E enjte, 24.07.2025, 10:35 PM (GMT+1)

Mendime

Faik Krasniqi: Ndarja e popullit Shqiptar nga ai "Kosovar" dhe anasjelltas!?

E enjte, 24.03.2011, 08:55 PM


Ndarja e popullit Shqiptar nga ai "Kosovar" dhe anasjelltas!? 

 

Nga Faik Krasniqi

 

Gjatë regjimit komunist jugosllav, atëherë, shqiptarët e Kosovës nuk kanë kërkuar pavarësi, por autonomi prej Serbisë. Dhe Tito ua dha. Gabimi historik për mendimin tim i shqiptarëve të Kosovës ka qenë mos kërkimi i Pavarësisë së Kosovës nën kuadrin e federatës jugosllave. Nuk kishte Enver Hoxha pse i frikësohej faktit që Kosova do të bëhej Republika e 7-të e Jugosllavisë, në një kohë kur ajo nuk kishte as Autonomi, pra ishte komplet pjesë e Serbisë dhe quhej Serbi me të gjitha kriteret ligjore, administrative, etj, etj. Shqiptarët e Kosovës duhet të kërkonin me çdo kusht shpalljen e Republikës së Kosovës. Duhet pasur parasysh që Tito ishte kroat dhe jo serb dhe nuk mund të thuhet që Kosovën e urrente më tepër se Serbinë, kur dihet që Serbia humbi jo pak rëndësinë e saj gjatë regjimit të Titos. Madje, Serbia humbi shumë më tepër nga lavdia e dikurshme.

Në rast se Republika e Kosovës do të krijohej, ajo do të cilësoj e një rangu me Kroacinë, Slloveninë dhe Republikat e tjera dhe jo pjesë e Serbisë. Do të ishte një faktor më tepër në shpërbërjen e Jugosllavisë. Autonominë siç ja dhanë ashtu edhe ja morën.

Në lidhje me termin '' kosovar'' dhe atij shqiptar. Unë e kam thënë edhe herë të tjera.

Po krijohet një tendencë e rrezikshme. Bota duke pasur të vështirë zgjidhjen që kërkonin (pavarësinë) shqiptarët e Kosovës dhe ideja e bashkimit me Shqipërinë terrorizon çdo shtet ballkanik dhe evropian, po mundohet të krijojë një Komb të Ri, Kombin “Kosovar”.

Jam dakord deri në një pikë, se Bota nuk do të na përkrahte idenë e pavarësisë së Kosovës në rast se mban të njëjtat simbole me ato të Republikës së Shqipërisë, por deri diku mund të shkojë diferencimi ''de jure'' dhe jo ai ''de facto''.

''Kosovarët'' nuk janë Komb me vete, por kombësia e tyre është shqiptare. Dhe përderisa ekziston teoria e vetëvendosjes së Kombeve që prej Presidentit Willson, atëherë në vete nuk kemi pse të pretendojmë dy shtete të veçantë me të njëjtën Kombësi, pasi është diçka absurde. Mund të përmendet faktori austriak dhe ai gjerman, por po t'i shikoni me hollësi se çfarë është bërë në Evropë gjatë mijëvjeçarit të fundit, duken qartë që kulturat dhe kufijtë janë bërë lëmsh dhe vetëm vitet e fundit duket se është marrë një konfigurim permanent. Ne nuk mund diskutojmë se si të bashkojmë edhe Triesten, por të mos krijohen ndarje në Kombësi. Në rast se një ndarje e tillë ndodh atëherë ka për të qenë diçka tepër e dëmshme për çështjen kombëtare dhe për të dyja shtetet, pasi si Republika e Kosovës ashtu edhe Republika e Shqipërisë nuk kanë miq në botë, ashtu sikurse Serbia ka Rusinë pas vetes. Në rast se nuk ndodh ndarja midis Kombësisë, pra që si shqiptarët e Republikës së Shqipërisë ashtu edhe ata të Kosovës ta quajnë veten Shqiptarë e Jo'' Kosovarë'', atëherë edhe bashkimi kombëtar do të ndodhë se s'bën, duam apo nuk duam ne. Në rast se Shqiptari i Kosovës, do të bërtasë se unë jam'' Kosovar'' përpara se të jem Shqiptar, atëherë shkjaun e ke përsëri në derë të Prishtinës.

 

(Autori është publicist i pavarur nga Prishtina)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx