E diele, 09.06.2024, 02:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Legjenda e Xhekut

E shtune, 30.10.2010, 07:58 PM


Legjenda e Xhekut

 

Nga Suzana Kuqi

 

Një kuriozitet i thjeshtë mbi Hallowen- in, një shëtitje në internet dhe ja... Nuk dua të ndaloj tek origjina e kësaj feste e historiku i saj, gjëra vërtet interesante...madje diku hasa në emrin druid që më erdhi shumë mirë në gjuhën time... dru-dije...

 

Kush ka dëshirë të dijë më shumë le të hapë vetë Wikipedian. Ajo që gjeta në vazhdim e më tërhoqi ishte ky shkrim, e ndërkohë që përballesha me ngasjen për ta marrë borxh e për ta përkthyer për miqtë e mij e kënaqësinë time, sytë më ranë mbi:

 

“All Hallows Eve” dhe...

 

“All allows even”

 

E qoftë kjo e dyta. Sipas saj, këtë natë, ku gjithshka është e lejuar... po i lejoj vehtes ta marr borxh këtë shkrim e ta përkthej me shpresë se ai që e ka shkruar e të cilit nuk ja zbulova dot emrin... hëmmm... mbase e ka marrë borxh edhe ai... të mos më hedhë në gjyq... e më hap telashe.

 

Të gjithë e njohin kungullin e prerë që përfaqëson simbolin e festës së Halloween-it. Ama, pak e dinë se kujt i referohet. Për të gjetur një spjegim, duhet t'i rikthehemi një legjende të traditës irlandeze që flet për një shpirt të prirur ndaj së keqes i cili i përkiste një burri të quajtur Xhek.

 

Ky, një faqezi pijanec e koprrac që punonte si farkëtar, i mbushur me birrë të zezë deri sipër syve ecte duke ju marrë këmbët drejt shtëpisë së tij natën e të gjithë shenjtëve (All Hallows Eve). Me sa dukej, mëlçia kish vendosur ta linte e një atak i cirozës hepatike do të ishte dënimi i tij po atë natë.

 

Fati desh që Djalli, mbase se u ngatërrua në llogarinë e kohës, vendosi t'i kërkonte me ngulm shpirtin përpara se arësyeja ta kish lënë për fare irlandezin. Ky i fundit, duke parë gjëndjen e dëshpëruar në të cilën ndodhej vendosi të luante të gjitha ç'mund të luante. Ndolli mëshirën e djallit dhe e bindi që t'i plotësonte dëshirën e fundit. Djalli, që nuk është dhe aq mizor sa ç'përshkruhet, pranoi. Xheku i kërkoi ta lejonte të dehej për të fundit herë.

 

- Për fat të keq nuk më gjendet as edhe një penny në portofol. A nuk mund të shndërroheni në një monedhë prej gjashtë penny që të paguaj pijen e fundit?

 

Djalli, që me sa dukej e kish të mbushur plëndësin atë ditë, vendosi ta ndihmonte pijanukun, por me t'u kthyer në monedhë u gjend i mbyllur në portofolin e Xhekut dinak në shoqërinë e një... kryqi prej argjendi. Imagjinoni hidhërimin, zemërimin e pezmin e djallit të shkretë: si mund t'u besohet njerëzve? Në pamundësi për t'u rishndërruar për shkak të efektit shkatërrues të simbolit kristian, pranoi propozimin e Xhekut që t'ja shtynte për një vit marrjen e shpirtit.

 

U kthye i turpëruar djalli nga kish ardhur, ndërsa Xheku vendosi që atë vit të bënte të pamundurën për të përmirësuar sjelljen. Por medet, me qëllime të mira është shtruar kalldrëmi që të çon në ferr... dhe farkëtari ju kthye jetës së shthurrur. Vitin pasardhës natën e të gjithë shenjtëve u gjet sërish ballë për ballë me Djallin.

 

Tani, edhe se po përdor gërmën e madhe në shenjë respekti, siç do të thoshte Dafoe, por kjo qënie e ferrit nuk duhet të zinte ndonjë post dhe aq të lartë në hierarkinë e zjarrit, se ç'është e vërteta, në vend që ta kapte për veshi shpirtin e Xhekut e ta degdiste në ferr, pranoi t'i plotësonte më parë një dëshirë të re...

 

- Dëgjo zoti Djall, nuk më ndihmoni të këpus atë mollën në majë të asaj dege?- i thotë i mallëkuari,- do të të isha mirënjohës për gjithë jetën.

 

Djalli, duke mos parë mundësinë e një mashtrimi tjetër, pohoi me kokë dhe kërceu mbi supet e Xhekut për të arritur mollën...

 

Një herë në një kohë, superiori i tij e kish mashtruar njeriun po me këtë frut, por ky djall i shkretë që nuk e njihte ligjin e kundërndëshkimit e injoroi vlerën simbolike të xhestit. Ndërkohe që përpiqej të kapte frutin, Xheku gdhendi shpejt e shpejt poshtë tij në trungun e pemës një kryq i cili e pengonte djallin të zbriste duke e lënë si një budalla të varur në degë. Në tentativat e tij për ta zbutur Xhekun, i premtoi ta linte në paqe për dhjetë vjet.

 

Por Xheku e shtoi ofertën.

 

- Ne se ju lejoj të zbrisni, zoti Djall, duhet të më premtoni se nuk do ta pretendoni më kurrë shpirtin tim.

 

Pa patur mundësi të bënte ndryshe, djalli pranoi. Ama mëlçia e Xhekut nuk desh t'ja dinte për këtë marrëveshje e pas një viti mblodhi mendjen se kish duruar mjaft, e Xheku... vdiq.

 

Vdiq. E që të shkonte në parajsë as që bëhej fjalë, ndaj u paraqit në dyert e Ferrit. Djalli, të cilit i digjnin ende poshtërimet që i kish bërë pijaniku, i zuri rrugën.

 

- Premtimi është premtim!- i thotë aq i xhindosur sa flakëronte. Ndaj i dashur Xhek, shporru nga këtu, unë nuk të dua!

 

Xheku ktheu kokën pas, andej nga duhej të ishte rruga që çonte në shtëpinë e tij e pa vetëm errësirë.

 

- Nuk mund të më ndihmoni të gjej rrugën për në shtëpi zoti Djall?

 

Princi i errësirës, që sipas legjendës ishte me të vërtetë zotëri, rrëmbeu një urëz të ndezur nga zjarri i furrës së përjetëshme dhe e flaku në drejtim të tij. Xheku, që kish me vehte një rrepë të madhe, ( mos më pyesni se si, e si qysh... ju faleminderit...), e preu dhe vendosi brenda saj copëzën e qymyrit të ndezur që të ndriçonte rrugën me të.

 

Që nga ajo kohë, natën e Halloween-it, në se e mprihni mirë shikimin, do të shquani një flakërimë të zbehtë që endet në errësirë në kërkim të rrugës së shtëpisë. Eshtë Xhek feneri, kështu po e quaj unë. Po kungulli do të thoni ju? Kungulli doli më vonë, kur emigrantët irlandeze ikën prej tokave të tyre prej zisë së bukës së gjysmës së shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kur mbërritën në territorin amerikan, nuk gjetën rrepa aq të mëdha. Por gjetën një sasi të konsiderueshme kungujsh që mund ta zëvëndësonin denjësisht rrepën dhe i përdorën natën e të gjithë shenjtëve duke i prerë e duke u vënë një qiri brenda. Kjo sepse mendohej se mbanin larg shtëpive shpirtërat e të vdekurve të cilët ashtu si Xheku tentonin të ktheheshin atë natë në shtëpitë e tyre.

 

Meqë ra fjala, nëse jua ka ënda të hani oriz me kungull natën midis tridhjetenjë tetorit e një nëntorit, mos e hidhni poshtë zhguallin e tij, prijeni me kujdes e vendosni brenda një qiri... do të bëni figurë të bukur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora