E diele, 16.02.2025, 08:55 AM (GMT)

Mendime

Edlira Gjoni: Pasqyra e thyer e romëve

E shtune, 19.03.2011, 06:40 PM


Pasqyra e thyer e romëve

 

Nga Edlira Gjoni

 

A jemi ne shqiptarët racistë? Nëse po, me siguri vjen nga masa e madhe e racizmit dhe diskriminimit që kemi pësuar, jo vetëm si emigrantë pas vitit ’90, por edhe në shumë momente të historisë. Nëse jo, si shpjegohet zinxhiri i sjelljeve ndaj 45 familjeve me rreth 120 banorë që u dëbuan nga barakat e tyre në fund të shkurtit? Fillimisht, një grup civilësh të armatosur u dogjën barakat në rrugën “Jordan Misja” . Në netët e përndjekjes dhe të ftohtit të athët të shkurtit, teksa ngeleshin pa dërrasa mbi krye, policia iu përgjigj denoncimit vetëm duke dërguar grupin e gatshëm, që siç merret me mend, nuk gjeti asnjë fajtor në vendngjarje. Një hap më tej, shoqatat e shumta që merren me këtë pjesë të popullsisë, me shpejtësinë e breshkës, harxhuan ditë të tëra duke “vlerësuar situatën” e duke dërguar letra të gjata pa mbarim në dyert e institucioneve. Media nuk ishte në horizont. Ndërkaq, romët e dëbuar me dhunë nga vendbanimi i tyre modest dhe i paligjshëm, ishin shpërndarë si zogjtë e korbit. Vetëm kur një misionare angleze që punonte me fëmijët e këtij komuniteti më ftoi të shihja fotot dhe vendin, kuptova se gjendja më bënte të ndieja turp që veprime të tilla u janë bërë njerëzve të tjerë, pavarësisht prejardhjes që ata kanë. Misionarja bën pjesë në një grup mbështetës, që në një vend modest mes barakave të romëve, u mësonin gjërat bazë fëmijëve të këtij komuniteti; higjienën, sjelljen, shkrim, lexim dhe qëndrim social. Më shumë se gjithçka tjetër, shqetësimi i saj ishte për fëmijët e shumtë të 45 familjeve që ishin akomoduar në atë fushë prej gati 11 vjetësh. Që të nesërmen në mëngjes, ajo ishte vënë në kërkim të familjeve të shpërndara. Njëkohësisht, po përpiqej të mobilizonte organizatat që kanë vetëm një sens orientimi e që nuk lidhet me situata të tilla jo-burimore. Vetëm një numër i vogël familjesh u gjendën në Hallias dhe në Selitë, por mes familjarëve kishte edhe fëmijë e të mitur që mungonin. “Do kenë vajtur tek kushërinjtë që kemi në Elbasan”, – ishte përgjigja e pasigurt e komunitetit.

Në mbrëmje, në edicionet e lajmeve, asgjë. Në mëngjes, në titujt kryesorë, hiç. Të nesërmen, reagim institucional, asnjë. Më në fund, çështja depërtoi në mediat që nuk kanë interesa freskie për qeverinë. U desh pasqyrimi i saj që institucionet të reagonin e të kontrollonin sirtarëve, ku gjetën letrën e gjatë e të tërthortë që kishin marrë nga organizatat që lajmëronin dëbimin e romëve.

Çështjet për t’u parë janë disa: dhuna dhe diskriminimi ndaj këtyre njerëzve është çudi njerëzore e pakapërdishme, po aq sa është dhe thyerje ligjore e patolerueshme. Nëse romët kishin ngritur baraka pa leje (çfarëdo që mund të nënkuptojë kjo), atëherë përpara se të zhvendoseshin prej aty, duhet të ishin marrë masa për ristrehimin e tyre. Zhvendosja nuk mund të bëhet në mes të natës, as duke iu djegur barakat. Nëse ky komunitet prish imazhin e lagjes apo të kryeqytetit, zgjidhja nuk gjendet duke iu djegur barakën, por duke u marrë seriozisht me strehimin, regjistrimin dhe riintegrimin e tyre. Organizatat që kanë projekte për t’u marrë me këtë shtresë, apo edhe institucionet shtetërore që kanë detyrim ligjor të kujdesen për ta, mund të deklarojnë, siç edhe kanë bërë deri tani, se kultura rome është e padepërtueshme e ata u zhvendoskan si t’iu vijë për mbarë, nuk pranuakan të regjistrohen, as të shkojnë në shkollë, e as të integrohen në shoqëri. Këto janë stereotipa që në fakt rëndojnë mbi kurrizin e shumë romëve. E mbi bazën e këtyre klisheve të ngritura, ndihma ndaj këtij komuniteti është e padukshme dhe fondet zhduken të gjitha, si uji në rërë.

Problemi numër dy është reagimi mediatik ndaj kësaj forme diskriminimi. Nuk ka rëndësi fare se cilës shtrese i përkasin. Ata janë njerëz që janë dëbuar nga fjetorja e tyre në mes të natës. Si do ndiheshin elitarët e këtij vendi po e panë pallatin e tyre në flakë të vënë me qëllim? Ana tjetër e kësaj medaljeje është se deri sa media vendosi që romët edhe mund të përbënin lajm, reagimi i institucioneve për ta ishte zero. Kjo vërtet konfirmon pushtetin që ka fituar media në ngritjen e çështjeve që kërkojnë reagim, por është ama edhe tregues i një qeverisje që funksionin vetëm në gjendje alarmi dhe publiciteti. Po të mos kishte ndërhyrë media, romët e dëbuar do të vazhdonin të ishin thjesht një çështje që i përket periferisë dhe organizatave që marrin fonde në emër të ndihmës për këtë komunitet.

Problemi i tretë, ai më madhori, lidhet me fatin e fëmijëve të këtij komuniteti, në këtë rast, me fëmijët e pagjetur të 45 familjeve, barakat e të cilëve u dogjën për beton. Po ç’ndodhi me vajzat e mitura të këtyre familjeve gjatë netëve të dhunimit të banesave, djegies së tyre e dëbimit me forcë? Është johumane të anashkalosh ngjarje të tilla me justifikimin e thjeshtë “hë, se ashtu janë ata”. Si janë? Në mos prindi i pandërgjegjshëm që është për vete ndoshta fëmijë, cila qenie njerëzore nuk do të kishte tmerr po të mendonte se të miturit e këtij komuniteti janë pre nën vëzhgim për trafik organesh? Po ç’rëndësi ka se i kujt race është një i mitur që dëbohet natën me shi e në të ftohtë të shkurtit, për të shkuar kush e di se ku? Të regjistruar nuk janë, të mbrojtur jo e jo, atëherë ç’ndodh me këtë komunitet? Atyre u ka rënë fati i keq të enden në një shtet ku si të vriten 3 mijë, si 26, si katër veta brenda një dite, asnjëherë askush nuk shpallet fajtor, e jo më të mendojë njeri për fatin e trishtë të romëve. Por është vërtet rrëqethëse të mendosh ekspozimin kaq të hapur ndaj rrezikimit për trafik organesh nën të cilin gjenden fëmijët endacakë, që për më tepër dëbohen natën nga “strehëzat” e tyre.

Po racizmi nuk ka brirë. Ja, reagime e sjellje të tilla ndaj shtresave të caktuara e bëjnë atë të dukshëm. Fonde ka me shumicë e organizata, institucione, drejtori e njerëz që paguhen për të lehtësuar jetesën e romëve, ka në të gjithë Shqipërinë. Po çdo përpjekje zerohet lehtë, nëse pas projekteve të shkruara bukur vjen me urdhër një grup gangsterësh që vë flakën në dërrasat e lodhura, të cilat mbulojnë jetët e pambrojtura rome.

Në fakt, racizmi ynë shkon përtej tyre. Madje më shumë sesa racizëm, është mungesë tërësore përgjegjësie për pasojat që tejçojmë në jetët e të tjerëve me veprimet që ndërmarrim, në nivel qeverie, ministrie, organizate, televizioni, gazete, individuale apo grupore qofshin.

Sjellja ndaj komunitetit rom është tregues i frikshëm i dehumanizimit që ka kapluar Shqipërinë e lodhur nga tranzicioni, vështirësia ekonomike dhe mungesa e identitetit kulturor në këtë post-modernizëm të falsifikuar. Me ngjarjet që ndodhin çdo ditë, të gjithë jemi nga pakëz romë në mënyrën se si trajtohemi me njëri-tjetrin, apo se si shteti na trajton si individë; të dëbuar nga e drejta për pak siguri e dinjitet. Ndaj racizmi e diskriminimi është një problem shqiptar, jo rom.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora