Kulturë
Liman Zogaj: Loja mbi gurë (II)
E diele, 31.10.2010, 07:24 PM
LIMAN ZOGAJ
LOJA MBI GURË
- Poezi-
MË KA MARRË MALLI
IKJA
M’u duk se ra tërmeti
Por toka nuk u dridh
M’u duk se prangat
E lidhnin edhe dritën
Por dielli nuk u lidh
DETI I ZI
A jam unë më korb
A ti o det i zi
Pse mbi valë më le
Kur vdes mërgimi në ty
VARRI
Si zog
Mbi Kullën e Ajfelit
As i vdekur
As i gjallë
Kurrë mërgimeve
Nuk desha djep
As sot nuk dua varr
MË KA MARRË MALLI
Për pak ujë nga krojet
Për blegërimën e qengjave
Për lojën e fëmijëve në fushë
Për fyellin e këngëve maleve
Për sofrat e shtruara odave
Për flakën e prushin në oxhak
Për krismat dasmave
Për lotët në vdekje
Për bekimet e nënave
Për buzëqeshjet e vashave nën qershia
Për një vrap me kalin pa jele
Për ogiçin brirë dredhur
Për gurgullimat e krojeve
Për agimet në vatër...
Ah
Sa më ka marrë malli
KËNGA E GURRAVE
Në malet me ahishte
Buronte një gurrë
Me ujin si loti
Këndonte nëpër gurë
Te shkëmbi i bardhë
Punonte dhe mulliri
Te blini i lartë
Këndonte dhe bilbili.
Sa i gjatë ky lumë
Sa Drini e Buna
Sa këngë me valë
Sa e fortë furtuna
DETI
Hyra në ujë
Në rërë
Desha ta shkrehi dhimbjen
Por prapë
Ajo ma zë frymën
Deti krejt ujë
Krejt valë-valë
Unë krejt dhimbja
E bashkë krejt mall
LOT MBI ARKIVOL
Një ditë kthehem
Nuk vonohem
Në pranverë a nëpër borë
Jam verbuar e s’e gjej shtegun
Plagë e rëndë m`ka ra n`kraharor
Mos m`i thoni Nënës Loke
Ka do vite dergjem në spitale
Nuk e la pa ardhur te Nëna
O i vdekur o i gjallë
Prit e prit
Nuk erdh pranvera
Kurrë nuk ngrohu dielli mirë
Mërgimtari e mbajti fjalën
Në arkivol erdhi i shtrirë
UNË KTHEHEM
Nuk e di
Por kthehem
Herë si hije
Herë si rreze
Unë zogu i sakatuar
Nga rrufetë e shkretëtirave
Jam shtegtar pranverash
Në diskun e kujtesës
Janë rrënuar arkivat digjitale
Mbaj mend
Vetëm kthimin
BETIMI PARA DHEUT
Herë gur
Herë zog
Shqiponja në lapidar
Lavdinë ia fal dheut
Pirrë-pirrë
Llamba e neonit
Mbi poezinë “Dielli”
Derdhet mall toke
Ika në Detin Marmara
As dashurisë as vdekjes
S’i bëra procesverbal
Me valixhen e pikëllimit
Mbi supe
Kthehem duke i lidhë plagët
Pranë strehës varr
NË SHEKULLIN MODERN
Në këtë shekull modern
Luleve në pranverë u bien petalet
Në dimër blerohen të ngrira
Kush e di në mërgim
Si do të pagëzohen
Fëmijët rrugët lashtësia betejat
A do të shemben digat
A do të ketë tërmete.
Nëse unë eci vertikalisht
Por keq duke çaluar
E ti me kukëzat patentë
Kam frikë
Se më thërrasin pakurrizorë.
Toka krejt akull
Në qiell përvëlon
S’e di këtu në kurbet
Në cilën epruvetë të ngujohem
KUJTIM
Eci vertikalisht
Shtylla kurrizore e tokës
Lëngon nga operimi pa opium
Në pesë unazat e shtatit
E di
Edhe kur u nisa
Edhe kur humba
Për së gjalli e kam kujtim hirin
Te Buna
E piva një gllënjkë ujë
E mësova këngën e valës
E mora kujtimin për detin
Nënë
Një ftua
Një lule dhe lotët
I ruaj kujtim
I MORA ME VETE
I mora me vete
Bukë kripë e kujtime
Tri herë e putha pragun
Atë pragun e kullës sime
Për kujtim e mora
Një asht një pendë e një shpatë
Të mos e humbi shtegun
Errësirës nëpër natë
Oh me vete i mora
Një lapsë e një flamur
Ta di se nga jam
Në det dhe në gurë
Me vete e mora
Dhe hartën copë-copë
Pesë gjymtyrë me trupin
T’i bashkoj në Evropë
SY MË SY
A është dallgë e detit
Apo pluhuri i harrimit
A është puhi në shkretëtirë
Apo ofshamë e mërgimit
A është ky fundi
Apo ky është fillimi
Sa i zi Deti i Zi
Sa i bukur Drini
A është vdekje kjo
Apo kjo është jetë
Mos jam bërë memec
Apo vetëm kam mbetur
O a është kthimi im
Apo është humbja jote
A unë humba apo ti ike
Skutave të kësaj bote
Nuk e di për ndarjen
As sot nuk e di
A më shikove në ballë
A të shikova në sy
OAZA PREJ QELQI
E mbusha me ujë
Te Kroi i Gurit
Lulet do t’i mbledhë
Fushave të vendlindjes
Uji u bë
Gutacion në gjethe
Oaza epruvetë
E luleve pa rrënjë
Pres e pres
Por nuk blerohen lulet
Pa rrënjë me kërcellin e prerë
Në oazën time të thyer
PRANVERA
E dua
Për blerimin e fushave
Për ngjyrën e luleve
Për blegërimën e qengjave
Për këngën e bilbilit
Pranvera
M’i shkreh akullnajat
Varur në shpirtin e plagosur
Gjakun e ngrirë damarëve
Lulebora më bëhet lajmëtare e rrezeve
Edhe ajo ishte pranverë
Buzëqeshjet m’i herri nga buza
Kënga m’u bë gjëmë
Loti m’u bë rigë
Stinë e dashurisë së djegur
ËNDRRAT NË PRITJE
Si një laborator
Me epruveta të thyera
Në dhomën time thyhen
Ëndrrat pritjet
Në shtratin e gjumit dehem
Sepse njëherë
E kam hequr numrin te porta
Dhe s’e gjëja kullën time.
Kam frikë
Se e humb ekuilibrin e kockave
Dhe e thyej me guri
Oazën prej qelqi