E diele, 28.04.2024, 10:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Lis Bukuroca: Lutjet e mëdha

E enjte, 04.11.2010, 10:58 PM


Lutjet e mëdha

 

Nga Lis Bukuroca

 

Miliona hebrenj, të tharë krejt, mbështetur për muri u pushkatuan vetëm pse ishin hebrenj.

 

Ata, disa ditë, disa orë, disa minuta dhe disa sekonda para vdekjes, në fakt edhe gjersa plumbat shtegtonin nga tytat në koka e tyre, të mekur iu lutën Zotit me zë të shterur: “Ooo Zot, na ndihmoooo...!”  Sapo pushuan lutjet, ata u dogjën nëpër furra të ndryshme dhe u zhdukën nga faqja e dheut. Tashmë si hi, edhe pse disa çaste më parë, qenë njerëz...

 

...

 

Mijëra boshnjakë u vranë vetëm pse ishin boshnjak. Edhe derisa plumbat çanin me vrull drejt tyre, drejt parakufomave, ata luteshin. Ata luteshin edhe të mbuluar me gjak. Gjersa gjaku u ngjizej në gojë mezi pëshpëritnin: “Ooo Zot, na ndihmoooo...!” Kur pushuan lutjet, ata u hodhën në një gropë shumë të madhe njëri mbi tjetrin dhe u mbuluan me disa eskvatorë, kurse shoferët tymosnin cigare “Drina” ...

 

...

 

Mijëra shqiptarë u vranë. U vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Edhe këta, si hebrenjtë dhe boshnjakët, iu lutën Zotit para dhe gjatë vdekjes. Por, u rrëzuan njëri mbi tjetrin. Njëri pranë tjetrit apo duke i shtrënguar dorën njëri tjetrit. Dhe, ashtu, në rënie e sipër, apo gjatë plandosjes, u dëgjuan fjalët e fundit: “Ooo Zot, na ndihmoooo...!” Kur pushuan lutjet, trupat u shpërndanë me kamion nëpër tokën e huaj, gjersa shoferët pinin raki të kumbullave..

 

...

 

Oh, sa lutja të thella e të shpeshta ishin ato! Sa lutje nga shpirti e nga zemra iu drejtuan Zotit...Por, pa avionët e Burrit të Dheut, vdekja nuk do të kishte pushuar deri tek i fundit: hebre, boshnjak e shqiptar...Lutje të mëdha, nuk ishin vetëm ato që i bëheshin Zotit në qiell, por lutjet prindit, që bënin fëmijët në tokë, të kapur për këmbën e babit, të mëmës dhe çirrma e tyre me buzë të varura: shikim i përlotur, duar përpjetë, flokë të shpupurishura dhe lot teposhtë faqeve të skuqura! Mirëpo, u pushkatuan edhe fëmijët. Kaq. Kështu urdhëronte ligji i urrejtjes, sepse ata ishin fëmijë shumë të mirë dhe të përshtatshëm për shfarosje. Ata qenë vogëlush hebrenj, boshnjakë e shqiptarë. Faj i madh ky, në epokën e bishave dhe derrave të egër. Kështu u jetua bukur gjatë, në kohën e lutjeve të mëdha drejtuar Zotit në Qiell dhe Burrit të Dheut në Tokë, por, zakonisht, lutjet drejtuar Zotit, nuk dëgjohen as aq lart, sa mund të fluturojë trumcaku...

 

Këtu dhe Atje

 

Nëse ti beson se vetëm pas vdekjes shkohet në parajsë - unë nuk kuptoj si shkohet diku pas vdekjes, ndoshta pse nuk kam parë kurrë të vdekur duke dalë nga varri, e as shpirtra që gjallojnë pa trup - atëherë nuk mund të shpjegohet dremitja jote këtupari, humbja e kohës...

 

Nëse ti beson se vetëm pas vdekjes vjen lumturia – unë nuk kuptoj, ndoshta pse unë nuk kam parë kurrë kufoma të qeshura e të lumtura, as me humor të mirë, jo - atëherë, gjatë varrimit, duhet kënga dhe muzika, jo vaji e pikëllimi. Pse kjo dyfytyrësi?

 

Duke ëndërruar parajsën e përjetshme atje, humbe shansin dhe jetën e njëmendtë këtu,

 

sepse ti akoma beson, se Zoti është shkrumbues, disi si Hitleri apo vrasës, disi si Millosheviçi...

 

Ja pse ty të dërgon frika e shtresuar irracionale te Zoti, e jo Zoti te racionaliteti tashmë shumë i shpalosur, sepse ti beson akoma, se me nënshtrimin tënd të pakusht, me frikën e madhe,  e shndërron Zotin në babadimër, që jep dhurata. Ndoshta e percepton edhe si babaxhan dhe si reciklues personal, sepse ti beson ende, se pikërisht ti, edhe një herë i duhesh universit. Ndoshta për meritat e mëdha që ke ndaj njerëzimit!?

 

Në shkollë, nxënësi që përsëriste klasën pse nuk mësonte, quhej “ngelavç”.

 

Ai, që përsëritë shekullin, quhet ngelavç shekullor ose: fanatik!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora