Kulturë
Istref Haxhillari: Fundi ishte larg
E shtune, 30.10.2010, 05:34 PM
Istref Haxhillari
Fundi ishte larg
(Tregim)
Mbrëmjen e pesëmbëdhjetë gushtit shetitorja e liqenit zhurmonte. Pushuesit me veshje të lehta shumëngjyrëshe derdheshin në dy anët e rrugës. Mini ndjeu dridhjen e mekur të aparatit celular në xhepin e këmishës. Vështroi kalimthi ekranin, rrudhi buzët; Rubi nuk telefononte asaj ore të vonë.
-Urdhëro, - pëshpëriti.
Në anën tjetër regëtiu mbytur fëshfërima e turbullt, pastaj tingëlluan qartë dënesa të përmbajtura. U shqetësua, parandjenja të errëta i përshkuan trupin dhe nxitoi të merrte vesh të vërtetën.
-Ç’ka ndodhur?
-Asgjë, - mezi u dëgjua Rubina, që rrekej të mbyste shkartisjen e çuditshme.
-E po diçka ke!
Në zërin e tij tingëlluan nota qortimi përzier me një lloj bezdie.
-Prita të merrje ti, - s’u përmbajt ajo e dëshpëruar.
-Pse?
Rubi psherëtinte me ndërprerje të zgjatura. Zhurma e largët vinte e valëzuar, shushurinte një çast pastaj shuhej nëpër erë.
-Në këtë orë! - zbuti ai tonin e zërit.
Si nuk mori përgjigje ngulmoi.
-Ç’ka ndodhur?
Gruaja heshtte. Si dukej mendohej në se duhet t’i tregonte brengën.
-Jam dehur, - mërmëriti së fundi dhe mbylli telefonin.
Në zërin, mënyrën e të folurit, ngashërimat e pakuptimta ndihej angështi dhe pikëllim i mundimshëm, i errët. Së paku të tilla u përcollën përmes telefonit. Mbrëmja u zymtua mbi përjetimet e kaltra të asaj dite të kthjellët gushti. Mini mbeti në mëdyshje, i prekur. Rubina e butë, e kujdesshme, përherë e çiltër të sillej kaq vrazhdë?
Ledhatimet, fjalët, gjithë qenia e saj mbartnin përherë mallëngjim dhe dert ngashënjyes. Jepej me zjarrin e panginjur të femrës dhe brishtësinë e gruas së nëpërkëmbur, luhatej mes dashurisë dhe jetës së koklavitur të vejushës. Vuante dhe i duhej të gënjente shpesh.
-S’e përballoj dot, - pëshpëriste me ankth.
Pastaj shumë shpejt harronte drojën, frikën e përhershme të fillimit dhe zhytej prushit të kënaqësive si të mos i kishte thënë ato fjalë. Akulli shkrinte përnjëherë.
Ç’është e vërteta Rubina pati kaluar kohë të vështira. Mbante përbrenda trishtimin, e kontrollonte veten, ndërsa Mini pothuaj nuk interesohej. I erdhi keq, në fytyrën e pashme u ndeh trishtimi dhe pendesa.
Diçka nuk shkonte. A thua erdhi fundi!?
Nëse Rubi mendonte të largohej do ta kursente ndoshta nga një fund i pakëndshëm. Vdekja e ndjenjave vjen e trishtë me thonj të mprehtë kacavjerrë nëpër natën e lamtumirës.
Ndiente se nuk duhej të ndodhte kaq shpejt. Përse? Pa një arsye qoftë edhe formale? Mendimi se nuk do t’ia shihte fytyrën, sytë e kaftë, leshrat e gjata përmbi zverk, as do të dëgjonte të qeshurën e saj, e futën në panik, e turbulluan.
Nuk i pati përjetuar kaq ligsht ndarjet e mëparshme. Ruante kujtime grash mendjelehta, të shkujdesura por edhe të tjera mbushur me vese, që jepeshin pa zemër. Dikur deshi Almën e hijshme të ftohtë si mermeri. Në fytyrën e nurshme spikaste dëshira t’i rrëmbente jetës më shumë nga sa mundej. Tek përqafonte bukurinë e ngrirë i dukej se bashkohej me statujë graniti, pa shpirt e pasione. Kur u ftoh, kjo ndodhi shumë shpejt, shtati i derdhur dhe këmbët e drejta të skalitura i ndërmendnin gjarpërin.
- Rubi nuk është si Alma - mërmëriti.
Në të vërtetë Mini nuk binte në dashuri me gratë, as ngecej. Bënte si i pëlqente, pastaj largohej, i harronte. Jeta rridhte në hulli komode, shtrat mjegulle të avullt pa telashe dhe trazime shpirtërore.
Gruan trupvogël veshur me të zeza e pa në korridorin e aplikimit për pasaportë. Hera e tretë që e ndeshte në radhën e gjatë të mërzitshme. Kur vështrimet u takuan, i bënë përshtypje sytë e ndritshëm, të lëvizshëm mbuluar me qepalla të gjata. Pikasi kalimthi kërshërinë e ndezur të femrës. Në kurm, fytyrë, krejt qenien e brishtë i endej një botë ëndërrimtare prej ajri. Tek shikonte përreth me turp, e ligështuar, ndihej brenga e gruas së braktisur nga njerëzit, pothuaj e dorëzuar, jeta e së cilës pati marrë krisje.
Nga ajo ditë e shihte shpesh. Këmbeheshin rrugës “Fan Noli”. Gjithnjë e vetmuar, nxitonte pa kthyer kokën. Ai e këqyrte me nge.
Një mëngjes, si të kërkonin me ngulm njëri tjetrin, kapriço e rastit, vështrimet u kryqëzuan sërish, madje disi më gjatë. Gruaja vazhdoi rrugën, po ecja me sytë përdhe u ngadalësua, hapat e pavendosur u plogështuan. Mini mendoi se do të kthente kokën, po të mos rëndonte droja e femrës apo hija e rrobeve të zeza, me të cilat e pa edhe në radhën e gjatë të pasaportave.
-E njeh?
Mini ktheu kokën nga roja me uniformë i “ProCredit bank”.
-Kë? - u përgjigj i zënë në faj.
-Gruan me të zeza.
-Jo.
-E hëngre me sy, - tjetri shkeli syrin me djallëzi.
Mini u vrejt. Mbi ballin e drejtë u ndeh hija e një përfytyrimi të çuditshëm. Imazhet e dremitura rënë në gjunjë përpara gruas trupvogël me sy të zjarrtë.
Pas një jave u takuan në kryqëzimin e rrugëve përballë telekomit. Vendosi ta njihte nga afër.
-Tungjatjeta, - e përshëndeti.
Paksa e habitur, ajo e goditi me lakun drithërues të syve ngjyrëkafe.
-E more pasaportën? - e pyeti me dashamirësi.
Vetmia e gjatë mbuluar me dimër shkrinte ngadalë në trupin kallkan të gruas, trishtimi rrëzohej me ngut nëpër qepallat e dendura.
-Më thanë pas një muaji.
Buzëqeshi lehtë. Flokët e drejtë, derdhur mbi shpatulla, fytyra e skuqur dhe qepallat e gjata i jepnin hijeshi këndellëse.
-Me ngut? - e pyeti Mini.
-Vetëm se duhej, - i tha ngadalë.
Diçka krisi zemrës së vejushës, zënë në kurth. U çel me mundim si akord i vonuar melodie të harruar. Teksa bëhej gati të largohej, ndjeu dorën e burrit t’i shtrëngonte butësisht llërën harkuar rreth rripit të çantës
-Mbajnë pasta, - bëri me kokë nga ëmbëltorja përballë.
Rubina hodhi përreth vështrimin e thyer me dyzimin e përhershëm të vejushës. E priste këtë çast, sidoqë jo krejt e sigurt.
Kapërcyen derën e hekurt të pastiçerisë “Tushi” në fund të rrugës “Rinia”. Kopështit të vogël mbushur me lule të gjelbëra kacavjerrëse, bozhuret dhe leandrat e spërkatura mbushnin hapësirën me erëmim dehës. Klientët e rrallë, me filxhanët e kafes, gotat dhe cigaret nëpër duar, i vështruan indiferentë. Lokali dergjej në gjysmëerrësirë, kamerierit të përgjumur i hapej goja. Tavolina e qoshit larg dritares sikur qe vendosur enkas.
Fytyra e zbehur, trupi, duart e lagura të gruas shkundnin aromë dehëse. Mollëzave, pushi i lehtë farfurinte me përndezje ngjyrash buruar së brendshmi. Luhatej e përngritur në kolltuk, ndreqte mbulesën e tavolinës, shtrëngonte gotën e limonadës. Gjinjtë e plotë ndiqnin ritmin e lëkundjeve. Trupi i hajthëm, goja e vogël kryeneçe, flokët e lëshuar mbi supet hollake si të vajzave u ndezën nga një dritë e padukshme. Nata e prerë me gërshërë ra në këmbët e vejushës dhe shpirti kulloi trishtimin e gjatë. Bota fshihej mugëtirës së lokalit, dita ronitej në sytë e zinj të burrit. E menduar, me brengën e gruas mëkatare, ndihej fajtore, ndoshta edhe për vdekjen e të shoqit.
-Bukuri e turpshme, - përsiati me admirim Mini, - shtegton e ligështuar me vetëdije nëpër thellësitë e errëta të pendesës.
Një mbrëmje të hatashme vere në mes të muajit gusht u takuan buzë liqenit. Rrotull zotëronte mugëtira. Dritëzat e dobëta të rrugës me zor davarisnin hijet dendurake. Nga perëndimi derdhej një ndriçim i zbehtë i argjendtë, që shkëlqente nëpër degëzat e pishave me përzjerje ngjyrash të venitura. Kundërmonin gjethet e stërpikura nga vesa e lehtë, ndërsa bari fëshfërinte ngadalë nën këmbë. Hëna derdhi dritën e jargavantë përmes reve të rralla, shpërndarë qiellit kaltërosh të verës. Përmes plogështinë së natës, mërmërima ledhatare e liqenit u hynte në shpirt qetësisht pa u ndier.
Prej dobësisë apo ndoshta vështrimeve delikate të prushitura, Mini provoi pështjellimin e vjetër. E puthi, i mori kokën në gji, thithi i etur aromën dehëse. Rubi mbeti e nemitur në gjëndje jermi. Ngurosur buzë liqenit të purpurt, as kundërshtoi as ktheu ledhatimet. Kërshëria dhe ngurrimi u endën fytyrës së hijshme.
Mini u dha pas gruas së imët me sy të errët si thëngjij. E dashuroi aq sa lejonte natyra e tij e kujdesshme, mbase pak më shumë, po këtë nuk e kishte krejt të qartë. Vejusha e çiltër lëshohej me fjolla dëshirash të përhimta nëpër vragën e spërdredhur të jetës. Si një ëndërr e jargavantë kthyer befasisht në realitetin e njëmendët, erdhi një çast kur nuk bënte dot pa të. Frika dhe droja i jepnin magji dashurisë.
-O Zot! - i pëshpëriti e lumturuar mbrëmjes vonë pasi kishin bërë dashuri.
Ai e shikoi pak i habitur, me kureshtje.
-Ç‘kam humbur! - vazhdoi Rubi e mallëngjyer.
Mini nuk u besonte shpërthimeve të tilla, madje e nervozonin.
-Fëmijët i mendon?
Goditja cinike e beftë e çmeriti.
-Kanë vendin e tyre, - ia ktheu e prekur.
-Nuk ndihesh fajtore?
Ajo ngriti kokën me qerpikët e lagur. Nuk mundi të thoshte asnjë fjalë tjetër. Burri përndjeu me vonesë thelbin e pyetjes së hidhur.
Rubi jetonte me mendimin se Mini merrte frymë diku pranë saj. Ankohej, flinte keq me dhimbje koke. Një ndjenjë e zbehtë xhelozie e brente pareshtur.
-Nuk mund jesh i gjithi imi!
-E pse?
-Se nuk je.
-Të mendoj.
Mini rrekej të bindte atë dhe veten se e dashuronte.
-Nuk më gënjen?
Në vend të përgjigjes ndiente krahët e tij mbi supet e hajthme. Lumturohej si fëmijë, i qeshte fytyra. Nuk ia hiqte sytë, donte t’i mbetej në kujtesë silueta e ëndërrt burrërore. Psherëtimat i përshkonin trupin si rënie gjethesh vjeshtës së vonë. Qepallat e gjata shkëlqenin përmes lotëve në trajtën e ujëvarave të vogla.
-Ktheje kokën, - përkëdhelej kur ndaheshin.
Me kujdes, si të kishte frikë mos prishte qetësinë e natës, e përqafonte.
Përkujdesjet, ledhet delikate e përtërinin Minin. Ndonjëherë i bënte qefin, po rastet e tilla qenë fort të rralla. Harronte vogëlsira të rëndësishme për jetën e zbrazët të vejushës. Asnjëherë s’i kërkonte llogari, të cilën ajo e dëshirontë aq shumë. Rubi e sodiste gjatë me dyshim. U mësua me sjelljen e burrit që donte po, diku në thellësi, ndiente boshllëk të përhershëm.
Telefonata e tronditi burrin serioz, diçka iu shkëput me dhunë. I dërgoi mesazh të vinte.
-Nëse është e mundur, - shkroi me ironi të hidhur.
Një orë përpara bariste i menduar bregut të heshtur. Rëra e nxehur nga dielli i gushtit thërrmohej nën hapat e ngathët. Nën reflekset e ditës që arratisej pemët e parkut dremisnin, ndërsa liqeni murmuriste melodinë monotone. Një lustër e hirtë mbulonte sipërfaqen e ujit dhe valët e padukshme që zhvendoseshin ngadalë me përtim.
Në vetmi mendimet iu ngarkuan, mpleksur me hije trishtimi, ndjenjat u bënë më të thella e të turbullta. Soditi njerëzit që bridhnin të shkujdesur plot gjallëri dhe i pati zili.
-Nuk e dinë, - foli me zë.
-Ç’farë thatë? - pyeti dikush kredhur në gjysmëterr.
-Asgjë, - pëshpëriti dhe vështroi mospërfillës çiftin e përqafuar në stolin ngjitur.
Imcake, e zbehtë si të kishte kaluar sëmundje të gjatë, Rubi erdhi pak me vonesë. Faqet e futura, flokët e çrregullt dhe buzët e mbledhura tregonin se vuante, luftonte me veten. Po ajo fytyrë e njohur dhe krejt e huaj në të njëjtën kohë.
-Kushedi lëkundet përballë një vendim të vështirë, - mendoi i sëndisur.
Pamja e ftohtë e gruas, vështrimi i mekur e shkurajuan.
-Mund të mos vije, - i tha.
Ajo e shikoi e tmerruar.
-Unë ty të kam.
Filloi të qajë, lotët rridhnin pa sforcim, gurgullonin brenda dhe duhet të derdheshin diku. Ai u mërzit. Zbërtheu kopsën e këmishës, u zhyt në turbullirën e dritës së mekur dhe errësirës kërkëllitëse të shpirtit zemërak.
-Le të qajë, - tha me vete, - meqë do. Lotët i ndillnin angështi, e bezdisnin.
Pastaj i tha ftohtë, pa e shikuar drejt.
-S’e kishe bërë kurrë.
-Çfarë? - habit Rubi.
Ai ktheu kokën me inat, iu duk se po tallej. Bëri disa hapa i shpërqëndruar.
-Të mbyllje telefonin, - u shkreh.
-U deha, - i tha ajo.
-As këtë s’e ke bërë ndonjëherë.
Ajo buzëqeshi e kthjelluar, e lumtur.
-Kisha arsye, - i tha
Burri uli kokën i turpëruar.
-Sa vite u bënë? - pyeti ashtu kot.
-S’e mbajtke mend? - bëri sikur u trishtua Rubi.
Mini e shtrëngoi në krahë, e puthi me mall. Thellë shpirtit të tronditur, në një cep të pashkelur, ndjeu se fundi ishte larg. Ndoshta nuk do të vinte kurrë.
Nata shkëlqente me ngjyra të ndezura, ndërsa shëtitorja buzë liqenit gëlonte nga pushuesit e zhurmshëm.