E diele, 28.04.2024, 05:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Një shpërthim poetik

E premte, 26.11.2010, 10:45 PM


NJË SHPËRTHIM  POETIK

 

Lulzim Logu:”Krisht i harruar”-haiku dhe tanka

 

Nga Tahir Bezhani

 

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i poetit tropojanë,Lulzim Logu,”Krisht i harruar-haiku e tanka i cili u botua në Tiranë nga Shtëpia botuese “Vllamasi”nën përkujdesjen e poetit të mirënjohur,Milianov Kallupit.   Ky libër vjen i teti me radhë pas:”Kohen e engjëllit”,”Hiri”,”Pinoku i qytetit magjik “,”Akoma hiri im”,tëmtha me poezi,”koha vdes si zemër”-haiku e tanka,”Tropoja”,enciklopedi e vogël  dhe e fundit,libri në fjalë,”Krisht i harruar”. Te gjitha  botimet e lartcekura janë një tregues se poeti Logu, është ndër krijuesit më cilësorë e të spikatur që tani ka Tropoja .

 

Në veprën e tij të fundit,”Krisht i harruar”,vërehet një shpërthim i fuqishëm e me shumë elegancë poetike,i cili pa tjetër se tek lexuesit do jetë një kumbim,një sihariq i mirëpritur  në duart  e dashamireve të fjalës së vërtetë poetike. Vet titulli librit sa karakteristik aq sinjifikativ,lexuesin e mban pezull e të rrëqethur nga vargu në varg. Që në fillim të librit  vërehet një  fuqi vargu që të rrëmben,të shtrydhë kujdesen dhe të le të meditosh kohë të gjatë që të gjesh formulën e zbërthimit të vargut poetik. Ja vargjet:

 

“Hera-herës

Jam Krisht i harruar

Maje gozhde.....”

 

Në veprën poetike “Krisht i harruar”-haiku e tanka e Lulëzim Logut,hetohen të gjitha baticat e zbaticat e jetës dhe provat qe bartë ajo, herë të lehta e me shumë të rënduara,ku autori përherë provon të zbutë hidhërimet deri në përmasën erotike me qëllim të tejkalimit të  dramave  që ngërthen jeta njeriun në vorbullën e vet të përditshmërisë .Dashuria për jetën dhe gjithçka që e rrethon atë,janë premisat kryesore të poetit i cili me mjeshtri i ikë territ duke lënë ëmbëlsirën jetësore si ballafaqim njerëzor. Jetën duhet dashur nëse do ta jetosh. Kjo sintezë buron nga porositë poetike të poetit Logu. Ja një poezi brilante që bartë porosi humane:

 

 

Ku të shkoj pa ty

Kam rrugë të gjatë

Pa busullë.....

 

Porosi apo imanentë shprehimore e përditshmërisë: lexo;

 

Ai nuk ka shtëpi

Por një kasolle të vjetër

Ku pikon dashuria....

 

Pra kemi të bëjmë me një krijues talent që për mrekulli din ta harmonizoi vargun poetik me ngarkesat e kohore dhe racionalizon  mrekullueshëm harmonin me disharmoninë psikologjike të cilën ia njeh fare mire popullit të vet me te gjitha hallet qe e rrethojnë . Ja disa vargje si shembull tipik i një formësimi të fenomenit filozofik të jetës:

Jetoje çastin sa një jetë

Jetoje jetën sa një çast

Dielli ikën pas majës...

 

Duke u bazuar në shprehjet poetike të poetit,marr guximin të them se  hetohet një potencial i fuqishëm poetik i cili në fushën e artit merr rrugëtimin e sigurt me të gjitha cilësitë e artit bashkëkohorë .

Shprehur më konkretë,Lulzim Logu,është poet me ndjesi të thella shpirtërore,poet i frymëzimeve të çastit ku përfshihen segmentet e jetës si dhimbja,dashuria ndaj çdo gjëje njerëzore. Këto frymëzime nuk dalin jashtë shpirtit të tij pa krijuar  dridhjet shpirtërorë brenda tij,pa ngjizur e harmonizuar mirë e mirë me karakterin e tij njerëzor e plot humanizëm. Janë këto dhunti e begati që jeta dhe natyra e kanë kalitur  poetin.

 

LOGU POET I DASHURUAR NE HAIKU

 

Haiku e tanka,një trevargësh e pesëvargësh me prejardhje japoneze,te poeti tropojanë ka lënë gjurmë të thella dhe me gjasë,krijues qe mbi të gjitha, e do këtë formë të shprehjes së botës së vet të brendshme. Sikurse poeti Logu,ka zgjedhur një formë mjaft të vështirë komunikimi me lexuesin e vet nga se vetëm me një talent të tillë çfarë posedon z. Logu mund të japësh aq shumë nga vetja me tri vargje. Tani më,edhe pse vjershërim japonezë, kam përshtypjen se peshës së këtij vargu qe buron nga Luli,do ia kenë zili edhe vet japonezët.

Dashuria e poetit për t’u marrë me këtë formë të vjershërimit është zgjedhja e tij më e preferuar si stil ku vjen në shprehje zbrazja e katarzës së tij me fuqinë plot meditacion. Ja dy shembuj karakteristik të këtij lloj vjershërimi:

Po shkoj i lumtur

Shtegut të haikut

Sa vonë e njoha....

Ose:

Haiku është dridhje

Një minutë jetë e rrallë

Qe sa humba....

Kam përshtypjen se këta rreshta nuk durojnë koment për të kuptuar se Lulzim Logu është ndër poetët e rrallë në letrat shqipe që me përzemërsi e do këtë lloj vjershërimi të stilit japonez.

 

Gama e tij poetike e filozofike për çdo ditë e më shumë po gjënë formë e mënyrë të re për të lodruar muzën e tij poetike fushës së plleshmërisë e begatisë, imagjinatës krijuese,duke nxjerr thesarin e brendshëm poetik për t’ia dhuruar lexuesit të nderuar,popullit të vet fisnik. Kur është fjala te kjo formë begatie e poetit,mund të hetohet fare qartë një karakteristikë e rrallë se z. Logu nuk le anash asnjë segment të jetës që nuk i thurë vargun e vet meditativ e filozofik. I këndon pra,natyrës në përgjithësi,drunjtëve,lumenjve,bjeshkëve,luleve,stinëve,dashurisë,familjes,shokëve etj. Këtë e benë në mënyrë suptile dhe me  plot  melankoli. Po sjellim dy poezi(haiku) ku poeti me elegancë të rrallë poetike shprehë aspektet e trashëgimisë dhe respektin pozitiv ndaj vlerave të traditës pozitive:

 

Tash veç kafe të zezë

Bukë të zezë

Dhe faqen e bardhë...

 

Mendoj se këto vargje janë të rralla e emblematike dhe se janë jo vetëm për lexim,por edhe studim shumë i veçantë për t’ia pas lakmi formës kaq elegante ku me pak fjalë ka thënë shumëçka për të mund të kuptojmë gjithçka. Kur jemi te tradita,vlen të ceket se poeti rrjedh nga një familje me traditë të pasur e të pastër kombëtarisht dhe familje që ka ngritur arsimin shkollor në rrethin e Tropojës neper breza. Në poezitë e tij vërejmë çartë se edhe poeti bënë përpjekje që t’i trashëgoi dhuntitë familjare nga i ati e ëma,prandaj në njërin nga haiku lexojmë:

 

Po shkoj si dikur

Shtigjeve kah shkonim

Pluhur hija jote

 

Ose:

 

E jetoj çdo ditë

Si të fundit

Dhe ja fillon tjetra....

 

DASHURIA NDAJ BUKURIVE    NATYRORE

 

Në gjithë krijimtarinë e poetit Logu e posaçërisht në veprën e fundit në mënyrë të veçantë, shohim atdhedashurinë e sinqertë të ekspozuar përmes vargjeve shumë të fuqishme. Këtë pjesë të atdheut Logu e viziton shpesh dhe dehet me bukuritë e rrafshit e bjeshkëve të Dukagjinit. Me këtë anë të gjeografisë së atdheut të përbashkët e lidhë edhe ndjenja farefisnore,prandaj dashuria e tij e zjarrtë,është e theksuar me një intonacion të veçantë e të kujdesshëm,plot emocione nga thellësia shpirtërore prej një poeti të madh. Po prezantojmë dy-tre haiku të shkruar gjatë qëndrimit në vende të ndryshme të Dukagjinit:

 

Shkruaj në letër dore

Haikun e ditës

Pastaj fshij dhimbjen...

 

x  x  x

 

Grykës së Deçanit

Frynë erë e verrit

Puthje e lagësht....

 

 

x  x  x

Kur mund të vish

Askush se di

Kur niset.....

 

Janë këto vargje brilante,me stil e figuracion të lartë e plot emocione përmes të cilave fletë shumë....

Si çdo lexues tjetër,edhe unë,mund të shprehi bindjen time të lirë se poeti Lulzim Logu është poet i dimensioneve të gjëra dhe me cilësi të theksuar të vjershërimit,poet i ndjesive të thella që di të prekë thellësitë e lexuesit dhe të inspiroi atë. Ai jeton jetën  barabartë me gjithë njerëzit ,përballet me dukuritë negative  duke bere luftë ideore për ndryshimet në të mirë të njerëzimit. Gjithnjë preferon optimizëm në vend të pesimizmit me qëllim të tejkalimit të situatave të ndërlikuara që ballafaqohet sot njeriu e ato janë të bollshme. Ja një poezi që flet shumë:

 

Sa mirë kur zgjohesh

Majemali

Hallet janë poshtë.....

 

Marrë në tërësi,vepra “Krisht i harruar” i poetit Lulzim Logu,ka sjellë freski,begati, cilësi e krenari te lexuesi i cili me siguri do e pret këndshëm këtë libër.

Këtë shkrim do e përfundoja me një thënie shumë të qëlluar e të bukur të poetit të mirënjohur,z.Milianov Kallupit,i cili pos tjerash shkruan:

 

“Përmbi Bajram Curr,valëvitet praruar një haik i çuditshëm ku varg i parë i tij është Lulzim Logu!”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora