E enjte, 01.05.2025, 03:20 AM (GMT+1)

Mendime

Luan Tetaj: Reagim ndaj dy botimeve të Sabri M. Novoselës

E shtune, 12.03.2011, 08:58 PM


R E A G I M

 

NDAJ DY BOTIMEVE TË SABRI M. NOVOSELLËS

Prishtinë, 14 shkurt 2011

 

Nga Ma. Luan Tetaj*

ltetaj@hotmail.com

 

Botimi i librave të karakterit historik, kudo në botën e qytetëruar, paraqet një eveniment të rëndësishëm kulturor dhe shoqëror. Për Kosovën, e cila për shkaqe tanimë të njohura, kjo literaturë, qoftë e specializimeve të ngushta ose e atyre popullarizuese, ka qenë një sferë, të thuash pak joshëse për autorët tanë. Në kohën e mohimit më të madh të vlerave tona kombëtare nga qendrat propagandistike shoviniste serbe të viteve 1981-1999, Kosova ka zënë vendin e parë në literaturën e verdhë të Beogradit kur, përmes të atakimeve me motive politike dhe denoncuese, të disa ngjarjeve të cilat eshtabilishmenti i propagandës serbe i ka vlerësuar si ngjarje dhe figura të rëndësishme për ta përdhosur të kaluarën e afërt dhe të largët të popullit tonë.

Padyshim se Rezoluta e Konferencës së Bujanit, si njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë moderne dhe si një nga pikat më të ndjeshme e më të rëndësishme, përfaqësuese dhe garantuese e kohës së LDB, të firmosur nga figurat kryesore të LANÇ të Kosovës, unikate për vlerat dhe orientimet e perspektivës së saj, për historiografinë serbe dhe politikën gllabëruese të ish-xhandarit mendor dhe politik të ish-Jugosllavisë – Serbisë, ishte thembra e Akilit dhe porta më e lartë e të gjitha dokumenteve relevante për të drejtat historike të shqiptarëve dhe të Kosovës.

Ajo çka është për habinë më të madhe të çdo mendjeje të kthjellët shqiptare dhe të çdo ndërgjegjeje që mbështetet në vlerat kombëtare e historike të popullit tonë është paradoksale se pikërisht kjo ngjarje, nënshkrimet e miratuara aty nga atdhetarët e një Lëvizjeje Antifashiste (siç kishte edhe në shumicën e vendeve të Evropës gjatë LDB), të atakohet nga disa autorë jokompetentë për vokacionin e tyre profesional. Në mesin e tyre, pa dyshim, dallohet autori Sabri M. Novosella, biznesmeni i shumëpërfolur kosovar, i cili, duke hetuar ngushtësinë e “këmishës së tij mendore-intelektuale e politike” ka vendosur t’i vërë “themelet intriguese” e “falsifikuese” të studimeve hiç më pak se të historisë moderne të Kosovës.

 

Kjo përpjekje “gjeniale” e autorit doli në shesh me dy libra të botuar në vitin 2010, e të shoqëruar mevlerësime” të miqve të autorit, të cilët mund të thuhet se janë një model i shëmtuar në literaturën popullarizuese për së paku dy arsye:

1.       Shembulli më unikat që vlerësimet ledhatuese e lavdëruese sipas shijes arrogante të autorit, bëhen në të njëjtin libër si mbështetje e porositur nga disa  mençurakë mendjesh të tredhura, shembull tipik i literaturës tiranike e njohur në botën intelektuale, dhe

2.      Për çdo profesionist të temave historike që ka një kulturë mesatare është e habitshme pajtueshmëria ideale e motiveve antihistorike dhe njëherit antishqiptare, por duke e kamufluar me një fjalor banal “patriotik” të stilit shovinist serb, të prirë nga UDBA-shi famëkeq Spasoje Gjakoviq dhe i pasuar nga ky farë atdhetari megaloman i quajtur Sabri M. Novosella.

 

Të shikojmë se ç’shkruhet në këta libra “patriotikë”!!

 

Kulla në Bujan ku u miratua rezoluta e Konferencës së Bujanit
Kulla në Bujan ku u miratua rezoluta e Konferencës së Bujanit

Konferenca e Bujanit dhe tradhetia jugosllave

Së pari bie në sy përpjekja spekulative për të ngarkuar të vërtetën shkencore me libra pa mbështetje të burimeve historike si një mjet propagandistik të tipit të kohëve të perënduara.

Në tekstin e mëposhtëm do të paraqesim disa vlerësime, etiketime dhe të pavërteta të shkruara nga Novosella. Njëkohësisht do të provojmë t’u kundërvihemi atyre duke u mbështetur në fakte historike. Ky autor, i cili ka filluar të merret me shkrime historike në vitin 2010 me botimin e dy monografive:  Drejt shtetit shqiptar në kufijtë kombëtarë” dhe “Kuvendet, mbledhjet kombëtare 1941-1946 dhe mbledhjet e shqiptaro-komunistëve në bashkëpunim me serbo-malazez në Bujan”. Siç mund të shihet nga specialistët e fushës, Novosella nuk e ka as bazën  elementare të merret me histori, e lëre më të na tregojë për histori, dhe si shkruhet ajo. Ky zotëri, me “veprat” e tija, është shumë tendencioz dhe do të thosha bile skandaloz. Ai nuk preokupohet në librat e tij me metodologjinë e mbarështrimit të argumenteve shkencore. Librat e tij nuk kanë burime dhe fakte shkencore; pjesa më e madhe e bërthamës së tyre është sajim dhe trillim që autori i shkruan sipas dëshirës së tij ose të atyre të cilëve u shërben ai.

Autori në fjalë, pa i analizuar mirë faktet historike që flasin për Konferencën e Bujanit, në mënyrën më të turpshme shkruan dhe e quan atë si “tradhti kombëtare”!!! Sipas tij, ajo s’ishte gjë tjetër veçse “makinacion për t’i realizuar planet okupuese serbo-sllave”. Argumentet historike flasin të kundërtën. Konferenca e Bujanit kishte karakter të mirëfilltë kombëtar. Ajo, siç dihet tashmë edhe nga njerëzit më të thjeshtë, i zhvilloi punimet e saja nga data 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944, në kullën e Sali Manit, njërit nga bashkëluftëtarët më besnikë të patriotit të dëshmuar Bajram Currit, në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës. Dokumenti më i rëndësishëm që miratoi Konferenca ishte Rezoluta, në të cilën trajtohej çështja kombëtare e shqiptarëve dhe rruga se si do të duhej ndjekur për zgjidhjen e saj. Konferenca e Bujanit sanksionoi të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe shprehu dëshirën e aktorëve të saj për bashkimin me Shqipërinë, dokument ky që nuk ka mundur të bishtnohet nga asnjë forum relevant gjatë historisë. Bile është vlerësuar si akt – dokument historik i pakontestueshëm edhe nga studiues serbë që janë ngritur kundër porosisë largpamëse të një koncepti afatgjatë shqiptar. Ajo, siç dihet, u prit me shqetësime nga udhëheqja jugosllave, e cila reagoi kundër saj. Shqiptarët e Kosovës dhe  të viseve të tjera i mirëpritën dhe përshëndetën vendimet e Konferencës së Bujanit. Kjo është e vërteta shkencore që është studiuar dhe shkruar nga shumë studiues të njohur shqiptarë, por edhe të huaj të paanshëm. Autori pa pikë përgjegjësie shpreh urrejtjen patologjike dhe për komandantin e SHK të UNÇ të Kosovës Fadil Hoxhën, padyshim njërin nga organizatorët kryesorë të Konferencës së Bujanit, vendimet e të cilës janë të pakontestueshme deri më sot.

Autori Novosella, sikurse Konferencën e Bujanit edhe Lidhjen e Dytë të Prizrenit e quajti tradhti kombëtare që ishin në shërbim të planeve serbo-sllave.  Shkrimet e kësaj natyre nuk i shërbejnë të vërtetës shkencore, aq më pak idesë së dhunuar nga banalitetet e stisura nga ky mençurak i çoroditur. Përkundrazi. Se a është i inkurajuar dhe i shtyrë të bëjë libra të tillë, të cilët e damkosin historiografinë dhe shqiptarët, mbetet të shihet. E vërteta shkencore dhe historike e Lidhjes së Dytë të Prizrenit është krejt ndryshe nga ajo që shkruan Novosella. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte organizata më e rëndësishme nacionaliste që vepronte në Kosovë e në viset e tjera shqiptare. Ajo mori përsipër një mision të rëndësishëm, mbrojtjen e trevave etnike nga rreziku sllav dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm kombëtar nëpërmjet forcave të Boshtit. Ashtu si edhe Konferenca e Bujanit që u organizua për bashkimin me Shqipërinë përmes forcave të Koalicionit Antifashist.

Ky autor ofensiv e arrogant, në brendësinë e librave të tij merret edhe me studiuesit dhe historianët, të cilët, në mënyrë perfide, mundohet t’i ndajë në linja ideologjike duke i etiketuar në aspektin kombëtar në mënyrë të paargumentuar. Unë dhe moshatarët e mi të këtij zanati, për historianët që i atakon autori në fjalë kemi vetëm fjalë më të mira për kontributin dhe angazhimet e tyre kombëtare. Është e mirënjohur edhe për opinionin tonë të gjerë se, ata, në kohët më të vështira, gjatë okupimit serb, më punën dhe veprat e tyre kombëtare e kanë ndihmuar ngritjen e ndërgjegjen kombëtare të popullit të Kosovës për të arritur këtu ku jemi sot. Historianët e nderuar, gjatë viteve 1990 e deri më sot, me punën e tyre i kanë shërbyer me përkushtim ruajtjes së institucioneve dhe përtëritjes së tyre me forca profesionale. Të rinjtë, në kushtet e sodit,  po përpiqen të bëjnë hapa cilësorë dhe avancues në fushën e mendimit të argumentuar shkencor.

Duke mos hyrë në detaje të tjera që përmbajnë librat e Novosellës shkoqitëm  vetëm këto elemente për t’i bërë me dije opinionit të pavërtetat që i ka shkruar dhe paraqitur autori. Ai, në mënyrë joprofesionale dhe pa asnjë argument, trillon vlerësime kuturu. Mund të konkludohet së është shumë e pandershme që sot ky njeri fyen ngjarjet dhe personalitetet me të rëndësishme historike të popullit shqiptar. Këtë herë kaq.

 

*(Autori është hulumtues shkencor në Institutin e Historisë – Prishtinë)

 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx