E shtune, 27.04.2024, 09:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Sokol Demaku: Kujtime nga diaspora - Suela Jorgaqi

E diele, 24.10.2010, 05:46 PM


S’ka njeri të pafajshëm në botë; i mëncuri  nuk i thotë djalit mos gabo, por e këshillon të gabojë sa më pak.

Fjalë e urtë filozofike shqipe

 

BISEDË ME ZONJËN SUELA JORGAQI

(Përgjegjësepër marrëdhëniet me publikun në Pestalozzi Bibliothek Hardau në Zyrih, dhe mësimdhënëse në shqip për zviceranët që janë të lidhur me shqiptarë.)

 

Nga Sokol Demaku

 

Shpesh ne harrojmë të shijojmë momentet e vogla të lumturisë, sepse presim vetëm gjëra të mëdha.

 

Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit tanë? Kush jeni, nga jeni, gjendja familjare, shkollimi dhe ku punoni?

 

- Unë jetoj prej tashmë 9 vjetësh në Zvicër. Burri im ështe zviceran, mikeshat dhe miqtë e mi janë shqiptarë, zviceranë, portugezë, italianë... Kush jam unë? Identiteti i shqiptarëve është shumë i komplikuar, meqë jetojmë në të katër anët e botës. Unë do e përshkruaja veten time si qytetare të botës, por me rrënjë të qëndrueshme shqiptare...

 

Profesioni juaj?

 

- Që prej 6 muajsh punoj tashmë për një bibliotekë interkulturore, Pestalozzi Bibliothek Hardau, është një rrjet prej 16 bibliotekash publike në Zyrih dhe kjo e jona është më e reja. Dhe risija e kësaj biblioteke është se kemi libra në 11 gjuhë të huaja, natyrisht dhe në shqip. Kemi gjithashtu libra edhe në gjuhët gjermane, boshnjake, angleze, franceze, kroate, portugeze, serbe, spanjolle, tamile dhe turke. Unë jam përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun, kontaktet e ndryshme me institucionet në Zyrih si edhe për aktivitetet e ndryshme kulturore që do të kenë vend këtu. Njëkohësisht jap edhe mësim shqip për zviceranët që janë të lidhur me shqiptarë, një eksperincë kjo shumë e pasur dhe interesante, për faktin se mbetem në kontakt me shqipen dhe më gëzon fakti që dikush përpiqet të mësojë gjuhën time. Një nga këta është dhe burri im, që është dashuruar shpirtërisht me Shqipërinë dhe sa herë që jemi aty kthehet me një bagazh të ri me fjalë të reja.

 

Çfarë ju shtyri të emigroni në Zvicër?

 

- Kurioziteti. Meqë Shqipëria para 20 vjetësh ka qënë një vend i izoluar, ka qënë dëshira e ligjshme e gjithë shqiptarëve që të shikojnë çfarë ka jashtë kufijve dhe të hulumtojnë botën përreth nesh...

 

Pse aq larg nga Shqipëria?

 

- Nuk është larg. Larg do ishte Amerika, ku gjithsesi nuk do të jetoja me dëshirë. Evropa të ofron nje kulturë të larmishme dhe distancat janë shumë më të vogla. Kur mendoj që për tre orë me tren jam në Paris ose në Venecia, në një ambjent dhe atmosferë komplet ndryshe... Ky është një favor që ofron Evropa. Aq më tepër për bredharake si unë (qesh). Edhe Shqipëria është vetëm 2 orë larg me avion që këtej dhe unë jam shpesh aty. Pastaj unë mundohem ta ndjek sa më afër zhvillimin e saj. Përveç telefonatave te përditshme me mamanë time Irenën, unë lexoj herë pas here shtypin në internet ose kontaktoj me shoqet e mia aty që më mbajnë të informuar. Dhe një herë në vit unë shoqëroj një grup zviceranësh nëpër Shqipëri, udhëtim nga i cili ata mbeten shumë të impresionuar.

 

Çfarë u bën më shumë përshtypje të huajve nga Shqipëria?

 

- Ekstremet e pafundme që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare. Shqipëria si një vend modern, ekzotik, i veçantë në stilin e tij. Tirana, që është kthyer në një aglomeracion gjigand dhe jeta e natës me baret, restorantet e pubet pa fund që zhurmojnë me një intensitet dhe entuziazëm të paparë. Në Shqipëri festohet. Por sigurisht dhe kultura dhe historia jonë e lashtë, qyteti-muze i Beratit, Ardenica, Apollonia, Butrinti të mbrojtur nga Unesco, janë stacione që çdo shqiptar duhet t'i ketë përjetuar të paktën një herë. Natyra e mrekullueshme e Jugut dhe e Veriut... Por Shqipëria ka dhe anët e saj të errëta. Papunësia, korrupsioni, jeta dhe problemet e pazgjidhura sociale që komplikohen nga dita në ditë janë të ndjeshme në çdo bisedë.

 

Si e ndjeni veten në një vend të ri me kulturë dhe traditë tjetër nga i yni?

 

- Ndihem mirë për faktin që kam shumë miq. Edhe kur jemi me pushime diku dhe dua të kthehem në shtëpinë time, shtëpia ime është Zyrihu. Tani pas 9 vjetësh ndihem e integruar mirë në jetën zvicerane. Dhe Zyrihu më pëlqen në veçanti për faktin se është multikulturor. Vetëm këtu fliten 200 gjuhë të ndryshme! Kjo më magjeps! Por mund ta imagjinoj dot të jetoj këtu në një fshat të vogël, e shkëputur nga bota! Tirana ku unë kam lindur dhe jetuar për 23 vjet është një qytet i madh dhe unë kam nevojë për hapësirë!

Ju jeni tiranase, sa i jeni përshtatur jetës në Zvicër?

 

- Jam munduar të përfitoj nga anët e mira që ka Zvicra dhe jam munduar të le jashtë gjërat që nuk më pëlqejnë. Por jo gjithmonë me sukses... (qesh).

 

Ju keni studjuar gjuhë të huaja në Tiranë, po këtu në Zvicër çfarë keni studjuar?

 

- Kam mbaruar për Gjermanisht në Universitetin e Tiranës dhe pastaj erdha në Zvicër për të studjuar "Shkencë informacioni", një pjesë e së cilës përmban dhe njohuri mbi bibliotekat.

 

Si vendoset që të mbeteni në Zvicër pas shkollimit dhe pse?

 

- Në fakt e kisha shumë të vështirë të kthehesha, pasi u mësova disi me jetën këtu. Në Shqipëri perspektivat për punë mungonin, kështu që fillova të kërkoja këtu dhe rastësisht gjeta një njoftim për në sindikatë. Dërgova menjëherë dosjen time me aplikimin dhe nuk zgjati shumë dhe fillova punë në sindikatën më të madhe në Zvicës, Unia. Pasioni im i madh janë gjuhët e huaja, dhe ato më ndihmuan shumë, sepse kështu mund të komunikoja lirshëm në gjermanisht, italisht, spanjisht, anglisht e në frëngjisht me anëtarët. Puna në Unia më ndihmoi shumë, qoftë për të parë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësive sociale, por kryesisht dhe për të ndihmuar njerëzit në vështirësi. Në Unia isha dhe sekretare për barazinë gjinore, gjë që më solli më pranë problemeve të grave. Ishte një punë e shumëanshme, e cila vërtet më dha shumë, në të gjitha drejtimet. Eksperienca e këtyre katër viteve më ka bërë që sot të mendoj ndryshe për disa gjëra. Çfarë për shembull? - Ngaqë kam qenë në kontakt me njerëz të të gjitha kombësive, ideve e shtresave shoqërore, kam mësuar shumë. Edhe paragjykimet që mund të kem pasur, janë pakësuar. Jam bërë gjithashtu shumë më e ndjeshme ndaj diskriminimit të grave, qoftë në familje apo shoqëri, si dhe të emigrantëve, që në shumicën e rasteve nuk kanë të njëjtën pozitë me atë në vendet nga vijnë.

 

Dhe ju tani punoni në një bibliotekë. Cila është e veçanta në bibliotekën tuaj Interkulturore këtu në Zvicër?

 

Ofertat shumëkulturore. Fakti që këtu jetojnë njerëz nga e gjithë bota, por libra dhe media të tjera si CD, DVD në gjuhët e tyre nuk ka. Dhe sipas një studimi nga PISA - Studie thuhet se një fëmijë apo i rritur që nuk zotëron gjuhën e nënës, e ka të vështirë të mësojë me rrënjë një gjuhë të dytë. Pra kthehemi përsëri tek integrimi, dhe ai fillon nga gjuha.

           

Si u lindi ideja per këtë dhe sa keni mbështjetjen e autoriteteve lokale per këtë bibliotekë?

 

Për fat Biblioteka PBZ është shumë e njohur dhe e frekuentuar në Zyrih dhe në ndryshim nga bibliotekat e tjera interkulturore ne mbështetemi nga qyteti dhe kantoni i Zyrihut, kështu që nuk duhet të shqetësohemi për financat. Kjo na lejon të përqëndohemi tek të tjera gjëra, psh tek aktivitetet e ndryshme. Kështu do të fillojmë një projekt me nënat dhe bebet e tyre, sepse thuhet që bebet kuptojnë që kur lindin. Pastaj do të kemi një projekt tjetër ku do të tërheqim fëmijët duke treguar përralla në gjuhë të ndyshme. Ideja për hapjen e bibliotekës ishte e Kryesisë së PBZ, për një integrim më të mirë të të huajve që jetojnë Zyrih dhe duan të ndihen si në shtëpinë e tyre duke lexuar në gjuhën e tyre.

 

Sa është i përfaqësuar libri shqip këtu dhe sa lexohet ai? Keni dhe literaturë për fëmijë në këtë bibliotekë?

 

- Po, kemi libra për fëmijë dhe për të rritur. Madje në bibliotekë flitet me media, sepse edhe CD dhe DVD shqip nuk na mungojnë. Pra është mundësia të dëgjohet dhe muzikë shqip dhe të shihen filma shqiptarë. Për librat shqip jam kujdesur vetë dhe kam blerë sa herë kam qënë në Shqipëri. Akoma nuk lexohet aq sa duam ne, por unë shpresoj që me grupet e ndryshme që po tërheqim në bibliotekë si dhe me përrallat që do të tregojmë në gjuhë të ndyshme, edhe në shqip, të na vizitojnë sa më shumë shqiptarë e shqiptare. Por ka shumë fëmijë shqiptarë që vijnë këtu, dhe kjo më gëzon.

 

Si e ndieni vetën ju si e huaj në shoqërinë zvicerane dhe si qëndron çështja e inetegrimit të shqiptarëve ketu?

 

- Integrimi është një fjalë shumë e madhe. Dhe ta bësh fakt është shumë e vështirë. Sigurisht që më të lehtë të integrohen e kanë shtresat e larta të shoqërisë shqiptare, ata që flasin gjuhën gjermane dhe që kanë një punë të mirë. Mendoj se integrimi më i mirë dhe i shpejtë vjen prej punës. Dhe shkollimi është baza e një jete më të mirë. Prandaj shqiptarët këtu po mundohen që fëmijët e tyre të kenë një shkollim më të mirë se ai që kanë pasur ata vetë. Por sigurisht që shanset nuk janë të barabarta, edhe këtu. Sa keni mundësi bashkëpunimi me bibliotekat ne Shqipëri, Kosovë apo vende tjera ku ka shqiptarë? Nuk kemi bashkëpunuar akoma konkretisht, por sigurisht që në të ardhmen do të bëhet realitet. Biblioteka u hap tani, ne 22. gusht, kështu që akoma jemi në hapat e para.

 

Sa është prezent shtypit shqiptar këtu?

 

- Ka disa gazeta dhe revista që mund t'i blesh në kioskat këtu, psh revista "Shqip", gazeta "Bota sot", si edhe gazetat që shpëndahen falas për shqiptarët si "Albsuisse", "Tung", etj.

 

Cilat janë moshat e lexuesve në bibliotekën tuaj?

 

Nga 0 deri në 99 vjeç.

 

Si janë kontaktet me bashkëkombasit në Zyrih?

 

- Sigurisht ato ekzistuese shumë të mira dhe të tjerat po mundohem t'i intensifikoj.

 

Çfarë mendon për të ardhmen e saj Suela?

 

Ndonjëherë jam aq e zënë me punë e mendime saqë harroj ku jam dhe çfarë po bëj... Po unë jam e kënaqur këtu ku jam dhe për këtë që kam arritur. Shpesh ne harrojmë të shijojmë momentet e vogla të lumturisë, sepse presim vetëm gjëra të mëdha. Por kjo është jeta, e mbushur me të papritura dhe unë ato i pres me kënaqësi...

 

Çfarë do i porosisnit shqiptarët në Zvicër në përgjithësi?

 

- Thjesht të shkollohen dhe të lexojnë, mënyra më e mirë për të përballuar jetën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora