Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Atë ditë edhe gjaku më digjej nëpër damarë
E diele, 24.10.2010, 07:57 PM
P o e z i
Sejdi BERISHA:
ATË DITË EDHE GJAKU MË DIGJEJ NËPËR DAMARË
(Elegji për motrën time, Hajrijen, e cila në moshën dyvjeçare kishte vdekur sikur dritën duke kërkuar)
1.
E di
Atëbotë nuk isha në vendlindjen time
Më kujtohet se ishte ditë vere
Por, atëherë
As ditën as datën as vitin
Nuk i kam njohur
Isha shumë i ri
Ama shumë i vockël
2.
E di se motra ime
Ishte edhe më e vogël
Edhe këtë e di
Se një ditë merrte frymë thellë
Me ajrin e atdheut për tu ngopur
Për tu kënaqur me këtë etje të çuditshme
3.
E di
Se nëna më pat thënë
Sot shko dhe ruaji delet
Isha shtalb, ore
Si t’i ruaja delet
4
E di
Se kur kam shkuar në livadhin e gjelbëruar
Vetvetiu jam shtrirë në barë
Përmbys kisha rënë
5.
E di
Se qullë e kam bërë barin me lot
E di edhe atë
Se delet ishin kthyer në shtëpi
Kurse unë e kisha tharë barin
Me gjelbësimin e syve
6.
E di edhe këtë
Se jam kthyer në shtëpi
Shumëçka më kujtohet
7.
E di
Zëri i motrës nuk u dëgjua më
Nëna mbante shami të bardhë
E faculetë në dorë
8.
E di se më tha
Për ta freskuar ballin i kam
Kur e pyeta për motrën
E di
Lotët ia përcëlluan faqet e kuqe
Dhe kurrë nuk mora përgjigje
9.
E di
Atë ditë më therte jo vetëm zemra
Më digjej edhe gjaku nëpër damarë
Sepse i vogël isha
Por e dija
Motrën më nuk e kisha
10.
Ka shkuar për tu kthyer
Më patën mashtruar
E unë gjithnjë prisja
11.
E di
Te lisi i Rrapit
Një varr i vockël ishte shtuar
12.
E di
Aty prehej motra ime
E di edhe atë
Se në mendje kisha shënuar
Atë vend me lisa e varre
Asgjë tjetër nuk di
13.
Por e di
Pas kaq deceniesh
Hapat më drejtuan në heshtje
Tek lisat dhe varret
Tash i thinjur
Kërkoja varrin e motrës
Askund nuk e hasa pos frymës së saj
Që lisat dhe varret tjera
Me dhembje e fanatizëm e ruanin
Sepse aty varri i sime motër
Ishte jabanxhi
14.
E di
Jam i sigurt se pranë varrit saj
Një lis i madh ishte rritur
Që gjithnjë shikon në horizont
Duke shpërndarë frymën e motrës Hajrije
15
E di edhe këtë
Se mjekra ime e thinjur
Tek një lis kishte puthitur barin
Lotët ishin shoqëruar
Me barin dhe me fierin njomak
16.
Kaq di unë
Për vdekjen e motrës sime