E merkure, 30.04.2025, 11:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Telemakut i sëmuer nëna në fshat

E enjte, 11.11.2010, 09:34 PM


2.-TELEMAKUT I SËMURET NËNA NË FSHAT

 

Nga cikli me tregime ”QYFYRET E TELEMAKUT” i Luan Çipit

 

Kur punonte në Ministrinë e Industri Minierave ne Tiranë, në detyrën e Kryerevizorit, Telemaku Xhaxhos i sëmuret nëna. Vëllai, dy vjeç me i vogël nga ai, po që i përngjante shumë dhe që banonte me nënën në fshatin Nartë, e mori disa herë rresht ne telefon dhe i tha se nëna ishte shumë e sëmurë. Ajo e kërkonte të birin e mërguar për ta takua për herë të fundit.

I alarmuar Telemaku, i dhembshur dhe shumë i lidhur me familjen, kërkon dhe merë takim menjëherë me zëvendësministrin nga varej, i shpjegon atij me durim gjendjen e nënës plakë e  shumë të sëmurë dhe i lutet për ta lejuar të shkonte në Vlorë për të takuar nënën e tij të dashur, ndofta për të fundit herë.

-Ç‘thua kështu, more Telemak, i thotë zëvendësministër Xhafa. Si guxon të kërkosh leje tani, që jemi në ngarkesë maksimale pune, kur Partia na ka bërë thirrje të risim shkallën e përgjegjësisë, të shtojmë kontrollin dhe kujdesin në punë dhe të mobilizojmë masat e gjera punonjëse për të rritur rendimentin dhe prodhimin e industrisë dhe te minierave tona, që janë mbështetja kryesore ekonomike e vendit, për të ngritur nivelin e jetesës  dhe të mirëqenies së mbarë popullit.

-O shoku Xhafer, o vëlla i dashur! Po ç’thua kështu e bën propagandë pa qenë nevoja? Duket nuk me dëgjove mirë. Mos e more vesh se të thash për nënën e gruas? Jo, or jo po me vdes nëna ime  që më ka bërë kokën dhe ajo po më kërkon me vendosmëri,  t’i shkoj atje sa më parë, që t’i lehtësohet vdekja dhe t’i dalë shpirti pa mundim.

-Telemak, Telemak! Nuk të paskam njohur. Qenke me mbeturina mikroborgjeze dhe ke doza sentimentalizmi të sëmurë dhe idealizëm të tepruar. Pastaj ti nuk je as doktor qe ta ndihmosh e ti parandalosh vdekjen. Siç thua, ajo të pret ty, që të vdes, se ndryshe nuk i del shpirti. Kjo është një arsye më shume që të mos shkosh, që ti zgjatet jeta. Ik tani vrap, në krye të detyrës! Leje nuk të jap!

Iku Telemaku i dëshpëruar, po ndërkohë e gjeti vetë zgjidhjen dhe e morri shpejt vendimin. “Nuk më jep leje ti, o zëvendësministër i fandaksur e i pa shpirt, po  unë te nëna do vete, qoftë dhe pa lejen tuaj edhe sikur të më pushoni fare nga puna”.

Dhe u nis urgjentisht për Vlorë Telemaku, ndërsa një shokut të zyrës i tha se po nisem për një problem urgjent kontrolli në Minierën e Kromit në Bulqizë.

Në Vlorë dhe në Nartë për të ndihmuar e vizituar nënën në mjek  dhe për ta kënaqur, së fundit herë, me lloj lloj ushqimesh e dhuratash, Telemaku u sorollat pak si gjatë, sa në fshatin Nartë e sa në Vlorë dhe megjithëse nëna duket se, me ndihmën e mjekëve dhe kujdesin e tij, ja hodhi të keqes së madhe, atij nuk i bënte zëmra të ikte larg saj.

Kur për këto detyra më shumë shpirtërore, por edhe për të bërë pazar ishte në pjacën e qytetit të Vlorës, para këmbëve të tij, dëgjon të frenojë e të ndalet një autoveturë. Prej saj zbret pikërisht zëvendësministër Xhafa. Ai e kish pikasur Telemakun nga larg, kish zbritur shpejt nga makina dhe i kish thirrur në emër. Telemaku, sa  e pa me bishtin e syrit, vuri shpejt syzet e diellit për t’u maskuar sadopak dhe vazhdoj rrugën i shkujdesur dhe si pa droje, kinse nuk kish dëgjuar gjë. Po Xhafa këmbëngulës e shpirt kazmë e ndjek me vrap dhe e mbërthen për supesh: Telemak, të thash! Pse nuk përgjigje?

-Më fal. Nuk ju njoh, Unë nuk jam Telemaku, jam i vëllai thuajse binjak. Po nuk ke faj ti që  kujton se jam Telemaku, se mbase më sheh për herë të parë. Neve, kur vishemi njësoj, gati na ngatërron edhe nëna. Ju kush jeni?

-Jam Xhafer zëvendësministri, eprori direkt i Telemakut.

-O, sa mirë që të takova. Po ku është ai, vëllai im mosmirënjohës. Kam 15 ditë që e kam lajmëruar se po na vdes nëna. Si nuk vjen ai maskara dhe do të thosha, si e mbani ju në punë atë nënëmohues? Si mund t’u dojë, t’u ndihmojë e të jetë i vlefshëm ai për ju dhe për Partinë tonë të dashur, ai burrë i poshtër, që nuk ka dhembshuri as për nënën e tij në pragëvdekjeje? Po dhe ju që e mbani pranë  dhe jeni, gjoja, shokë dhe eprorë të tij nuk duhet të jeni më të mirë, se jeni edhe deri në kundërshtim me porosinë e Partisë që njeriu është kapitali më i çmuar dhe më e çmuara e më e nderuara midis njerëzve, padyshim është nëna!

Iku Xhaferi i turpëruar ndaj këtij sulmi të befasishëm, i bindur dhe i gënjyer, po edhe me nje rezervë e me një dyshim: Si mund të ndodhi një ngjashmëri e çuditshme dhe e përplot në të gjitha drejtimet: moshë, trup, të ecur, të folur!?

Telemaku, si e përshëndeti me ëmbëlsi “burrin e botës” u nis shpejt drejt postës së qytetit dhe mori menjëherë në telefon Drejtorin e Minierës së Bulqizës që ishte njëkohësisht mik i vjetër besnik i tij dhe që, si shumica e kuadrove të bazës, e shihnin me neveri zëvendësministër Xhafën, që u rinte çekan në kokë dhe s’i falte për asgjë. Pikërisht këtij drejtori, në telefon nga Vlora, ia shpjegoi hollësisht ngjarjen dhe ranë dakord e përgatitën terrenin për veprimet e mëtejshme.

Xhafa sapo mëriti në Tiranë thërriti në telefon Minierën e Bulqizës dhe kërkoi Telemakun. Ata, sipas marrëveshjes, i thanë se Telemaku është futur për një verifikim direkt në Galeritë e Zonës  D, që është larg dhe do dalë prej andej në mbrëmje.

Në mbrëmje Telemaku, qe ishte nisur qysh në mëngjes nga Vlora, sapo mbërriti në Bulqizë, nga telefoni i Zyrës së Drejtorit të Minierës, lidhet direkt me zëvendësministrin dhe përshëndetet e bisedon gjatë për çështje pune krejt normalisht me të, pa e zënë fare në gojë nënën e sëmurë, megjithëse gjoja për kortezi, u pyetën reciprokisht për shëndetin e njeri tjetrit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx