E shtune, 27.04.2024, 11:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Lulzim Logu: Intervistë me aktoren dhe gazetaren Vjollca Tytyni

E merkure, 27.10.2010, 09:57 PM


EMRI IM ËSHTË KRIJUAR PREJ MIQËVE TË MIJ. ATA JANË SHUMË DOMETHËNËS PËR MUA!

 

Nga Lulzim Logu

 

Në promovimin e librit "Piskamë e heshtur" të poetit gjakovar Tahir Bezhani, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, përpara disa ditësh, ekzaltuat pjesmarrësit me interpretimin e poezive, por edhe me konsideratat tuaja artistike.

Ju prezantuan si aktore dhe gazetare, në fakt kush është Vjollca Tytyni?!

 

Arti i se bukurës gjithnjë më ka tërhequr, sidomos kur bëhet fjalë për gjininë e letërsisë dhe atë interpretative. Ëndërroja gjithnjë aktrimin, ndonëse, nuk arrita të bëhem një aktore, por mendoj se kam kapur recitimin.

Promovimi i librit “Piskame e heshtur” ishte porta e hapur në realizimin e ëndrrës sime. E gjetur mes një auditoriumi të mrekullueshëm, e vlerësuar dhe e çmuar si më së miri, më dukej se unë isha “perëndeshë” skene. Një ëndërr, një skenë në qendër të metropolit shqiptarë, një interpretim që arrita ta manifestoja në mënyrën ashtu siç unë e kam dashur gjithmonë, u bë e mundur atë ditë të shtunë (18.shtator.’10).

Cfarë të them: Jam e lumtur për këtë dhe faleminderit z. Bezhani, z. Logu dhe z. Buçpapaj, që më ofruan një mundësi të mrekullueshme që të realizoj dëshirën time të madhe, e cila u plotësua edhe me shumë gjëra të tjera të bukura.

Takova njerëz të mrekullueshëm të botës së artit, deklamova sipas mënyrës sime, u prita mrekullisht dhe mbi të gjitha, mënyra organizative ishte e realizuar në formën më të mirë të mundshme. E gjithë kjo për mua mban emrin “dashuri”, meqë vërtet pat shumë dashuri aty, sepse kishte urime dhe përgëzime për mikun tonë, Tahir Bezhani, dhe padyshim se ne duhet t’i gëzohemi një suksesi të tillë të arritur, dhe lirisht mund ta quajmë sukses të përgjithshëm.

Prezentimi si aktore apo poete, më është bërë disa herë, por realisht Vjollca,…është recituese dhe adhuruese e flaktë e poezisë, recitimit dhe moderimit të aktiviteteve të ndryshme, që aktualisht punon si gazetare/folëse, në radion lokale në Gjakovë, që mban edhe emrin e këtij qyteti Radio Gjakova, e cila është themeluar në vitin 1979

 

Cili ishte libri i fundit që keni lexuar, apo po lexoni aktualisht?!

 

Po e nis që nga periudha e bukur e verës, ku pos natyrës së mrekullueshme që të ofron kjo stinë, edhe mundësia për të lexuar më ka ndihmuar shumë duke më forcuar vetëbesimin dhe botën time të magjishme për të ardhmen plot ëndërra-jete.

Nga qershori e këtej, kam konsumuar vepra të mrekullueshmë të shkrimtarëve të ndryshëm, vendës dhe të huaj. Që nga Kadareja, që është shkrimtari i preferuar jo vetëm i lexuesve shqiptarë, jam kënaqur edhe me romanet e Orhan Pamuk-ut, Ben Blushit, pastaj, kam përfunduar së lexuari ca romane të mrekullueshme të Daniele Steel, dhe diçka nga Frojd-i, ndërkohë që, jam në përfundim të romanit “Një Burrë” të Oriana Fallaci dhe do të nis së shpejti kryevprën e prozatorit të shquar francez Guy de Maupassant “Bel Ami”,…Këto janë në pika të shkurtëra disa vepra të lexuara gjatë periudhës afatshkurtër të këtij sezoni të nxehtë vere, ndërkohë, po mbledh çdo hapësirë të kohës së lirë, që të lexoj edhe të tjerë shkrimtarë e romane, sepse më duket që jam vonuar dhe kam frikën se s’do më mjaftoj koha për të lexuar sa më shumë të jetë e mundur.

 

Jeni e njohur në mesin e krijuesve dhe artistëve të Gjakovës, por njiheni fare mirë edhe në mjedisin letrar dhe artistik në Tropojë.

 

Hm,…!!! Realisht, nuk e di në jam e njohur aq sa ju e vlerësoni. Por, mund të them se, kur ke miq vazhdon të jesh e pasur shpirtërisht.

Një fjalë e urtë thotë: “Për njeriun lëvdatat janë më shumë se sa një thes me para”! Kjo është mëse e vërtetë. Kur komplimentohesh, merr urata nga miqtë, vlerësohesh, gjen miqësi të reja, kjo është pasuri më vete. Në këtë drejtim, unë u mbetem borxh ca njerëzve të cilët më kanë përkrahur dhe janë përpjekur që t’më afirmojnë jo vetëm në Gjakovë apo Kosovë, por edhe jashtë trevave të tjera. Nëse më lejohet, do kisha përmendur disa nga njerëzit që s’mund t’i harroj kurrë për jetësimin e rrugës sime në fushën e moderimit dhe asaj të interpretimit të poezive të ndryshme të cilat kam pasur fat t’i deklamoj dhe të kënaqem me magjinë që më kanë sjellur këto mjedise.

Qemajl Juniku, një krijues, me të cilin jam njohur që në fillet e punës sime si gazetare, me ka “shpërblyer” duke më mundësuar që të lexoj poezitë nga krijimtaria e tij letrare. Nga këtu them se ka filluar njohja ime si recituese. Prof. Tahir Bakalli, një ish-profesor imi i historisë, Agim Byci, poashtu krijues e publicist, Dan Gashi, piktor, Halil Ahmeti, ish-deputet dhe magjistër i pikturës, Sabit Rrustemi, krijues, Jetullah Haliti-Eti, piktor i shquar edhe në arenën ndërkombëtare, anëtarë i SHAF-it të Kosovës dhe UNESCO-s në Paris, si dhe anëtar aktiv i AEA-s (Akademia Evropiane e Artistëve), njëherit i nominuar edhe për Çmimin Nobel për Paqe. Ndërkohë, rrjeti i miqëve vazhdoi të jetë edhe më i gjerë, pas miqësisë edhe me krijuesin Tahir Bezhani, i cili njëherit ishte shkak që të bëjmë edhe lidhjen e parë kulturore me Malësinë e Gjakovës, duke u njohur kështu edhe me krijuesit nga kjo pjesë që dikur e quanim “të përgjysmuar” të Gjakovës.

Lidhja me krijuesit nga Tropoja, apo thënë më ndryshe më Malësinë e Gjakovës, ishte krejtësisht e pastër dhe e bukur, ashtu siç e do edhe arti.

Lulzim Logu, kryetar i Klubit Letrar “Tropoja”, vuri bazat e tija për forcimin e kësaj lidhje, duke më bërë kështu pjesë të pandashme të ajkës së krijimtarisë së bukur letrare e artistike edhe në këtë cep të Shqipërisë.

Andaj, dua të them se: “Emri im është krijuar prej miqëve të mij. Ata janë shumë domethënës për mua”!

 

Çfarë mendoni për këtë moment të afrimit dhe lidhjeve të ngushta kulturore dhe jo vetëm?!

 

Lidhja me Malësinë e Gjakovës ka një traditë. E inicuar që prej pasluftës në Kosovë, nga ish-deputetët Azgan Haklaj, nga Tropoja dhe ai nga Gjakova, Halil Ahmeti, të cilët inciuan projektin madhor të Korridorit Adriatik-Alpe. Fatmirësisht, projekti gjeti përkrahjen e parezervë të kryeministrit shqiptarë dr. Sali Berisha, gjë që edhe mundësoj nismën e këtyre punimeve, duke bërë realitet lidhjen infrastrukurore e shpirtërore mes Gjakovës e Malsësisë së saj. Pra, nisur nga ajo se, “arteriet e zemrës janë rrugët”, synimi i përbashkët këtej e andej e kufirit ishte që të jetësojmë ëndrrat tona, që nuk u shuan kurrë.

Rruga e përbashkët ka vazhduar edhe në fushën e arsimit, shpresoj të jetë më e fuqishme edhe në atë të ekonomisë. Por, fatmirësisht ajo që vlen të potencohet, është bashkëpunimi dhe vazhdimi i lidhjeve të përbashkëta në sferën e kulturës.

Në këtë aspekt janë të dukshme edhe lëvizjet, gjë që, për rezultatet do na flasin padyshim të tjerët që kanë rastin dhe që duan t’i shohin me sytë e zemrës këtë bashkëpunim dhe lidhje shumëdimensionale.

 

Si adhuruese e flaktë e poezisë, a mund të veçoni sot poetin tuaj të preferuar dhe poezitë që keni interpretuar më me pasion?!

 

Ka mjaft poetë që i dua dhe që më pëlqen mënyra e çasjes së krijimtarisë së tyre.

Poezia është e bukur. Është arti i fjalës së zgjedhur. Mbase, për këtë do të doja të citoja krijuesin Zimo Krutaj, i cili aq bukur e shpjegon dhuntinë e të qenit poet: “Gjuha, te çdo poet është vet poezia, është e thëna dhe e pathëna, imazhi që shfaqet përtej vargjeve. Formimi gjuhësor nuk të bën kurrsesi poet, por njohja dhe dashuria për gjuhën kërkojnë ndjeshmëri të lartë"!

Andaj, duke e dashur shpirtin dhe këtë gjuhë të poetëve, unë vazhdoj të jetoj me këtë pasion, duke çmuar vlerat e tyre dhe duke ushqyer shpirtin tim, me ëndrrën që të vazhdoj të interpretoj mes miqëve, mes njerëzve që e duan artin dhe krijimtarinë artistike, që i dijnë dhe i duan vlerat e artit të mirëfilltë, mes gjithë atyre që me dashuri e bëjnë poezinë të dashur dhe e ruajnë si “mbretëreshën” e vërtetë të letërsisë..

 

A mendoni se fjala e shkruar sot ka një terren më të përshtatshëm, për t’u shndrruar në një urë të qëndrueshme të integrimit tonë të përbashkët?

 

Procesi i integrimit kulturor është një çështje komplekse e cila kërkon një përpjekje të shumanshme për të ofruar vlera cilësore të veçanta. Nuk them që kjo mungon, por aludoj fjalën tek poltikanët tanë, të cilët përderisa nuk kursejnë premtimet e tyre gjatë fushatave elektorale, le të jenë më transparantë kur janë në fronin udhëheqës.

Nëse vëmë në fokus periudhën e viteve të post-komunizmit në Shqipëri dhe atë të kohës së regjimit serb në Kosovë, është PO-ja, që krijon një terren për t’u integruar. Demokracia dhe pluralizmi i kërkuar me mjaft mund në Shqipëri, dhe mëvetësia e shtetit më të ri në Botë, Kosovës, janë terrene të përshtatshëme për integrimin e përbashkët të sferës kulturore. Shqiptarët, apo thënë më mirë institucionet gjegjëse të kulturës, realisht duhet të studiojnë me kujdes të gjitha fushat, si ekonomike, politike, e kulurore që t’i ngrenë veprimtaritë e tyre në standardet më të larta dhe më të përparuara kulturore. Po qenë më shumë transparente institucionet tona, këto terrene do të jenë konkurruese dhe përjesëtuese të drejta edhe në hapësirat evropiane.

Që, fjala e shkruar, të ketë një shtrirje më të madhe dhe të çmohet më shumë, duhet të themi se, insitucionet tona akoma po bëjnë pak, apo vazhdojnë të rrinë më larg kësaj fushe. Mbështetja insutucionale e vlerave kulturore, me theks të posaçëm të krijimtarisë sonë të pasur letrare, është domosdoshmëri. Por, sipas mendimit tim, si shoqëritë kulturore e artistike ashtu edhe vet komuniteti letrarë, kurrë nuk do bëheshin të tepërt për të kërkuar nga ana institucuionale mbrojtjen dhe stimulimin e krijimtarisë letrare e artistike. Këtu është zanafilla, është historia jonë e çmuar kulturore dhe intelektuale, është depërtimi i kësaj rryme me mjaft sakrifica deri në ditët e sotme, duke ardhur e pastër dhe e bukur tek lexuesi i çmuar. Dhe, për të sendërtuar këtë “urë të qëndrueshme” të integrimit të përbashkët, me keqardhje them se, kjo krijimtari shumë herë është e vetme, duke çmuar në këtë rast forcën e pathyer të krijuesve tanë, që sidoqofshin rrethanat, prodhon jetën e jetëve të krijimtarisë letrare. Këtë e quaj Fat dhe entuziazëm të fortë të krijuesve tanë që përqon një dritë perspektive! Andaj, edhe duhet vlerësuar dhe është shkak për t’u mbështetur me gjithë forcat insitucionale të të dy vendeve tona!

 

Më thoni sesi është një ditë e zakonshme për Vjollcën në Gjakovë?

 

Po. Aktualisht, vazhdoj të punoj në një radio lokale që tash e njëmbëdhjetë vite si folëse/gazetare. Pjesa tjetër e ditës, është rutina që më sjell qetësia në ambientet e  shtëpisë sime dhe koha e cmuar që e vazhdoj me miqt e mi letrarë, duke i takuar për një kafe, duke i ndjekur ata përmes romaneve dhe shkrimeve të ndryshme në internet apo edhe në gazeta. Të tjerat, janë befasi të ëmbla që vijnë në saje të organizimeve të ndryshme letrare, ku unë ftohem të jem recituese, kuratore, apo edhe si adhuruese e fjalës së shkruar, që i ndjek me kënaqësi të veçantë.

 

Cila është endrra juaj në sirtar?

 

Njeriu deri në fund të jetës së tij është në kërkim të dickaje. Një nxënës para mësimdhënësit, vazhdon të mbetet gjithnjë nxënës. Por, kërkues, kurreshtarë dhe në qendër të krijimit të ideve! Por, thënë realisht, tani nuk mendoj të kem shumë ëndërra në sirtar, pos sirtare me ëndrra, që janë një ndërmarrje që vec sa s’ka vepruar për zbatim.

Ëndërra ime është Shqipëria dhe atje shpresoj të realizoj synimet e mia. Më pëlqen të studioj,…dhe me forcën e energjinë që vazhdon të mbaj pezull do jetësoj ëndrrën time. Meqë, unë shpirtërisht jam plotë jetë e fantazi, mbase në një të ardhme të afërt kjo ëndërr do bëhet realitet.

Dhe,…meqë për mua është hera e parë që bëj një prezantim në veten e parë, dua t’më lejoni të falënderoj Shtëpinë Botuese dhe Gazetën “Nacional” dhe Juve Lulzim, që më mundësuat këtë hapësirë shprehëse autobiografike për lexuesit e gazetës “Nacional”. Shpresoj, të mos kem dal jashtë korrnizave të reales dhe thjeshtësisë, prej një njeriu normal që e dëshiron dhe e çmon artin dhe fjalën e bukur artistike.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora