Mendime
Lebit Murtishi: Kosova pa zot shtëpie!..
E marte, 15.03.2011, 08:39 PM
Kosova pa zot shtëpie!..
Megjithatë, dialogu i kontestuar dhe i përfolur nga shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, po edhe nga grupe dhe individ të shoqërisë civile, e nisi „Rrugëtimin“! Për ku e gjer ku, pritet të tregojnë ditët në vijim.
Sipas protokolit „shiriti u pre“! –I pamë imazhet që dërgoi Brukseli: tokje duarsh, buzëqeshje dhe ndonjë fjalë e pakuptimtë! Siç thotë populli shkurt e trup!
Që në hapat e parë të „pozimeve diplomatike“, që , zakonisht, përgatiten nga regjisorë profesionist e të përvojshëm, prepotenca e znj. Tahiri dhe përqeshjet që përcolli tek zërat këndërshtues për farsën e quajtur dialog, këtë kuptim kishin: „Kosova pa zot shtëpie“.
Ndërkaq, barazpesha e palëve përfaqësuese dukej e „nivelizuar“; në një anë qëndronte sekretari i një ministri Serb, ndërsa në tjetrën një zv. Kryeministre!
Domethënë, po s`dite të vlerësosh veten, të „vlerësojnë“ siç dijnë të tjerët.
Afërsisht, kështu „dekodohet“ rregulli i pashkruar i fushave manovruese politike, që shpërfillën sërish Kosovën, shpërfillën sërish zërat e saj për pengimin e kësaj farse të përshpejtuar, që realisht dhe objektivisht, në fokus ka vetëm Kosovën dhe „prerjen“ e saj „cezareske“…
Pra, pas dyersh të mbyllura, largë „syve“ të opinionit, largë mjeteve të informimit, do bisedohet „maratonisht“ për çështje eksluzivisht të papranueshme për shqiptarët, dhe me një shtet ekskluzivisht armiqsor karshi shqiptarëve! Do bisedohet me një shtet, që me aktin më të lartë ligjor-Kushtetutën, Kosovën e quan teritor serb; e quan „djep“, e quan „shpirt“, siç predikojnë vlladikë e popa edhe në zemër të Prizrenit!
Dhe të ulesh për bisedime, duke qenë i përçmuar dhe i shpërfillur katërcipërisht, është një nonsens i llojit të vet!
Dialogu është kulturë, është detyrë qytetare, por mes palësh me kulturë, jo të përunjet pa kusht viktima përballë xhelatëve të pandreqshëm.
Me Serbinë, siç „foli“ me hitlerizmin, duhet „të flasë“ Drejtësia, duhet „të flasë“ forca e ligjit.
Ky do të ishte „dialogu“ që do qetësonte mijëra shpirtëra që presin fjalën e Drejtësisë.
14.03.2011
Lebit Murtishi
Bern