Kulturë
Poezi nga Sarë Gjergji
E merkure, 02.03.2011, 08:33 PM
1.
Një mal metaforash
është libri i poezisë
një grackë simbolesh
ky gjallojnë
spermë politikanësh e popuj në agoni
toka shtatzëna - të vranëta, hi e plojë
lavire të virgjëra e psalme shenjtoresh
stuhi vullkanesh, fantazma, urti e Solomonit
sa profeci fsheh brenda vetes
Poezia
lufta për dinjitet
2.
Mos hiq dorë prej meje
shpirti im për ty ka etje
për mëkatar mos më merr
as mos më përbuz për heretizëm
kur shpërfill pa dashje kërkesat tua
pa frymën bukurinë tënde
ndihem varr i gjallë
Poezi
REVOLTË E HESHTUR
Hesht Shpirti im
kur velin gri mbi qytet pushtetarët shtrijnë
e turma shurdhmemece i këndon robërisë
hesht se revoltën e poetit nuk e duan ata
as atë mal simbolesh që ngreh Ai
për hënën nusërore e madhështinë e zjarrit
po ç’rëndësi ka në ishte Fjala në fillim
nëse vargu yt sfidohet nga kuaj të harlisur a nëpërka me syze
Shpirti im
për verbimin e diellit e gjithçka rreth teje
hesht po munde
sërish do ketë një të Premte të Madhe
një të Dielë Pashkësh më pas
E HELMUAR ËSHTË FJALA JOTE
E helmuar është fjala jote
nëse e kafshon deri në përgjakje dhe e varros nën dhëmbë
nëse nuk e vë dot gozhdë në pushtetin shpërfillës të natës
ti në mungesë jeton ...
kumt i frikshëm ky, do jetë i të nesërmes
qeshjen kërcënuese mbars koha
për dikë
verë të kuqe
sa mirë të mos jesh poet
DËSHIRË
1.
Nuk dua asgjë më shumë se sa të shoh
shkretëtirën të ngopur me ujë
e të veshur nga drunjtë frutorë
të shoh nëse
lulet në ajër mbi Saharë
përqafojnë stinët që duan
2.
Buzët e prushta të Ajshes
do doja t’i shihja
qoftë edhe për një çast të vetëm
mungesën e lotit nën perçet e zeza
ato perçe që i mbështjellin shpirtin prej qumështi
- Oh, sa do doja
t’i dhuroja një trëndafil për Shën Valentin
e të dëgjoja rrëfimin e saj për mollën e ndaluar
Kush e di nga se u bë Deti i Vdekur...
3.
Nuk dua asgjë më shumë – më besoni
se sa të shohë
si përmbytet nata
e si lind dielli në Lindje