E diele, 28.04.2024, 12:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemaledin Salihu: Me rastin e themelimit të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore

E hene, 01.11.2010, 09:57 PM


Kuvendi Themelues i Shoqatës
Kuvendi Themelues i Shoqatës

 

Me rastin e themelimit të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore

 

SHOQATA KA SHTRIRJE RAJONALE DHE PËRFSHIN KOMUNËN E PRESHEVËS, BUJANOCIT DHE TË MEDVEGJËS

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

 

Duke patur parasysh proceset e demokratizimit në shumë vende të Europës Perëndimore dhe integrimet europiane të Ballkanit, gjendjen e vështirë të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në Luginën e Preshevës, duke patur parasysh rëndësinë e madhe dhe të pazëvendësueshme të kulturës materiale dhe shpirtërore për mirëqenien kombëtare e civilizuese të Shqiptarëve të këtij rajoni, duke patur parasysh Konventat, Traktet dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare për Trashëgiminë Natyrore dhe Kulturore dhe të drejtën e çdo komuniteti, por edhe të Shqiptarëve, të patjetërsueshme të ruajtjes dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar e njerëzor, sepse edhe kultura shqiptare den baba den i takon kulturave civilizuese të botës dhe kulturës europiane, duke patur parasysh nevojat dhe kërkesat e kohës për ta ruajtur dhe mbrojtur si dhe menaxhuar trashëgiminë natyrore dhe kulturore në Luginën e Preshevës, si dhe për ta zhvilluar krijimtarine kulturore, një grup entuziastësh, punonjës të kulturës dhe dashamirë të kulturës në Preshevë e Bujanoc ia mësyan nismës  dhe kështu në Preshevë më 16 tetor të vitit 2010 themeluan SHOQATËN PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE.

 

Lugina e Preshevës ka një traditë të pasur kulturore qysh më herët, ajo ka begati dhe pasuri të bollshme të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, duke u nisur nga trashëgimia natyrore : Shpella e Ilincës, Guri i Shpuem, Shpella e Arushës, pastaj nga ajo kulturore : arkeologjia e territorit të Luginës : vendgjetjet nga periudha parahistorike, nga periudha antike, nga objektet banimore, nga objektet fetare, historike, kulturore, deri te trashëgimia shpirtërore : folklori, ritet e dasmës, artizanatet, e të tjera në Luginë të Preshevës.

 

Kalaja e Preshevës
Kalaja e Preshevës

Në Preshevë janë të njohura : Kalaja e Preshevës, në rrëzë të Kalasë vendbanimi Presheva e Vjetër, në të djathtë të rrugës Preshevë-Gjilan, Varrezat e Preshevës së Vjetër, karshi qytetit, në Rahovicë : Kacipupi i njohur, Ilixha, Golemi Dolli, Norça, Tërrnava, “Guri i Bardhë”, Kalaja e Bushtranit, Kalaja e Tërrnavës, Mirasheci në Rahovicë, Shtëpitë e Vjetra, Banjka në Miratoc, Çezmat e Vjetra, Mullinjtë e Vjetër, e tjerë.

 

Në Bujanoc janë të njohura: “Guri i Mermerit” te Xhamia e Vjetër në Tërrnoc, Vendi i quajtur “Xeherorja”, lagja e “Kallëve”, lagja e “Krivollakëve, Varrezat e Strukarëve, xhamia e Strukarëve, vendi i quajtur “Lugjet”, “Ledina”, fshati Turi, Lluçan, kulla e Hasanit, vendi “Arasulës”, rrafshi “Selishta”, Nesalca, mali i njohur “Dy Pylli”, Bilaçi, vendi i quajtur “Thana e Trashë”,  e tjerë.

Në Medvegjë janë të njohura : Banja e Sijarinës me Gejzerin e njohur dhe turistik, Tupalla e tjerë.

Lugina e Preshevës është e njohur dhe ka begati të bollshme të Trashëgimisë shpirtërore, duke filluar nga vallet burimore, këngët popullore, ritet e dasmës, folklori, pasuria e dialekteve gjuhësore, artizanatet e tjerë.

Derisa Komitetit Kombëtar i Trashëgimisë Shpirtërore në Shqipëri i ka dhënë statusin e kryeveprave shpirtërore siç janë : isopolifonia, Eposi i Kreshnikëve, Ahengu shkodran, dialekti verior dhe jugor dhe këto kryevepra të mbrohen me ligj si dhe të hartohen projekte për ruajtjen e tyre, në Luginë të Preshevës pos Xhamisë së Vjetër në Preshevë e ndonjë tjetër nga Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës asnjë nuk u shpall monument kulturor, historik, fetar dhe i mbrojtur nga shteti. Andaj lindi idea, nevoja dhe kërkesa që të formohet Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore, e cila me përkushtim do të kujdeset, por edhe do të menaxhojë që në të ardhmenë kjo Trashëgimi mos të varfërohet si dhe mos të rrezikohet jo vetëm nga natyra, por edhe nga dora e njeriut.

 

Qëllimet themelore të Shoqatës

 

Qëllimet themelore të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturoe janë :

 

1.Evidentimi i Trashëgimisë natyrore dhe asaj materiale e shpirtërore,

2.Regjistrimi i Trashëgimisë natyrore dhe asaj materiale e shpirtërore,

3..Mbrojtja dhe ruajtja e Trashëgimisë Natyrore dhe asaj Kulturore,

4.Institucionalizimi i Veprimtarisë Muzeale dhe asaj Arkivore ,

5.Kultivimi dhe zhvillimi i Krijimtarisë kulturore,

6.Hulumtimi dhe prezentimi i Trashëgimisë kulturore-historike dhe ndërtimore, historisë, arsimit, kulturës, adeteve, traditës dhe pozitës shoqërore-ekonomike të

Kalaja e Preshevës
Kalaja e Preshevës

Shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, me qëllim të ruajtjes së identitetit nacional, kulturor e fetar,

7.Afrimin e kuadrove profesionale creative, të cilat do të meren me mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore-historike dhe do të meren me krijimtari kulturore në përgjithësi,

8.Valorizimi adekuat i kulturës së Shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera,

9.Planprogramet dhe tekstet mësimore të jenë unike për shkollat shqipe dhe të hartohen nga institucionet më të larta shkencore e akademike si dhe pjesëmarrja adekuate e përmbajtjeve mësimore në to nga kultura, historia, letërsia, muzika, tradita shqiptare,

10.Përparimi dhe zhvillimi i arsimit në të gjitha nivelet,

11.Vuarja e dijalogut ndër etnik, me qëllim të rritjes së tolerancës më të madhe ndëretnike,

12.Organizimi i tubimeve kulturore, shkencore dhe profesionale dhe

13.Zhvillimi i bashkëpunimit me Shoqatat e ngjajshme dhe institucionet në vend dhe më gjërë.

 

Veprimtaria e Shoqatës

 

Fushëveprimi i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore përfshin trashëgiminë natyrore, trashëgiminë kulturore : materiale dhe shpirtërore dhe krijimtarinë kulturore. Pra, veprimtaritë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore janë : veprimtaria e trashëgimisë natyrore, veprimtaria e trashëgimisë arkeologjike, veprimtaria e trashëgimisë ndërtimore-arkitektonike, veprimtaria muzeale, veprimtaria bibliotekare, veprimtaria arkivale dhe veprimtaria shpirtërore, ndërsa veprimtaritë e krijimtarisë kulturore janë: veprimtaria shkencore, veprimtaria publicistike, veprimtaria artistike, veprimtaria letrare, veprimtaria informative dhe veprimtaria botuese.

Trashëgimia natyrore përfshin vendgjetjet natyrore siç janë : Shpella e Arushës, Shpella e Ilincës e tjerë.

Veprimtaria arkeologjike përfshin: ndërtimet, strukturat dhe grupet e ndërtesave, vendbanimet e zhvilluara, objektet e luajtshme, monumentet e llojeve të

Guri i Shpuem në Preshevë
Guri i Shpuem në Preshevë

ndryshme dhe përbërjeve të tyre, të gjetura në tokë.

Veprimtaria ndërtimore-arkitektonike përfshin : mbrojtjen e të mirave kulturore të paluajtshme dhe rrethinës së tyre, punët në hartimin teknik të projekteve dhe dokumentacionit, masat e mbrojtjes teknike dhe punët në konzervimin në arkitekturë dhe pikturë, prezentimi i trashëgimisë kulturore, rekognoscimi, konzervimi dhe restaurimi  i tyre, projektet e zhvillimit, punët hulumtuese në sanimin e përmendoreve të kulturës, publikimi i materialeve si dhe punë të tjera në mbrojtjen e të mirave kulturore me rëndësi.

Veprimtaria muzeale përfshin lëminë e mbrojtjes dhe ruajtjes, si dhe shfrytëzimin e veprave historike-artistike.

Veprimtaria bibliotekare përfshin grumbullimin, përpunimin, ruajtjen  dhe shfrytëzimin e materialit bibliotekar

Veprimtaria arkivale përfshin grumbullimin, përpunimin, ruajtjen dhe shfrytëzimin e librave, gazetave, revistave, akteve, veprave muzikore, fotografive artistike dhe vizatimeve, hartave, dokumentave, mapetave, si dhe veprave të tjera filmike, video, fotodokumentave dhe veprave të tjera.

 Veprimtaria e Trashëgimisë shpirtërore përfshin praktikat, paraqitjet, shprehjet, gjuhën, njohuritë dhe krijimtarinë popullore, veglat, objektet, artizanatin dhe hapësirat kulturore  dhe festat, ritet, vallet, muzikën, këngën dhe shprehjet artistike.

Në mbështetje të veprimtarive të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, Shoqata do të formojë edhe sektorët:

1.Sektori për trashëgimi natyrore,

2.Sektori për trashëgimi arkeologjike,

3.Sektori për trashëgimi ndërtimore-arkitektonike,

4.Sektori për veprimtari muzeale,

5.Sektori për veprimtari bibliotekare,

6.Sektori për veprimtari arkivale dhe

7.Sektori për trashëgimi shpirtërore.

 

Në krijimtarinë kulturore, Shoqata do të formojë grupe të veprimtarisë muzikore, vallëzuese, teatrale, botuese, informative, kulturo-artstike, grupin e fotografistëve të rinj, grupin e përkthyesve, grupin e artit figurativ dhe grupe të tjera për të cilat ka interesim anëtarësia dhe simpatizantët e Shoqatës.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore ka shtrirje rajonale. Ajo do te themelojë degët e saja në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

 

Kacipupi në Rahovicë
Kacipupi në Rahovicë

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore do të përkrah, për të janë të mirëseardhura mendimet, sygjerimet, propozimet lidhur me trashëgiminë dhe krijimtarinë kulturore. Ajo këto propozime dhe mendime do t’i inkorporojë në programin e punës për vitin 2011.

Shoqata, poashtu do të evidentojë dhe përkrah talentët e rinjë nëpër institucione të ndryshme kulturore, arsimore, ekonomike, si dhe të lëmive të tjera të punës dhe jetës, në mënyrë që të perfeksionohen dhe të përsosen më tutje e që më vonë do të jenë pjesa kreative dhe bartëse e jetës kulturore, arsimore, ekonomike në Luginë të Preshevës.

Në fund të themi se anëtar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore mund të bëhen të gjithë ata që deklarojnë se pranojnë Statutin dhe Qëllimet themelore të Shoqatës dhe nënshkruajnë deklaratën për anëtarsim.

Shoqata nuk ka ngjyrim politik, është në baza vullnetare dhe është organizatë jo qeveritare.

 

Preshevë, më 31 tetot 2010 

 

/Autori i shkrimit është kryetar i Shoqatës/



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora