E marte, 12.11.2024, 12:33 AM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Ina "heroina" si gardiane e politikës

E hene, 14.03.2011, 07:59 PM


Ina "heroina" si gardiane e politikës

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Mediet shqiptare pro opozitës dhe pro prokurorisë shqiptare i kanë dhënë një vend të veçantë një aksioni politik, mediatik e propagandistik të organit të akuzës së kryeqytetit për arrestimin e një grupi të ashtuquajturish "keqbërës" për "kontrabanden e naftes se papaster" të njohur si nafta virgine. Midis tyre është Hajri Elezi, një biznesmen që administron ujin "Lajthiza", një ndërmarrje kjo e cila trajtohet me konotacione negative nga ana e lajmdhënësve. Eshtë dhe administratori tjetër i firmës "Fisheku" e deri dy shoferët, të cilët për prokurorinë e Tiranës "përbëjnë rrezik shoqëror e madje mbarëkombëtar". Ndoshta prokurori që ka zbatuar skemën e këtij aksioni është një prej atyre që ka paguar shuma marramendëse për të siguruar karrierën e tij në herarkinë gjyqësore. Urdhërdhënsja, prokurorja e vendit, i ndërron shtëpitë çdo vit, duke investuar dhjetramijë euro vetëm për mobilimin dhe dekorimin e tyre. Por kjo është punë e vetë autorëve të urdhër-arrestit. Ne të tjerët jemi të privuar dhe nuk na lejohet p.sh të shohim sesa blihen pajisjet hidrosanitare për shtëpinë e shefes së prokurorisë sonë. Nëse dikush në atë prokurori do të merrte lapsin e të bënte llogaritë e shpenzimeve të tilla, siç ndodh në çdo vend demokratik, e siç e kërkon ligji i shtetit, atëherë Ina Rama do të merrej nën akuzë për një vepër ende më të rëndë sesa ajo e Hajri Elezit.

Megjithatë nuk kam ndërmend ta tjerr gjatë atë çfarë ndodh në rastin në fjalë, sepse në fund të fundit është gjykata ajo që do të japë verdiktin e saj. Problemi lidhet me një dukuri shumë më të shëmtuar, e cila e ka shoqëruar prokurorinë dhe kryeprokuroren tonë gjatë gjithë koës së drejtimit të organit të akuzës. Më duhet ta kujtoj lexuesin se dosja e "Rugës së Kombit" dhe dosja e Gërdecit ishin sjellë në gjykatë në prag të fillimit të fushatës elektorale të vitit 2009. "Dosja që lidhej me Lul Bashën aso kohe ishte dërguar në Gjykatën e Lartë, për t´u thënë zgjedhësve se "ja kush ka kandiduar të jetë deputet i Kuvendit Popullor". Të dy këto ngjarje kishin përfshirë atëherë të gjithë arsenalin mediatik të kryesocialistit, Rama dhe të kryeprokurores, Rama. Në vendet e zhvilluara demokratike të botës së civilizuar është e ndaluar me ligj që në periudhën gjashtëmujore para zgjedhjeve të dërgohen dosjet e politizuara në gjykatë dhe të jepen të dhëna të hetimit të çeshtjeve, sepse për ligjvënësit e këtyre vendeve kjo manovër shërben si mjet presioni psikologjik në fushatën zgjedhore. Heroina e socialistëve ka marrë dekoratën e tillë pikërisht për këtë shërbim që ajo i bën politikës së Edi Ramës në fushatë zgjedhore. Dosja e naftës virgine e filluar me arrestimin e 13 personave erdhi në opinionin publik vetëm një muaj e tri javë para se shqiptarët të shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal.

Nëse e shohim këtë fenomen në sipërfaqe, është e natyrshme që të thuhet se çfarë problemi ka këtu. "Prokuroria po heton një padi për pjesmarrje në krim ekonomik".  Pra se ata njerëz do të shkojnë para gjykatës për t´u përgjigjur për një akuzë dhe çeshtja përfundon këtu. Nëse do të përfundonte këtu praktika hetimore e prokurorisë sonë, atëherë natyrshëm sejcili do të pajtohej me aktin e fundit të organit të akuzës. Por duket se çeshtja nuk është kaq e thjeshtëzuar. Për këtë mund të jap tri argumente:

Së pari, Dritan Prifti ka deponuar në Prokurorinë e Përgjithshme që në fillim të tetorit 2010, çka do të thotë se hetimet mund të kenë filluar para kësaj kohe.Kanë kaluar më shumë se pesë muaj dhe prokuroria nuk ka lëvizur në drejtimin e duhur, ndërkohë që asaj i kishin mjaftuar vetëm disa minuta që të urdhëronte arrestimin e gjashtë drejtuesve të Gardës së Republikës (Dhe jo gardës Republikane, siç e emërton Edi Rama). Ministri Prifti e ka shpallur këtë akuzë që në fillim si një akuzë politike, duke përfshirë në "aferë" edhe ministrin Ruli, edhe zv. drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliqin. Do të ishte absurde të mendosh se arrestimi i Hajri Elezit ishte dhe është një rastësi. Nuk ishte rastësi as dërgimi i dosjes së Lul Bashës në Gjykatën e Lartë të vendit, pikërisht në kulmin e fushatës elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme. Nuk ishte rastësi dërgimi në gjykatën e faktit në të njëjtën kohë të dosjes së Gërdecit. Rastësitë e Ina Ramës bashkohen në qëllimin politik të saj për ta dëmtuar një palë politike dhe për të ndihëmuar palën tjetër, në rastin konkret opozitën.

Së dyti, media e dy Ramëve si dhe altoporlantët e tyre, Shalsi e të tjerë kanë shpallur se Hajri Elezi "është mik i familjes se kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha", ndërkohë që çdokush duhet të jetë i një mendje se "Jo çdokush që njihet me Sali Berishën është njëkohësisht mik i familjes së tij". Sipas skemës filozofike të Sofokliut formula është zgjedhur kësisoj: "Hajri Elezi është mik i Berishës. Hajri Elezi ka kryer një krim ekonomik. Për pasojë kryeministri i vendit është i implikuar në këtë krim". Kjo skemë nuk është menduar, as nënkuptuar, është thënë hapur nga përfaqësuesit e selisë rozë. Një formulë e tillë të kujton doktrinën e diktaturës sipas së cilës: "Babai i Hajri Elezit, Hajredini, është kulak. Hajriu është i biri i Hajredinit. Për pasojë edhe Hajriu është kulak". As në kohën e diktaturës njohjet personale nuk ishin objekt i transferimit të fajit nga një person te tjetri. Ndërkaq skema e Ina dhe Edi Ramës është e tillë që ka mundur pa kurrëfarë argumenti dhe arësye ta bëjë këtë transferim alogjik, imoral dhe anticivilizues. Ndërkaq në tregun mediatik të Edit dhe Inës ka marrë formë implikimi i grus së Hajri Elezit, e cila, paska marrë pjesë në fushatë zgjedhore përkrah Josefina Topallit. Edhe këtu, shfaqet forma e plotë e arësyetimit alogjik, sipas të cilit: "Hajriu është arrestuar. Gruaja e Hajriut është parë me Josefinën. Atëherë duhet të arrestohet edhe gruaja e Hajriut". Ngado që ta analizosh këtë lloj alibie politike, nuk mund të dalësh nga rrethi vicioz i faktit që Ina Rama, pra, heroina e Edi Ramës, është shndërruar plotësisht në një gardiane të krimit politik të krerëve të opozitës në këtë vend. Pra, se motivi i aksionit politik me efekt humbjen e lirisë së 13 ose 14 njerëzve, është gjithashtu politik, kjo është e dukshme dhe e pohuar publikisht. Shkurt arrestimet janë të motivuara politikisht e si të tilla, ato bëhen të dyshimta, duke vënë në pikëpyetje vetë prestigjin dhe autoritetin e prokurorisë së vendit e më tej, të drejtësisë shqiptare.

Së treti, nëse i shtojmë këtij arësyetimi edhe argumentin tjetër, se Ina Rama ushqen çdo ditë median me dosjet sekrete të saj, me tendencë të theksuar dëmtimin e mazhorancës në opinionin publik dhe rrudhjen e elektoratit të saj, atëherë nuk bëhet aspak e vështirë të besosh pa ndonjë mundim të madh se ajo është bashkudhëtare politike e Edi Ramës. Ina Rama është "heroinë", sepse ajo mban gjallë kauzën e kreut të socialuistëve për shkatërrimin politik, moral, ekonomik e social të Shqipërisë, kauzë e cila përkthehet gjithashtu në qëllimin për të mos lënë pushtetin e kryebashkiakut, ose dhe më tej për ta marrë me çdo mjet të dhunshëm e të padhunshëm kreun e ekzekutivit shqiptar. Ndërkaq sipas modeleve të përparuara të demokracive të zhvilluara kjo veprimtari politike e një prokurorie politike do të konsiderohej si e paligjshme dhe do të mjaftonte një fakt, jo më mijëra fakte, që t´i jepej fund deformimeve në këtë drejtim. Një shprehje filozofike shoqërisë sonë pohon faktin se "Çdo gjë ka masë". Kur masa tejkalohet, kur kufijtë e arësyes kapërcehen, kur veprimi nuk i nënshtrohet logjikës së argumentit dhe për pasojë nuk bind njerëzit, atëherë kemi të bëjmë me një deformim serioz mendor, moral, politik, social dhe psikologjik. Prokuroria e Shqipërisë i ka prishur tashmë ekuilibrat e tillë në vendin tonë e për pasojë ajo do të jetë përgjegjëse për mungesën e harmonisë politike e sociale të qytetarëve të këtij vendi. Unë jam i bindur se Ina Rama nuk ka kapacitetet intelektuale që të kuptojë se çfarë dëmesh të mëdha i shkakton Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare me aksionet e saj politike e mediatike. Dhe këtë nuk e dëshmon vetëm "hyjnizimi" që asaj i bën opozita, ose heroinizimi që ajo ka marrë si "vlerë" të opozitës. Heronjtë, edhe kur janë heronj të progresit dhe të akteve sublime në shërbim të kombit, shumë rrallë i përkasin plejadës së njerëzve të dijes e të shkencës. Ndërsa heroinizimi i Ina Ramës i ngjan veprës së atentatorëve. Ajo është heroinë e krerëve të opozitës, sepse ka tentuar të bëjë atentat ndaj rrjetit komandues të Gardës për të mbrojtur organizatorët e dhunës së 21 janarit kundër shtetit. Kjo do të thotë se Ina, njësoj si edhe Rama e Topi, do të donin më 22 janar një Shqipëri në anarki, ku të shkatërrohej jo vetëm pushteti i koalicionit qeverisës, por edhe ekuilibri politik, social dhe ekonomik i vendit, ku të vritej shpresa e shqiptarëve e ata të mbushnin radhët për të ikur nga ky vend "i mallkuar".Ajo është heroina e Edi Ramës, sepse në asnjë rast nuk ka pastruar pluhurin e dosjeve të përfaqësuesve të opozitës të paditur në prokurori për korrupsion, trafiqe dhe krime të tjera të çdo lloji, ndërkohë që ka çuar në gjykatë një numër të pafund të përfaqsuesve të mazhorancës. Në këtë rast ajo ka patur mbështetjen e parezervë të policisë së shtetit, ndryshe ata prokurorë që janë aty nuk do të kishin mundur të "zbulonin" asnjë rast të tillë. Ina Rama nuk ka për ta arrestuar Dritan Priftin, sa kohë që ky do të "ushqejë" Edi Ramën me dëshmi kundër mazhorancës. Ina Rama do ta ndihëmojë kreun e opozitës edhe me ndonjë aksion tjetër kundër Lulzim Bashës, sepse ky do të jetë shërbim i detyruar për humbjen e kryebashkiakut të sotëm në garën elektorale në Tiranë. Çdo kandidat i mazhorancës do të ndjehet i kërcënuar, sepse kreu i opozitës mund ta përdorë në çdo rast kryeprokuroren për të hedhur akuza të rreme e të sajuara kundër tyre. Mjafton që efekti të jetë mediatik dhe elektoral. Për këtë arësye Ina Rama është dhe do të jetë ndihmësja më besnike dhe më e afërt, pra heroina e Edi Ramës. Heroi tjetër i maskuar dhe i hapur mbetet kreu i shtetit, i cili bën sehir sa herë që prokuroria e vendit shkel etikën dhe merret me politikë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora