Kulturë
Vangjush Ziko: Metamorfoza ime
E diele, 13.03.2011, 08:13 PM
Vangjush Ziko
METAMORFOZA IME
GALILEU
Nuk jam Galile.
Por veten e ndjej Galile.
Galileu diku fle.
Unë gjallë mbi këtë dhe'.
Mbi dheun që rrotullohet
Rreth diellit që po ftohet.
Galileu vdiq.
Dielli akoma ndrit.
Shpirti i tij nuk shkoi në parajsë;
Digjet në prushn' e Diellit të zjarrtë.
Diellit që fronin ia mohoi,
Përpara Tokës e përçmoi.
Diellit i përsërit:
Megjithatë,
Botën dredhia e vërtit!
SHKËMBI
Sizifi përjetësisht shkëmbin rrokullis.
Prometeu e mbart pas shpatullash atë shkëmb.
Të dy gëlltitin lotët
Dhe brengën që u dhemb.
Të dy të dënuar nga Zotat.
Ve supin të ndihmoj Sizifin.
Ve shpatullat përbri Prometeut.
Mbështetur me këmbët në hiçin.
S' jam as njëri.As tjetri.
Shkëmbi varur në shpirt më mbeti.
STRUCI
Ç' m' u ndërmend struci!
Narathonomaku i Afrikës.
Me këmbët pa këpucë
Vrapon drejt lirisë dhe frikës.
Savan e jetës
Si savana afrikane.
Unë s' jam atlet.
Dhe as specie mjerane.
Jam stërnip i homosapiensit
Me kafkën e modeluar.
Kam diçka praj shpesit
Dhe ta fsheh nuk dua.
Sytë,vërtet,i mbyll,
Por vdekjes s' i them mirëse ardhe.
Afrika dhe frika s' më shtyn
Të bëj vetëvrasje.
METAMORFOZA IME
Besoj në Zoti.
Resapektoj shkencën.
Pranoj këtë botë
Me të mirat dhe cenet.
Vetes sime s' i zë besë.
Floku ishte gështenjë.
M' u zbardh.
Luan' i kreshpëruar i ndjenjës
M' u tulat në kafaz.
Valvulat e sklerozuara të lumturisë
Miroja e shenjtë m' i grasaton.
Si t' i zë besë vetes sime
Që veç ndryshon...ndryshon...
M' u kujtuan engelsat dhe marksat
Bashkë me Darvinë.
Dhe nënqeshja e hidhur e Kafkës
Si hënë e verdhë mbi njerinë.