E diele, 19.05.2024, 10:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Në hapësirat e lirisë së munguar - Gusmariotët në rreshtat e një libri

E hene, 08.11.2010, 10:59 PM


Në hapësirat e lirisë së munguar

Gusmariotët në rreshtat e një libri               

                                                                                                                                   

Nga Mihal GJERGJI

 

Në fëmijërinë time, në çdo fillim dite, përshëndetjen e parë ja jepja malit të Kanatait, sepse e kisha përballë, por jo vetëm kaq. Në prehrin e tij ishte vendosur edhe vendlindja. Me hijen e malit ishim mësuar të mateshim mëngjes e mbrëmje, të gjëndeshim jo rrallë  në krahët e ëndrrave e nën ritmin e nxituar të djalërisë. Shikonim më të rriturit, që supet u lëviznin bashkë me hapat dhe donim t’i arrinim, paçka se s’kuptonim që në të vërtetë na madhonte syri i prindërve dhe na hijeshonte shikimi i moshatareve tona.

Në jugëlindje, atje ku ishte qëndra e fshatit, dukeshin që larg dy rrepe të mëdhenj, dy-tre ndërtesa dhe « Guri i xhamisë». Atje mblidheshin burrat në kuvëndet e tyre, pra ishte si pikë orjentuese, kryesisht për fëmijët, që na urdhëronin të mëdhenjtë dhe ne s’dinim t’u thonim:’Jo’.  Ende se di se përse quhej « Guri i xhamisë ».. Jo vetëm xhami, por as rrënoja s’kam parë ndonjëherë, as kisha me kryqe gjithashtu, megjithëse ka patur shumë emërtime të tilla, mbase edhe ndërtesa kulti dikur: Kisha e Behe; Kroi i kaurit; Trapi i Gjergjit, Mezari i Tahire, etj. Mezari është ende në këmbë, porse nuk dihet saktësisht se varri i cilit shenjtor mysliman është atje, ndoshta i Dervish Belulit.

Moshatarët, kryesisht gratë, i dëgjoja shpesh të kthenin kokën nga « Qafa e Sërës » dhe të betoheshin për të apo të kërkonin ndihmën e saj. Në kohë të vështira thatësirash, bujqit dhe blegtorët provonin të bënin kurbanë, pikërisht në këtë qafë, thernin mishra, që paskëtaj të nisnin edhe shirat. I njëjti besim e nderim gjithashtu ishte edhe për Diellin që « shkonte lodhur», e të cilit i drejtoheshin si t’i merrnin leje. Besimi pagan kishte ruajtur dimensionet dhe liritë e pushtetit të tij, gjë që e tregonin edhe frekuentimet e vëndeve të ‘mira’ dhe flijimet,  të cilat jo vetëm largonin monotoninë e jetës, por në një farë mënyre plotësonin disi edhe boshllëkun shpirtëror.

Buza e Dervenit mblidhte nga thellësitë e grykës së Shurit erërat e trazuara (bashkë me zërat e zogjve !) dhe ja përcillte qafës së Mihait, për t’i zbrazur pastaj udhëve të ngushta të fshatit tim të rrudhur nga varfëria. Sherqet e ngjyer në mavri apo gunat e dhirta, më bëhen sikur tunden ende mbi supet e burrave që mblidheshin në hallet e njëri-tjetrit.

Në anën veriore, sipër ‘Bregut të Gjone’ lartësohej ‘Varroshi i Kasëmit’ . Në faqen e murit të tij, kishte lënë gjurmët e forcës gjylja e nisur nga ‘Qafa e Kreshmës’, e cila besoj të ketë ndodhur gjatë vitit 1940, pikërisht në kohën kur zhvillohej lufta italo-greke. Kasëm Duka, njeri i shkolluar dhe i pasur, kishte ndërtuar së gjalli qivurin kolektiv të familjes, ndoshta edhe të fisit. Brenda kësaj ndërtese të skalitur gur pas guri nga mjeshtrat e kohës, preheshin eshtrat e disa pjestarëve të fisit Dukaj. I afroheshim me moshatarët, i lëmonim gurët, zgjatnim kokat tona te dera dhe një ndjenjë frike na pushtonte e na bënte të zbrapseshim. ‘Misteri’ i asaj që ishte brenda mureve e mposhtëte kurreshtjen fëminore që na detyronte të ecnim drejt së panjohurës. Më tej zgjatej një tel telefoni mbi një shtyllë druri sipër ‘Bregut të gjatë’. Ishte i vetmi fill që na lidhte me ‘botën’. Ja pra, disa nga pikat e ‘rrethimit’ brenda të cilit kalova fëmijërinë.

Këmbët na griseshin nga gurët e duart nga ferrat apo degat e pemëve ku hipnim, ndërsa mbrëmja na mblidhte në shtëpi. Hëna, si gjithmonë bujare, me dritën që merrte hua nga dielli na ndriçonte rrugët. Më mirë se kudo, vetëm në viset tona mund të dëgjosh këngën e trishtuar të qyqes. Sikur ka një zë të veçantë e vajtimtar në ‘baladën’ e përjetshme që vazhdon ta këndojë prej kushedi se kur. Në krye të arës së madhe, te ‘Sheshi i Blacës’, sipër degëve të arrës ndodhte të qëndronin korbat, që me atë krokamën e tyre keqndjellëse, paralajmronin mortin e radhës. Këto i dëgjoninm nga të rriturit dhe  si pakuptuar merrnim edhe ne pjesën tonë nga hallet e tyre. Në gjykimin e athershëm, pikërisht brenda këtyre sinoreve fillonte dhe mbaronte jeta, ndërkohë që e kundërta ishte e vërtetë. Liria e munguar fillonte matanë këtyre grykave të ashpra e të thella, të cilat, bashkë me zërat njerëzorë, mbanin brenda vetes edhe ulërimat e egërsirave. U kemi zënë vëndin, edhe ujqërve edhe dëborës, -thoshnin nënat tona të mira në dimrat e vështirë.

Kështu, gjatë pushimeve me vërsnikët dhe të tjerë më të mëdhenj apo të vegjël, pas lodhjes nga lojrat flisnim edhe për shkollën e librat. Unë u tregoja me kënaqësi për ato që lexoja. Nuk e di se ç’mendonin ndërsa dëgjonin gjithë kurreshtje apo kur ndaheshim, por shumë prej tyre  u bënë të suksesshëm në jetë, me prona e biznese, paçka se pa shumë pretendime për shkollimet, ndërsa unë mbeta brënda kënqësisë që te jep letërsia me magjinë e fjalës, mbështjellë nga varfëria që shoqëron përgjithësisht krijuesit… Të gjitha këto u skicuan si me dritën e një ylli thellë subkoshiencës, për të kërkuar një ditë të dalin në sipërfaqe, të bëjnë vënd në rreshtat e prozës apo vargjet e mia poetike.

Krijimtaria e vëllimit « Shpresa të thinjura », ishte ngjizur prej kohësh brënda meje, mirëpo dëshira dhe mundësia rrallë herë shkojnë krahë njera-tjetrës, kështu që botimi u realizua me vonesë. Ndërkohë që më përgëzuan kolegë të mi të artit, edhe jashtë vendit, për fjalët e të cilëve sigurisht që më erdhi mirë, prisja me shqetësim gjykimin e njerëzve të mi të vendlindjes, të cilët më ushqyen frymëzimin dhe në shënjë nderimi shkrova edhe kushtime për disa prej tyre. Ndërsa vizitoja qytetin e Tepelenës, rastisi të takohesha me nipin e luftëtarit të njohur  Xhafer Meta, i cili në vitin 1920 drejtonte taborrin e gusmariotëve në përleshjet e përgjakshme me italianët në Vlorë. Pra, me Xhaferin 59 vjeçar, me të njëjtin gjak e të njëjtin emër, që banon po në këtë qytet. E pyeta për jetesën. Muajve të verës punoj në greqi,- më tha Xhaferi,- gdhënd qemerët dhe portikët e vilave të grekut. E dëgjoja tek fliste për grekun dhe vetvetiu m’u kujtuan historitë tronditëse të masakrave të tyre, veçanërisht në Kurvelesh, në 1914-ën, 1940–ën, etj. Ai, mbasi e kishte lexuar librin tim, më pyeti për gjyshin e tij martir, që mendonte se mbeti në harresë. U ndava prej tij e më duhej të bindja veten, nëse duhet të merresha me luftëtarin në fjalë, apo jo. Kohë më vonë thura një baladë që endej mes gjyshit dhe nipit, një fluturim brënda shekullit, do të thoja. Më mundonte vlerësimi i atyre që njohin historinë në fjalë. Mos u çuditni, në Kurvelesh duan të gjithë të jenë kalorës, e këmbësorë askush. (« Në kohë trazimesh me kaq halle/ i qetë martiri s’mund të rrijë/ Medoemos kërkon ringjallje/ nga një stërnip që pret të vijë »)(*pjesë nga balada).

Në studion time të punës, kisha disa materiale të pasistemuara për një luftëtar tjetër të shkolluar e fisnik të Kurveleshit, trimin Bilal Rukia, i cili ka qënë pjesmarrës në kongresin e Manastirit dhe i përkushtuar shpirtërisht për shpërndarjen e gazetave e revistave shqip në Spile e Himarë, me qëllimin e mirë që lajmet e ardhura përtej detit, prej patriotëve rilindas në kolonitë shqiptare të Bukuresht, Sofjes, Stambollit, Argjentinës, Amerikës e gjetkë, t’i merrnin e lexonin edhe shqiptarët brenda vendit, pra të zgjohej ndërgjegjia kombëtare. Kisha filluar t’i shikoja me interes.

Ndërkohë që isha duke punuar më bie zilja e celularit. Zëri matanë kërkoi të dinte më shumë për një apo dy krijime të librit tim, ato që s’shkruhen, por mund të nënkuptohen sipas lexuesit. Më tha se librin s’e kishte lexuar akoma, por ja kishin referuar. Ishte nga ato telefonatat që të ftohin entuziazmin e krijimit dhe të  ngjallin ndjenjën e revoltës, kjo falë ndjeshmërisë së krijuesit. Telefononte pikërisht stërnipi i Bilalit. Kuptova që bashkëbiseduesi s’fliste me zërin e bashkëfshatarit, por me atë të biznesmenit. Kisha dëgjuar edhe zëra të tjerë ankimtarë, por ata ishin ndryshe, ishin barkboshë, dhe në vend të punës që mund të bënin për rregullimin e mirëqënies  së tyre, vazhdojnë ende ta arrnojnë jetën me intriga. S’prisja vlerësime, duke gjykuar shkallën e tyre të  kulturës dhe problemet sociale të trashëguara, megjithëse krijuesi gjithmonë joshet prej tyre, por ngutjen për të më kryqëzuar njerëzit e mi s’e kuptoja. Mu kujtua një shprehje e poetit tonë kombëtar Agim Shehu, i cili në një nga letërkëmbimet më shkruante nga Gjeneva për fatin e tij të hidhur, se «  qënka e detyrueshme fqinjësia e djepit me arkivolin ». Kjo më imponoi që të përcjell këtë mesazh mirëkuptimi.

Njerëzit për të cilët shkruhet në këtë libër janë ndarë në tri kategori: ata, të cilëve u detyrohemi të gjithë, për hir të vlerave që kanë ; gjakprishurit ose të mbeturit pa emër (nënëkuptohen- fenomenet) dhe shenjtorët, që si të tillë unë çmoj poetët. Meqënëse një pjesë e bashkëkrahinarëve të mi të pashkolluar s’kanë mundur të marrin informacionin e duhur, e për rrjedhojë s’mund të pretendojnë të njohin historinë e Kurveleshit, e gjykoj se duhet të futemi thellë në kohë, për të njohur edhe ndonjë « Rrëfenjë për kohën e mbretit ». Remziu për të cilin shkruaj, është një farkëtar (fjala–Gusmo,- më tha një inxhinjer gjerman  në vilën e tij në Berlin, do të thotë metalpunues. Diskutuam gjatë për gjuhët evropiane, ndërsa miku im kërkonte rrënjët e gjuhës së tij në djepin e pellazgjistes !) Pra, Remziu është një prodhues i talentuar thikash e jataganësh. Bëhet fjalë për shekullin e IV pas e.r. kur mbreti Konstandin i Romës (me gjak dardan-nga Nishi)themeloi Konstandinopojën (Stambollin e sotëm). E kisha lexuar diku këtë histori, pastaj edhe e kisha dëgjuar si legjendë të trashëguar gojë më gojë. Një mësuesi im i letërsisë, tashmë i plakur, por i fisnikëruar nga gjaku i orgjinës dhe mënçuria, ndërsa më ftoi një ditë për kafe, biseduam edhe për historinë. Çuditërisht, rrëfime të tilla jo vetëm që janë të bukuara, por pranohen menjëherë edhe si të vërteta. Duhet të kujtoj lexuesin se Krahina e Kurveleshit ka patur tri kala, të Nivicës që është rreth 2500 vjeçare (ku është gjetur edhe boceti i Zeusit flakëhedhës), e Gradishtës në Progonat (!) dhe ajo e Borshit. Rruga që përdorej nga ushtria e mbretit pas kaq shekujsh ishte : Romë-Porti i Orikut(mit) në Vlorë-Luadhi i Kurveleshit (Llufa)-Rruga Egnatia deri në Manastir dhe pastaj drejtimi për në Kostandinopojë.

Mbreti kishte dy djem, Honorin dhe Arkadin (sipas njërit variant), që të dy me emra latinë, sepse italishtja u themelua tetë shekuj më vonë nga autori i « Komedisë hyjnore » poeti i famshëm Dante Aligeri. Meqënse mbreti po i shtonte zotrimet e tij, njërit nga djemtë i besoi lindjen dhe tjetrit perëndimin. Ndërkohë, gruaja shtatzanë e mbretit pritej që të lindëte djalin e tretë, prandaj e shoqëruar nga ushtria dhe karvanët që e kishin të detyruar një qëndrim dy mujor në Llufë të Kurveleshit (për t’u shëndoshur kafshët dhe çlodhur trupat pushtuese), qëndroi dy muaj të verës pushim. Plani ishte që mbas dy muajsh të tjera rruge, mbretëresha të lindëte në Konstandinopojë dhe djali të pagëzohej mbret i vendit. Mirëpo ajo lindi jo djalë, por një vajzë shtatëmuajshe e cila u quajt Rexhina. Historikisht, Llufa ka qënë pronë e Rexhinit. Le të vazhdojmë me Remziun. I detyruar nga Arkadi (ndërkohë që i vëllai, Honori, ishte afër mbretit) , farkëtari gusmariot, nën një kontroll të rreptë prodhonte shpata e jataganë për ushtrinë. Në këmbim të jetës (sepse mjeshtrat vriteshin mbasi mbaronin veprat) i premtuan lirinë dhe shkollimin e fëmijëve në Romë, të cilat s’i realizuan kurrë.

Nuk e di pse më kujtohej gjithmonë kjo histori kur shikoja bashkëfshatarin tim të nderuar, Remziun, një burrë plot energji, tipik i një kurveleshasi rrebel. Në imagjinatën time, Remziu sikur fluturonte me atë pallton e hedhur supeve, i gatshëm për të prapsur çdo të keqe të afërt, ndërsa era e ftohtë që vinte nga lartësitë e Dilanit, ia krihte kaçurrelat sipër ballit. Bëja kështu një krahasim imagjinar mes tij dhe tjetrit, për të cilin fliste legjenda, e në këto kushte më duhej të nxitoja për të hedhur diçka në letër.

Izet Gjergji
Izet Gjergji
Krijuesi ecën në koridorët e errët të kohës dhe rrëmon kujtimet e tij, të cilat jo gjithmonë janë të bukura. Më kishin lënë mbresa të thella e s’mund t’i harroja vizitat formale e plot hipokrizi që na bënin drejtuesit e lartë të kohës (të partisë dhe pushtetit, nga zona dhe rrethi) si familje dëshmori në çdo 5 maj. Për mua, zemërgurët ishin të gjithë njëlloj, pa ndjenja e pa nder, në bazë e në qëndër. Ishin ata, të cilëve u ‘qeshej’ buza, ndërsa brenda syve mbanin terrin e natës.Ditë më vonë, babai im i nderuar, Izeti, shkonte në komitet të partisë  dhe kërkonte të drejtë studimi për djalin. Sa herë që vinte (jo më pak se 5 vjet radhazi) merrte të njëjtën përgjigje: - partia e di që ke dy vëllezër dëshmorë dhe do ta shikojë kërkesën tënde…Ky ishte fenomeni për të cilin s’mund të heshtja, jo unë, po dhimbja e shpirtit, ndonse ishte më shumë sesa « Intime ». Askush s’mund të ta kthejë kohën e humbur, atë që vjen vetëm një herë në jetë dhe s’mund t’i gjëndet barazvlera reale, besoj se nuk çmohet as me flori. Edhe kur nxiton të falësh, plagët të kujtojnë për kujdesin që duhet treguar. Ka shumë njerëz, që ora u ka mbetur në vitin 1990, janë mësuar me frymën e athershme të llogaridhënjes, në organizatën e partisë, të frontit, të rinisë, dhe duan ende të dinë se çkanë njerëzit në mendje. Nuk e dinë të gjorët se krijuesit vlerësohen për ato që shkruajn, e ato që shkruhen janë të qarta për ata që dinë të lexojnë. Për njeriun e thjeshtë qënka shumë e vështirë të dalë përtej gardhimeve të kohës, edhe pse mund ta dijë se duhet bërë. Brënda rrethit vicioz ku e vërtit jeta, vetëm drita e diturisë ia tregon rrugën e daljes, ndryshe plaket në burgun e vetmisë së detyruar.

Nëse qytetari i thjeshtë tronditet nga veprimet e njerëzve të depersonalizuar, aq më shumë  krijuesi, trishtohet pa masë. Në institucionin ku punonte një bashkëfshatari im, më ka ndodhur ta shikoja disa herë të ngrinte pas murit (me dorën në zemër) në hyrje të portës, sa herë që vinte dhe ikte « shefi » i tij, megjithëse ky i fundit as që ia kthente kokën fare dhe ishte shumë i ri në moshë. Emri që mbante shefi i shkonte të kujdesej e ruante një tufë bagëtish, mundësiht dhi, sepse delja kërkon butësi njerëzore. Jo vetëm kaq, por ai që nderonte pseudopatrioti, s’ngjante as me Zenel Gjolekën dhe as me Tafil Buzin, ishte një njeri i shartuar, tërësisht i varuar nga politika dhe i çveshur nga madhështia që të jep inteligjenca, thjesht një i përkëdhelur që vetëm buzqeshte si Guinpleni ( por duhet theksuar, i qeshte vetëm buza, jo sytë) dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte në shoqërinë e njerëzve të dorës së dytë, me ata, tek të cilët gjente vetveten, tamam si « Pani i madh»-do ta quante një miku im krijues, që punonte brenda atyre mureve ku thureshin intrigat. E shikoja ‘patriotin’ dhe pyesja veten: kush ka lindur më parë, burri apo frika, dhe më vinte keq, jo për të, por për fshatin që e kishte lindur, natyrisht edhe për prindërit e tij të nderuar, sepse me bukën e harxhuar mund të ushqenin një qen të mirë stani. Mësova një të vërtetë: « Ka lindur frika para burrit ».

Njeriu ka nevojë të kënaq jo vetëm syrin, por të ushqejë edhe shpirtin, ka nevojë edhe për « Ligjërime malli », aq më shumë poeti. Vezikon të cilës ia kam kushtuar këtë poezi, e kam lënë pa mbiemër, megjithëse mbiemri i saj është Gumeni, por kjo e ka një arsye të cilën do t’iu spjegoj. Kjo grua, të cilën do ta cilësoja më shumë se spartane, në rininë time më ngjallte një lloj adhurimi të veçantë. Ishte një labe e lindur për ligjërimin e saj drithërues. Ndonse me « biografi » të padëshiruar për pushtetarët e kohës dhe turmat që bindeshin verbërisht vullnetit të tyre, ajo merrte pjesë në të gjitha vdekjet që ndodhnin, jo vetëm në fshat, por edhe në zonë. Kishte një mënyrë ligjërimi të pakrahasueshëm. Turma e shamizezave që e shoqëronin, e dëgjonin me kërshëri dhe heshtnin. Askush s’guxonte t’i trazonte e aq më pak t’i ndërpriste vajtimin. Zëri plot drithërimë dhe fjalët e mënçura përlotnin edhe trimat. E ndiqja gjithë kurreshtje. I përhumbur në vokalin dhe ngjyrat e zërit të saj, kërkoja parreshtur emrin e simfonisë që po dëgjoja. Një mrekulli që fjalët e mia s’mund ta thonë. Kështu eci Vezikua pas fatit të saj për njëzetë e pesë vite me radhë, me dy burgje Spaçi brenda gjirit. Në mbrëmje i thaheshin lotët e ditës e në mëngjes i kullonin përsëri. Një mikesha ime shkrimtare, e cila banon në Amerikë, më shkroi nga larg: « kisha kohë që s’kisha qarë, kam derdhur edhe unë lotë mbi vargjet e Vezikos !». Në mungesë të gjyshes time nga nëna, e shikoja me dhëmbshuri, si një nevojë kompesimi, (Trëndafile Gumeni, mbesa e dëshmorit Balil Bushi, vdiq duke shtrënguar dhëmbët në spitalin ambulator të Progonatit, në  vjeshtën e vitit 1967. I plasi apendesiti, mirëpo s’i jepnin makinë për të vajtur në Tepelenë, sepse para disa muajsh i kishin arrestuar të birin, Dervishin, për agjitacion e prapagandë kundër pushtetit popullor. Ishte koha kur frynte era e hidhur e diktaturës. Nëna e 11 fëmijëve, pesë djemve dhe gjashtë vajzave, e dha shpirtin pa mundur të kishte pranë asnjërin prej tyre!) 

E kam parë Vezikon edhe në ditët e fundit të jetës, këtë shtatore të gatuar me kristalet e lotëve.  Ky ligjërim i rrallë më ndoqi prapa në një mënyrë të çuditshme. Pa emrin dhe zërin e saj, dhimbja gusmariote do ishte e mangut. Prandaj kjo grua është e të gjithëve, sepse të gjithë kemi pjesë në dramat e saj,  ashtu siç bëhej edhe ajo pjesë e brengave tona.

Lexuesi më mirëkupton për detajet, sepse bota ka edhe njerëz të paarsyeshëm, ashtu siç ka edhe shpirtvegjël që ushqejnë smirën dhe ligësitë, bile i marrin me vete edhe në varr, pavarësisht që poetët s’gjykohen, sepse jo vetëm që kanë një shqisë më shumë se njerëzit e zakonshëm, me të cilën realizojnë frymëzimin hyjnor, por askush s’ka të drejtë ti gjakos ndjenjat e tyre. Spjegimet e mësipërme bëhen për lexuesin e mënçur, qoftë ky edhe një i vetëm, për të cilin shkruhen edhe librat. Atyre që s’çlirohen dot nga vargonjtë e urrejtjes, do t’u kujtoja se, askush në këtë botë s’e ka gëzuar privilegjin për të zgjedhur vendlindjen, aq më pak njerëzit me të cilët do jenë bashkëudhëtarë, pavarësisht nga vlerat e tyre.  Prandaj duhet ta pranojmë tjetrin pa e paragjykuar, ta dëgjojmë dhe trajtojmë si të barabartë me veten. Ne kemi patur tradita të vyera, mirëpo ato duhet të njihen e mandej të ruhen, ndërsa lartësimi i tyre kërkon një shkallë të lartë qytetarie. E qytetaria s’mund të blihet në pazar si buka e përditshme, ajo ka nevojë të kultivohet nga njëri brez tek tjetri. Pikërisht, kjo mungesë civilizimi e kulture më bën që të mos shpresoj tek trashëgimtarët e gjakut  të djeshëm të diktaturës,  se mund të marrin  përsipër të korigjojnë, apo ndoshta të rregullojnë diçka ( në mundshin !) nga  masakrat e paraardhësve të tyre, për të cilat edhe ata duhet të ndjehen përgjegjës, si pjestarë të këtij komuniteti, të paktën moralisht. Ndryshe s’duhet t’i marrin në mbrojtje, por të heshtin, qoftë edhe kundra dëshirës. Pa ndryshuar veten, askush s’mund të pretendojë se mund të ndikojë  në ndryshimin e botës.

Le të mos i lëndojnë plagët e fatkeqëve që ende vazhdojnë të kullojnë gjak të pafajshëm. Burgimi i qytetarit sepse është kundërshtari yt, doemos që është një krim, bota ka qindra vjet që e ka quajtur të tillë; heqja e të drejtës së shkollimit dhe mbyllja në errësirën e injorancës, është një krim akoma më i rëndë për personin dhe për shoqërinë, e që ndodhte vetëm në kohën e Çezarëve; gjunjëzimi ekonomik dhe pastaj rrënimi gradual i ngrehinës morale, bëjnë pjesë në taktikat e aplikuara nga strategët e Rajhut të tretë, në kohën e sundimit hitlerian.

Këto e të tjera si këto, që s’kam kënaqësi as t’i kujtoj e as t’i përmënd, më bëjnë të tronditem. Prandaj unë s’mund të besoj kurrësesi që mrekullia të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Duhet të kalojnë disa breza  në kudhrën e qytetarisë për të kuptuar të këqijat që burojnë prej ligësive. Shpirti i tyre njërëzor më duket i zbrazur nga mirësia dhe teksa shikoj mungesë të theksuar tolerance, respekti e mirëkuptimi, përsëri jam i detyruar të mendoj se brenda tyre flet geni i largët, ndërsa brenda tij parimi: hakmarrja është një gjellë që konsumohet e ftohtë...Qofsha unë ai që nxiton të publikojë mendime të gabuara.

Ndërkohë do të prisja me kënaqësi prej bashkëudhëtarëve të mi kurveleshas, veçanërisht prej gusmariotëve, të mos lejojnë që koha ti hedhë në humnerën e harresës: historitë e shkruara për djemtë e Gusmarit, dëshmorë të  luftës nacional-çlirimtare; rrëfimet për familjen me emër të Duke ( Rakipi, Kasëmi etj), të Horjete (Fuati, Mustafai, Kadriu), Sinane, Gjostoje (Sinani, Hasani), Gumene; Tahire, Dervish Tahirin (Belulin), të cilit,  njerzit e pasur e  të mënçur të krahinës së Kurveleshit i ndërtuan MEZARIN dhe shtëpinë dy katshe (ndoshta edhe me ndihmën e financave të Patriakanës së Stambollit!); vargjet e bukura të Ali Dinës, Veip Qorrit (Mërkurit) e Tahir Banës, historitë rrënqethëse të Xheladin Serjanit ( Gjokmitës) dhe të mbesës së tij Elmazisë, që mori ”hakun e babait”, bëmat e Çelo Matës, burrërinë dhe humanizmin e Mustafa Ndreut që ndihmonte bashkëfshatarët në kohët e vështira të luftës, kryesisht në qytetin e Vlorës; trimërinë e Haki Kokës që u foli vrasësve ta qëllonin përsëri, sepse kishte mbetur i gjallë,  shakatë e kripura të Aqif Qorrit, humorin e hollë të Seit Sinanit që dinte të bisedonte me të gjitha moshat dhe  lexonte libra edhe në pleqërinë e thellë; qëndrimin e sjelljen prej shënjtori të Saliko Bardhit, Izet Gumenit e Beqir Cikës; kujtimet për burrat që dinin të kuvëndonin nën degët e rrapit, por edhe të punonin e të nderonin veten dhe mikun: Nazif Banën, Imer Metën, Rrapi Plakën, Skëndo Gjergjin, Ali Rukinë, Karafil Gumenin, Nasip Serianin, Muhamet Mersinin, Demo Gumenin, Islam Qorrin, Xhemali Gjokën, Remzi Banën, Andre Ndreun, Reiz Tahirin, Merqes Ndreun, zemërbardhin Lufti Gjoka, të respektuar e vlerësuar nga të gjithë ata që e njohin, e që s’i tepruan asnjëherë miqtë dhe dashamirët, etj.

Të shkruajn për gratë e nderuara të fshatit: Shanua e Ndrere, Elifja e Bane, e cila nga frika e “ligjit” komunist, s’mundi ta qante me zë vëllain e vrarë nga diktatura - Selam Kërmën; Rramnia e Bardhe, që mishëronte vlerat e vërteta të emrit dhe kishte hijen e labes së vërtetë;  Mazika e Plake, që treti nusërinë në sepetet e dhimbjes, për  fëmijët e vegjël dhe burrin dëshmor; e urta, Emlihaja e Cike, që s’mungonte në gëzimet apo hidhërimet e bashkëfshatarëve, mbante rreth vetes tri nuset e djemve dhe s’i dëgjohej zëri; Sabon, Barjamen dhe Shazen, me një nur fisnikërie mbi vete, bija nga fshati Kuç, nga fiset Limaj , Hoxhaj dhe Bajaj, e të martuara në Hamataj, në Banaj e dyta dhe në Qorraj e treta. E ndjera Sabo, e mbaj mënd të heshtur e sqimatare, të  teruar nga pesha e viteve dhe andrallat që s’mbarojnë së gjalli ( është e mirë xhixhikua - thoshte gjithmonë ime më !);  Meliqja e Rukie dhe Refua e Gumene që s’iu nda loti nga syri, njëra bijë nga Matukajt e Nivicës dhe tjetra nga Ruçajt e Rexhinit; mbresat për Pashakon e Bardhe, këtë gusmariote të vuajtur por me zemrën behar, që s’lodhej të mblidhte dy e nga dy gratë e fshatit dhe kalonin në “sitën “e filxhanit të kafesë hallet e tyre. Më duket sikur më pret edhe mua të më shikojë “fatin”e së nesërmes dhe të më tregojë për ‘trazirat’ që priten të ndodhin atje...Me të gjitha këto e shumë kujtime të tjera që s’më vijnë në mëndje, djemtë e shkolluar të Gusmarit, të cilët janë të shumtë, të ndërtojnë një mozaik të bukur për t’iu lënë si trashëgim brezave, para të cilëve kemi detyrimin e gdhëndjes së historisë, e cila ka qënë e pandarë nga ajo e  Nivicës së “Hodo Beut  “, e Rexhinit të Saliut fjalëzjarrtë dhe Bilbil Shakos, e Progonatit të Hetem Totos e Ismahil Leskos, e Lekdushit të Matohitit, fshatra me të cilat na ndajnë humnerat e frikshme Pellazge dhe na bashkon një qiell sovran Zeusi.

Dua t’iu kujtoj se për arkivolët tanë s’harron të  kujdeset greku dhe serbi, ndoshta edhe të tjerë. Prandaj s’na mbetet tjetër, veçse të mjekojmë plagët e njëri-tjetrit me melhemin e fjalëve, ndryshe ato vrasin si plumbi.

                                                                                   

Nga libri „Ngjyrat e mendimit“ i studiuesit Mihal GJERGJI.



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora