Kulturë
Vullnet Mato: Brenda shpirtrave
E shtune, 06.11.2010, 11:10 AM
Vullnet Mato
BRENDA SHPIRTRAVE
Hyra brenda shpirtrave
të politikanëve.
U futa në fshehtësi,
pa lejekalimin e vulosur.
Mu duk sikur hyra
në shpirtrat e shejtanëve,
zienin nga mllefi
dhe urrejtja e pasosur.
Te shumë shpirtra pashë
etjen për prona e biznese.
Rrallë kishin te fryma
thatësirën e shtetit.
Edhe kush avullohej
për erërat e rretheve,
bënte llogari prurjet
nga burimet e ryshfetit.
Shpirtrat vuanin shpirtërisht
vetëm për fjalime,
të caktuara nga përçorët
e kopeve politike.
Kopjonin broshura,
porositnin dorëshkrime,
për të tundur ekranet
me sharje sa më bombastike.
Zbulova se kishin ngjashmëri
te fryma e prejardhur,
nga kryqëzimi i djajve
me buallicat e vjetra.
Me origjinë të largët
nga grahma e qoftëlargut,
që vazhdon sot akoma
të na mbajë nën kthetra...