverisjen me sundimin, kontratën shoqërore midis popullit dhe përfaqësuesit të zgjedhur me sundimin e pakufizuar.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, edhe kryetari i Libisë, e dëshirojnë sundimin e tyre si sundim të pafund, derisa të jenë gjallë. Për arsye pse e dëshirojnë dhe e kuptojnë kështu sundimin, kryeministri shqiptar u drejtohet qytetarëve të Shqipërisë kështu: do të jem në politikë, e kjo për të do të thotë në pushtet, edhe tridhjetë vjet, derisa të bëhet 110 vjeç, kurse kryetari i Libisë i drejtohet popullit kështu: nuk do të largohem prej vendit. Kurrë!Edhe kryeministri i Shqipërisë, edhe kryetari i Libisë nuk e fshehin fare se janë të gatshëm të vdesin për të mbetur aty ku janë: në pushtet.

Për këtë arsye kryeministri i Shqipërisë, u drejtohet protestuesve, opozitës, të gjithë atyre që shprehin dëshirën që të largohet prej pushtetit: ata që do të provojnë edhe një herë t'i afrohen ndërtesës së kryeministrisë do të marrin përgjigjen që nuk e kanë imagjinuar kurrë!

Për këtë arsye kryetarit i Libisë i drejtohet popullit: do të vdes si martir. Natyrisht: në fron.

Çka e shkakton shëmbëllesën?

Në fund të shtjellimit të mësipërm, pashmangshëm shtrohet pyetja: nga vjen kjo ngjashmëri, kur e kur njëjtësim, midis konceptit pushtetor të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe konceptit pushtetor të kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadafi? Nga vjen njëjtësimi ideor dhe ndjenjor i fjalimeve të tyre të mbajtura më 21 janar - i të parit, dhe më 23 shkurt - i të dytit.

Përgjigjja është e thjeshtë: vjen prej njëmendësisë pushtetore që ka krijuar - i pari, apo që bën çmos të krijojë dhe në disa fusha ka krijuar - i dyti. Kryetari i Libisë sundon më gjatë, tash e dyzet vjet, dhe njëmendësinë shoqërore dhe juridike-kushtetuese të Libisë e ka "sistemuar" ashtu siç ka dashur: ai është vetë kryetar, kryeministër, kryeprokuror dhe komandant i Forcave të Armatosura të Libisë. Sundimtar absolut.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke ndërruar institucionet sunduese, duke qenë kur kryetar, kur kryeministër, por gjithnjë kryetar i Partisë Demokratike, sundon më shkurt se Moamer el-Gadafi, sundon "vetëm" njëzet vjet, por gjatë këtyre njëzet vjetëve ka bërë e po bën çmos, nuk ka lënë e nuk lë mjet pa përdorur, për ta shtuar pushtetin vetjak ashtu si Gadafi: që të mbetet qeveria e tij, në të vërtetë që të mbetet ai edhe kryeministër, edhe kryetar i Shqipërisë, edhe prokuror i Përgjithshëm, edhe komandant i Forcave të Armatosura, edhe komandant i Policisë dhe i Gardës Republikane. Që të mbetet sundimtar absolut! Botim i dytë i Gadafit. Këto përpjekje të tij, ku e ku të sendërtuara plotësisht, në versionin e tyre më të dukshëm, më tragjik, i kemi parë më 1997, 1998 dhe, më pas, më 21 janar 2011.

Por, është edhe një përgjigje në pyetjen se nga vjen ngjashmëria midis konceptit pushtetor të kryeministrit të Shqipërisë dhe të kryetarit të Libisë?

Jam i vetëdijshëm se përgjigjen në këtë pyetje një numër jo i vogël i lexuesve do ta dëgjojnë me mospajtim dhe, do ta dëgjojnë me mospajtim, pak pse nuk e supozojnë të drejtë, të vërtetë, e shumë të tjerë, pse nuk dëshirojnë ta dëgjojnë.Ngjashmëria, kur e kur njëjtësimi midis konceptit pushtetor të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadaf, vjen edhe nga kultura e tyre politike, në të vërtetë nga mendësia e tyre. E siç dihet, kultura politike e njeriut, mendësia e njeriut, është prodhim i kulturës së tij të përgjithshme, i qytetërimit në të cilin është formuar, shkurt i rrethanave kulturore, qytetëruese, politike, historike dhe të përtashme.

Si kryetari i Libisë, Moamer el-Gadafi, ashtu edhe kryetari i Egjiptit, Hosni Mubaraku, kryetari i Tunizisë, Ben Alia, një sërë kryetarësh, kryeministrash, mbretërish, emirësh të vendeve arabe, ashtu edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kanë ide të njëjtë ose të përafërt shtetërore, koncept të njëjtë ose shëmbëllyes pushtetor, pasion të papërmbajtur për pushtet absolut, sepse kanë mendësi të përafërt ose të njëjtë, që vjen prej një qytetërimi me shumë përbërës të njëjtë në vendet e sundimtarëve arabë dhe në vendin e sundimtarit shqiptar.

Gjuha politike është shënuese e rendit politik-shoqëror: është e prodhuar prej tij, por mund të jetë, njëkohësisht, edhe shndërruese e tij.

Rendet politike-shoqërore demokratike, sado mund të dallojnë njëri prej tjetrit, kanë gjuhë politike demokratike.Rendet politike-shoqërore despotike, tiranike, diktatoriale, në përgjithësi rendet politike-shoqërore autoritare kanë gjuhë gënjeshtare, shtypëse, kërcënuese, dhunuese.

Gjuha politike e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe gjuha politike e kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadafi, janë gjuhë politike gënjeshtare, shtypëse, frikësuese, dhunuese, sepse sundimi i tyre, rendet politiko-shoqërore, në të cilat sundojnë, me gjithë ndryshimet sipërfaqësore, a proceduriale, në thelbin e tyre, janë të njëjtë; rende politiko-shoqërore despotike.Të përsëris: Shqipëria duhet të jetë shumë e shqetësuar pse kryeministri i saj, Sali Berisha, flet me gjuhën politike me të cilën flet edhe diktatori i Libisë, Moamer el-Gadafi. Dhe, duhet të jetë shumë e shqetësuar Shqipëria sepse gjuha politike e të parit si edhe gjuha politike e të dytit burojnë prej mendësisë pushtetore në thelb të njëjtë, që është mendësi e kërcënimit, e frikësimit, e shtypjesh, e vrasjes.

Në qoftë se do që të jetë shtet i qytetëruar, me rend politik-shoqëror demokratik, në të cilin demokracia do të jetë marrëdhënie midis njerëzve, shtet i së drejtës, shtet me qëndrueshmëri, me shëndet moral, me nderim e autoritet në botë dhe, më në fund, shtet i pranuar në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të lirohet prej konceptit pushtetor berishian - gadafian. Kur të lirohet prej këtij koncepti të tejskajshëm për pushtetin, Shqipëria do të lirohet edhe prej asaj gjuhe revolucionare, shtypëse, kërcënuese dhe frikësuese, që e dëgjon nga goja e kryeministrit dhe e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë a - më saktë e thënë - nga goja e kryetares së Kuvendit të tij. E vë peng veprën dhe etikën time mendore dhe them: Shqipëria do të lirohet prej atij koncepti vrastar pushtetor dhe, më në fund, prej asaj gjuhe shtypëse, kërcënuese dhe frikësuese, gadafiane, vetëm në qoftë se lirohet prej kryeministrit të sotëm të saj, Sali Berisha.

 

(Artikull i marrë nga Gazeta Shqiptare)

 

 

Komente:

 

Dërguar nga ruzhdi, ngazvicrra më 03-03-2011

 

z.Rexhep Qosja rri ne hallin tend mos u perzie ne politik se ne dijm se je nje Komunist,pleqnin tende lutju Zotit e mos ben hasmi mes shqiptarve se na boll jemi te hasmum a spo e shef se aspak skemi rrespekt njeri ndaj tjetrit.

 

Dërguar nga Autoktoni, TIRANA më 03-03-2011

Se ç'shkruan ti per keto palo politikane, jane pa interes, se i njohim, por me ty si t'ja bojm hallit qe te ngeli "qafa e ngrime nga lindja(e mesme)".

 

Dërguar nga Arjani, Tirane më 02-03-2011

z. Qosja gjithmone shkruan mire dhe i rendit te vertetat ashtu sic jane. Me bejne pershtypje disa komente me poshte. Duket qe jane perkrahesit e Sali kapedanit, por nuk e kuptoj perse u djeg kaq shume. Mund te kesh mendin ndryshe, eshte normale, por te shkruash brockulla sic bejne keta, vetem nje interes shume i forte i lidh keta njerez me Salen.

 

Dërguar nga korcari, usa më 02-03-2011

Idashur Rexhep ,patriot,mendimtar,njeri i urte ,filozof,[perulem para teje e te lumte pene per cfare ke shkrojtur e folur per politiken shqiptare e per instalimin e diktatures ne atdheun meme.Te lutem imjoro cdo koment injorantesh ,nje personazh i qytetit tim thoshte sot jam shume i lodhur e i raskapitur se kam biseduar me nje idiot .Dote ishte me vlere mendimi tuaj per gormen dhe menyren e shkaterimit te kesaj diktature te re qe cdo dite prodhon bllokmene milionere te rinj e varferon popullin.

 

 

Dërguar nga I migruari, Zvicër më 02-03-2011

Zoti Qosja, jeni njeri i menqur ....... Nga ju e kam mësuar se Megalomanija dhe Patriotizmi nuk kanë gjë të përbashkët!!! Atëherë, ju zoti Qosja çka jeni? Patriot apo Megaloman? Kur ju etiketoni njerëzit që bëjnë aq sa munden dhe sa dijnë për të kryer detyrën ndaj popullit të tijë, me intereson të dijë çfar do të bënit ju për Dick Martin, Tadiqin apo Edi Ramën??? 

 

Dërguar nga hooker, all-around më 02-03-2011

 

Politizimi i pamfleteve te Qoses behet gjithnje e me ekstem, po ashtu si me polemiken publike me Kadarene, mbi identitetin kombetar. Ne te njejten kohè verferohen progresivisht argumentat qe perdore ne sulmet e tija personale ndaj figurave referuese.Nese doni tè kuptoni qellimin e vertete te Qoses, gjate leximit te shkrimeve te tija, beni pyetjen: Cui prodest? Pra kujt i sherbejne shkrimet?Pashmangerisht pergjigja eshte: atij vete, per te dale nga anonimati provicial dhe frustracioni deshtak!

 

Dërguar nga realisti, tetove më 02-03-2011

 

edhe ato te vrteta qe i thot,-e qe ka shume , e humbin vleren sepse duket sikur t'i kete shkruar ndonje militant socialist ,dhe verehet nje lloj urrejtje mbase personale nga z.qosja ndaj z.berisha.  

 

Nga Kadri Mani: Qosja si spiun i UDB-së (në lidhje konspirative me Ibush Kllokoqin), ka hyrë në vallen e tradhtisë, dhe tash duhet (detyrphet) të lozë atë rol për të cilin është paguar kohë të gjatë; përndryshe Qosje e di se populli nuk e do, se është fare ntipopullor e tradhtar- rankoviqis.

Që është i këtillë, ata që i kanë dy kokrra mend e dinë që nga “vepra”: “MORFOLOGJIA E NJË FUSHATE”, Prishtinë, 1980, në f. 8, ai shkruan për veten:

“kurrë s’ka qnë i gjykuar;

kurrë s’ka qenë dëshmitar në gjyq;”- dhe pasi me këtë  e tregoi “pastërtinë morale” që është lojal ndaj Jugosllavisë së tij, atëherë e lëshoi gjuhën e përdalë kundër 6 (gjashtë) personaliteteve më të larta kosovare: Ali Podrimja, Fehmi e Hilmi Agani, Hysni Hoxha, Intahim Rugova e Rexhep Ismajli.

Kurse tash e ka pëor gojën “UÇK” dhe “Komandant Legjandar Adem Jashari”- paçka se për luftën nuk dha asgjë, madje as një sterim për një rekrut, të cilët i vrisnin në ushtrinë e Jugodllavisë së tij!

-------------------

 

Fadil Bujari: Një pamflet plot insinuata

E Diel, 08-02-2009, 01:10pm (GMT)

 

 

Rexhep Qosja

Arikvore

NJË PAMFLET PLOT INSINUATA

(OSE:DËRDËLLISJET MARATONIKE TË REXHEP QOSJES NË “MOSFOLOGJIA E NJË FUSHATE”)

Nga Fadil Bujari

Na doli para një kohe (sa fat i mirë!) pamfleti deri më tash më i paskrupulli i një yrneku sigurisht më pretencioz që ka njohur ndonjëherë lexuesi ynë, me titull “Morfologjia e një fushate” nga dora dhe mendja shumë e ndritur e Rexhep Qosjes i cili, duke qenë shumë i kujdesshëm ndaj lexuesve të nderuar, këta nuk i lë pa i informuar, bile në fillim të fillimit se babain e tij po e quakan Shaban Qosja kurse nënën Zinete Muratagaj. Duket sheshit një përparim i madh. Autori kështu na del pinjoll me pedigre dhe është në krye të Institutit Albanologjik dhe në mbititullin e pamfletit në shqyrtim. Prindërit e bezdisur do ta kenë flakur nga shkrepat dhe ky na u importua duke sjellë me vete vetëm zbrazëtinë dhe skamjen shpirtërore – trashëguar nga loja e çuditshme e kromozomeve të gjithëpushtetshme dhe nga koprracia e pamëshirshme e natyrës. Duhet thënë në fillim se gjithë ç’sjell kjo dërdëllisje maratonike e R. Qosjes, është nën nivelin e shtatëvjeçares së Gucisë dhe të klasës së katërt të Gjimnazit real të Ivangradit, të cilat, autori ynë shumë i ndritur i paskësh kryer. Autori i përmendur pasi lavdërohet me kaq sa u citua, nuk harron të lavdërohet se këtë “kryevepër” e paskësh shkruar për vetëm 40 ditë dhe buzagaz! Është një fakt me të vërtetë mahnitës! Është për t’u lavdëruar natyrisht kjo që për një kohë kaq të shkurtër (mbani mend: gjithsej 40 ditë!) këtij ustai i ka shkuar përdore të bëjë kaq shumë falsifikime , insinuata e intriga dhe të grumbullojë kaq shumë marrëzira brenda dy kopertinave që e “mbulojnë” këtë paturpësi të radhitur në mbi 340 faqe të shtypura. S’ka të bëjë kjo që, po të hiqen marrëzirat e përsëritura (edhe gjuhësore, domethënë edhe drejtshkrimore bile!) që kapin tri të katërtat e “veprës”, del se ato të mirëfilltat kapin një vëllim prej aq faqesh sa teprojnë.

Duke mos pasur pretenca që ta analizoj gjithë ç’thuhet brenda këtyre dy kopertinave dhe për materien që për fat të mirë e fshehin ato, dhe duke konsideruar atë objekt të denjë për trajtime e obduksione psikoanalitike që janë në kompetencat e të tjerëve të vërtetave që kanë të bëjnë me mua dhe të cilat A-pisi ynë i falsifikon me paturpësi me të vërtetë të padëgjuar e të paparë. Duhet të ndalem pakëz, natyrisht, në fjalorin “mahnitës” e pornografik, në inkomsekuancat qesharake, por nuk mund të flas gjerësisht për gjuhën e çoroditur e gabimet gramatikore, sintaksore e bile edhe drejtshkrimore, sepse për një punë të tillë do të duhej një libër i tërë e atë nuk mund ta botoj në Institucionin ku punoj për shkak se ai nuk praktikon t’i shpërdorojë mjetet e shoqërisë sikur që bën autori ynë në Institutin Albanologjik. Mirëpo, mjafton të thuhet që në fillim kaq se analfabet më i madh se autori i këtij pamfleti është po ky autor, dmth. RQ në produksionin e ti të deritashëm, në serialet e përparshme – botuar në të gjitha gazetat e revistat tona të cilat në këtë pamflet i përgojon duke harruar se një artikull të njëjtë ka botuar herë një njërën e herë në tjetrën gazetë ose revistë dhe duke harruar akoma se me honorarin e tyre i ka blerë tullat e tjegullat e shtëpisë të cilën e ka ndërtuar dhe kështu ka rënë bile nën nivelin e atyre të cilët dikur i kritikonte dhe i merrte në gojë në mënyrë të pamëshirshme, duke i quajtur mikroborgjezë, shoqëri e konsumit, njerëz të padinjitet që futen në baltë gjer në gjunjë e të tjera e të tjera të gjithë ata të “mjerë” pra, që kishin pasur guximin të ndërtonin shtëpi para hirësisë së tij! Ky i fundit, siç mund të pritej, nuk hyri në baltë fare, as deri në fyt bile jo, kur e ndërtoi shtëpinë, as kur banesën e Institutit Albanologjik ia dha motrës së vet me zemërgjerësi të madhe (Aferim! Sa moral i lartë postbrional!) as me këtë që e botoi tashti duke vënë në krye edhe dy emra si “recensentë”.

Por, të shohim tashti, vetëm shkarazi, t’u hedhim një vështrim falsifikimeve e gënjeshtrave të RQ dhe fjalorit të kësaj “vepre”, të mahnitemi pakëz me trillimet e të kënaqemi me koloritin e lëngshëm, si do të thoshin në klasën e katërt të Gjimnazit real të Ivangradit. Të gjimnazit, domethënë, real! Duke folur për dy reagimet ndaj artikullit të tij që kishin arritur në redaksinë e Rilindjes, RQ, (faqe 59) shkruan: “… Kisha kërkuar dhe Kryeredaktori i Rilindjes m’i kishte dhënë t’i lexoja. Me supozimin se dy artikujve, që kishin, përafërsisht, 21 faqe të makinës (sic! thuajse makina kishte 21 faqe) nuk do të mund t’u përgjigjesha menjëherë javën tjetër, i kisha kseroksuar; s’ka dyshim se vetëm duke i pasur përpara do të mund të bëja gati përgjigjen me kohë. Kur ia kisha kthyer artikujt e kisha vënë në dijeni kryeredaktorin e Rilindjes se kisha bërë kseroksimin e tyre…” Sa gjest i pamoralshëm! “I kisha kseroksuar” – thotë moralisti ynë dhe nuk përton të gënjejë menjëherë duke thënë se “… e kisha vënë në dijeni kryeredaktorin”! Të kesh guxim të shkruash një të pavërtetë të tillë me supozimin se atë do të lexojë edhe i apostrofuari kryeredaktor i “Rilindjes”, do të thotë të jesh i pacipë plotësisht. De të kesh “aftësinë” e kseroksimit e të paraqitjes së rreme të tij pas gjashtë vjetësh është gjest që dëshmon nivelin shumë të ulët moral dhe mungesën totale të karakterit, tregon një shkallë aq të zhvilluar të sëmundjes, në të cilën nuk mund të bëjnë hiç gjë as psikoanalitikët më të dëgjuar. Cila është e vërteta? Këtë duhet t’u them lexuesve unë, sepse “eruditi” ynë nuk pati guxim ta thoshte, sepse ai, si zakonisht, nuk pati kurajo as njerëzore, as morale.

Është e vërtetë se m’i kishte kërkuar sikur që është e vërtetë se unë, duke parë me shkrimet e veta jokritike dhe diskualifikuese RQ mund të dëmtonte veten dhe pasi isha konsultuar edhe me mikun e tij dhe timin lidhur me këtë, i bindur se do t’i ndihmoja atij që të unjej prej fikut e të mos kapardisej pa nevojë, i kisha dhënë artikujt që t’i lexonte në zyrën time dhe në prezencën time. Naiviteti im i dytë qëndron këtuqë RQ, në vend se t’i lexonte artikujt, nisi t’ua numëronte faqet. Unë nuk e njihja atë, nuk e dija se në zyrën time, fshehur prapa mjekrës së zezë, qëndronte Ostap Benderi shqiptar. Pasi i numëroi e i numëroi mirë e mirë faqet e artikujve, me pretekst se në zyrën time hynin e dilnin shumë gazetarë, Ostap Benderi i importuar shqiptar nga shtatëvjeçarja e Gucisë, në stilin e Jagos, më luti që artikujt t’i lexonte në qetësi në një zyrë tjetër! Naiviteti im i tretë qëndron këtu se unë e prita që Jagoja të m’i kthente artikujt. Naiviteti im i katërt qëndron këtu se kur u takova me të para hyrjes së banesës sime që aso kohe ishte ngjit me hyrjen e tij, besova se kishte ndodhur krejt rastësisht që artikujt m’i kthente aty dke u arsyetuar me sa mbaj mend (se evidenca për bisedat me njerëz, edhe kur këta kanë qenë të pamoralshëm, nuk kam mbajtur) se nuk kishte qenë në gjendje të m’i kthente më përpara. Çështjen e kseroksimit unë e mora vesh një ditë më vonë nga burime krejt të tjera që tregonin se Ostap Benderi ynë me artikujt e kseroksuar kishte bërë një skandal në Fakultetin Filozofik. Naiviteti i Jagos, ndërkaq, qëndron këtu se ai, i verbuar nga mendjemadhësia, pandehi të nevojshme që të nesërmen të më vinte në zyrë me çantën e zezë në dorë prej së cilës, me gjeste teatrore diletanteske, përcjellë nga poza të nivelit prekës, nxori Fjalorin e Institutit dhe me një shtrëngim miqësor (!) të dorës ma dhuroi atë me përkushtimin personal të tij e të vulosur zyrtarisht! I bëra një pritje të denjë. Duke qëndruar këmbë i thashë se gjesti i tij mashtrues, se keqpërdorimi i besimit, se gjesti i kseroksimit pa leje janë gjeste të ulëta sikur edhe sikur edhe kryesi i tyre, domethënë R.Qosja. I thashë po ashtu edhe çdo gjë tjetër që duhet thënë në raste të ngjashme kur njeriu ballafaqohet me njerëz shtytjesh të tilla makiaveliste. Pas këtij breshëri klienti ynë, këmbët e lehta faqja e zezë, me pamjen e epileptikut para atakut, duke u dridhur si princ Mishkini, u largua nga zyra. Gjëja e parë që bëra ishte që t’i hapja dritaret.

Të shohim tash shkurtimisht se çfarë fjalori përdor RQ

Herë-herë krijuesi ynë i palodhshëm nuk lë mangut që në këtë “kryevepër”, që me daljen e vet “dikë edhe do ta gëzojë”, të bëjë kushtrim për një “komunikim kulturor” dhe të çohet kundër “gjuhës së rrugëve që është nën çdo dinjitet kulturor” me të cilën njëri prej “varrmihësve” të tij ka marrë guxim të flasë me të. Dhe pa i rrahur qerpiktë (sikur që shkruan vetë, demek “i netrepnuvši!”) nis e jep shembullin e nivelit personal. Le të flasin „margaritarët” a “perlat” e tij të cilat u atribuon atyre të cilëve u drejtohet. Me gojën plot ai njeriun e quan “bythec”, e tjetri për kritikën shkruan në mënyrë “më të pshurrur”, njëri është “teknefes” ose “teknefes i kritikës sonë” (ky vetë nuk është teknefes, as i telefosur, sepse ka fuqi që këtë e thënie të tjera t’i përsërisë nga 5-6 herë në një faqe!) disa janë njerëz “seksualisht ende të paidentifikuar”, disa janë “tarrabeca” ose të “gjuveçuar” (nga kuzhina e klasës së përmendur, që ishte reale); njëri është “ari mali”, tjetri është “horr” dhe, prandaj, të gjithëve u drejtohet me porca miseria, poca miseria”… njërit i drejtohet me “… ekselenca e tij krrokatëse” ose, shkurt, me një “kukuvriq” ose “kardash”. Mirëpo, imagjinata e tij “krijuese” ka dhënë edhe këto kontribute “komunikimit të denjë kulturor”: “ky gomar është më i bukur se…” (F.2007); “Lartësia e kalit, e gomarit, e gomarit të tij…” (f. 241) e të tjera e të tjera!

Ama, ç’thua moj shoqe R? Lum ne që të kemi! Aferim të qoftë! Dhe thotë akoma kardashi, domethënë RQ, të cilin tash, pa e obduksionuar, po e gjymtyrizojmë në dy kompozitat shqipe dhe po e quajmë vetëm dash, thotë, pra, dashi, se dikush, kur ta lexojë librin, do të gëzohet. Ai i var shpresat se nuk është i vetmuar dhe se sëmundja marrë përmasa të gjera. Princi! Ky na qenka, pra, niveli me “dinjitet kulturor” që na ofron me ashtu-të e veta të neveritshme në mbi 340 faqe duke kujtuar se po sjell diçka të re e mahnitëse, me këtë “bravurozitet” e duke mos ditur se kjo “kreshendo” është banaliteti më i madh.

Mirëpo, pamfleti, natyrisht, i ka edhe anët e veta qesharake që ia shtojnë pak lëngun domethënë e bëjnë plotësisht të hirrëshme, , domethënë e bëjnë të hirrët.Autori (vini re!) merr guximin që japë edhe ders gjuhësor të tjerëve duke i quajtur ata, asgjëmangut “shqipshkelësa”! Ai vetë, kjo gjymtyrë e dytë, e djathta domethënë. Dhe, sa lutje e urata drejtuar lexuesve eventualisht të pakujdesshëm se! Kështu, për shembull, në mënyrë të përkorë ky, duke dashur t’i fitojë simpatitë e tyre, u drejtohet:

“Besoj e keni lexuar me kujdes, Lexojeni, luteni (sic!) edhe njëherë! Lexojeni, luteni (sic!) edhe njëherë! Lexojeni, luteni (sic!), edhe njëherë dhe ndaluni pas çdo fjalie”! (f. 256).

Ose: “shikoni, luteni (sic!), se… shikoni, ju lutem se… Shikoni, ju lutem, se me…” (f. 257)

Ose: veni re, luteni (sic!) se… Shikoni, ju lutem, se…” (f. 257)

Ose: “Veni re, luteni (sic!), se ai… (f. 259) dhe kështu pa fund e pa krye. Luteni, luteni, luteni… Profesori! Profesori që merr guximin të flasë për gjuhë! Profesori që nuk di ç’është konjugacioni e deklinacioni, që nuk di se ç’është zgjedhimi i foljes e këndej kapardiset e thotë luteni, luteni, luteni, si çakalli! Se “luteni” do të thotë “luteni ju atë” do të duhej të kish mësuar në shtatëvjeçaren e Gucisë e bile edhe në Ivangrad! Aq dijnë edhe atje, jam i sigurt me “probabilitet të lartë” që të mos them të “qindpërqindtë”!

Dhe, ç’është kjo që ofrohet pas gjithë këtyre uratave e lutjeve? Janë perlat “shqipe”… Për më tepër, më duket mohimi i tyre jo që vetëm si i tillë e provon nderin tim intelektual” 9166) “… ai donte të jetë kujdestar…” (172); “… që aq me kompetencë do të merren…” (172); “që aq me pasion…” dhe “pse këto libra…” (189), “… fatlumnisht për mua…” (163), “…është pakëz e vështirë të dihet, ashtu siç është e vështirë të…” (1720; “Më 1 mars 1978 Televizioni i Prishtinës emiton emisionin spektri, që i përshtatej prezantimit të veprave të profesor Eqrem Çabejt që kishin dalur…” 9177). Dhe, te Çabeji! Që kishin dalur!Tash ia shtove ymrin profesor Çabejit, i cli do të “gëzohet” shumë me këtë nivel gjuhësor! Do të gëzohen nxënësit e sidomos studentët. Sa pozitivisht do të ndikojnë këta shembuj tek ata! Sa autoritet të madh do të ushtrojë “pedagogu” e “edukuesi” i gjeneratave! Drejtori i Institutit Albanologjik!

Dhe vazhdon “njohësi” ynë i shqipes: “… kur është në pyetje poezia…! “… kur është në pyetje proza…” (213), “…Ai s’është i vetëdijshëm për kuptimin e tyre…” (247), Dhe, pavarësisht pse poezia jonë…” e “pavarësisht pse RQ nuk pranon…” (260), “Artikujt e tij,… dëshmojnë se deri dek pjekuria…” (262), “(me kusht në qoftë se ka çka të komprometohet në të)” (268). Ose kjo fjali: “Të shquara deri në shkallën deri në të cilën nuk e kisha shquar…” (268)! Ta kam kështu! Shqip! Me fjalë, gramatikë, sintaksë-komplet! Ose: “…më saktësisht e thënë…” në po atë faqe nga po ajo kuzhinë. Mirëpo, “fatlumnisht për të”, këtu kemi edhe kuzhina të tjera. Të shohim se në çfarë duhmash e erërash hasim më tutje: “…dmethënë varësisht prej të ngjarave që do të ngjajnë në punën time krijuese…” (216)! “s’kam nevojë për koment, sado në citatin e fundit e kam komentuar në kaptinën” (284); “… duke e nxjerrë ashtu shkrimtar, shumë të vogël, sado në artikullin…” (284); “Athua” shkruhet nëntë herë vetëm në faqen 289 ashtu si e paraqita; “Në pajtim me këtë logjikë ata e ndjejnë, instinktivisht e ndjejnë se…” (292). “Plenumin e Brioneve e kisha pritur si një kusht të lirisë së pacënuar” (295); “…Megjithëse nuk isha qa i ri që të entuziazmohesha aq lehtë” (295); “Suverenitet shpirtëror e kultural” (301-302); “Çka përndryshe” (304-305), “Diskredituese kur janë në pyetje… ( 312) dhe më poshtë, po aty, “…në të vërtetë romantike kur janë në pyetje disa individë…”, “kundër të cilëve është turrë…” pasojnë. Kjo shprehje “i gjymtë” për të, natyrisht, nuk mund të thuhet. Profesori s’shtë i gjymtë. Ai është vetëm analfabet. Ja se si e manifeston këtë: në gjysmën e një fjalie (215) me plot erudicion dy herë e përdor (shqip, gjoja) fjalinë e dashur të asaj klase të katërt, “Pavarësisht prej termave dhe në faqen vijuese zë ta përsërisë, sipas zakonit, ashtu, ashtu, ashtu… tamam aty ku lufton kundër tautologjisë.

Më duket se lexuesit janë lodhur edhe me këtë pjesë të vogël të “perlave” të paraqitura këtu e të shkruara nga dora autoritative dhe shumë e dijshme e Profesorit, por, le të më ndjejë e letë kenë edhe pak durim. Po i siguroj se nuk do t’i them të gjitha, sepse, siç ju thashë në fillim, do të duhej të shkruaja një libër – manual a doracak për fillestarët. Mirëpo, s’dua ta përfundoj këtë pjesë pa cituar edhe pak, sa për argëtimin tuaj.

Në faqen 323 Profesori i “dijshëm” shkruan: “Është e kuptueshme, madje plotësisht e kuptueshme, prandaj…” Këtë fjali e shkruan tri herë dhe, do të thoshe, mjaft, edhe sikur të jetë nga ana e tij. Por, ç}të shohësh se. Jo, nuk është mjaft! Duhet të vijë edhe kurora, domethënë kapaku, dhe ky vazhdon tash kështu: “Aq më tepër, është e kuptueshme, madje plotësisht e kuptueshme, prandaj…” e të tjera e të tjera, o lexues!

Sa më sipër nuk po japim komentin tonë as ekuivalencat shqipe, për shkak se lexuesit tanë nuk kanë nevojë për to, por edhe për një arsye tjetër. Këto gjëra mësohen në tetëvjeçaret tona dhe këtë artikull nuk e kam quajtur as orë mësimi, as shkollim plotësues për RQ.

Të shohim tash, se ç’nuk do t’i bjerë në mend heroit tonë të gjymtyrizuar pak përpara. Herë-herë (76-183) ky I jep një “rol të veçantë” kryeredaktorit të Rilindjes në “fushatën” e konstruktuar në mendjen e tij të sëmurë. Këtu, duhet thënë edhe këtë, ka ngapak të drejtë. Është e vërtetë se kryeredaktori ka pasur rol të veçantë për shkak se ai nuk ka qenë sa duhet rigoroz dhe nuk ka bërë seleksionimin e nevojshëm të artikujve që i sillte Profesori por i botonte si i vinin, domethënë pa kritere të duhura. Është e vërtetë, po ashtu, se ky kryeredaktor deri më tash nuk ia ka refuzuar asnjë artikull që ka sjellë për botim. Epo, ku qëndron puna atëherë? Përse ankohet profesori i “dijshëm”? Ankohet sepse kryeredaktori ka pasur guxim që herë-herë të botojë artikuj edhe nga autorë të tjerë! Këtë, sipas “gjenisë” së tij, unë nuk do të duhej të lejoja. Sepse, sipas mendimit të tij, Rilindja do të duhet të ishte pronë e tij private, monopol i profesorit, tamam ashtu si e ka bërë ai Institutin Albanologjik. Kështu do të duhet të vepronin edhe revistat tona, kështu edhe Redaksia e botimeve. Sepse, as redaktorët e këtyre revistave dhe e Redaksisë së botimeve nuk kanë vepruar ndryshe. Gjithë çka ka botuar ky, ka botuar edhe të gjitha gjërat (domethënë veprat) kanë kaluar nëpër duart e po këtyre redaktorëve, kundër të cilëve është çuar peshë RQ dhe insiston e insiston që këta të ndërrohen e t’i shtrohen institucionit të rizgjedhjes. Pse e shtron këtë kërkesë për ndërrimin e tyre e nuk e sheh veten të pandërruar deri më tash e të zgjedhur për herë të tretë në postin e drejtorit të Institutit Albanologjik? Vetëm e vetëm pse edhe këta redaktorë, krahas produksionit të tij, kanë botuar, natyrisht, edhe veprat e autorëve të tjerë. Eh, kjo, sipas histerisë së tij është e palejueshme! Revistat tona ky i quan 9219) “institucione perandorake” e nuk sheh sulltanin e hirrët në Institut. Dhe ky sulltan për këto probleme të rizgjedhjes flet në mënyrë krejt “autoritative”, pa komplekse, me vetëdijet të “lartë” politike si “mbrojtës” i institucioneve legale demokratike! S’ka dert se këto inkonsekuanca qesharake s’i kanë hije një profesori kaq pretencioz. Këtë “faj”, natyrisht, nuk e bën vetëm Rilindja, as Redaksia e botimeve, por edhe Televizioni i Prishtinës. Edhe ata atje janë të padëgjueshëm “Në rrjedhat e TV, një grup individësh e shpallin njëri-tjetrin “gjeni” (322) e nuk e dinë se kjo është punë e ndaluar. Gjeniu është një dhe mos e prekni ariun se mund të na tërbohet dhe na e dhuron këtë që e quajti “vepër” që do të “shpërthejë si një bombë atomike” . Dhe, shpërtheu! Efekti dihet: na u qelbës ambienti. Sugjeroj të bëhet dekontaminimi i rizgjedhjes. Efektet: do t’u thuhet stop abuzimeve dhe shtytjeve të ulëta.

Ekspert i pakalueshëm i konstruksioneve Goljatkini ynë junior nuk stepet e nuk telefoset asnjë çast. Ai bën një konstruksion të ri. Një Tribunë e të Rilindjes, që asokohe organizohej për diskutimin trajtimin e shumë problemeve letrare, artistike, filozofike, muzikore e të tjera e të tjera, ai tashti e kualifikoi “linç intelektual, kurdisur kundër tij!” Po, tamam kështu. Dhe, po të kërkojë njeriu normal arsyet se pse e bëri këtë shpifje kaq të errët, do të stepet sikur që stepet para absurdeve të papritura. Arsye s’ka, këtë e ka shpikur Goljatkini (ynë!) junior. Dhe, nuk i quan të gjitha Tribunat kështu. As atë në të cilën ky ishte kryesori, domethënë kur ky ishte ligjëruesi, sado që edhe në atë Tribunë ka pasur studime e interpretime të ndryshme lidhur me veprën në shqyrtim të Nolit. Edhe kritika pikëpamjesh, ashtu si i ka hije një institucioni nganjëherë të njohur në botë – se Tribunën nuk e shpikëm për herë të parë ne në Rilindje. Madje kritika e konfrontime mendimesh e pikëpamjesh në momente edhe pakëz më të zjarrta. Thuajse ishim në ndonjë akademi shkencore ku duhej të vendosej përfundimisht për çështjet më qenësore shkencore. Si udhëheqës i Tribunës pata parë të arsyeshme që t’i përkujtoja diskutuesit e asaj mbrëmje se ene ishim vetëm në një Tribunë dhe se kishim ardhur të diskutonim e t’i këmbenim mendimet tona dhe se nuk ishim tubuar që të merrnim vendime definitive për shkak se as që kishim autorizime të tilla. Ua përkujtova karakterin e tribunave të ngjashme.

Ç’thotë RQ për këtë tribunë e të tjerat në këtë pamfletin e tij të fundit? Këtë e përmend, të tjerat s’i përmend fare, kurse atë tjetrin, në të cilin ky s’kishte marrë pjesë fare, por që nuk e dallonte aspak prej të tjerëve (as për nga cilësia) e quan “linç”. Madje “linç” me të gjitha tiparet e veta. Domethënë një “linç” që e ka edhe orën e vet (18), edhe lokalet, edhe, siç thotë ai, “tepihat” e kuq e të tjera, e të tjera! “Harron” fare juniori ynë se edhe Tribuna ku ai ishte “kryesori” u mbajt në orën 18, edhe në lokale të ngjashme, edhe me pjesëmarrës të ngjashëm. Mirëpo, Këtë ai nuk e quan linç, as intelektual bile jo. Herë ashtu, e herë kështu. Sipas shijes së tij.

Pasi jemi te Tribuna e Rilindjes dhe pikërisht te ajo në të cilën RQ ishte kryesuesi kryesor, duka të them edhe pak fjalë, domethënë dua të shfrytëzoj rastin e ta falënderoj kështu politikisht RQ për të falat që pas mbrëmjes për Nolin e pas fjalës sime m’i kishte dërguar me anë të redaktorit të atëhershëm të rubrikës së kulturës të Rilindjes (Ibrahim Kadriut). E kishte falënderuar kryeredaktorin. I kishte thënë se je mirënjohës për “interpretimin” tim “inteligjent”. Me nder qofsh!

Ka në këtë pamflet edhe pasazhe të tjera të mbrujtura me perfiditet të çuditshëm. Na del se RQ di edhe të mallëngjehet dhe me butësi shpirti ta përkujtojë kohën e Plenumit të Brioneve. Thotë se si i kishte varur shpresat shumë në të sepse këtij do t’i jepej rasti t’i manifestonte aftësitë e veta ende të pashprehura krijuese! Mirëpo, Princidëshprohet shpejt. Atë, thotë RQ, e ndjekin tash shpirtrat e këqij, demonët, dhe, ja, dhjetë vjet pas këtij Plenumi, e shqetësojnë me telefon, për më tepër, me telefonin e shtëpisë së tij. Dhe i kërcënohen se do ta likuidojnë, për shembull, fizikisht! Mirëpo, të pahajrit s’e lënë rehat po i kërcënohen se do ta likuidojnë edhe moralisht. Këtu është e keqja më e madhe. Se, për fizikisht ai është trimosh, mund ta lërë edhe kokën, (sa sakrificë e denjë!), por e zemëron kjo që është likuidim “moral”

Njerëzit i kërcënohen se atij do t’ia likuidojnë at që ky s’e ka pasur shpesh! Por, jo vetëm kaq. Kërcënohen se, për shembull, do të nisin t’ia ndukin (sa tmerr) qimet e mjekrës një nga një, se do t’ia qëmtojnë shumë, shumë, dhe se këtë do të bëjnë ashtu sa për ta shëmtuar bukuroshin tonë të lavdëruar, që t’i ngjasojë më shumë një rikshisti të Bangladeshit; se do t’ia zdeshin rrobat e zeza ose, shumë-shumë teget, se do t’ia zdeshin edhe elementet e tjera të kapardisjes dhe se do ta lënë vetëm në një sari të bardhë që do t’ai mbulojë anatominë e tij të pasme dhe këtë do të bëjnë ashtu. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, këtë do të bëjë tipa seksualisht krejt të identifikuar. Ajme! Si ëndërrat e trishtueshme! Pastaj këta, duke vazhduar procedurën do të nisin t’ia qesin edhe të palarat e tjera në shesh, do të shkojnë edhe në qoshkut më të errëta edhe të godinës supermoderne që e ndërtuam për zhvillimin e shkencës-mbi shtyllat e bardha e me hajate mermeri. Vaj halli! Ëndërr e trishtueshme me të vërtetë! Ankth! Kush e bëri këtë?

Këtë e bëri një njeri që është edhe anonim, dhe me iniciale! E inicialet janë FB, domethënë në kllapa! Edhepse RQ është i “gjithëfuqishëm”, ai thotë një absurditet. Thotë se aq ia pret mendja.

Lexuesit e nderuar le të lodhen pak. Kush mund të fshihet prapa këtyre inicialeve (“anonime!”) të vëna në kllapa? Kush mund të jetë ky që ka guximin e paturpësisë që të ketë inicialet FB? Mos është ky kryeredaktori i gazetës Rilindja, besimin e të cilit e shpërdori me aq paturpësi?

Jo, nuk është, dhe ky e di fare mirë se nuk mund të ishte, mirëpo, duke qenë se Jagoja është edhe ai kali i tretë, ai i ziu i Apokalipsës, domethënë me terezitë nëpër duar, për të matur se sa shkon tërshëra në Pazar, jo rastësisht por me qëllime djallëzore fut iniciale të caktuara dhe na i përkujton amputacionet famëkeqe dhe monstruoze në një kohë e nga ndonjë vend i caktuar dhe këtë punë e bën, natyrisht, pas vitit historik 1966, domethënë pa Brioneve (!) që e kishin gëzuar qa shumë dhe fut kështu dyshime në stilin e mirënjohur stalinian dhe të “dënuar” nga vetë hirësia e tij si stil i Berias… Ç’mund të thuhet për një stil të tillë dhe për një karakter të këtillë? Si është e mundur që me kaq brutalitet të keqpërdoren mjetet e shoqërisë për veprime kaq perfide? Si është mundur që, krahas kësaj, “luftëtari i më madh” për komunikim kulturor dhe kundër falsifikimeve, ta ulë kaq poshtë nivelin kulturor e të bëjë falsifikime kaq – falsitet? Si është e mundur që një njeri kaq i “lartë” dhe me pretenca ka të larta, të dalë para opinionit tonë me një bagazh kaq të begatë shpifjesh pornografike që t’i përkujtojnë faqet më absurde e më banale të literaturës së verdhë ilegale? Si është e mundur, pra, që ky RQ të dalë publikisht, me shkrim, me atributet “bythec”, “A-pis”, “teknefes”, “i pshurrur” e të tjera e të tjera? A duhet të jetë ky i pari, për shembull, ajo që turpëron kur Apisin tonë të madh e privojnë nga germa e parë? Dhe RQ është me të vërtetë kjo mbeturinë dhe nuk është prej sot, as prej dje. Dhe kjo është e ditur. Meritën më të madhe që kjo është e ditur e ka pikërisht ai, sepse është kujdesur me zellin e një kontabilisti që pa qenë i nxitur fare t’i qesë në shesh të palarat e veta.

Ç’më mbete të them akoma? Asgjë, unë s’kam fjalë! Përveç, ndoshta, t’i them edhe njëherë: faleminderit që më fute në “veprën” tënde dhe që më shtine në këto punë, me të cilat unë, me të vërtetë, as jam marrë, as që merrem. Bile, as me shkrime të kësaj natyre ku më provokoi “gjeniu” yt. Sa më përket mua, si njeri që kam qenë në gjendje të kem informata reale për gjithë ç’thuhet në Morfologjinë tënde, atë unë nuk mund të mos e quaj ostapbenderizëm. Të uroj suksese në punë dhe shëndet të mirë. Ruaje atë. Pastaj, edhe diçka. Mësoje edhe gjuhën tonë të bukur e të vyer. Mos e shkel gjuhën e Naimit të madh. Të kujtohet se si fliste ai për të? Thuaje vetëm të vërtetën. Përdore talentin tënd për punë të dobishme e të mbara. Të kujtohet se si Noli flet shqip në një rubairë: “Mos e përdor për shtypje sqojtësinë, mbaje veten, zotëro me fre mërinë…” Unë nuk kam përvojë në këto punë. Provova të shkruaj dhe më doli se shkrova me gjuhën tënde. Më ndje dhe – të priftë e mbara.

 

(Huazuar nga e përditshmja jonë “Rilindja”, QERSHOR 1980,

 f. 7 e 13, shkruar nga Kryeredaktori i atëhershëm, Fadil Bujari)



(Vota: 5 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora