E diele, 28.04.2024, 01:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Fotaq Andrea: Hilari Klinton në pikturën shqiptare

E diele, 24.10.2010, 07:58 PM


Hilari Klinton në pikturën shqiptare

 

Mjeshtri Vehap Kokalari e vendos Zonjën e Madhe amerikane në piedestal të bukurisë artistike.

 

Nga Fotaq Andrea

 

Është një tablo në vaj 110 x 93 cm, e arrirë, gjithë freski e harmoni ngjyre e vizatimi, me forcë të veçantë shprehëse. Sekretarja amerikane e Shtetit, të cilën e pamë këto ditë gjatë turit të saj në Ballkan, aq të vendosur për fatin e nesërm të popujve të Europës juglindore, shfaqet nën penelatën e Kokalarit, me bukuri sa natyrore aq edhe artistike, në një kompozim të spikatur, ku ndihet romantizmi, realizmi dhe vetë simbolika. Gjithçka në të është në lëvizje, në një çast monumental, një Lady fisnike, sportive dhe e qeshur, duke kalëruar mbi një gjok tek rend me galop dhe tek ka ngritur përpjetë gurë e dhé pluhurizë.

Krejt tabloja ndrin, shpërthen prej saj madhështi, bukuri e dinamizëm dhe emocioni artistik të përpin : një sfond i përkryer natyror, ku ndihet loja e ngjyrave vjeshtake, me pisha të blerta hijerënda, lisa, dushqe e gëmusha gjithëngjyrëshe, anashkaluar nga një shteg. Vendosja e kompozimit nga qoshi në qendër, në tërë kuadratin e pikturës, e bën veprën, siç shprehet vetë mjeshtri Kokalari “të mbledhur, të shtrënguar, për të mos i lënë vend kurrfarë elementi të tepërt”. Gjithçka në të është e përplotë, pa elementë artificialë, me përpikmëri ravijëzimi dhe përkryerje të hije-dritës. E mbi të gjitha shkëlqen portreti i Zonjës së re Klinton, gjithë hijeshi femërore, gjithë hajthmëri trupore, buzagaz dhe e hareshme. Sy të kaltërremë, dhëmbë rruazorë, fytyrë të mprehtë e të zgjuar, leshra të shkurtra verdhane, që i prekin lehtë një qafë gazele, një vath i hijshëm e i kursyer rrëzë veshit – ja çfarë flet për elegancë personazhi, por edhe për ndjeshmëri të lartë artistike të piktorit Kokalari.

Nuk është hera e parë që ky mjeshtër i penelit na befason e mahnit artistikisht. Kur njihesh nga afër me veprën e tij, të vjen pa dashje ndër mend shprehja “gjëmon Historia”, historia shqiptare me H të madhe, epizmi me jehonat e luftës, me bëmat e gojëdhënat, por edhe me vetë tragjizmin që e shoqëron. Sepse tablotë dhe ilustrimet e tij të shumta rrahin fuqishëm e së shumazi temën historike, duke vendosur në qendër të tyre Shqiptarin apo Labin e tij të parapëlqyer, me fustanellë valëvitur e përzhitur, dhe qeleshen me “antenë”. Por mbi të gjitha, shfaqet në to Shqiptari me pallë në dorë, majë gjokut a vraçit, në sulm e në zemër të betejës.

 

Vehap Kokalari, ky mjeshtër i bukurisë epike, i formave dhe ngjyrave, që di t’i zbërthejë psikologjikisht personazhet e vet, duke na sjellë të gjallë Tafil Buzin e Çelo Picarin, Zenel Gjolekën e Zylyftar Podën, Ali Pashën e Bajronin, krahas figurave madhore historike si Aleksandri i Madh, Pirroja, Teuta, Skënderbeu e Marko Boçari, di mbi të gjitha ta paraqesë à la Délacroix, kalin, kafshën fisnike dhe elegante, me përpikmëri e vërtetësi anatomike. Kali, është dobësia e tij, në kuptimin e dashurisë së veçantë që ai ka për këtë kafshë, është pika e tij e fortë, ku ai shkëlqen. Andaj edhe Hilari Klintonin, gruan e parë senatore të shtetit të Nju Jorkut, avokaten e fuqishme të Kosovës në procesin e njohjes së shtetësisë dhe të integrimit euroatlantik, ai e vendos madhërishëm majë kalit, ku kalë e kalorëse përbëjnë një të tërën, boshtin qendror të veprës. Nuk e vendos personazhen e vet të adhuruar në ndonjë sallon të mbyllur të tipit klasik, apo në ndonjë ishull ekzotik të Oqeanisë ku kalon pushimet me të shoqin, ish Presidentin e SHBA-së Bill Klinton. E vendos në mënyrë të spikatur e me mjaft romantizëm majë gjokut, kafshës besnike e të pandarë të Shqiptarëve, bashkëluftëtares së tyre historike, që prej kalorësve stradiotë të Mesjetës së hershme të viteve 1200 e gjer në ditë tona. Pa ditur madje nëse Zonja e nderuar amerikane e adhuron hipizmin apo ka hipur ndonjëherë majë kalit. Kjo autorit nuk i intereson, sepse në krejt thjeshtësinë dhe lirizmin e tablosë, ai është udhëhequr natyrshëm e kryekëput nga e bukura, e hareshmja, optimizmi. Dhe ka në tablo një çast kulmor, një gjest tepër domethënës, një simbolikë më se e veçantë e kësaj Zonje të shekullit gjithë kurajë e zgjuarsi: dora e djathtë që nder përpara.

Krejt mesazhi i veprës qëndron këtu, në këtë gjest të thjeshtë të dorës së lirë në ajër, që është sa përshëndetje, sa gëzim e hare, aq edhe pikësynim e objektiv për të parë dhe ecur përpara. A nuk ishte vetë mesazhi i fundit i kësaj kalorëse të paqes - nderuar tashmë me çmimin më të lartë në Shqipëri “Nënë Tereza” -, që Shqiptarë e Serbë, dhe gjithë Ballkani, fuçia e dikurshme e barotit në Europë, të lënë më në fund mënjanë konflikte e tragjizma, pas shekujsh të tërë, dhe të shohin veç përpara, drejt progresit dhe integrimeve euroatlantike? Ja çdo të thotë pikërisht rol aktiv në politikë me ideal paqen, për këtë Noble Lady, që piktori shqiptar diti ta lartësojë edhe në art. 

Në fakt, jemi mësuar ta shohim e adhurojmë bukurinë femërore në tërë format klasike e moderne, dhe sidomos bukurinë e femrës shqiptare që mjaft autorë, shkrimtarë, poetë e artistë të huaj nuk kanë munguar ta japin historikisht, që nga tablotë e para të Fauvel pikturuar në vend më 1782, që nga Pukëvili, që e paraqet Shqiptaren si zanë mali, me armë në brez dhe shoqëruar nga qeni i saj besnik molos, e deri te bukuroshet shqiptare të Johann Frankenberger e Jan F. P. Portielje. Në të kundërt, të rrallë kanë qenë autorët a piktorët shqiptarë që kanë rrahur temën e bukurisë së vashës së huaj, sidomos të personazheve në zë, të cilat kanë luajtur rol historik në Europë a në botë. Vehap Kokalari është nga të rrallët piktorë shqiptarë që guxon me mjaft talent e largpamësi të çajë në këtë fushë. Dhe tani, pas një “Bubuline” e “Dora d’Istrie” të suksesshme, ku ai shkëlqen sa në vaj, ashtu dhe në akuarel, na dhuron këtë “Hilari Klinton” sublime, mesazhere të tolerancës zero për shkeljen e të drejtave të grave e fëmijëve. Dhe kur e pyet të thjeshtin e modestin Vehap, që punon kokulur, larg bujës e mediatizimit, por që ka shitur tablo në Amerikë, Zvicër, Gjermani, Angli, Slloveni, Kosovë, Itali e Francë, “përse mjeshtër, një tablo e tillë për Hilarin?”, pas një hutese të lehtë e ngurrimi, me tundje të kryeve, gjegjet: “Më ka magjepsur... Kur mplekset forcë e bukuri karakteri te personazhi, s’më mbetet tjetër veç të rrëmbejë penelin... Ajo dhe i shoqi kanë bërë shumë për Shqipërinë, Kosovën, Ballkanin”.

Kokalari, piktori i figurave të lëvizshme, të hovshme e të lirshme, di të flashojë përmes ngjyrës, por kurrsesi jo të fotografojë. Personazhet e tij janë plot botë psikologjike, mbartin madhështi, krenari, epizëm dhe mbi të gjitha bukuri etnografike në mjedise panoramike shqiptare sunduar nga mali. I hapur në bashkëpunim me autorë e botues, është gjithashtu ilustrator i mjaft veprave, por edhe vetë autor revistash për moshat e reja. Mbi të gjitha, bashkëpunon ngushtë me të atin, juristin dhe studjuesin 87 vjeçar Mexhit Kokalari, që nuk rresht së shkruari artikuj e studime, me freski mendore e forcë shpirtërore. E kaluara e lavdishme e të parëve tanë është e pranishme në penën e tij, ashtu sikurse të vërtetat e thjeshta të Historisë së Shqipërisë, larg mashtrimeve e falsifikimeve historike. Kokalari, i ati, ka në arsenalin e tij krijues mbi njëzet vepra të botuara, nga seria “Bijtë e shpatës” gjer te botime të tilla të rëndësishme si “Epiri, kryeqendra e qytetërimit antik në Evropë”, “Leskoduakajtë”, “Trima të kryengritjeve popullore”, “Tafil Buzi”, etj. etj. Dhe Vehapi, i biri, e ndjek hap pas hapi, duke ilustruar krejt librat e tij, si mjeshtër i vizatimit të shpejtë e të zhdërvjelltë që është, pas vitesh të tëra pune me filmin vizatimor në Kinostudio.

Në përfundim do thoshim se tabloja “Zonja Hilari Klinton”, me pastërti shembullore teknike e realizimi, është një tjetër arritje e suksesshme e piktorit Vehap Kokalari që tingëllon bukur si një dhuratë e hijshme në këtë prag ditëlindjeje të Sekretares amerikane të Shtetit.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora