E merkure, 11.12.2024, 12:36 AM (GMT)

Mendime

Bedri Blloshmi: Formulari që do t’i bëjë shqiptarët, grekë

E shtune, 12.03.2011, 07:40 PM


Formulari që do t’i bëjë shqiptarët, grekë

 

Nga Bedri Blloshmi

 

Në gushtin e vitit 1912 qeveria osmane u detyrua të plotësonte kërkesën e kryengritësve shqiptarë për bashkimin e katër vilajeteve: Janinën, Shkodrën, manastirin dhe Shkupin në një shtet, Shqipëri. Por kush pati frikë nga ky bashkim? Armiqtë shekullorë: Greqia dhe Serbia kundërshtuan menjëherë për arsye se nuk mund të gllabëronin më pjesë nga Shqipëria sepse me perandorinë osmane nuk bëhej shaka. Atëherë ndoqën rrugën tjetër, i vunë zjarrin Ballkanit dhe plotësuan orekset e tyre që i gëzojnë edhe sot. Por atëherë ashtu ishin kohërat dhe zëri i Shqipërisë  nuk dëgjohej nga askush.

Kurrë, asnjëherë Greqia me Serbinë nuk kanë dashur një Shqipëri të fortë dhe kjo lakmi gllabëruese shton oreksin e tyre dita ditës. Këtu thuhet se i mëshohet fort forcojmë “miqësinë shekullore” me Greqinë, por çfarë është kjo “miqësi”? Si është sjellë Athina zyrtare për të vërtetuar këtë miqësi? Athina ka bërë çfarë i ka dashur qejfi me shqiptarët. Le t’i marrim gjërat me radhë. Greqia mban ende në fuqi ligjin e famëkeq e gjendjes së luftës me Shqipërinë. Ndokush mund të thotë se Greqia e ka hequr. Greqia këtë ligj e ka votuar në parlament dhe është po parlamenti që e shfuqizon këtë ligj. Diplomacia shqiptare pse s’e thotë në qoftë se Athina e ka bërë një gjë të tillë? Athina thotë nganjëherë kur zihet ngushtë në takimet ndërkombëtare qoftë edhe kur vjen në Tiranë se e ka shfuqizuar këtë ligj. Por e vërteta është se Athina ka bërë ç’ka dashur në Shqipëri. E çfarë do pyesni ju? Kujtojmë ngjarjen e Peshkëpisë. Vrau në tokë shqiptare oficerë e ushtarë ndërsa Tirana u mjaftua me disa dekorata që iu dha pas vdekjes këtyre viktimave. Janë ngritur kudo në Shqipëri kishat e kryqet e tyre pa lejen ose aprovimin e parlamentit. Janë shkatërruar varreza dhe janë tjetërsuar identitet e eshtrave me pretekstin se ata janë ushtarë grekë. Përmeti, kjo është toka e lindjes së vëllezërve Frashëri të cilët punuan me shpirt për Shqipërinë, i kënduan atyre vendeve me bukuri përrallore. Abdyl Frashëri, siç e dimë të gjithë ose siç edhe thuhet në këngë: “Abdyl shite pasurinë, një barrë flori / i hype vaporit shkove në Berlin / ...” Të gjithë e dinë, të gjallë e të vdekur, “Lidhjen e Prizrenit” edhe kjo vepër e tij. Tani doli çështja Kosinë ku u shkulën varret shqiptare. U bë veç një zhurmë e lehtë e cila u fik shumë shpejt dhe diplomacia shqiptare heshti.

Për të vërtetuar identitetin e një populli janë një sërë elementesh: gjuha, zakonet, vallet, këngët, vajet. Vendbanimet e hershme dhe traditat janë baza e çdo kombi. Pse Athina nuk e prek, apo pse e anashkalon çështjen e popullit çam të cilin e masakroi, vrau fëmijë, pleq, gra dhe pjesës që mbeti i vuri drunë, duke e përzënë për në Shqipëri. Ku u lind ky popull? Ku u rrit ai? Ku i ka trojet e tij dhe varret e të parëve? Kjo është “miqësia” dhe fqinjësia e mirë? Shqipëria nuk është si më parë kur nuk mund të reagonte për pjesën tjetër të popullsi shqiptare që u përzu nga trojet e veta. Shqipëria tanimë është futur dhe është pjesë e ligjshme e organizatës më të fuqishme ndërkombëtare në botë, është pjesë e pamohueshme e NATO-s. Po përpiqemi dhe do të bëhemi së shpejti edhe pjesë e Bashkimit Europian. Pas kësaj ne kemi të drejtë të kërkojmë shpjegime me plot të drejtën ndërkombëtare për padrejtësinë që u bë më 1913. Kryeministri i Anglisë, Toni Bler tha në Kosovë: “Ne i kemi borxh këtij populli dhe duhet ta ndreqim gabimin e bërë më 1913.”

Kohët e fundit konsulli grek foli hapur në mes të një prej qyteteve më të vjetra shqiptare, në mes Korçës, për regjistrimin e popullsisë në baza vullnetare për të deklaruar sipas dëshirës kombësinë dhe përkatësinë fetare, gjë të cilën nuk e bën dhe e pranon asnjë shtet. Pas reagimeve (jo të diplomacisë shqiptare) të disa shoqatave ose historianëve, Athina zyrtare u prononcua duke thënë se këto ishin deklarime personale. Çdokush e di se të gjitha përfaqësitë e huaja në një shtet tjetër deklarojnë dhe përçojnë udhëzimet e shtetit të tyre. As edhe një diplomat nuk mund të thotë mendime personale. Ndoshta mos ky konsull ka qenë aq i pabindur dhe rebel sa të ketë guximin të bëjë të kundërtën.

Unë shtroj pyetjet: Po sikur ky konsull grek në Korçë të kishte thënë se populli çam duhet të kthehet në vendlindje e në pronat e të parëve, cili do të ishte reagimi? Do konsiderohej edhe këtë herë si reagim personal? Pse reagoi Athina tani që u shty regjistrimi i popullsisë?

Ka shumë shembuj të abuzimit të fqinjëve me Shqipërinë, por unë përmenda vetëm disa. Dhe këto për t’ju kujtuar shqiptarëve se duhet t’u presin rrugën abuzimeve me varfërinë e tyre. Është e vërtetë se prej varfërisë dhe bukës së gojës së familjes mund të pranosh çdo gjë, mund të pranosh kushtet e diktuara nga tata që të japin lëmoshë, por ajo kafshatë është e hidhur dhe të mbetet në fyt përjetësisht. Ajo nuk duhet të kapërdihet si do që të vijë puna.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora