E merkure, 11.12.2024, 06:47 AM (GMT)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Emërtesat e guidave të sotme zyrtare të profesioneve me shqipe të dëshiruar (II)

E diele, 07.11.2010, 07:57 PM


Emërtesat e guidave të sotme zyrtare të profesioneve me shqipe të dëshiruar

 

(në prag të regjistrimit të popullsisë)

 

Nga Dr. Nuhi VESELAJ

 

(2) KONSTATIME RRETH EMËRTIMITTË PROFESIONEVE NË FGJSH 2006 ME THEKS NË KONKURRENCËN EMËRFORMUESE TË PRAPASHTESAVE SPECIALE

 

Meqenëse materiali nga fjalorët e tjerë normativë lidhur me emrat e vepruesit, ku bëjnë pjesë edhe emërtimet e njerëzve sipas profesionit, si me thënë, është eksploruar dhe shfrytëzuar në punimet tona të mëparshme që në vitet e ’80 të shekullit të kaluar e më vonë, e pamë të arsyeshme që po për këtë lëndë ta konsultonim edhe në FGJSH 2006, i cili është burimi më i ri normativ i gjuhës sonë. 

Në të vërtetë, edhe pse thuhet se ky burim i  takon tipit të fjalorit të vogël, vëllimisht në krahasim me lëndën e trajtuar në fjalorët e mëparshëm përshkrues normëzues e të tjerë, faktikisht nuk duket se është edhe aq i vogël e modest nga përmbajtja, madje, në krahasim ndaj fjalorëve të mëparshëm, ka disa përparësi, jo vetëm sa i përket bashkëkohësisë, por edhe për lëndën që e përmbledh aty, ngase, siç theksohet në parathënie të tij, ky fjalor “si fjalë themelore (në krye e në çerdhe) ka mbi 43.000 njësi, madje si fjalë që përdoruesi i fjalorit i ndërton ose mund t’i ndërtojë vetë, sipas shkurtesave që jepen aty si b.f. për mbiemrat, ndajfoljet e sidomos për emrat e foljet  (trajtat sipas gjinisë, numrit, vetës, diatezës etj.) aty dalkan “mbi 4.500 njësi” dhe ”përveç shumë thënieve dhe njësive frazeologjike, fjalori përmban gjithsej mbi 48.000 fjalë (Aty f. 3), prandaj e thamë se nuk është aq modest e i vogël, por i ka dhe edhe disa cilësi të tjera. Po cilat janë karakteristikat e veçanta, sa u përket emërtimeve të profesioneve (emrave të vepruesit) që është temë e trajtimit tonë, do të përpiqemi t’i mësojmë dhe t’i paraqitim më poshtë, duke përdorur të njëjtën metodë pune që e zbatuam për tri burimet e sipërcekura:

së pari, do të nxjerrim në pah disa konstatime të përgjithshme rreth ndonjë lëshimi eventual formal teknik që ne quajtën si gabime shtypi dhe

së dyti, do të bëjmë fjalë rreth disa konstatimeve më të theksuara jo si lajthitje, por si konkurrente të brendshme sinonimike gjuhësore lidhur me emërtimet e profesioneve në shqyrtim, me theks në emërformimin me prapashtesat speciale që ndërlidhen doemos me emërtimet e profesioneve.

Ky është edhe synimi i kësaj analize, që nga konkurrenca e trajtave të caktuara të identifikojmë përparësitë a epërsitë e formanteve përkatëse dhe kështu të arrijmë në rezultate që do të ndihmonin konsolidimin e mëtejshëm të emërtimeve në shqyrtim.

 

                 1. Konstatime  rreth lëshimeve formale teknike (si gabime shtypi)

                                            

Meqë, fatbardhësisht, nuk mund të bëhet fjalë për lëshime të dukshme formale teknike, ne u përqendruam në disa, t’i quajmë,  gabime shtypi, të cilat na ranë në sy gjatë lexim-konsultimit të sipërfaqshëm  të kësaj vepre.

 Së pari,  vërejtëm se në f. 784, teksti me sqarim i fjalës përdorues ka dalë  i shpifur para fjalës përdoroj, i cili (ky tekst) duhet të fshihet, sepse është përsëritur si zë i veçantë pas saj (foljes përdoroj), ku edhe e ka vendin. 

Së dyti, në f. 1113  në zërin (çerdhen) e foljes tukeq, në vend të emrit të veprimit tukeqje ka dalë prejpjesori në trajtën  tulkeqje. Pra, këtu , l-ja e shpifur duhet të hiqet, të korrigjohet.

 Së treti,  f. 491,  te zëri kreditor është ngatërruar në të njëjtin zë fjala  kredo-ja, e cila duhet me dalë në kryerreshtin e radhës si  një zë i veçantë. 

Së katërti, në togun  “tashmë të njhohur”,  f. 7,  duhet përmirësuar fjala e fundit njohur, d.m.th. pa h e parë të shpifur.

 Së pesti,  kemi vërejtje në tekstin sqarues (f. 19-20): Me referim jepen vetëm trajtat supletive ose fjalët e prejardhura nga tema plotësuese e të trajtave përfaqësuese të fjalëve kryesore, p.sh.

pashë  kr. th. e  shoh.

qe,-të  sh. i ka.-, -u.

ngrënë (i,e) MS. shih te ha.

Pra, këtu kemi vërejtje tek  të dy shembujt e parë, ngase nuk janë shënuar me shkrimin e pjerrët  (italik) e dhe  i sikurse pjesa pararëndëse e tyre, sepse kuptimisht janë të pandara me pararendëset përkatëse. Kështu p.sh. kr. thj. e..., do me thënë: e kryera e thejshtë e foljes (në trajtën përfaqësuese) shoh (me pa), Po ashtu shkurtesat sh. i, ka kuptimin: shumësi i emrit (në trajtën përfaqësuese, njëjës) ka, -u.- (shumës qetë). Korrigjimi duhet bërë edhe te zërat përkatës f. 868 e  f. 761.

Së gjashti,  te femërorëzimi i emrit  liberal –i (f. 552)  liberale  mbaresa e shquarsisë, njëjës ka dalë – ia, në vend –JA.  Dihet se emri i tillë i gjinisë femërore ka këtë zhvillim shquarsie: nj: liberale liberalja, sh. liberale liberalet.

 

Mbase në rast rishikimi më të hollësishëm mundet me dalë edhe ndonjë cikërrim tjetër lajthitës, por ne po mjaftohemi me kaq.

 

2 Kontatime  rreth  pranisë së emrave të vepruesit me cilësi

                             profesioni  dhe prirja e prapashtesave speciale

                                               në luftën e konkurrencës

 

Nga konsultimi që u bëmë emrave të vepruesit, ku bëjnë pjesë edhe emrat e njerëzve sipas profesionit, sasiorisht arritëm në konstatime, pothuajse të njëjta, që i kemi cekur në punimin tonë të mëparshëm, megjithatë e shohim të nevojshme të përsërisin ose të përforcojmë  ndonjërën nga ato konstatime:

 

Së pari, do theksuar se janë të gjalla po ato prirje sa i përket prodhueshmërisë së formimeve të emrave të vepruesit, ku bëjnë pjesë edhe emërtimet e profesioneve. Gjithsesi nga prodhueshmëria prijnë emrat me prapashtesat e specializuara vendëse, për nënfushat e caktuara semantike:  –S, -TAR, –AR dhe –AN

Kështu, formimet me prapashtesën –S kalojnë dukshëm 300-shin, ato me –TAR i afrohen 200-shit, shembujt  me –AR përgjysmë janë më pak, dhe ato me –AN edhe më pak, megjithatë, siç e kemi cekur edhe më përpara, secila prej tyre  mund të quhet formant  i specifikuar ose i specializuar për nënfusha të caktuara  të qarta semantike.

Ç’është e vërteta, duke u bazuar në funksionin që kryen, siç po shihet,  për të parën herë, këtu,  si risi, në kuadër të prapashtesave të specializuara –S, -TAR dhe –AR del edhe formanti –AN. E merenduam formantin –AN si prapashtesë të specializuar vendëse, sepse, siç do të shohim, në asnjë rast tek fjalë-temat me –IK(ë) fundore, nuk del ngjashëm ose identike me formantet sinonimike të ndonjë gjuhë tjetër, edhe sa i përket formës shkrimore edhe sa i përket shqiptimit, siç do të sqarojmë më poshtë. 

 

Së dyti, nga formantet e huazuara si më prodhimtare dalin formimet me fundoret ose formantet: -IST, -(A)TOR,/-OR, -ER /-IER, -ANT. Ndër këto për nga sasia prijnë formimet me –IST, pastaj vijnë të tjerat.

 

Së treti, ndër prapashtesa të tjera jo aq prodhuese ndeshim formimet me fundore-prapashtesat e shpifura –C/IEN/-C/ENT, -C/IST, të  cilat siç do të shohim në disa raste dalin jo vetëm të diskutueshme, por edhe shumë të paqëndrueshme në krahasim me barasvlerësit përkatës sinonimikë konkurrentë specialë që imponohen si të përvetësuar ose  me origjinë nga burimi vendës i shqipes.

 

Së katërti, siç u cek më sipër, përveç faktit që kemi të bëjmë me fjalor të tipit normativ, megjithatë ndeshim edhe çështje të diskutueshme, përkatësisht në raste ballafaqohemi edhe me çështje të pazgjidhura, të cilat na imponohen, qoftë nga trashëgimia, ose dalin si përftime të kohës. Andaj edhe pse lënda nga ky burim konsiderohet si bazë e standardit, ashtu siç është e vërtetë, megjithatë, siç do të shohim, ka vend edhe për çështje të imponueshme, të cilat kërkojnë zgjidhje të reja edhe më të qëndrueshme, në aspektin semantik, sipas prirjes së specifikimit a specializimit të formanteve të caktuara sipas nënfushave semantike, nevojë kjo që shtrohet si dukuri normale, kur kemi parasysh vetë zhvillimin e shoqërisë  e të gjuhës sot dhe prirjet e zhvillimit të tillë që kanë të ardhme, sidomos kur kemi të bëjmë me bashkëkohësinë a ecjen drejt modernizimit të gjuhës e të standardit të saj

 

Për mendimin tonë nuk është krejt e panatyrshme pse lënda e këtij burimi (FGJSH 2006) nuk përputhet në mjaft raste me zgjidhjet që janë dhënë, jo vetëm në dy guidat e botuara para ose gjatë vitit 2006, por nuk përputhen plotësisht as me zgjidhjet nga guida e fundit Lista kombëtare e profesioneve e vitit 2009, prandaj  konstatimet, vërejtjet dhe sugjerimet tona që do të pasojnë në disa pika, lidhur me përparësitë ose epërsitë që duhet të kenë formimet e emrave përkatës me cilësi profesioni me formantet përkatëse, mendojmë se janë me interes të ndiqen dhe të vlerësohen, qoftë nga lexuesit e pasionuar, qoftë nga ekspertët e profilimeve përkatëse të profesioneve.

Këto vërejtje a sugjerime janë rezultat i studimit tonë për disa vite lidhur me këtë temë, por edhe në saje të materialit që ndeshim në tri burimet e mësipërme, andaj  prirjet a përparësitë e tilla që janë të pranishme në ato burime si dhe në këtë burim normativ (FGJSH 2006), pa përjashtuar edhe vëzhgimet  e mëparshme e të sotme tona dhe të tjerëve, jo vetëm për guidat në shqyrtim, por edhe për fusha të tjera, ku ceket konkurrenca lojale e formanteve të caktuara, sa janë të drejta ato konstatime e sa jo, duhet të vlerësohen, por gjithsesi mendojmë që hartuesit e ardhshëm të listave të profesioneve, patjetër duhet t’i kenë parasysh.

 

Ne, luftën konkurrente të ndajshtesave të caktuara ndërsinonimike e shohim të gjallë edhe në fushën e emërtimeve të profesioneve dhe për këtë, siç do të shohim tash fill, do të paraqitim shembuj karakteristikë, të cilët i volëm kryesisht nga FGjSh 2006, ku në shumë raste edhe aty shënohet ose rekomandohet trajta dominante, e cila mund të përputhet ose edhe jo, me atë që do të dalë nga analiza jonë.

 

 

 1) Përparësitë e prejpjesorëve me prapashtesën –S ndaj huazimeve

                          me fundore a formante të huaja                                   

 

Para se të kalojmë në paraqitjen e shembujve konkretë, ku prapashtesa –S e emrave mbi bazë foljore (prejpjesore) ka përparësi ndaj formanteve të ndryshme të huaja, po sqarojmë paksa se prapashtesa –S përdoret edhe te disa emërtime profesionesh mbi bazë të temës emërore, tipi, mullis, kalorës, gjykatës, dhuratës etj. por gjithsesi ky tip nuk është as prodhimtar as veprues sa janë emërtimet mbi bazë foljore (prejpjesore), ku prapashtesa –S del si formant i specializuar ose në ndonjë rast ende me prirje specializimi.

Po japim në vazhdim në disa pika shembuj, kur prapashtesa e huaj zëvendësohet ose priret të zëvendësohet plotësisht  me prapashtesën –S:

 

a) Të gjitha emërtimet e fjalë-temave të huazuara (zakonisht mbi bazë foljore në gjuhën dhënëse) të reflektuar në shqipe me –ANT fundor, në shqipe janë foljezuar ose priren me u foljezue, dalin si emra paralel me variantin me –S, p.sh. konsultant/konsultues, diskutant/diskutues, manipulant/manipulues, komandant/ komandues, projektant/projektues, shifrant / shifrues etj.

            b) I njëjti proces ndodh edhe me formantet: –ATOR, -TOR dhe -OR, si p.sh operator/operues,  disenjator / dizenjues, frezator / frezues, tornitor / tornues, kontrollor / kontrollues, redaktor / redaktues, drejtor/drejtues, pagator/pagues (pagëpagues), organizator/organizues, provokator/provokues  etj. etj.

            c) Me prapashtesën –ER si p.sh. programer /programues,  preser/presues, dubler/dublues, trajner/trajnues etj.

            ç) Me fundoren –ENT si p.sh. recensent / recensues, konkurrent/ konkurrues, referent/referues etj.

            d) Me fundore-prapashtesn –IST, si p.sh.: propagandist/propagandues., reklamist/reklamues, faturist/faturues, normist/normues etj.

dh) me fundore-prapashtesën –AR, tipi, komandar / komandues, s(h)tampar /stampues (botues), adresar(!)/adresues, ashtu si rastet brenda shqipes:  spicar / spicues, sukullar / sukullues e ndonjë tjetër.

 

            Me fjalë të tjera, kur fjalë-temat e emërtimeve të profesioneve që ndërkohë dalin të foljezuara, atëherë jo vetëm kanë mundësi, por normalisht fitojnë përparësi për zëvendësimin e emrave të tillë me trajtën foljore prejpjesore, siç ishin edhe shembujt e mësipërm. Në këtë proces, kur është fjala sidomos tek disa nga fjalët e huazuara si më sipër, duhen dalluar a qartësuar dy gjera, si është huazuar emri dhe si është huazuar folja, prandaj po përpiqemi që tash fill me dhënë sadokudo sqarimin sa për ta kuptuar më lehtë këtë proces.

Është e vërtetë se emrat e huaj si p.sh. diskutant, disenjator, programer, recensent, komandar janë pranuar nga gjuha dhënëse si fjalë ndërkombëtare, sipas mënyrës tranfer zakonisht bashkë ose  nën ndikim me konceptin përkatës të foljes e cila qëndron zakonisht si temë fjalëformuese e tyre në gjuhën dhënëse (Krahaso it. discutere (diskutoj me diskutue – diskutues), fr. dessiner, it. disegnare (dezenj me dizenjue -dizenjues), fr. programmer, it programare (programoj me programue - programues), lat. recensere (recensoj me recensue recensues); fr. commander, it. comandare (komandoj me komandue -komandues), mirëpo foljet në shqipe, sidomos foljet më –Oj me rastin e huazimit, siç shihen nga shembujt e mësipërm, fundore-prapashtesën e foljes së huazuar automatikisht e kanë  konvertuar (zëvendësuar) me  fundore-prapashtesën foljore të shqipes –Oj (ose  me –UE *O fundore), 

Kështu në kohë e ndërkohë në shqipe ka vazhduar të përdoret në trajtën tranfer vetëm trajta e emërtimit të njeriut sipas profesionit a veprimtarisë në trajtën e huazuar tranfer: diskutant, disenjator, programer, recensent, komandar, ndërsa folja del e huazuar pjesërisht, duke u shqipezuar në shqipe me prapashtesën e vet vendëse, andaj shumica e foljeve të tilla mund të quhen fjalë të përvetësuara ose që priren me u përvetësue në gjuhën tonë.

Ç’është e vërteta,  në këtë proces, me kohë e ndërkohë kur trajta foljore në shqipe tashmë u bë, u përvetësua, përkatësisht kur koncepti i procesit të tillë i foljezuar, si me thënë, konsiderohet i shqipezuar, atëherë në gjuhën tonë në mënyrë të rregullt doli si rrjedhojë prejfoljori përkatës si emërtim i njeriut sipas veprimtarisë a profesionit, i cili te shembujt përkatës të emërtimeve të profesioneve të huazuara, ku më shumë e ku më pak, filloi të mbulonte konceptet e tyre, të emrave të huazuar. Prandaj, së këtejmi dolën trajtat e shqipes: diskutues, dezenjues a dizajnues, programues, recensues, komandues,  si rivale të reja ose më mirë si sinonime, por që kështu u goditen në sistem trajtat e huazuar, të cilat  normalisht apo gradualisht mund ta humbin forcën që e kishin para se të lindte rivalja sinonimike, e cila del si trajtë sigurisht më e shqipes, por ndodh që ajo e vjetra ende të qëndrojë në konkurrencë e ndërkohë mund të kalojë në pjesën e rezervës, përkatësisht në shtresën stilistike, ku edhe mund të vazhdojë aktivitetin, sidomos në stilin shkencor ose edhe të specifikohet në situata të caktuara, për një pjesë të atij koncepti, prandaj ky zëvendësim (raporti: trajta shqipe/ trajta e huazuar, duke kaluar herë njëra herë tjetra në pjesën e rezervës) përherë nuk shkon aq lehtë për t’u dalluar sa i përket përparësisë, por gjithsesi lindja e prejpjesorëve të shqipes e sforcon identitetin e gjuhës sonë, andaj edhe në krijimin e emrave të tillë nuk duhet hezituar, ngase në këtë mënyrë tregohet edhe vitaliteti, gjallëria dhe e ardhmja e kësaj gjuhe.

            Gjithsesi ky proces është fort i gjallë aktualisht, andaj edhe duhet të përcillet e të përkrahet nga standardologët tanë e sidomos nga hartuesit e fjalorëve në përgjithësi dhe nga hartuesit e emërtimeve të profesioneve në veçanti. Së këtejmi del e vërteta se në fjalor si dhe në organikat e ndërmarrjeve ekonomike dhe institucionet përkatëse do të kenë shëndet më të plotë dhe duhet të kenë edhe jetë më të gjatë ato fjalë që formohen mbi bazë të modeleve të gjalla të shqipes, pra edhe ato të profesioneve që ndërlidhen me koncepte të caktuara të fushave të ndryshme semantike, fushë kjo ende e pastudiuar sa duhet në gjuhën tonë, prandaj kjo prirje duhet ndihmuar edhe subjektivisht nga teorizuesit tanë.

  

                   2) Përparësitë e prapashtesës –TAR ndaj formanteve të tjera

 

            Pse i japim përparësi prapashtesës –TAR ndaj të tjerave jemi shprehur në një vend tjetër, ndërsa këtu po shënojmë disa shembuj, tek të cilët (trajtat e dyta sinonimike), d.m.th. me formante a fundore të tjera, për mendimin tonë në guidat e profesioneve ose edhe në fjalorët e ardhshëm normativë mund të mos shënohen fare, sidomos atëherë kur konceptin përkatës e mbulon plotësisht ose parësorisht emri me prapashtesën –TAR. Sidoqoftë, në ndonjë rast edhe nëse mbetet  ndonjë shembull paralel dysor, gjithsesi si dominante  a si  trajtë normative për emërtimin e profesionit  duhet parapëlqyer trajta me –TAR.

Sa për orientim disa nga shembujt konkurrues përkatës po i japim  në vijim në  katër pika:.

 

            a)  Në raportin  –TAR /-AR, te shembujt në vijim, siç u tha,  përparësia u takon atyre me –TAR,  si: arëtar / arar, fshesëtar/ fshesar, vorbëtar / vorbar, ujëtar/ ujar/, barkëtar/ barkar, djathëtar / djathar/, cergëtar / cergar, e kështu me radhë..

            b)  Po kështu edhe  te rastet paralele  në raportin  –TOR, –ATOR e –TAR, gjithsesi duhet të vazhdojnë të kenë përparësi trajtat me -TAR ose të jenë si trajta të vetme normëzuese. Ja disa shembuj:

skitar / skiator, pastaj qebaptar / qebaptor, gjahtar / gjahtor,  farëtar / farëtor,  ëmbëltar / ëmbëltor,  blegtar / blegtor,  çapëtar / çapëtor,  barrëtar / barrëtor, e kështu me radhë.

            c) Gjithashtu  në raportin –TAR  ndaj –ATAR,duhet të ketë përparësi ose duhet të qëndrojë si trajtë e vetme normative ajo me -TAR, p.sh. armëtar/ armator   cergëtar / cergatar, peshktar / peshkatar, vegëltar/veglatar, plaçkëtar / plaçkatar, ujëtar / uratar  etj.

            ç) E dimë nga tradita se edhe emërtimet e profesioneve me prapashtesën me origjinë turke me –XHI  zëvendësohen pothuajse fare natyrshëm në stilin zyrtar me prapashtesën –TAR,  madje për të njëjtin koncept pa profilim të ngushtë, si p.sh: sharrtar / sharrëxhi,  xhamtar / xhamaxhi, plistar / plisaxhi qymyrtar / qymyrxhi, e kështu me radhë.

 

Lexuesi duhet ta ketë të qartë se, duke i dhënë përparësi prapashtesës TAR,  për nënfushën përkatëse semantike të emërtimit të profesioneve, dhe duke i mënjanuar të tjerat  si –AR, -OR, TOR etj. nga kjo nënfushë semantike, aspak nuk dobësohet gjuha, përkundrazi ajo sforcohet, sepse formantet e tjera, nëse janë të përvetësuara në shqipe do ta kenë më lehtë me u specifikue në nënfusha të tjera semantike, sidomos ajo –AR në lëmin e emërformimit, qoftë ajo-OR e -TOR në fushën e mbiemërformimit etj. Në të vërtetë, rreth kësaj dukurie tashmë janë dhënë prova dhe janë hetuar prirje nga studiuesit  tanë, por edhe prej nesh, të cilat ia vlen të ndihmohen edhe më teorikisht e praktikisht.

 

 

3) Përparësi e formantit –AN ndaj  formanteve të tjera

                                mbi bazë të ndërkombëtarizmës

                                        me –IK(ë) fundore

 

            Që në vitet e 80-a e patëm trajtuar mjaft në hollësi temën Çështje rreth emërtimit të njerëzve sipas veprimtarisë në gjuhën shqipe nga ndërkombëtarizmat me  -IK(ë) fundore, botuar në revistën Përparimi të Prishtinës më 1989, ku patëm shënuar të gjitha variantet e mundshme të emërtimeve në fjalë mbi ketë bazë, që i ndeshnim në praktikën gjuhësore të kohës, d.m.th. emrat mbi temë prodhuese fjalëformuese në gjuhën tonë, të ndërkombëtarizmës me –IK(ë) fundore  dhe  po atëherë, në të vërtetë, patëm vërejtur se parapashtesa –AN dilte më e dalluara si dhe më e përshtatshme nga formantet e tjera për këtë nëntip emërformues. Madje përveç shembujve konkretë që patëm vjelë, një konstatim të tillë e patëm sforcuar, duke u mbështetur edhe në këto fakte:

 

E para, Xhuvani – Cipo që në vitet e 30-a më vonë në punimet e tyre  mbi këtë bazë më shumë kishin parapëlqyer prapashtesën –AN se të tjerat, 

së dyti, Xhuvani–Çabej  formantin –AN, në monografinë Prapashtesat  e shqipes,  e konsiderojnë si prapashtesë anase të shqipes,

së treti, pasi patëm konsultuar edhe përftimet e emërtimit të profesioneve mbi këtë bazë në krahasim me gjuhë të huaja  kjo mënyrë dilte më identifikuese për shqipen dhe

së katërti, duke respektuar, në parim, temën e qartë motivuese fjalëformuese pra patëm arritur në përfundimin se kjo prapashtesë duhet të shërbejë si zgjidhje më e parapëlqyer, kundrejt formanteve të tjera sinonimike, sidomos për ato raste dyjare që deri atëherë nuk dilnin aq të konsoliduara ose të ngulitura sa  përftimet me prapashtesën –AN. 

 

Për të pasur një pasqyrë më të qartë rreth  zgjidhjeve me  -S mbi këtë bazë e shohim të arsyeshme që t’ia rikujtojmë lexuesit të vërtetën se si i ndeshim disa nga emërtimet e tilla të profesioneve në gjuhë të ndryshme, më të njohura, së pari  po shënojmë zgjidhjet  e praktikuara në shqipen e sotme pa prapashtesën –AN  mbi bazë të ndërkombëtarizmës me –IK(ë) fundore që shërben si temë prodhuese,  së dyti zgjidhjet me prapashtesën –AN po mbi këtë bazë dhe së treti japim sqarime rasti lidhur me shembujt përkatës të të dyja mënyrave.

 

a) Zgjidhjet në shqipen e sotme pa parapashtesa–AN

 

Sa për ilustrim po  i  paraqitim katër shembuj që duken të ngulitur          në shqipen e sotme  pa prapashtesën –AN, me zgjidhjet përkatëse të emërtimit të profesioneve, në disa gjuhë, të përftuara mbi bazë të ndërkombëtarizmave me IK(ë) fundore:: muzikë, botanikë, elektrikë, mekanikë:

 

           1) Shq. muzikant (muziktar), angl. musician, fr. musicien, it. musicista,, sp. musico, gjerm Muziker, sued. muziker, rus muzikant, serb. muziçar (muzikant), turq. muzikçi (muzisyen);

2) Shq. botanist, angl.botanist, fr. botaniste, it. botanico, sp. botanico, gjerm. Botaniker,  sued. botaniker, rus. botanik, serb.. botaniçar, turq. botanikçi;

            3) Shq. elektricist, angl. elektrician, fr. electicien, it. eletriccista,  sp. electricista, gjerm. Elektriker, sued. elektriker, rus. elektrotehnik, serb. elektriçar, turq. elektrikçi;

            4) Shq. mekanik, angl. mechanic, fr. mecanicien, it. mecaniko, sp. mecanico, gjerm. Mechaniker, sued. mecaniker, rus.  mehanik, serb. mehaniçar, turq. mekanik (mekanist).

 

b) Zgjidhjet në shqipen e sotme me prapashtesën –AN:

 

Sa për ilustrim po i poaraqitim tre shembuj në shqipe  me prapashtesën –AN, me zgjidhjet përkatëse në disa gjuhë të emërtimit të profesioneve të përftuara mbi bazë të ndërkombëtarizmave me –IK(ë) fundore: matematikë, fizikë dhe statistikë:

 

            1) Shq. matematikan, angl. matematician, fr. matematicien, it. matematico, sp. matematico, gjerm. Mathematiker, sued. matematiker, rus. matematik, serb. matematiçar, turq.. matematikçi;

            2) Shq. fizikan, angl. physicist, fr. physicien, it. fisico, sp. fisico, gjerm. Physiker,  sued. physiker, rus. fizik dhe serb. fiziçar, turq. fizikçi;

            3) Shq. statistikan!!!, angl. statistician, fr. statisticien, it. esperto in statistica, sp. estatistico, gjerm Statistiker, sued statistiker, rus statistik, serb statistiçar, turq. istatistikçi (!).

 

c) Sqarime rasti:        

 

Që në gjuhën tonë sa i përket fundores së emërtimit të profesionit mbi bazë të ndërkombëtarizmës me –IK(ë) fundore nuk del një dorë shihet qartë nga shembujt e dy pikave të mësipërme, ku përveç prapashtesës –AN (sipas shembujve nga pika e parë) ndeshim edhe këto fundore-prapashtesa: -ANT /(-TAR), -IST/(-c/IST)) dhe ZERO, dhe pikërisht vështruar në krahasim (ngjashmëri) me fundore-prapashtesat nga gjuhët e huaja nga shembujt e mësipërm  po i nxjerrim disa konstatime:

 

Së pari,  trajta muzikant e shqipes ka ngjashmëri shkrimi dhe barasvlerësi kuptimi me rusishten. Në të vërtetë ekziston një trajtë e tillë edhe në italishte, por ajo në atë gjuhë tani ka kuptim paksa jo të mirëfilltë, ngase fjala musicanto e italishtes shpreh nocionin e një muziktari rrugësh.

Së dyti, trajta botanist e shqipes ka ngjashmëri me trajtat anglisht e frëngjisht, por në shqipe i mungon tema e qartë motivuese e ajo do të ishte vetë fjala botanikë.

Së treti, trajta elektricist  ka ngjashmëri shkrimore me atë të italishtes e të spanjishtes, por edhe kësaj trajte në shqipe i mungon tema e qartë motivuese (elektrikë), madje edhe shqiptimi nuk përkon me atë të italishtes.

Së katërti, trajta mekanik me prapashtesë zero ose pa mbaresë, ka ngjashmëri me  trajtën e rusishtes dhe të anglishtes, por edhe të turqishtes, por në turqishte del  edhe trajta mekanist (por për një nocion tjetër sinonimik), mos vallë  kjo trajtë mund të ketë ndikuar që në guidën e Prishtinës të dalë trajta mekanist  për mekanik(!), që ne e quajtëm si ndikim indirekt të serbishtes mehaniçar. Sido që të jetë, edhe kjo mënyrë (formimi mbi prapashtesën zero) nuk motivohet nga tema fjalëformuese në shqyrtim, ngase ajo del si pararendëse e fjalë-temës së ndërkombëtarizmës: me –IK(ë) fundore:  mekanikë (mekanik).

 Po shtojmë edhe këtë se jo të gjitha trajtat pa mbaresë të shqipes kanë të njëjtin zhvillim në gjuhë të huaja, kështu p.sh. trajta teknik në anglishte ka barasvlerësin technician.

Së pesti, trajtat matematikan e statistikan, me prapashtesën –AN,  nuk janë identike me asnjë trajtë të gjuhëve të tjera ashtu si edhe ajo fizikan.  Është e vërtetë se trajta e anglishtes afrohet me trajtëshkrimin e shqipes, por dallon nga shqipja për shkronjën –I  -ian (parashtojcë ndaj –AN-it që e ka shqipja), ndërkaq, shqiptimisht, siç do ta shohim nuk ka kurrfarë afrie. Në të vërtetë, shqipja ka ngjashmëri shkrimore me anglishten te emërtimet e profesioneve mbi fjalë-temat me –I fundore, si: histori historian, komedi komedian e ndonjë tjetër, po rastet e tilla janë në numër të vogël.

            Së gjashti, kur është fjala tek tema motivuese ajo del e qartë shkrimisht e shqiptimisht vetëm në gjuhën gjermane, suedeze dhe turke,  madje edhe te ajo ruse te rasti muzikant, mirëpo etimologjikisht tek të gjitha këto në formën shkrimore del gjurma e temës së qartë fjalëformuese me C-në fundore karakteristike  të ndërkombëtarizmës përkatëse. Dihet se shkronja C- latinisht e në disa gjuhë të tjera shqiptohet – K, por në rastet e fundoreve konkrete te shembujt nga gjuhët e huaja, ajo nuk shqiptohet –K por ndryshe, p.sh. anglisht: SH (-SHËN jo  IAN), frëngjisht  S (-SJEn jo –CIEN!), serbisht: Ç (-ÇAR), italisht -Ç (-çista  jo -CIST) dhe, si me thënë, vetëm në shqipe ka shkrim-shqiptim normal sipas versionit fundore e temës + prapashtesën –AN, sipas demonstrimit tonë: -k/AN. Prandaj çdo prapashtesë ose fundore tjetër si -CIEN aq më keq -CIENT, -ANT, madje edhe –IST e –C/IST, po ashtu edhe ajo gjermane e suedeze –K/ER si dhe ajo me mbaresë zero, e përdorur për raste ende të pakonsoliduara ose të pangulitura fort në gjuhën tonë, del e paqëndrueshme ose e përjashtueshme. Ky konstatim vlen, siç u paracek, sidomos për shembujt ende të pangulitur me fundoret –CIEN/-CIENT,-ANT, -IST/-C/IST si dhe me mbaresë zero dhe jo për ato që konsiderohen të ngulitura, mirëpo nëse sforcohet modeli i parapëlqyer prej nesh e të tjerë, atëherë ky model mund të përthithë edhe rastet që tani për tani na duken të ngulitura dhe një veprim i tillë nuk do të quhej i qortueshëm, për hir të temës së qartë prodhuese si dëshmi kjo që e sforcon këtë model emërformimi.

 

            Sidoqoftë, na merr mendja se e kemi sqaruar faktin pse e kemi parapëlqyer dhe pse duhet parapëlqyer mbi këtë bazë prapashtesa –AN për këtë nëntip emërformues të shqipes. Sigurisht, një zgjidhje e tillë qysh tash, por edhe më mirë në të ardhmen do të jetë e mirëseardhur për të konsoliduar sistemin emërformues të gjuhës sonë në përgjithësi dhe në këtë pikë në veçanti. Ne e konsiderojmë të drejtë të parapëlqyerit e trajtës me –AN statistikan, ashtu si e ka edhe M: Ndreca në Fjalorin e tij të fjalëve ndërkombëtare. Madje përgëzojmë edhe hartuesit e fjalorit FGjSh 2006, të cilët e kanë hetuar prirjen që po propagandohet prej nesh, duke i shtuar tipit me –AN shembullin sinoptikan, të përftuar mbi bazë të ndërkombëtarizmës sinoptikë. (Shih, aty f. 963), si dhe hartuesit e  Listës kombëtare të profesioneve (2009) për termin informatikan mbi bazë të ndërkombëtarizmës informatikë (Shih f. 26).

 

Po e përmbyllim këtë pikë me konstatimin se duke u bazuar në të njëjtat fakte, duhet parapëlqyer pa hezitim trajtat me –AN, si emërtime të profesioneve:

 

antroponomistikan, aritmetikan, kozmetikan, kronikan, grafikan, ashtu sikurse fizikan, matematikan, gramatikan, analitikan, sinoptikan, fonetikan, politikan republikan, optikan, informatikan, metodikan, estetikan, sinoptikan, onomastikan, logjikan, elektronikan, statikan, dinamikan, energjitikan, belestritikan, gjeomagnetikan, gjenetikan, biometrikan, onomastikan, termikan etj.

 

që i kemi ndeshur në burime të ndryshme, duke përjashtuar zgjidhjen e dyjareve eventuale me fundoret -ANT, -IST/-c/IST, -CIEN/CIENT e ndonjë tjetër si shpifje jo të zakonshme, sidomos për të gjitha ato raste të emrave me këto fundore të shpifura, kur emërtimit të profesionit i mungon tema e qartë motivuese, por njëherazi, duke i përfocuar edhe zgjidhjet me fundore–siprapashtesën –LOG për emërtimin e profesionit të studiuesve të fushave të caktuara, po sipas ndërkombëtarizmës me –IK(ë) fundore si p.sh.: kozmetikolog,  gramatikolog, estetikolog etj

 

4)  Formanti  i huazuar –IST  si  fundore-prapashtesë e favorizuar në shqipe

 

 Emërtimet e profesioneve të huazuara me formantin –IST dalin në numër  më të madh ndaj fundore-prapashtesave të tjera të huazuara. Numri i emrave me –IST me cilësi e pa cilësi të mirëfilltë profesioni të përfshirë në  FGJSH 2009 kalon 100-shin. Ne edhe shembujt me –IST dhe qëndrueshmërinë e tyre po i trajtojmë në disa pika:

 Së pari, po theksojmë se ky formant konsiderohet si prapashtesë më e familjarizuar në shqipe në raport me fundore-prapashtesat e tjera të huazuara dhe ky familjarizim shihet edhe me faktin se ky formant del si prapashtesë e mirëfilltë për emërtime të caktuara mbi bazë të disa fjalëve vendëse dhe, si me thënë, ato vërtet, po krijohen, ose po përtërihen me lehtësi, sidomos në jetën e përditshme shoqërore-politike, si: ballist, zogist, nëdëshist (NDSh-ist), enverist, pëdëist, pësëist, lëdëistë, majtist, djathtist, uçk-ist  etj.

Së dyti, në gjuhën tonë me këtë formant mbi bazë të fjalë-temës së huazuar me cilësi ndërkombëtarizmi, mbesin pa konkurrencë një shumësi emrash, si p.sh. pamfletist, instrumentist, pompist, violinist, mandolinist, kitarist, farmacist, dokumentist, dogmatist, autonomist, evangjelist, okulist etj, etj., qëndrueshmëria e të cilëve në shumicën e rasteve as që  del e diskutueshme.

Së treti,  është e vërtetë se në disa raste, varësisht nga cila gjuhë huazohet fjala ndërkombëtare, ky formant, has në konkurrencë me disa fundore a prapashtesa sinonimike, por megjithatë në shqipe del favorit si p.sh.

a) ndaj formantit –ER, siç janë rastet. masazher / masazhist, mesazher /mesazhist, futboller/futbollist, pensioner/pensionist, aksioner / aksionist (!) etj., por ka raste, siç është shpjeguar në tjetër vend, kur formantit –ER nuk i konkurron fare  prapashtesa –IST, si p.sh. moler, dispeçer etj.;

b) ndaj fundores –AUT, terapeut / terapist që në këtë burim, FGjSh 2006, parapëlqehet trajta me –IST.

c) ndaj prapashtesë-fundores së huazuar –AR, si për shembull: arhivar / arkivist, modelar/modelist, shtampar/stampist, sekular/sekulist, e ndonjë tjetër, por ka raste ende të diskutueshme në reportin AR/IST, siç janë edhe  shembujt mbi bazë të ndërkomblëtarizmës me –EK(ë)fundore, tipi bibliotekë, përkatësisht emërtimi i njeriut sipas profesionit bibliotekar/bibliotekist, që po e trajtojmë paksa tash fill.

Sapo u cek se në vazhdë të diskutimit në gjuhën tonë hyjnë edhe trajta e emërtimit të profesionit mbi bazë të ndërkombëtarizmës (me origjinë greke) me –EK(ë) fundore si apotekë, bibliotekë, diskotekë, fonotekë, hipotekë, kartotekë, që në gjuhë të huaja edhe në serbishte emërtimi i profesionit zakonisht del me prapashtesën –AR si apotekar, bibliotekar, hipotekar, diskotekar, fonotekar, kartotekar, por edhe në gjuhën shqipe i ndeshëm të normëzuar emërtimet: bibliotekar e hipotekar (Shih: FGjSh 2006 f. 89, 388), madje pikërisht trajta. bibliotekar në raport me bibliotekist, del e ndihmuar nga trajta e latinishtes bibliothecarius, si dhe nga gjuhët e tjera si italisht,  gjermanisht, rusisht e serbisht  etj. atëherë pse e quajmë të diskutueshme trajtën me –AR, ose pse në shqipe ka prirje të fortë që si në gjuhën e folur si dhe në atë të shkruar trajtat e tilla të parapëlqehen me prapashtesën –IST: apotekist (farmacist), bibliotekist, diskotekist, fonotekist, hipotekist, kartotekist, e kështu me radhë?

Ne nuk kemi hasur në ndonjë përgjigje të prerë, vetëm se nga parapëlqyesit e trajtës me –IST  te ne është thënë se kjo bëhet për lehtësi shqiptimi dhe njëherazi si alergji ndaj trajtës së serbishtes, por ne mendojmë se aty ka edhe diçka tjetër, është fjala tek tema  fjalëformuese pa përshtatshme me –K fundore + prapashtesa –AR. Kështu edhe trajta bankar nuk është pranuar kështu po bankier. Me fjalë të tjera në shqipe nuk ndeshim emra me –AR të krijuar mbi një temë fjalëformuese me –K fundore: -kAR.

Sidoqoftë, jo vetëm në guidat e sipërtrajtuara të profesioneve, por edhe  në dy fjalorët e fjalëve ndërkombëtare të botuara në Prishtinë, në atë të M. Ndrecës (1986), por edhe në atë të Institutit Albanologjik (1988), ndeshim edhe trajtën bibliotekist, e ndeshim dhe me –IST, ashtu edhe në Fjalorin shqip-serbokroatisht 1981 si dhe në përdorim të përditshëm.

Besojmë se çdo lexues shqipfolës e  sidomos çdo standardolog i shqipes e kupton alergjinë pse në këto raste nuk parapëlqehen trajtat me fundoret –k-AR por ato me –k-IST si bibliotekist, fonotekist, kartotekist, hipotekist etj.

 

Së katërti, më sipër përmendëm disa raste ku prapashtesa –IST del e favorizuar me konkurrencë të fituar ndaj disa  koncepteve e formanteve të tjera, por tani për rastet që do t’i trajtojmë nuk del aq e favorizuar sot sa ishte më përpara.

Në të vërtetë, siç është përmendur më sipër, emri me formantin –IST konkurrohet nga prejpjesori përkatës me fundore-prapashtesën –UE/S të shqipes, si p.sh. arkivist / arkivues, modelist /modelues, drenazhist / drenazhues, ka edhe shumë shembuj të tjerë, madje përparësia e trajtës së prepjesorit as që diskutohet në rastet kur emër-tema përkatëse del e foljezuar, siç ishte rasti arkivoj me arkivue – arkivues ndaj trajtës arkivist, modeloj me modelue – modelues ndaj trajtës modelist etj..,  por megjithatë  trajtat me –IST, duke u ushqyer me autoritetin shkrimor homonim të trajtës përkatëse të gjuhëve të huaja, të mëdha, me cilësi ndërkombëtarizmi, sidomos në stilin rigoroz zyrtar vazhdojnë të qëndrojnë, madje shpesh edhe në përparësi ndaj simotrës me  rrënjë-temën  e prapashtesën shqipe. Meqenëse kjo temë është trajtuar në tjetër vend edhe më në hollësi këtu nuk po zgjatemi më tepër, por  s’po mund të mos e lëmë pa e theksuar në fund se ia vlen të ndiqet raporti i emërtimeve të profesioneve me –IST / -S(-UE/S), ngase si duket ende do të mbesin emërtime dysore, siç është cekur më përpara në raportin e përparësisë  plasim/rezervë.

 

 

5)  Bashkëjetesa e formanteve të specializuara –S dhe –TAR  mbi temë të njëjtë prodhuese

 

a) Kur është fjala te raporti –TAR me –S mbi të njëjtën temë fjalëformuese  mbi temë foljore,  si:  mbathtar/mbathës, mbjelltar /mbjellës,  mihtar / mihës,  mblestar / mblesës,  ngrohtar / ngrohës, mbushtar./ mbushës – sipas studimit që kemi bërë, del se që të dyja këto trajta kanë mundësi të bashkëjetojnë për mrekulli, nëse vazhdojnë prirjen duke i ndarë nënfushat semantike. Nëse kuptimi i afrohet më fort konceptit të foljes ose konceptit të procesit tekniko-teknologjik, atëherë ka përparësi prejpjesori përkatës me –S (sipas varianteve: -UE/s, -YE/s, -Ë/s ose –S), kështu  kuptimi më fort  anon nga  profilimi i ngushtë i profesionit, ndërkaq emërtimi me prapashtesën –TAR  mbetet të mbulojë një koncept të veçantë pa profilim të ngushtë. Gjithsesi emrat me –TAR nuk janë prodhues as veprues sa ata me –S.

Sidoqoftë, ka mendime se edhe trajta me –TAR që sot konsiderohet e përftuar mbi temë të vetës së parë të foljes së dëftores, në shumë raste ishte përftuar mbi bazë të emri prejpjesor pandajshtesor, tipi: mbathë –a, mbjellë-a, mbushë-a, blojë, rojë etj. Së këtejmi prirja për dallimin semantik të kuptimeve të tilla në finesa është dhe duhet të jetë e pranishme edhe në shqipen e sotme standarde. Pra emrat me –TAR mbi temë ta quajmë foljore vërtet kuptimisht afrohen më shumë me emrat  me -TAR mbi temë  emërore se me prejfoljorët mbi temë foljore  përgjithësisht, e në veçanti mbi temë prejpjesoreje.

 

b) Për dallim ose në përputhje me atë sa u tha në pikën e mësipërme raporti semantik i formimit me –TAR ndaj atyre prapashtesa –S,  si te shembulli mbathtar/mbathës, ngrohtar/ngrohës del edhe më i qartë në raportin e emrave me –TAR ndaj kompozitave, kur gjymtyra e përbërëse është emër prejpjesor me prapashtesën –S.

Krahaso shembujt:) mishtar, lultar, vreshtar, rrushtar, pylltar etj. me kompozitat përkatëse: mishshitës, lulerritës, vreshtpunues, rrushpërpunues, pyllruajtës etj.  Le të kujtohet edhe rasti  i trashëguar i profesionit mbathtar, i cili në kohën tonë për t’u kuptuar masivisht duhet të sqarohet mbathtar – mbathës i kuajve ose kalmbathës, ngase ka edhe mbathës i fëmijëve në foshnjore, mbathës i patinave në ushtrime patinazhi  për fillestarë etj.

            Së këndejmi, dallimi sinonimik del edhe më qartë sa i përket nënfushës semantike ngase emërtimet me kompozita ndërlidhen kryekëput me profilimin e ngushtë të profesionit, ndërsa ajo me –TAR mbetet gjithsesi për të mbuluar profilim më të gjerë të konceptit përkatës. Pra, në raste si mishtar /mishshitës, trajta me –TAR ndërlidhet ose mund të ndërlidhet edhe me konceptin e pronarit të mishtores ku shitet mish, ndërsa me termin mishshitës identifikohet personi që kryen funksionin drejtpëdrejt, d.m.th. ai që e shet atë artikull. Me fjalë të tjera  emërtimet me –TAR (tipi: tregtarët) më tepër se kompozitat sinonimike mund të përfaqësojnë grup-bashkënjësinë e profesionit deri 4-shifrore, prej nga rrjedhin nënprofesione ose profile profesionesh të ngushta, të cilat karakterizohen rëndomë si 6-shifrorë që zakonisht për nga ndërtimi janë kompozita ose emërtime perifrastike, ndërtime këto që janë karakteristikë e profesioneve të profileve të ngushta. Vetëm në kuadër të mishtarit si pronar i mishtores ose tregtarit si pronar i tregtizës (mini-marketit), mund të punësohen punëtorë për punë e detyra të veçanta ose me gërshëtim punësh e detyrash profilesh të ndryshme, pra,në kuadër të emërtimit mishtar përveç mishshitës, dalin edhe mishcoptues, mishgrirës, seleksionues i tulit të mishit, i mishit me eshna, ose seleksionues i mishit sipas cilësisë ose sipas prejardhjes, furnitor a furnizues i mishtores me mish  viçi (shtjerre, pule, rose) etj. etj.

 

Në të vërtetë, ne këtu nuk po i trajtojmë në hollësi përparësitë ose  konkurrencën sinonimike të fundore-prapashtesave të tjera, edhe pse edhe ajo është temë që zgjon jo pak interes për sistemin fjalëformues të shqipes në tërësi dhe për emërtimet e profesioneve në veçanti, sepse, me atë që bëmë deri tash,  kemi bindjen se lexuesi i interesuar ka fituar idenë dhe tani nga konstatimet e thëna deri tashti e ka të qartë se çështja e emërtimit të profesioneve përkatëse del e zgjidhshme praktikisht brenda institucioneve a ndërmarrjeve përkatëse, ku punët dhe detyrat nga veprimtaria përkatëse i diktojnë edhe vet profesionet dhe profilimet e tilla, por për të qenë emërtimet në përputhje me natyrën e gjuhës shqipe ato duhet të verifikohen nga ekspertët njohës të fjalëformimit të shqipes në përgjithësi dhe për strukturën emërformuese në veçanti, ku edhe prapashtesat speciale luajnë rolin e vet të pazëvendësueshëm.

Pra, këtu po e ndërprejmë analizën rreth përparësive të formanteve të caktuara në fushë të emërtimeve të profesioneve, për t’u lënë vend kritereve dhe konstatimeve përmbyllëse në të cilat sigurisht do të ritheksohet edhe ndonjëra nga përparësitë e formanteve të caktuara sipas modeleve përkatëse që kanë të bëjnë rreth emërformimit të profesioneve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora