E premte, 02.05.2025, 04:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Sendet

E premte, 29.10.2010, 08:56 PM


Vangjush Ziko

 

SENDET

 

 

PASQYRA

 

Sa hyj në korridor,

e njëjta fytyrë më pret

në pasqyrë,

fytyra ime me thinjë.

 

Dua ta pyes.

Më vjen zor.

Ku ma ke fëmininë,

kaçurelat e rinisë ku m' i ke,

burrërinë ma ke fshirë.

 

Fytyrë e rudhur,mbuluar me dëborë,

o pergamen i shkruar me dorë

ku përrall' e jetës sime fle!

 

 

LODRA

 

Aeroplanit i përthyhen krahët,

targa e bishtit i është fshirë.

Piloti e ka lënë më një anë

duke pritur kohë më të mirë.

Kur të bëhej inxhinier,

të bëhej pilot,

e ta niste vetë në pistë...

 

Nga kutia e lodrave e nxjerr

dhe nisem drejt fëminisë.

 

 

KËPUCËT ME QAFË

 

I zbatha këpucët sa erdha nga loja.

Këmbët i vura në shëllirë.

 

Këpucëve u ka dalë boja.

Vitet i kanë grirë.

Qafa e hapur si gojë

vazhdon të komandojë.

 

Marsh,pëpara!

Armiku djathtas!

Barkas në baltra!

Grado shënjestrën!

Kujdes!Minë!...

 

Me këpucët e gënjeshtrës

shkela historinë.

 

 

FLETËNDERI

 

Fletënderi e zverdhur

prej vitesh.

Në dorë të marr

dhe ronitesh.

 

Ronitesh

si thes i vjetër,

si rrob' e mykur.

Nderi i stërndryshkur

i një jete tjetër.

 

S' ta mbledh në grusht

as hirin,

as ndryshkun.

Le ta marrë era e historisë.

S' dua ta ysht,

ta ringjall feniksnë.

 

Tetor  2010



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx