Mendime
Astrit Lulushi: Ndryshimi
E enjte, 17.03.2011, 07:57 PM
Ndryshimi
Nga Astrit Lulushi
Skepticizsmi është rezultat i dijes, aq sa dija është rrjedhojë e kurreshtjes, dyshimit, dëshirës për më shumë njohuri dhe njëherësh ndjenjës sesa pak di - skepticizmi. Sepse njeriu i kënaqur me atë që di aktualisht i ngjan atij që me paramendim nuk pranon asnjë njohuri tjetër, vendos të mbetet i pandryshuar dhe - padashur – përfundimisht i paditur.
Në kohë kyçe, kur sistemet ndërrohen, krijohen edhe situata ku njerëz, më shumë se kurrë më parë, përpiqen të ndryshojnë krahas rrethanave.
Të shtyrë nga instinkti natyral për të mbijetuar, secili priret të përshtatet a gjejë vendin e vet, duke filluar me marrjen e njohurive të reja.
Dija ndihmon karakterin, dhe anasjelltas. Ato gjithashtu ngjajnë sepse të dyja zhvillohen gradualisht, dhe harresën kanë si çmim. Harresa, në këtë rast, është çlirimi nga njohuritë e fituara më parë. Ashtu si njeriu mëson çdo ditë, edhe çmësimi a heqja dorë nga idetë e vjetra bëhet diçka e përditëshme. Me veshje jo të zakonëshme të çmësimit vjen
ndryshimi, prandaj duket i vështirë dhe shpesh jo i mirëseardhur.
Sepse nuk është lehtë për njeriun të pranojë se ka punuar kot, dhe t'i kthejë shpinën kohës, mundit, ënderrrave, netëve pa gjumë, nëpër të cilat kaloi për të mësuar bazat e njohurive a ideve, tashmë pronë e mendësive të vjetëruara.Vështirësitë zbuten kur ndryshimi ngrihet mbi paragjykimin, kur njerëzit dhe gjërat, dita - ditës, gjejnë vendin,
sipas vlerës që kanë.