E enjte, 01.05.2025, 07:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Selim Daci: Muhamet Mala, ‘‘Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII’’

E premte, 05.11.2010, 10:59 PM


Recension për librin ‘‘Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII’’ të autorit Dr.sc. Muhamet Mala, Zagreb, 2010, 308 faqe.

 

Nga Prof. Dr. Selim Daci

                                                                       

Pas një periudhe të gjatë studimi dhe hulumtimi Dr.sc. Muhamet Mala nxjerrë në dritë librin ‘‘Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII’’ të botuar në Zagreb në vitin 2010. Ky libër përfshinë një periudhë të gjerë prej pesë shekujve e që ishte një nga periudhat më të rëndësishme për historinë e shqiptarëve. Në kuadër të këtij libri autori pasqyron marrëdhëniet e jetës politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve me Evropën Qendrore gjatë mesjetës dhe fillimit të kohës së re. Zbërthimi analitik që mund dhe duhet t’i bëhet librit “Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII”, është shpërblimi më adekuat, më i pranueshëm dhe më i zakonshëm që kërkon dhe që duhet t’i jepet me të drejtë autorit, siç e meriton, me gjithë karakteristikat dhe rëndësinë që ka.

Libri ‘‘Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII’’, ka karakter historik, politik, ekonomik dhe kulturor. Megjithatë në të është e dukshme prirja e drejtë e autorit për t`i qëndruar besnik të vërtetës historike e kritereve shkencore në trajtimin e tij. Kjo vihet re sidomos në trajtimin që i bënë ngjarjeve të kësaj periudhe si dhe në metodologjinë e punës shkencore që ka përdorur për krahasimin dhe verifikimin e tyre me ngjarjet që kanë ndodhur aso kohe.

Libri në përmbajtjen e tij ka: parathënien, hyrjen, 3 kapituj dhe 26 nëntituj si dhe përfundimin. Në parathënie dhe hyrjen autori jep shpjegime mbi qëllimin e trajtimit dhe studimit të kësaj teme, si dhe mbi specifikat që e bëjnë si një botim të veçantë në kuadrin e shkencave historike.

Në kapitullin e parë mbi ‘‘Marrëdhëniet e shqiptarëve me kroatët’’, autori Dr.sc. Muhamet Mala trajton marrëdhëniet e Kroacisë me territoret shqiptare. Brenda këtij kapitulli autori përmbledhë në mënyrë kronologjike ngjarjet më të rëndësishme duke u nisur nga viti 1102 që shënon bashkimin e Kroacisë me Hungarinë. Ky pakt i bashkimit, në marrëdhëniet hungaro-kroato-shqiptare, sipas autorit, paraqet një specifikë të veçantë për faktin se Hungaria politikisht u afrohet territoreve shqiptare. Në vazhdim trajtohet problemi i së ashtuquajturës Kroaci e Kuqe, Paqja e Zarës e vitit 1358, zgjerimi i hapësirës bregdetare të Kroacisë në drejtim të jugut si dhe  pjesëmarrja e kroatëve në Betejën e Kosovës (1389) që në kuadër të këtij libri autori e ka vënë si një ngjarje me rëndësi në historinë e popullit shqiptarë në veçanti, por edhe të Evropës e Ballkanit në përgjithësi. Profesori Muhamet Mala, ka meritë sepse për herë të parë, merr përsipër dhe realizon, nëpërmjet analizës, pozicionin e kroatëve dhe rolin e tyre në Betejën e Kosovës (1389), duke kundërshtuar me të drejtë edhe historiografinë serbe, natyrisht, mbi bazën e dokumentacionit dhe të veprimtarisë që bënë de fakto kroatët në Betejën e Kosovës (1389). Gjithashtu, në libër jepen të dhëna mbi raportet ekonomike të raguzanëve me Kosovën dhe me bregdetin shqiptar. Sipas autorit të librit, marrëdhëniet shqiptaro-kroate në këtë kohë na dalin shumë të fuqishme, për faktin se kishin interes për prodhimet e bregdetit sidomos për kripën, kurse në anën tjetër për prodhimet xehetare të Kosovës. Poashtu, autori ka trajtuar marrëdhëniet politike të kroatëve me familjet feudale shqiptare, depërtimin e osmanëve në territorin shqiptar dhe kroat. Kurse në fund të këtij kapitulli pasqyrohen marrëdhëniet kulturore të kroatëve me shqiptarët si dhe zhvillimi i proceseve historike kulturore ndërmjet këtyre dy popujve.

Në kapitullin e dytë mbi ‘‘Marrëdhëniet e shqiptarëve me hungarezët’’ trajtohen probleme të ndryshme kryesisht nga fusha politike dhe kulturore, poashtu bashkëpunimi i shqiptarëve me mbretërit hungarezë si dhe angazhimet politike të shqiptarëve në projektet kishtare të Papatit kundër ortodoksisë. Një vëmendje të posaçme autori i ka kushtuar marrëdhënieve të Skënderbeut me mbretërit hungarezë, të cilat duhet shikuar si raporte ndërmjet dy shteteve që kishin një interes të përbashkët, atë të mbrojtjes nga osmanët. Në këtë kontekst, sipas Dr.sc. Muhamet Malës, Skënderbeu na del jo vetëm si luftëtarë, por edhe si vizionarë dhe diplomat, i cili e kishte kuptuar se pa aleatë të mirëfilltë, siç ishte Hungaria, rreziku osman ishte vështirë për t’u mënjanuar. Autori, në fund të këtij kapitulli nuk ka lënë anash pa trajtuar edhe aspektet kulturore në marrëdhëniet shqiptaro-hungareze, duke përmendur disa nga elementet kryesore të bashkëpunimit që dalin në fillim përmes intelektualit shqiptar Gjin Gazulli.

Në kapitullin e tretë mbi ‘‘Marrëdhëniet e shqiptarëve me austriakët gjatë shekujve XVI-XVII’’, autori ka elaboruar në mënyrë profesionale dhe shkencore rolin e shqiptarëve në kohën e luftërave austro-turke gjatë viteve 1683-1699, e veçmas në depërtimet austriake në territorin e Kosovës. Dr.sc. Muhamet Mala, duke u mbështetur në burimet arkivore të kohës, veçmas ato austriake, prezanton në mënyrë reale dhe të argumentuar rolin e shqiptarëve si faktor luftarak duke marrë pjesë në kuadër të ushtrisë austriake në luftë kundër osmanëve, gjë të cilën e mohon historiografia serbe, por të cilën e shprehin të ashtuquajturat invitatore ose ftesat e perandorit Leopold që ua kishte drejtuar shqiptarëve për mbështetje në luftërat austro-turke. Gjithashtu, autori pohon se në këto thirrje shqiptarët përmenden të parët me titullacion, e pas tyre vijnë serbët, gjë që të jep me kuptuar se shqiptarët ishin faktor dominant dhe banorë shumicë të Kosovës dhe trevave përreth. Krahas zhvillimit të luftërave austro-turke në këtë kapitull, autori ka inkorporuar edhe çështjet konfesionale të shqiptarëve, veçmas islamizimin e tyre, ku sipas Dr.sc. Muhamet Malës, në kohën e luftërave austro-turke në pikëpamje fetare shqiptarët kishin një vetëdije sipërfaqësore islame dhe nuk paraqiste pengesë për bashkëpunim me një fuqi të krishterë siç ishte Austria, edhe për faktin se një masë e konsideruar e shqiptarëve mbeti e krishterë. Autori pohon se, ky fakt, përveç interesit politik të Austrisë për këto treva, shërbeu si një vegë, në të cilën austriakët do të kapeshin përherë për t’u inkuadruar në çështjet e brendshme të Perandorisë Osmane, që më vonë do të rezultojë me fenomenin e kultus-protektoratit. Në fund të këtij kapitulli, autori shfaq një mendim hipotetik sipas të cilit, sikur pushteti austriak të ishte vendosur përfundimisht në trevat e Ballkanit në këtë kohë, me siguri harta fetare do të kishte një pamje tjetër nga ajo që ka sot. Kështu, duke patur parasysh se disa kombe e kanë trajtuar zhvillimin historik nëpërmjet faktorit fetar, autori ka ditur të specifikojë këtë aspekt me mjeshtëri dhe e ka përdorur drejt spektrin fetar shqiptar, në funksion të çështjes sonë kombëtare dhe të objektivitetit historik. Fokusit të historianit të vëmendshëm, s’i ka shpëtuar as veprimtaria e diplomatëve dhe diplomacisë shqiptare dhe evropiane, analiza e të cilës është bërë mbi bazën e kritereve të mirëfillta shkencore, me objektivitet, dhe mbështetur nga dokumentacioni i kohës. Raportet e kroatëve, hungarezëve dhe austriakëve dhe qëndrimi i tyre ndaj çështjes shqiptare, kanë zënë një vend të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në librin e autorit Dr.sc. Muhamet Mala. Këto çështje dhe disa të tjera trajtohen në mënyrë të përmbledhur në kapitullin e tretë, i cili njëherësh shënon edhe fundin tematik dhe kohor të librit ‘‘Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII’’ të autorit Dr.sc. Muhamet Mala.

Ky libër në literaturën historike shqiptare dhe evropiane do të jetë studimi i parë dhe i veçantë, i cili në mënyrë të përmbledhur dhe të argumentuara me mjeshtëri shkencore dhe profesionale i trajton çështjet dhe ngjarjet politike, ekonomike dhe kulturore në raportet e shqiptarëve me kroatët, hungarezët dhe austriakët gjatë shekujve XII-XVII. Autori me shumë saktësi ka krahasuar, analizuar, trajtuar dhe në fund ka nxjerrë përfundime logjike dhe të qëlluara rreth shumë ngjarjeve historike që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe që konsiderohen pika kyçe në historiografi. Dr.sc. Muhamet Mala në librin e vet ‘‘Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII’’, hedhë dritë shkencore mbi shumë tema që kanë qenë problem i të trajtuarit shkencor historik, duke mënjanuar përgjithmonë tendencat e çfarëdo lloj manipulimi dhe duke i hedhur poshtë të gjitha falsifikimet e historiografisë serbe mbi këto ngjarje të kësaj periudhe historike. Në lidhje me këtë autori është udhëhequr nga parimi ‘‘nëse nuk ka burime, nuk ka histori’’, gjë që e bënë për faktin se historia shkruhet me dokumente e jo me hipoteza e falsifikime, dhe se parimi metodologjik me të cilin autori është shërbyer, siç pohon edhe vet, ishte që të punohet pa konstruksione ose ide paraprake, pa prejudikime, duke pritur që rezultati të vijë vetvetiu nga materialet e mbledhura me kujdes, duke ua lënë atyre që ta japin fjalën e fundit.

Libri i Dr.sc. Muhamet Mala ‘‘Shqiptarët dhe Evropa Qendrore gjatë shekujve XII-XVII’’, përshkohet me një gjuhë të qartë dhe me shprehje konkrete, që lexuesin nuk e mundon dhe nuk e vë në asnjë moment në dyshim për qartësinë dhe kuptimin e çështjes që e trajton.

Pra, Dr.sc. Muhamet Mala me punën e tij hulumtuese dhe shkencore, gjithnjë me vështrim kritik, i nënshtrohet fakteve dhe ngjarjeve të kohës, të cilat i japin veprës një shkëlqim në aspektin shkencor dhe profesional, duke e futur autorin në rangun e studiuesve serioz dhe librin në kuadër të botimeve me vlerë të veçantë. Prandaj, konsideroj se autori me këtë libër ka arritur që të jap kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve historiografike të periudhës mesjetare shqiptare dhe evropiane.

 

Prishtinë

04.11.2010



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx