Kulturë
Ilir Kelmendi: Histori e një kohe të egër për Dushkajën
E shtune, 30.10.2010, 01:30 PM
HISTORI E NJË KOHE TË EGËR PËR DUSHKAJËN
/Me rastin e daljes nga shtypi të librit më të ri të Prof. Skënder R. HOXHËS, “Kolonizimi dhe rikolonizimi i Dushkajës me sllavë”, botoi Art poetika, Pejë, 2010/
Shkruan: Prof. dr. Ilir KELMENDI
Shkrimtari, studiuesi e publicisti, prof. Skënder R. Hoxha, përveç një numri të madh veprash poetike, letrare, shkencore e publicistike që ka botuar deri më tash, ndonjëherë u kthehet të merret edhe me tema historike. Pikërisht dorëshkrimi “Kolonizimi dhe rikolonizimi i krahinës së Dushkajës me slavë – sipas burimeve shkrimore dhe informatorëve në terren”, është i kësaj natyre dhe sjell për lexuesit të dhëna për dukurinë e shëmtuar të përpjekjeve të pushtetit okupues serbo-sllav për të bërë sllavizimin e Kosovës, në këtë rast të krahinës së Dushkajës. Është kjo një periudhë jo fort e largët, përkatësisht flet për periudhën në mes të dy luftërave botërore, kur zbatohej kjo politikë, e cila kishte vazhduar edhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Që në fillim të librit, autori jep një hyrje me përmbajtje mjaft domethënëse për krahinën e Dushkajës, pastaj flitet për disa karakteristika gjeo-historike të kësaj zone: relievi, përkufizimi, lashtësia dhe popullata e Dushkajës, të përmbledha në titullin “Pak fjalë për krahinën e Dushkajës”. Ndërsa, për të hedhur hulumtimet rreth Dushkajës, më thellë në historinë e emrave të vendbanimeve, autori ka gjetur harta të vjetra. Kësisoji, në shkrimin vijues “Dushkaja në harta të vjetra”, autori prezanton shënime me interes nga hartat e vjetra mbi Dardaninë – Kosovën, ku përmenden disa harta të vjetra nga libri “Kosova në hartat e vjetra gjeografike”. Ky studiues i zellshëm kishte hulumtuar dhe gjetur të shënuara në ato harta, përveç të tjerash, edhe emra vendbanimesh dhe toponime të Dushkajës, si: Bardagi (Bardani) për Bardhaniqi i sotëm; Cerneljan (Cërmjani i sotëm); Jabllanica, Janos (për Janosh); Luka Maze, Luka Vegle (si duket, për toponimet Suka e Madhe dhe Suka e Vogël); Luka Sermijanit (Suka e Cërmjanit); Kraljana (fshati Kralan) etj. Autori, që në shkrimet që i takojnë pjesës hyrëse të këtij libri, jep një pasqyrë të përgjithshme se, në të kaluarën, në trevën e Dushkajës, me shqiptarët autoktonë, për një kohë, kanë jetuar edhe të tjerë, shumica e tyre si kolonë sllavë), e disa të tjerë si nomadë (shtegtues apo endacakë), për të cilët jep edhe shpjegime që paralajmërojnë edhe valët kolonizuese me sllavë të Dushkajës.
Duke u futur në esencën e temës në shqyrtim, autori lëndën e sistemon në dy kapituj: Kapitulli i parë KOLONIZIMI – trajton valët e egra kolonizuese me sllavë, që kishte zbatuar politika serbo-malazeze, përkatësisht Qeveria e Beogradit, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të trojeve shqiptare dhe ushtrimin e dhunës dhe gjenocidit mbi këta të fundit, ku kishte pësuar shumë keq edhe krahina shqiptare, Dushkaja. Për këtë, profesori Skënder, jep të dhëna për secilin vendbanim të Dushkajës, veç e veç, kurse për të ndriçuar atë periudhë, merr për mbështetje dy burime kryesore: 1. Burime shkrimore, përfshirë këtu edhe të dhëna statistikore me interes dhe 2. Kujtime nga informatorët në terren. Autori ka dhënë në këtë kapitull: emrat dhe mbiemrat e kolonëve, përkatësinë kombëtare të tyre dhe vendbanimin ku i kishin vendosur nëpër territory të Dushkajës.
Në kapitullin e dytë: RIKOLONIZIMI…bëhet fjalë, shkurtimisht, për politikën serbe rikolonizuese të Kosovës me sllavë, për ta paraqitur konkretisht zbatimin e asaj politike edhe në territorin etnogjeografik të Dushkajës, që ishte zbatuar gjatë periudhës 1945-1948.
Që ne fillit të këtij kapitulli autori Hoxha sjell të dhënën se gjatë periudhës 1945-1948 “në Rrethin e Gjakovës janë bërë krimet më të mëdha për t’ua grabitur shqiptarëve çdo pëllëmbë toke…” Autori, me kujdes, prezanton të dhënat, siç i kishte nxjerrë nga burime shkrimore, si: numri rendor i kolonit, numri i kartonit të pronës që iu kishte dhënë, mbiemri, emri i babait dhe emri i kolonit, si dhe vendbanimi – vendbanimet ku gjendeshin pronat që iu kishin dhënë nga pushteti okupues.
Duhet theksuar se referencat që ka përdorur autori, lëndën e bëjnë më të mbështetshme dhe të argumentuar shkencërisht. Aq më tepër, kur kihet parasysh realiteti se për të zbardhur këtë temë, deri vonë, ka qenë rrugë e zorshme, sidomos për studiuesit shqiptarë. Ndaj, konsiderojmë se ky libër ka vlera të rralla për historiografinë.
Përgëzojmë autorin për interesimet hulumtuese dhe qasjen serioze të tij për t’u marrë me këtë problematikë, gjegjësisht me këtë periudhë historike!