E shtune, 27.04.2024, 10:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (XI)

E diele, 24.10.2010, 01:42 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

 

(Roman)

 

*   *   *

 

Dikur pasmesnatës në sallonin e pallatit të Ziban Ziut pa u dukur fare u shfaq Lugati. Të gjithë musafirët e ftuar ndiheshin keq. Akun Bishti kishte lidhur kokën me rrip. Haruni e shtrëngonte me të dy duart. Haram Harambashi kishte ngulur sytë e zgurdulluar në tavan, Ziban Ziut i kishte fluturuar fare mëndja, kurse   fallxhesha e Dudie hanmi shanin e mallkonin Rahilën që u kishte prishur muhabetet e mbledhjes. Doktor Zebek Zabuni përpiqej të shkruante diç në një letër, por loja e dritave  që fikeshin e ndizeshin  e kishin trullosur fare. Lugati qëndronte akoma në këmbë i habitur si kishte tretur aq shpejt sensi i respektit të Klanit ndaj tij.

Pas një heshtje të shkurtër Lugati iu drejtua  fallxheshës, e cila numëronte tespihet dhe shante e mallkonte Rahilën, që u kishte prishur muhabetet e këndshme të mbledhjes në të cilën ishin paraparë të merreshin vendime me rëndësi të veçantë për veprimtarinë e Klanit:

- Ku është Rahila?- pyeti me një nervozë të theksuar Lugati. Tatlije fallxhesha  u shtir sikur nuk e dëgjoi Lugatin.

- Matufe, moj, po të pyes ku është Rahila?

- Kë po e pyet?- reagoi fallxhesha , duke u orvatur që trukun me tespihet ta pëdorë si mjet për t’u nxjerrë nga situata.

- Ty, moj, po të pyes,ku është Rahila? Pse po shtiresh budallaqe?!- pyeti përsëri Lugati.

- Po pse po më pyet mua të shkretën, more zoti Lugat? Unë nuk jam më e zonja të kujdesem për veten time e lëre më për Rahilën! Pyeti burrat e saj! Grua e dy burrave është Rahila ! Nëse dy burra nuk mund ta sundojnë një grua, mos qofshin burra! Të lutem m’u heq qafesh me gjithë  kurvë Rahilën!- u mundua të shfajsohej fallxhesha.

Akuni e Haruni kokulur nuk flisnin. Dudie hanmi u shtir sikur flinte. Harami dhe Zibani numëronin para, kurse doktor Zebeku përpiqej të shkruante diç.

- Folni ku është Rahila ose…!- u kërcënua Lugati

- Iku Rahila! Dezertoi nga Klani ynë, zoti Lugat! Iku edhe shërbëtorja e pallatit të Zibanit!  Ikën pa na thënë as lamtumirë! Sa mosmirënjohëse ishte e ndyra! Na kërcënoi me revole se kushdo që do të lëvizte  vendit do ta vriste! Doli ngadalë  dhe i vuri dryrin derës! Na mbylli si bishat në kafaz!- foli Harun Bixhozxhia.

- More mos qenka  çmendur e shkreta!-dyshoi Lugati

- Nuk di nëse është çmendur apo, jo, por nga llafet  e  kuptova se ishte spiune e shumëfisht! Si duket ka punuar edhe për Klanin tonë, ka punuar edhe për CIA-n , por edhe për guerilen e Lush Rebelit?! Sa budallenj që jemi ne spiunët, zoti Lugat! Midis meje e Akunit  decenie të tëra paska fjetur CIA e Lush Rebeli, kurse ne të krisurit e respektonim  kurvën spiune si idhull tonin.

- Ndoshta jam çmendur, por nuk po kuptoj gjë, pse iku Rahila?! Ku ka shkuar?! Ndoshta e keni fyer, ndoshta e keni nënçmuar…?!- dyshoi Lugati.

- Jo, jo, zoti Lugat, ti je fare në veti, por duhet të mësohesh me mungesën e Rahilës!- ndërhyri Haram Harambashi.

- Ku ka shkuar?- pyeti përsëri Lugati.

- Nuk di  njeri ku ka shkuar, e ndyra!- u përgjigj Harami. Ndoshta ka shkuar te Lush Rebeli, ndoshta te ai komandanti leshgjatë, ndoshta është takuar me atë spiunen amerikane?!

- Cilën spiune, more!- pyeti i habitur Lugati.

- Me motrën tënde, Bubulinën, Lugat!- ndërhyri ironikisht Dudie hanmi.

Kur  Dudie hanmi i përmendi Bubulinën, Lugati u mërdhez duke u ndier i fyer që togeren amerikane të luftës e quajti spiune.

- Kij kujdes Dudie hanmi ç’po  llomotitë ! Motra ime është çlirimtare! Nuk të takon ty të merresh me të! Ju kam thënë njëherë dhe prapë po e përsëris se me motrën time nuk luhet ! Nga një bark që të dytë jemi lindur! Unë në trajtë lugati e Bubulina në trajtë njeriu! Unë jam fëmijë i lindur nga aksidenti i pëdhunimit  të nënë Trashes nga babai im çetnik Rasha, ndërsa  Bubulina është fëmijë i lindur nga martesa legjitime  e nënë Trashes me ballist  Zunoj Zenën! Dëgjoni, ju spiunët matufë! Mirë më dëgjoni! Vetëm edhe njëherë ndodhi ta përfolni time motër si spiune  të gjithëve do t’u bëj kokat shoshë! A dëgjuat? Degjenerikët e mallkuar! Nuk është Bubulina as Tatli dhe as Dudi!-përfundoi Lugati.

- Nuk është as Tatli as Dudi, por është armike jona, zoti Lugat!- ngriti zërin Ziban Ziu pasi mbaroi numrimin e parave. Ajo ishte kundër ushtrisë së general Gexhës! Erdhi me Apaçët e tmerrshëm amerikanë dhe e përzuri  ushtrinë e shenjtë!Pastaj, tingëllon cinike mburrja jote me motrën tënde, që sikur Rahila, është grua e Lush Rebelit dhe atij komandant Gurrës!Sikur të mos ishte me CIA-n do ta prangosnin edhe atë sikur Lushin dhe komandant Gurrën, kur e mbanin peng Haram Harambashin.

-   Çepe Ziban Ziu! Çepe… idiot!... Ti mendon se mund të ma hedhësh edhe mua, a ?! Me paratë  e kolonel Xhungalliqit nga shitja e kufomave e ndërtove pallatin! Si spiun i dyfisht  i punësove në polici  të bijt tuaj! Ti i  uzurpove shtëpinë Lalush Teneçexhiut dhe pastaj e vrave me dorën tënde… Ti…! Ti….! Ti…! Ziban Ziu sa të zezat i solle këtij kryeqyteti.

- Unë vetëm i kam zbatuar urdhërat tuaja dhe të Akunëve!- u mundua të mbrohej Ziban Ziu. Shef imi dhe shef i Klanit qe tridhjetë vjet je,zoti Lugat! Sipas  urdhërit tënd i dorëzuam major Zhugës grupin e piktorit, kur Radosti i vogël vrau Gëzimin e vogël. Sipas urdhërit tënd  i dorëzuam duarlidhur major Zhugës edhe nënën e Lushit ! Pas luftës ti i mba lidhjet me gjeneral Gexhën e kolonel Xhungalliqin! Për çdo ditë takohesh me ta fshehurazi në meszonën kufitare në Mërdar dhe bën pazare për viktimat e luftës.  Ti e di saktësisht sa kufoma janë shitur e sa kanë mbetur pa u shitur! Sa janë eshkumuar nga Batajnica e sa presin t’u paguhet haraqi?! Ti merr para edhe nga familjarët fatzinj edhe nga kolonel Xhungalliqi! Mos mendo se jam torollak e nuk di gjë, zoti Lugat! Unë shes, por nuk blej dushk për gogla! Eh, në sa shosha e sita  kam kaluar unë si agjent, more zoti Lugat! Shef imi ishe, por gjithnjë ishe nën vëzhgimin e syrit tim! Dorën në zemër ti asnjëherë nuk ke rrëshqitur si kryeagjent! E meritoje nderin suprem në luftë kundër  fantazmave, sytë e të cilëve mbeteshin hapur kur vdisnin me brengën për liri. Nuk mund ta mohojë njeri në kryeqytet se shpëtove qeverinë pa u çmendur nga ethet e trishta që lëshonin kufomat me sy  hapur! Nuk lejoje që ndokush në kryeqytet të vdiste kur donte e si donte! Tmerr i jetës dhe tmerr i vdekjes ishe në kryeqytet , zoti Lugat! Për të gjitha  bëmat tuaja dhe tonat si klan , Rahila u betua para se të ikte, se,që sonte, do t’u rrëfejë jashtëtokësorëve që tash sundojnë kryeqytetin!- Mendo mirë Lugat, çfarë na pret nesër!?

- Akun Bishti, a po e thotë të vërtetën për Rahilën, Ziban Ziu?!- pyeti Lugati i mërdhezur.

- Po, zoti Lugat! Mjerisht, kësaj radhe, ndryshe nga herat tjera,  Ziban Ziu flet të vërtetën!- u përgjigj Akuni.

- Hë! Po ti,  Harun Bixhozxhia, ç’thua? A gënjeu Zibani?

- Jo, jo! Të gjitha të vërtetat i tha për Rahilën!- u përgjigj Haruni duke shtrënguar kokën në të cilën i vëlonin trutë.

- Nëse është kështu, si tha Ziban Ziu, ju burrazinjtë e saj jeni fajtorë për Rahilën! Grua  me kurorë e kishit, ndaj edhe përgjegjësia ju takon juve edhe para Klanit edhe para ligjit të jashtëtokësorëve.

- Edhe grua jotja ishte Rahila, zoti Lugat shefi!- u përgjigj ironikisht Haruni.

- Edhe ty të takon përgjegjësia ndaj Rahilës!- ndërhyri Akuni.

- Rahila nuk ishte grua imja me kurorë si ishte gruaja e juaj! Rahila ishte vetëm kurvë imja pa kurorë me të cilën argëtohesha dhe më lidhte profesioni! Përgjegjësia ndaj kurorës sanksionohet  në të gjitha legjislacionet botërore mbi bashkëshortësinë, prandaj nuk mund t’i shmangeni përgjegjësisë. Burrecat e mallkuar, kurrë nuk mundët ta sundoni një grua! Prostituta  e dreçit nuk e paskam ditur se paska qenë kurvë edhe e armikut tim!

- Ta zëmë Rahilën!- propozoi Haram Harambashi.

- Ta lidhim Rahilën si bushtrën!- mërmëriti Dudie hanmi.

- Ta çmendim Rahilën!- shfreu Tatlije fallxhesha.

- Ta rikthejmë Rahilën në Klanin tonë!- u lut Haruni.

- Pa Rahilën nuk mund të jetoj! - u ankua Akuni.

- Ta vrasim Rahilën!- propozoi Ziban Ziu

- Ta varim Rahilën !- urdhëroi Lugati.

- Ta varim Rahilën sipas rregullave të Klanit! – brohoritën të gjithë përveç Harunit.

- Rahila edhe e vdekur flet me gojën e Fjollës!- kundërshtoi Haruni.

- Do të thotë se edhe Fjolla?!... – pyeti Lugati. Ah, malokja e  e mallkuar erdhi në kryeqytet pa brekushe dhe jetonte si princeshë në pallatin më brilant të kryeqytetit! Dukej si engjëll e dreç paska qenë! Haremkë të pallatit tim  e pata  planifikuar ta bëja! Kisha paraparë ta shisja mish të bardhë në bordelet e kryeqytetit!

-Ta vrasim edhe Fjollën ! u dëgjua zëri i Ziban Ziut.

- T’i vrasim Rahilën dhe Fjollën ! –  plotësoi Haram Harambashi.

- Edhe Lush Rebelin!Edhe komandant Gurrën!-tumiri Lugati  vendimin e Klanit .  

 

 

 

 

 

  

 

 

  8

 

 

Pas gjashtë muaj qëndrimi në paraburgim në burgun e kryeqytetit, prokurori i Gjykatës së kryeqytetit, duke mos mundur të gjente prova bindëse për ngritjen e aktakuzës,  gjeja se Lushi e kishte mbajtur  peng Haram Harambashin, kishte vendosur ta lironte përkundër kërkesës së gjykatësit hetues,  i cili i korruptuar nga Klani i Mëhallës së Xhehenemit, me qëllim të caktuar, zvarriste hetimet ndaj Lush Rebelit.

Kur Lushi doli nga dera e burgut i përcjellur nga dy policë që e mbanin nga krahët ishte dimër i ashpër, të cilin shërbimi i sinoptikës së kryeqytetit e kishte paraparë qysh gjatë stinës së  verës. Fërfëllima e ftohtë e  erës e barte dëborën nga një cep në cepin tjetër të rrugës dhe pasi e përplaste në muret  e pallateve të kryeqytetit  formësohej në orteqe. Ajri i ftohtë i erës, që vinte nga malet përreth kryeqytetit , i nxori ca  të kollitura të burgosurit të sapoliruar.

- Kij kujdes xhaxhi  Lush, mund të rrëzohesh! Shtrëngohu mirë në kukëza se mund të rrëshqasë këmba!- e porositi Lushin  polici i ri, një djalosh rreth të njëzetepesave .

- Le ta thyej qafën ky pis!- reagoi polici  tjetër, i cili si duket ishte i biri i Ziban Ziut.

- O, tu thaftë goja kolegu im!- iu përgjigj polici i ri. Njeri i pafajshëm i shkreti ishte xhaxhi Lushi. Unë e ti bëjmë karrierë në lirinë që e solli i shkreti  nga malet në kryeqytet. Të gjithë thonë se xhaxhi Lushi ishte luftëtar i përkushtuar për liri. Edhe gjymtyrët i la i shkreti në kufi, kurse ti tallesh me të e lutesh ta thyejë qafën, sikur të ishte armik!

Ndërsa dy policët u kthyen duke u grindur , Lushi doli në trotuarin e rrugës që shpiente për në Mëhallën e Xhehenemit. Semaforët e kryeqytetit nuk punonin, ndërsa  shkurtimet e korentit elektrik kishin krijuar kaos në rrugët e  kryeqytetit. Kur deshi ta kalonte rrugën, Lushi shikoi semaforin, drita e kuqe e të cilit  sinjalizonte kalimtarët që të mos kalonin. Lushi u ndal para semaforit duke pritur ngjyrën e gjelbër , por e gjelbëra nuk ndizej. Ndihej shumë i lodhur, kurse në kokë i sillej e mbështillej  këshilla e policit të ri që pak më parë e quajti xhaxhi. ”A thua  qenkam plakur sa të më quajnë xhaxhi?! Deri sot nuk më ka thënë njeri të jem plakur! Ndoshta djaloshi gjentil në shenjë respekti më quajti xhaxhi?! ”

- Kalo , o xhaxhi , kalo se sot  semaforët nuk punojnë në kryeqytet!- e këshilloi Lushin një vajzë e re e mbështjellur me shall nga të ftohtit.

- Falemnderit  bija ime!- ia ktheu vajzës dhe u nis të kalonte rrugën me ngrica.

Akoma pa arritur  në mes të rrugës, njëra kukzë i rrëshqiti  dhe Lushit u rrëzua. Kapela i ra në njërën anë, kurse njëra kukzë në anën tjetër. Një makinë luksoze me ngjyrë të zezë sa nuk u përplas në trupin e tij. Një ”ngicë”që doli nga frenimi i rrotave të makinës, udhëtarët e rastit i bëri kureshtarë të shikonin se çndodhi në rrugë.  Shoferi i makinës doli shpejt nga makina i kënaqur që nuk  aksidentoi njeriun e panjohur ,që rrugëtonte me një këmbë dhe dy kukëza. E qortoi Lushin që në mot të lig po udhëtonte nëpër rrugët me ngrica pa u kujdesur njeri për të:

- Pse, more, xhaxhi ke dalur në rrugë kështu me një këmbë?! A s’ke  ndonjë të afërmë të kujdeset për ty, a? Përpak na  more në qafë mua dhe veten, more xhaxhi! Hajde ngadalë, ngrehu xhaxhi! Hiqmu nga rruga  dhe the qafën kah të duash!

Dy të rinj kureshtarë, kalimtarë rasti, që shikonin ngjarjen nga ana e mëngjër e rrugës i ndihmuan shoferit  të makinës ta ngrehnin në këmbë Lushin dhe duke e mbajtur nga krahët e shpurën në anën tjetër të rrugës, ndërsa  shoferi  i makinës i nervozuar fishkëlloi rrotat e makinës në asfalin me ngrica.

- E njohe atë njeri?- e pyeti shokun e vet njëri nga djelmoshat , pasi u ndanë nga Lushi.

- Jo , nuk  e njoha, por m’u dukt sikur ta kem parë diku- u përgjigj djaloshi tjetër.

- Sa i marrë që je ! Si more nuk e njohe  protagonistin e vallzimit në bulevardin e kryeqytetit, kur u kthyen çlirimtarët nga malet ? Nuk ka njeri në kryeqytet që nuk e njeh Lush Rebelin. Është heroi i luftës që shkuli gurin e kufirit!

Djaloshi sapo mori vesh se njeriu i rrëzuar në asfalt u kthye përsëri te Lushi, që hamendej të hidhte ndonjë hap për në shtëpi apo të të ulej dhe të priste mëshirën e kryeqytetasve.

- Më fal, xhaxhi, a bën  të të pyes diç?

- Pyet more çun, pyet,  por zor që ke  gjetur njeriun përkatës që mund të përgjigjet!- ia ktheu Lushi djaloshit kureshtar.

- Xhaxhi, mos jeni ju ai njeriu i vallëzimit në bulevardin e kryeqytetit, kur nga malet u kthyen çlirimtarët?

- Po , biri im, unë jam njeriu që hodha vallen e fitores së luftës dhe të zhgënjimit të paluftës! Unë jam ai i krisuri që  vallzova me iluzionet e pasluftës!- u përgjigj Lushi ndërsa dy djelmoshat e mbanin nga krahët.

- Lush Rebeli, a?- pyetën djelmoshat njëzëri.

- Po, po Lushi jam , he mos qofsha!- u ankua Lushi.

- Do ta marrim një taksi xhaxhi Lush dhe së bashku do të shkojmë deri te shtëpia jote! – këmbëngulën djelmoshat.

- Jo, jo nuk bën! Tash do ta marr veten dhe do nisem me këmbën time! Ndoshta më nuk më tradhton! Do t’ia dal edhe këtij acarri dimëror, mos u bëni merak bijt e mi!- regoi Lushi.

- Besa do hipësh në taksi xhaxhi Lush! – këmbëngulën përsëri djelmoshat e panjohur.

- More djema shkoni rrugës tuaj e mos u merrni me mua fatziun. Sigurisht që, si të ri që jeni, keni punë më të vyera! Lermëni me fatet dhe fatkeqësitë e mia!

Njëri nga djelmoshat ndali një taksi fare afër kukëzave të Lushit dhe sapo Lushi dhe dy djelmoshat hipën në makinë taksisti pyeti Lushin:

- Për ku do udhëtojmë xhaxhi?!

- Nisu për në Mëhallën e Xhehenemit!- u përgjigj Lushi.

- Mos jeni nisur për ngushllime te Akunët?!- nisi muhabetin taksisti.

- Pse kush ka vdekur në Mëhallën e Xhehenemit , more burrë?!- pyeti Lushi sa për ta hapur muhabetin me taksistin.

- Rahilën e kanë varrosur dje! E kanë gjetur të varur në një degë lisi diku në bjeshkë! Thoshin se galat e korbat i kishin nxjerr sytë, të shkretës!  Thoshin  se kufoma e saj ashtu e dekompozuar kishte tmerruar kortezhin funeral. Dikush thotë se  Rahila ishte vetëvarur! Dikush thotë se dikush e kishte varur! Edhe varja ose vetëvarja e Rahilës thonë se ishte enigmatike si vrasjet tjera në kryeqytet! Dreç, o punë?! Vritet njeriu dhe pas tri ditësh harrohet sikur mos të kishte jetuar kurrë dhe shpejt e shpejt vrasjen e shpallin se ka ndodhur në rrethana të pasqaruara ose vrasje enigmatike për t’u mbyllur përgjithmonë dosja e hetimeve! E shkreta Rahilë...!?- tha taksisti dhe  një çast ndërpreu rrëfimin pasi u trand me gjithë udhëtarët kur rrotat e makinës u përplasën në një gropë. Taksisti pasi shfreu me sharje të gropave në rrugët e kryeqytetit prapë iu kthye temës aktuale të thashethënave të kryeqytetit që lidheshin me vdekjen e Rahilës.

 E pame e madhe është në pallatet e Akunëve për Rahilën! Karvani i njerëzve që shkojnë të ngushllojnë Akunin e Harunin nuk ka të sosur. Lugetërit e gjithë qytetit vijnë duke qarë! Deputetë, ministra , zyrtarë të lartë, madje edhe vampirët e dikurshëm të kryeqytetit që betoheshin se do të vdisnin me sy hapur dhe paria e qeverisë të parët kanë ngushlluar Harunin e Akunin!   Besa edhe na taksistët po ia shohim hajrin vdekjes së Rahilës! Njëzet turra  dje , njëzet turra sot për në Mëhallën e Xhehenemit, bëjnë sa një muaj punë e rëndomtë! Ndoshta juve nuk u duket e ndershme puna e taksistit në ditë mordje, por...! Bukë të kalamajve e kemi këtë punë more! Kur na del puna  u gëzohemi edhe vdekjeve, u  gëzohemi aksidenteve! Kështu e ka kjo botë, miku im!  Edhe varrmihësit e varrezave të kryeqytetit sot janë gëzuar! Prej varrit të të varfërit nuk iu del gjë, ndërsa nga varrimi i Rahilës patën fitime të mira! Një varrmihës më tha dje pas varrimt të Rahilës se Akuni e Haruni i kishin paguar varrmihësit e varrit të Rahilës sa për pesëdhjetë varreza tjera të fukarenjve të kryeqytetit! Eh, miku im, sot fatet e njerëzve ndërtohen në pafatësitë, tagjeditë dhe vdekjet e të tjerëve! Po të mos vdiste dje Rahila, fëmijët e mi sot do të ishin pa bukë! Burra të mirë ishin Haruni e Akuni! Gënjen kryeqyteti që thonë kanë bërë kështu apo ashtu!

- Po Lugati a ishte në ngushllimet për Rahilën?!- qesëndisi Lushi.

- Uh, sa i tmerrshëm ishte Lugati more, xhaxhi! Bashkë me Ziban Ziun e doktor Zebekun rrinin këmbëkryq në balltë të oxhakut të mermertë. Sytë i shëndrisnin si të tigrit në shpellë. Në mërrolat e vetullave dhe ballit të tij të dukej sikur fshiheshin tmerret e krejt dynjasë! Më besoni, mbrëmë m’u ka shtirë në ëndërr duke më mbërthyer për fyti! I tërë jorgani ishte çullur me  djersë duke u përpjekur t’i dilja nga kthetrat. Ama, Lugti ishte i zoti i muhabetit, zotëri! Edhe Ciceronit e Demostenit do t’ia kalonte me oratori! Çfarë fjalësh të bukura e të zgjedhura  i  thoshte për Rahilën se...!

- Ndoshta me demagogji?!- ironizoi Lushi.

Taksisti llafazan kuptoi se muhabeti i tij nuk u intresoi  fare klientëve të tij, prandaj si duket vendosi të mos merrej më me vdekjen e Rahilës.

 Dy djelmoshat nuk flisnin fare. As Lush Rebeli nuk foli  dhe si duket as që i kishte vënë veshin   taksistit zhurmaxhi. Zoti e di ku i kishin ikur mendimet e zhdaravitura.

Pasi pushoi së foluri, taksisti prapë iu kthye djelmoshave :

- Flisni edhe ju diçka  djelmosha! Unë nuk jam njeri që i  mat fjalët në kandar.!Mos e ktheni drithin nga mulliri pa e bluar! Rruga do muhabete!

- Mjaft blove ti pa rend, zotëri!- prapë ironizoi Lushi.

- Paj, kur muhabetet nisen për lugetër , kurva , qen e gjarpërinj nuk kanë të sosur!- u arsyetua taksisti.

Kur makina hyri në kalldërmin e rrugës së Mëhallës së Xhehenemit , nëpërmes xhamave të parafangos, Lushi pa turma njerëzish  tek parkonin makinat dhe togje- togje hynin e dilnin nga pallati i Akun Bishtit.

- Tash kthehu në të djathtë!- Lushi porositi taksistin.

- A nuk je nisur për ngushllime për Rahilën, a?- pyeti taksisti i habitur.

- Të lutem grahi makinës në të djathtë e mos më nxirr fjalë!- u nxe Lushi.

- Si urdhëron zotëri!- aprovoi taksisti  dhe kur arriti para derës së shtëpisë, Lushi urdhëroi  ta ndalte makinën.

Taksisti i frikësuar mos i kishte fyer klientët që u shërbeu deshi të arsyetohej para Lushit.

- Të gjithë taksistat e kryeqytetit, zotëri i nderuar, jemi të paguar nga Akuni e Haruni t’u shërbejmë miqëve të tyre, derisa të mbarojnë ngushllimet për Rahilën! Gabimisht ju mora t’u shërbej, por pagesë nuk dua! E dua bukën hallall, zotëri! Për këtë mëhallë të kryeqytetit  këto ditë paguajnë Akuni e Haruni.

- Sa mirë po i njihke  Akunët!- satirizoi Lushi.

- Po, kush nuk i njeh Akunët e Xhehenemli Mëhallës, more zotëri?!- vazhdoi të fliste përsëri taksisti.

- Merri paratë tuaja!- i zgjati paratë  njëri nga djelmoshat.

- Nuk guxoj! Nuk guxoj nga Akunët! Më besoni, unë çmendem nga Akunët! Ih, ju ndoshta nuk e dini ç’prirje kanë për punë të liga  ata! – tha taksisti duke i futur paratë në xhep dhe pasi ktheu makinën i fishkëlloi rrotat në kalldërmin e  Mëhallës së Xhehenemit.

Dera e oborrit ishte e hapur, kur hyri Lushi me djelmoshat e panjohur që e mbanin nga të dy krahët të mos rrëzohej, kurse mbi derën e shtëpisë hapakrah nga strehët e çatisë rrinin varur akuj të gjatë që pasi kishin nisur të shkriheshin nga shtrojera e mureve të shtëpisë,pikonin në dërrasën e kalbur të pragut.

Lushi hyri brenda i pari . U mundua ta ndizte dritën e korridorit, por drita nuk u ndez. Përgjegjësit e rrjetit të elektrikut e kishin shkyqur shtëpinë nga rrjeti , si duket për shkaqe mospagese të energjisë së harxhuar dhe kishin lënë një pusullë të ngjitur në derë, në të cilën shkruante  se pronari i shtëpisë ngarkohej ta paguante energjinë e harxhuar elektrike ,ose së pakut, t’i arsyetonte shkaqet e mospagesës. Lushit nuk i la përshtypje mungesa e korentit elektrik dhe hyri brenda në dhomën e nënë Nazës.Pasi vëzhgoi pak  doli nga dhoma dhe hyri në dhomën e vet ku ishte edhe biblioteka.  I hodhi një vështrim rretherrotull dhomës. Pastaj vështrimin e përqendroi në librat e stivuar njërin mbi tjetrin në rafte.  Mbi Procesin e Kafkës e gjeti ku e kishte lënë shishen e mbushur me urnën e të atit. Nuk e kishte prekur njeri . I hoqi kapakun shishes, i mori erë dhe pasi i vuri sërish kapun e vuri  prapë në raft. Shtëpia ishte në  gjendjen si e kishte lënë gjashtë muaj më parë. Nuk kishte ndryshuar asgjë, përveç se  brenda nuk gjendej e shtrirë, si e kishte lënë, plaka e Haram Harambashit e goditr nga damllaja.” Ndoshta nga uria ka vdekur e shkreta plakë?!!- mendoi Lushi. As minjtë e mizat që i kishte lënë nuk ishin. Si duket ose kishin ikur bashkë me Haramin e të shoqen ose kishin ikur nga uria e acarri i dimrit. Brenda në shtëpi kishin mbetur vetëm rrjetet e merimangave. Madje, rrjetet e  merimangave  ishin shtrirë nga qoshet e shtëpisë nëpër gjithë sipërfaqet e tavaneve . Prapë, pasi hapi perden e pluhurosur të dritares, pa një merimangë të ngatërruar në rrjetin që vetë kishte thurur. I erdhi keq nga merimanga budallaqe që nuk i ka njohur labirinthet e ngatërruara të veprës së vet. Iu afrua afër rrjetit dhe pasi shkeu me dorë rrjetin e merimangës e shpëtoi të pa lënduar. E vuri në shuplakë dhe nisi të fliste me merimangën sikur të ishte njeri, duke e këshilluar të mos hyrte më në fatkeqësitë që i ka krijuar vetes, por merimanga mosmirënjohëse përpëlitej  të dilte nga  shuplaka e Lushit dhe prapë të ngatërrohej në rrjetin e vet.

Dy djelmoshat e panjohur që e shoqëronin Lushin hukatnin duart që u mëdhinin dhe shikonin të habitur Lushin që merrej me fatin e merimangës, që si duket i pëlqente robëria në rrjetin e vet.

- Qenka pak i krisur! ky xhaxhi Lush!- i tha me zë të ulët njëri nga djelmoshat shokut të vet. Shiko si merret me gjëra të parëndësishme, ndërsa vetë qenka katandisur si mos më keq!

- Besa jo pak, por krejt qenka i krisur!- aprovoi mendimin e shokut djaloshi tjetër, duke druajtur në mos do ta dëgjonte Lushi. Ngrehu t’i shkundim pakëz pluhurin e t’i ndezim zjarr, përndryshe sonte do të vdesë, i shkreti!

Të dy djelmoshat u ngrehën në këmbë nga kanapeja e improvizuar si shtrat, ku gjashtë muaj më parë dergjej e shoqja e Haram Harambashit. Lushit përnjëherë i shpërtheu një gaz i lehtë dhe i papërmbajtur që më vonë u shoqërua me të qeshura të çakorduara. Djelmoshat nuk kuptuan  gjë nga të qeshurat e Lushit, kur zemrat u qanin për fatin e tij. Dyshimet e djelmoshave se Lushi ishte i krisur, tanimë, u shndërruan në bindje të plotë.

- Mos po mendoni se jam çmendur,a?!- i pyeti Lushi djelmoshat pasi u ngop së qeshuri.

- Jo , xhaxhi Lush, jo! Qoftë larg e liga! Në fakultet kemi mësuar nga psikologjia se të qeshurat i bëjnë mirë shëndetit të njeriut dhe se njerëzit e hareshëm jetojnë më gjatë! Po na vjen mirë që po gjen kurajo për të qeshur!- u munduan djelmoshat  ta arsyetonin gazin e Lushit.

- Lërni profkat djelmosha ! Ju vërtetë po frikoheni se  jam i çmendur! Por...! Nuk jam çmendur! Mos u frikoni! Unë vetëm qesha me Haram Harambashin dhe pjerdhët e plakës që dergjej nga damllaja dhe pafytyrësinë e minjve që çonin dashuri në shtratin e places, ku ishit ulur ju pak më parë! Qesha edhe me mënyrën e jetës së Haramit. Desha vetëm një çast të jem si palaçoja i Migjenit, kur zemra më pëlcet! Mos e merrni palaçon e Migjenit si të krisur!

Dy djelmoshat u shikuan sy më sy. Nuk dinin as kush është Harami as plaka e goditur nga damllaja. Nuk iu bëri përshtypje as dashuria e minjve në shtratin  ku dergjej plaka. Kujtuan Migjenin dhe ”Qeshu palaço, kur zemra të pëlcet!” dhe prapë filluan me zë të ulët të komentonin çmendurinë e  xhaxhi Lushit.

- Hë, djelmosha si ju duket në shtëpinë e Lush Rebelit?- pyeti djelmoshat.

- Mirë! Mirë!- u përgjigjën djelmoshat.

- Mirë, a?!- shprehu dyshimin Lushi, që tanimë mori një pamje krejt serioze. Nuk është e ndershme t’i thoni të keqes e mirë, as të shtrembërës e drejtë, as të zezës e bardhë!Flisni si ju flet mendja e zemra e jo si gënjen gjuha e tultë! Ju thoni se ju duket mirë në shtëpinë time, por unë e di se nuk ju  pëlqen  zdrali i jetës së Haram Harambashit!.

Djelmoshat iu përveshën punës për rregullimin dhe pastrimin e shtëpisë së Lushit. Hoqën perdet nga xhamat dhe u shkundën pluhurin. I fshinë edhe xhamat e dritareve .  Librave një nga një u fshinë pluhurin. Tepihët i nxorën jashtë dhe i shkundën mirë e mirë.Në fund edhe edhe kanapetë e shtretërit i nxorën në oborr dhe u shkundën pluhurin. I lanë enët e ndezën zjarrin, tymi i të cilit era e shpërndau në tërë Mëhallën e Xhehenemit. Pasi mbaruan punët djelmoshat deshën të shkonin.

- Tash po ikim xhaxhi Lush dhe do të vijmë nesër!- thanë djelmoshat, që si duket nuk u pëlqente të rrinin më gjatë në shtëpinë e Lushit.

- Besa, nuk do të shkoni sonte!- ua ktheu Lushi. Ka ra terri e Mëhallës së Xhehenemit nuk i dihet! Mund t’ju ndodh ndonjë e keqe! Eh, sa të këqia më kanë ndodhur në këtë të mallkuar mëhalle!

- Jemi studentë e na presin mësimet, xhaxhi Lush,- u arsyetua njëri nga djelmoshat.

- E di,- por sonte nuk ma thotë zemra të dilni nëpër terr nga shtëpia ime! As bukë as kripë nuk kam  t’ju shtroj në sofër, por me muhabete  do t’ju ngop. Pastaj... Pres të vijnë edhe komandant Gurra e  togere Bubulina?! Sigurisht që nuk e dinë se më kanë liruar nga burgu se nuk do të më kishin lënë vetëm të përpëlitesha në rrugët e kryeqytetit! Do të kënaqeni sonte me komandantin e togeren! Dinë shumë histori të tmerrshme për luftën!

Dy djelmoshat u habitën kur Lushi tha se sapo kishte dalë nga burgu. ”Si është e mundur që një njeri me një gjendje të mjeruar shëndetësore të jetë mbajtur në burg?!”  Ç’të keqe ka mundur t’i bëjë kujt ky i shkretë?!”- menduan dy djelmoshat.

- M’u duk që the se sot ke dalë nga burgu, xhaxhi Lush?!- pyeti njëi nga djelmoshat.

- Po, po kur u takuam te semafori, sapo pata dalur!,- pohohi Lushi. Gjashtë muaj më mbajtën në qeli gjeja se kam mbajtur peng Haram Harambashin! Më thoshin  se e kisha kërcënuar ta vrisja Haramin dhe të shoqen që dergjej! Ishin të kota shpjegimet e mia se Haramin më kishte  uzurpuar shtëpinë dhe se pallatin e tij u kishte dhënë me qera jashtëtokësorëve! Sa nuk  çmendeshin kur i quaja jashtëtokësorë këta pushtetatrët e huaj në kryeqytet! Dhe, pas gjashtë mujash, në mungesë provash, më liroi prokurori indian. Sa i këndshëm ishte gjatë bisedës prokurori indian i kryeqytetit. Ai më pyeste si e kisha mbajtur peng Haramin, ndërsa mua ma kishte ëndja ta pyesja për totemet dhe bestytnitë indase! Orë të tëra bisede kemi kaluar duke biseduar për Ramajanën, Mahabharatën e Vedat indiane. Pastaj e pyeta për Gandin dhe gandizmin. Indianët e gjorë kishin pas vuajtur më shumë nga filozofia budallaqe e gandizmit të Gandit  se nga kolonizatorët anglezë, ndoshta edhe  më shumë se kryeqyteti ynë në kohën e sundimit të gjeneral Gexhës! Duke biseduar për Indinë e largët, prokurori indian harronte të më pyeste për pengun tim që shtëpinë ma kishte uzurpuar! Dikur edhe atij ia kishte ëndja të bisedonte me mua. Herë vinte në qelinë time e herë më thërriste në zyren e tij për ta shtruar muhabetin! Si duket kur u mërzit me muhabetet e mia më nxori nga burgu dhe më hodhi në rrugë! Besa, më mirë ishte në burg se në lirinë e kryeqytetit! Më nxori jashtë pa më thënë lamtumirë, duke më thënë se nuk kishte prova të më nxirrte në gjyq! Protestova të mos dilja nga burgu, por indiani as që dëgjoi për protestën time!

Dy djelmoshat nuk i kuptuan sa duhet shkaqet e mbajtjes së Lushit në burgun që i kishte pëlqyer dhe pengun e tij që i kishte uzurpuar shtëpinë. Si duket nuk iu interesuan as bisedat e Lushit me prokurorin indian prandaj edhe dëshiruan ta mbyllnin bisedën për gjashtë muajt e Lushit në burg. Pas rrëfimit për burgun e fundit, Lushi u ndal së foluri. Shtrëngoi tamthat me të dy duart dhe shikimin e përqëndroi në një vend të papërcaktuar, kurse qiriri që kishte harruar Haram Harambashi shkrihej ngadalë duke kërcënuar se do t’i lërte në errësirë.

- Sa i krisur që jam!- tha Lushi, pasi hoqi duart nga tamthat. Sa të mirat m’i bëtë sonte e as emrat nuk ju di!

- Unë e kam emrin Arsim,- u përgjigj djaloshi që dukej pak më i pjekur. Jam nga kryeqyteti dhe studioj psikologjinë

- Mua më quajnë Besi- shpjegoi djaloshi që dukej më i hajthëm. Jam nga Drenica dhe studioj historinë.

- Nga cili katund?- pyeti Lushi kurreshtar.

- Nga Skenderaj- u përgjigj shkurt djaloshi.

- Eh, Drenica...! Drenica ...! E para u hodh në luftë dhe e para u shkrumbua, kurse kryeqyteti  as që ia varë të gjorës! ” U pamë sherrin opingave të katundit i dëgjoje të ankoheshin mjeranët gjatë  rrugës me trenin që i futi në Korridorin e Gligorovit !” Atë ditë kur treni i gjeneral Gexhës e shpëtoi nga kasaphana  kryeqytetin e rrëzuam gurin e parë të kufirit. Kurrë më i lumtur nuk kam qenë. Aty më mbeti këmba! Nuk di nëse e ka varrosur kush këmbën time apo jo?! Edhe këmba ime  meriton të ketë një varr, more! Bjeshkë më bjeshkë ka vrapuar e shkreta  për liri! Sikur ta dinte këmba që më ka mbetur ku është varri i  shoqes së saj sigurisht që do të shkonte dhe do të lerte një lule mbi të! Pastaj hakmarrja e armikut për gurët e kufirit ishte e tmerrshme! Gjatë granatimit në Koshare kam parë koka e tru që hidheshin në erë...! Gjymtyrë njerëzish që fluturonin në qiell ...! Degë lisash që shkëputeshin nga trungjet e binin në tokë copë- copë...!- Lushi nisi rrëfimin për luftën  dhe pasi ngriti më lart kokën mbi qafën e hollë, picërroi sytë. Heshti një çast dhe pyeti musafirët:

- A dëgjuat gjë?

- Jo, jo nuk dëgjuam kurrëfarë zëri!- u përgjigjën djelmoshat të shndërruar në sy e vesh.

- More m’u dukt sikur më thirri dikush!- tha Lushi duke u ngrehur në këmbë. Mori kukëzat e mbështetura në minder, deshi ta marrë edhe qiririn, por si për inat të tij qiriri u fik.

- I mallkuari!- shfreu Lushi. Tash kur m’u desh më së shumti u fik i!- dhe nëpër terr doli në koridor.

Në koridor edhe një herë, pasi u mbështet në kukëza, ndali frymëmarrjet duke vigjëluar në mos zëri do  përsëritej! Dy djelmoshat, Arsimi e Besi i rrinin anash të gatshëm ta mbanin nëse Lushi do të rrëzohej!

- Ku je nëna Nazë?! Dil ,mori, prej territ! Ku je fshehur ?! Fol më përqartë! Lushi jam! O,do të gjej nëse jam i gjallë, oj nëna Nazë! Në shtatë pale qiej e tokë do të kërkoj e nuk e lë pa të gjetur! Të lutem, nëna Nazë, më trego ku gjendesh?! Mos u tall edhe ti me mua si tallet kryeqyteti! Së pakut , ti mos më harro, e gjallë apo e vdekur si do që të jesh...! Mos më harro...!  Nëna Nazë...!!!  Kthehu të lutem...!!!  Ktheeeehu...!!!

Pas thirrjeve të pakuptimta i qullur në djersë të  vala  , Lushit iu ligështua këmba , nga  duart i rrëshqitën kukëzat dhe ngadalë u plandos në tokë. Sikur të mos e mbanin djelmoshat sigurisht që  do ta thyente kokën.

- Xhaxhi Lush merre veten, të lutemi! Eja në vete Lush Rebeli!- thirrën djelmoshat, por Lushi më nuk fliste. As nuk shihte, as nuk dëgjonte. Arsimi i preku pulsin, pastaj dorën i vuri në zemër.

- Pulsin e ka shumë të shpejtë! Të rrahurat e zemrës i ka shumë aritmike!- tha djaloshi i shqetësuar. Më sill pak ujë të lutem, më shpejt se xhaxhi  Lushi po vdes!- këlthiti Arsimi.

Besi nëpër errësirë vrapoi në kuzhinë, hapi derën e shporetit,  flaka e të cilit theu errësirën e dhomës,  pastaj  hapi rubinetin, por ujë nuk rrodhi. Ishte koha e orarit të shkurtimeve të ujit në Mëhallën e Xhehenemit.

- Më shpejt, more, se xhaxhi Lush po vdes!- reagoi Arsimi që përpëlitej me Lushin, duke i bërë masazh në qafë, gjoks, shpinë e muskula të duarve!

- O, as ujë nuk ka në këtë qytet të mallkuar!- pëlciti zëri revoltues i Besit.

- Sill nga jashtë një grusht bore, more  budalla,  se vdiq njeriu! – urdhëroi Arsimi.

Djaloshi i hutuar doli jashtë dhe mori një grusht dëborë. Dy djelmoshat i fërkuan Lushit fytyrën, qafën, gjoksin... Dëbora u shkri në djersët e vala ,  Lushi nga ngacmimet e ftohta të dëborës hapi sytë që shëndritën si dy meteorë në dritën e flakës të shporetit. Pastaj djelmoshat e shtrinë Lushin në kanape.Dukej i trembur. Një botë e trazuar. Pas pak u hodhi nga një shikim të rreptë dy djelmoshave të brengosur të zbehur dyll. Besin e luti sërish t’i sillte borë. Bora në buzët e shkrumbuara u shkri shpejt, kurse Lushi  lëpinte me gjuhë buzët e shkrumbuara për ta shuar zjarrin që e digjej brenda.

- Si po ndihesh xhaxhi Lush!- e pyeti Arsimi që akoma nuk e kishte marrë veten nga frika se Lushi po vdiste.

- Mirë jam , more! Ç’ jeni stërkequr kështu, a ? M’u dukët djelmosha të mirë, por nuk më dolët si duhet! Nuk më ndihmuat në këtë errësirë dreçi ta bind nënë Nazën të hyjë brenda?! Ndoshta ishte hidhëruar me të drejtë që as dorën nuk ma zgjati, bile! Fillikat vetëm e lash midis lugetërve të Mëhallës së Xhehenemit dhe shkova në atë të mallkuar lufte, që nuk ma solli lirinë e ëndërruar! Desha t’i hidhem në përqafim, por prapë më iku diku, u fsheh në errësirë! E patë ju nënë Nazën time?! Sa e bukur ishte! Sonte ishte veshur si nuse kur e priste babë Isufin të kthehej nga mali! Gruaja më e bukur në tërë botën është nënë Naza ime! Nëse sonte  nuk e keni parë ju çorrat e mallkuar nënë Nazën në errësirë, zërin e saj e keni dëgjuar! Hë, tash shtireni se as zërin nuk e dëgjuat, a?! Të gjithë në kryeqytet jeni të vërbër e të shurdhër ose xhelozoni nënë Nazën time, nusen më të bukur të Lisgurit, Gurrës e Zgorit! Ah, vetëm një herë të më përqafonte e të vdisja menjëherë sytë hapur nuk do të më mbeteshin! Por jo , nuk vdes , biri i nënës pa e gjetur nënë Nazën! Ndoshta ndërron mendjen e  kthehet vetë nënë Naza pasi t’i hiqet hidhërimi ndaj meje?! Nuk besoj se është hidhëruar aq shumë në mua! Vetë më tha të shkoja në luftë duke m’u betuar se edhe po të vritesha nuk do të derdhte asnjë pikë loti ! Madje, asnjë pikë loti nuk e derdhi atë natë dimri kur iu ngjita bjeshkëve, përkundrazi dukej krenare, kurse tash vetëm më thërriste e nuk më lejoi ta as ta prekja, as ta përgëdhelja as ta përqafoja! ” Oooooo Luuuuushooooo?! Oooo Luuush?! Ku je , o im biiiir?! Më gjeeeej! Më kërkoooo! Eshtrat nuk po  më treten në dhe të huaj, ooooo Luuuushoooo?!” Flisni tash, mos heshtni, nëse keni një pikë gjak burri, ju djelmosha të mirë të kryeqytetit, a e dëgjuat nënë Nazën kur tha se eshtrat nuk  po më treten në dhe të huaj!

- Xhaxhi Lush, mos ishe në ëndërr?!- pyeti me një lloj skepse Arsimi.

- Kush ishte  në ëndërr, more?!- u pëgjigj Lushi. Zgjuar isha, zgjuar jam! Sa intersantë janë njerëzit e  kryeqytetit! Kur sheh ëndërr të thonë  je zgjuar, kur je zgjuar të thonë se sheh ëndërr!. Nuk ka dreç që u bie në fije! Tym e mjegull t’i bëjnë ëndrrat e zhgjëndrrat. Lesh e li ta mbështjellin lëmshin dhe të thonë tash gjeje fillin! Pse, kush të tha se isha në ëndërr?

- Askush nuk më tha , xhaxhi Lush, por vetëm të pyeta sa për t’i hapur rrugë bisedës.

- Ëhë! Ti na qenke i mençur, besa! Sa mirë ditke të zhytesh në pus, por më mirë ditke të dalësh nga pusi pa u lagur! Disi rrotull po i sillesh muhabetit tim me rromuze! Ju sigurisht që e patë dhe i dëgjuat zërin nënës time, por ngurroni ta thoni të vërtetën! Ju flisni si Lugati, Akunët dhe Haram Harambashi i Mëhallës së Xhehenemit! Të poshtërit, veç  për të ma plasur zemrën, thonë se nënë Nazën e ka therë në fyt major Zhuga dhe e ka vjedhur kufomën e saj! Gënjeshtra që  nuk i ha as qeni! Ç’i duhet një gjenerali kufoma e një plake?! A nuk kishte punë më të mençur gjenerali se sa të merrej me kufomën e një plake?!... Të gjithë gënjejnë kur thonë se  kufomën e nënë Nazës e kanë vjedhur! Nënë Naza ime është gjallë! Gjallë...! Gjallë...!

Dy djelmoshat, të penduar që kishin ardhur në shtëpinë e Lush Rebelit, dikur vonë pas mesnatës i zuri gjumi  ulur në kanape në dritën e prushit të shportetit.Edhe Lushi fjeti në kanapenë ku flinte nënë Naza.

Të nesërmën në kryeqytet  gdhiu mëngjesi edhe më i ftohtë. Era fishkëllonte në telat e elektrikut dhe në çatitë e pallateve të Mëhallës së Xhehenemit, duke nxjerrë tinguj vajtues violine. Akujt e varur mbi dritaret e mbi derën e shtëpisë së Lush Rebelit ishin trashur e zgjatur edhe më shumë, sikur dëshironin të puqeshin me tokën e ngrirë. Djelmoshat u zgjuan heret, ndoshta nuk kishin fjetur fare. Ndezën zjarrin, Lushit i sollën burek, dhe para se të dilnin, mbi tavolinë lanë një pusullë.

” Mirupafshim xhaxhi Lush! Mos prit se do të kthehemi një herë tjetër në shtëpinë tënde! Kemi punë më të mençura se ëndrrat tuaja të trishta!”

Kur djelmoshat mbyllën derën , Lushi flinte ulur në kanape pa u përpëlitur në gjumë, duke mbajtur në duar shishen me urnën e të et...! Ndoshta në ëndërr e kishte gjetur edhe nënë Nazën dhe që të tretë qanin hallet e pasluftës...!

 Mjekra e thinjur, fytyra e zbehtë, sytë e mbyllur, mollëzat e mavijosura dhe hullitë e thella në ballë u gjasonin mumjeve antike të skalitura në bronzë.

 Dy studentët duke qarë me lotë për fatin e Lush Rebelit u zdorgjën nëpër kalldërmin  me ngrica të Mëhallës së Xhehenemit. 

       

 

 

 

 

 

 

 

9

 

  mbrëmjen e ditës së shtatë, pas varrimit të Rahilës, para se të perëndonte dielli, Akun e Haruni hoqën karrigen, fotografinë me shirit të zi dhe morën librin e zisë, në të cilin të njohurit e të panjohurit që kishin ardhur për ngushllime kishin shkruar dhe firmosur fjalët më të bukura për e  Rahilën. Me të hequr të karriges, Akuni e Haruni  shpallën të mbyllura ceremonitë e ngushllimit për të vdekurën dhe nisën të përgatiteshin për ceremonitë e të shtatave që do të mbaheshin në hotelin  me pesë yje të kryeqytetit. Në fillim Akuni e Haruni kishin paraparë që  ceremonia e të shtatave të ishte e hapur për tërë kryeqytetin, por sipas sugjerimeve  të Lugatit e Ziban Ziut, vendosën që ceremonia të mbahej me miqët  e ftuar, me theks të veçantë që Mëhalla e Xhehenemit, me përjashtim të Lush Rebelit, gjithësesi të ishte e pranishme me fis e me farë.

Akuni e Haruni  veshën garderoba të zeza, të cilat, normalisht që, duhej  të përshtateshin me  atmosferën mortore. Kishin veshur vetëm këmisha të bardha, kurse në qafat e dhjamosura kishin varur, gjithashtu, gravata të zeza. Pasi u vesh, Akuni vuri edhe livando në fytyrë, në kokën tullace dhe në duar. Vuri borsalinon e zezë  mbi  kokën tullace dhe shkoi para pasqyrës të shihte vetën si dukej:

” Rahilën e rehatova, kurse unë akoma mbahem  djalë i ri! Ja si dukem, tamam, si  Jul Brineri! Nuk ka ndonjë të keqe të madhe  që jam tullac,  Jul Briner jam!”- i tha vetes duke u përpjekur ta rregullonte borsalinon që i rrinte si saçi mbi çerep. Sikur Akuni bëri edhe Haruni, por ai nuk u shikua në pasqyrë, madje duke u veshur nisi vaj ngashërimi për Rahilën, por shpejt i fshiu lotët ,sepse  si thoshte Lugati, burrit nuk i ka hije të qajë me lotë për vdekjen e gruas në prani të ajkës politike dhe intelektuale të kryeqytetit  të ftuar në ceremoninë mortore të të shtatave.

Duke u shikuar në pasqyrë i ra ndërmend  nekrologu kushtuar  Rahilës që kishte shkruar një natë më parë shkrimtari më i famshëm i kryeqytetit! Nxori letrën me nekrologun dhe nisi ta lexonte duke pozuar para pasqyrës. I sugjeroi Lugatit ta dëgjonte  me kujdes. Lugati qeshi ironikisht me nekrologun e mikut dhe u shtir sikur e dëgjonte me vëmendje:

” Kjo ishte Rahila!” e kishte titulluar Akuni nekrologun . Kishte shkruar edhe titullin  alternativ ” Si e njoha Rahilën?!”. Pasi rregulloi edhe njëherë gravatën dhe syzat, Akuni lexoi:

- Para tridhjetë vjetësh e njoha Rahilën e ndjerë! Unë isha rreth të tridhjetave e Rahila gjashtëmbëdhjetë vjeçe! Miqë    piklluar, që shpirti sonte u qanë , rastësisht e njoha Rahilën në një jetimore fëmijësh, derisa isha në detyrë zyrtare! Kur e pash  sa nuk u shastisa pas saj! Kishte shtat të hedhur, ashtu si e keni njohur edhe ju! Flokët e zezë i derdheshuin mbi supe si valë  deti në stuhi! Sytë e zi të zhbironin me shikime! Buzëqeshi ëmbël dhe me padjallëzi! Kur i fola iku si pëllumbeshë! Atë natë nuk fjeta. Ëndërrova  Rahilën. I kujtova  gratë që më kishin ikur nga shtrati, por shpejt i harrova!

Të nesërmen prapë ”zyrtarisht” shkova në shtëpinë e fëmijëve jetimë! Kërkova të dhënat biografike të Rahilës! Në fillim drejtoresha  hezitoi të m’i jepte, por kur i thash kush isha, duke u dridhur m’i solli të gjitha! Ishte e tmerrshme biografia e Rahilës! Shkruante se të atin ia kishin mbytur në detin e Goli Otokut derisa vuante burgun për mbajtjen sekrete të flamurit, ndërsa e ëma i kishte vdekur vetëm pak ditë pas të shoqit nga tuberkulozi. Pasi e lexova me kujdes biografinë e Rahilës e gënjeva drejtoreshën se Rahilën  e kërkonin zyrtarët e lartë në kryeqytet! E gënjeva se shpejt do ta ktheja në jetimore! Drejtoresha  e solli Rahilën duke qarë! Edhe drejtoresha  derdhi lotë  për Rahilën, ndërsa unë shtiresha si idiot,  gjeja se ndjeja dhembje! Ndoshta, drejtoresha kuptoi hilet e mia , por nuk bëzani! E mora me vete në makinë dhe e solla në Mëhallën e Xhehenemit!

Kur e futa në dhomë i thashë se  do të jetë nuse imja! Nisi të qante, të shkarravitej,  të dëneste derisa e kërcënova se do ta vrisja nëse nuk pushon!  Vetëm  tyta e  ftohtë e armës, kur i preku gushën e ftofi Rahilën! Përnjëherë u rrënqeth dhe pas të rrënqethurave më nuk reagoi. Luanesha u bë qengj i butë! I thash të zdeshej, por më luti ta fikja dritën! Tha se i vinte turp, ndërsa unë nuk dëshiroja ta fikja, dëshiroja ta shihja  Rahilën lakuriqe si peshk në shuplakën time! Kërcëllita në dhëmbë  si bishë xhungle dhe Rahila u dorëzua! Për herë të parë pash sa i fuqishëm që isha! Gjatë tërë natës u shkarravita mbi trupin e njomë të Rahilës! E kafshoja në gushë,  sisa, bark..., kurse Rahila klithte! Nuk i kuptoja klithjet e saj, nëse ishin klithje dhembjesh apo klithje epshi! Çuditërisht dëshiroja që klithjet e Rahilës të ishin klithje dhembjesh! Atëherë mendoja se dashuritë e femrave  fillojnë me dhembje! Sa më të mëdha që femra ka dhembjet aq më  fuqishëm dashuron!? Ndërsa, e dija se  Rahila ishte femër  e si femër ka dhembje! Gjatë tërë natës i djersitur ndejta mbi trupin e Rahilës!

Dikur para agut më kishte mashtruar gjumi.  Isha lagur i tëri nga  djersët e Rahilës.Kur u zgjova Rahila më pështyu! Më tha se ishte e virgjër! Edhe unë e dija se nuk kisha arritur ta zhvirgjëroja! Shtatë netë me Rahilën kaluan si nata e parë dhe Rahila prapë ankohej se nuk ishte zhvirgjëruar! U kërcënua se do të ikte, por unë i thashë se në natën e tetë do të flinte me Harunin! Nuk di, u gëzua apo jo, por nuk reagoi ! Me një të tundur koke aprovoi se do ta pranonte edhe  Harunin në shtrat! Edhe Haruni në fillim u shtir gjeja se nuk do ta pranonte incestin brenda familjes, por kur i tregova si duket Rahila në shtrat, Haruni ”mbylli sytë”dhe që të dytë hyrëm në dhomë! Rahila buzëqeshi! Kurrë atë buzëqeshje as unë as Haruni nuk e kemi kuptuar nëse ishte ironike apo  buzëqeshje epshesh! Si dy bisha u lëshuam mbi trupin e saj gjatë tërë natës! Haruni e kafshonte e shtrëngonte e kërcënonte... kurse unë vetëm e lëpija Rahilën! Në mëngjes Rahila u gëdhi duke qarë dhe duke u ankuar që nuk mundëm ta zhvirgjëronim!

 Na quajti ” hudumë”, ”pederë”, ”skizofrenë... dhe u kërcënua se do të ikte kur t’i jepej rasti ose do të vetëvritej!   Ashtu lakuriqe theu gjithçka gjeti në shtëpi! Theu pasqyrën kur pa  në gushë gjurmët e mavijora të dhëmbëve të Harunit! Theu vazot e luleve! Xhamat e shtëpisë i bëri copë e grimë! Enët e kuzhinës i  përplasi në oborr! Menduam se nusja ishte çmendur...?!

Të nesërmen bashkë me Rahilën, pasi i ngjitëm unë e  Haruni nga një unazë në gishtërinj, shkuam në zyrat e ofiqarisë së kryeqytetit  dhe noteri, pasi e korruptuam , deklaroi  celebrimin tonë me Rahilën! Çuditërisht edhe Rahila nënshkroi fatin e vet, pasi që shteg tjetër nuk kishte!

Pastaj, miqë të nderuar, Rahilën e bëmë shefe në zyrat e UDB-së, edhe pse nuk merrte erë në punët e shërbimit sekret! Hynte në qeli burgu dhe në vend se të  nxirrte ndonjë deklaratë nga të burgosurit që kërcënonin qytetin me ethe të trishta,  apo së pakut, t’i torturonte , ajo ia kërsiste seksit me të burgosurit dhe kur dilte nga qelia mburrej se e kishte mundur të burgosurin! Nuk ishim aq të krisur sa mos ta kuptonim ç’bënte Rahila dhe si na e luante  prapa shpinës, por sjelljet e Rahilës përputheshin plotësisht me normat  etike të Mëhallës së Xhehenemit.

Historia e tradhtisë së Rahilës, miqë të pikëlluar, ka nisur në qelinë e Lush Rebelit! Ne e urdhëruam ta tredhte Lushin kryengritës, kurse Rahila jo vetëm që nuk e tredhi, por u zhvesh në qeli me Lushin! Deshëm ta padisim për përdhunim të  të burgosurit, por na u dhimbs Rahila! Tinëz në qeli, Rahila e mbante Lushin si princ?!

Kur erdhën në kryeqytet  misionarët e OSBE-së Rahila ishte në kulmin e karrierës! Tanimë,  e kuptuam ashiqare se Rahila ishte spiune e trefisht!

Gjatë  konfliktit në kryeqytet ishte dashnore e përgëdhelur e gjeneral Gexhës! Besoni, miqë të dashur,  sikur të mos ishte Rahila kasaphana në kryeqytet do të ishte shumë më e tmerrshme!

Gjenerali budalla , tek pasi iku i turpëruar , kuptoi mashtrimin e Rahilës, por ishte vonë!?

- Mjaft më matufi idiot! – shpërtheu Lugati nga naiviteti i Akunit. Roman paske shkruar pë Rahilën, a? Nëse e lexon këtë marrëzi nga njëzet vjet do na i futësh në burg! Sonte në të shtatat nuk janë vetëm spiunët  e klanit tonë, por spiunët e tërë globit! Sa bukur i paske përshkruar huqet, marrëzitë e teket e personalitetit  tënd dhe të Rahilës! Spiuni analfabet!

- Më fal Lugat kësaj radhe gënjeva! Mendova që sonte të paraqitesha gjeja se nuk jam ai që jam! Desha që sonte të thonin se Akun Bishti qenka i zoti i kalemit! Dëshirova që sonte gratë e elitës së kryeqytetit t’i kishin lakmi Rahilës  për burrat  që ka pasur!

- Mos llomotit Akun! Sa i marrë që je kur mendon se nuk të njeh kryeqyteti, çfarë muti je! Trego kush e shkarraviti atë nekrolog?

- Thash se unë nuk e shkrova! Ku di more agjenti të shkruaj nekrolog?! Unë kam prirje viktimat t’i bëj për nekrolog, kurse për hartimin e nekrologjeve  kujdesen  shkrimtarët! Ka  kryeqyteti  sa të duash specialistë për hartimin e nekrologjeve?! Si të papunë që janë, shkrimtarët e shkretë gëzohen kur vdes dikush sa për ta fituar ndonjë metelik!  Tërë ditën bredhin kafeneve me vesh në krah mos ka vdekur kush! Dikur i shkruanin gratis nekrologjet, ndërsa tani, besa, shtrenjtë paguhen! Ani, bukë e kanë zanatin e vet, të gjorët ! Kur nuk vdes kush nuk ka nekrog, kurse kur nuk shkruajnë nekrologje nuk ka as makiato në kafene! Të zënë ngusht u  vardisen politikanëve,mos helbete kanë nevojë për ndonjë fjalim, kurse poilitikanët kërkojnë nga shkrimtarët të mbeten anonimë si hartues fjalimesh, prandaj ekspertët për hartimin e fjalimeve sot janë jo vetëm servilë, por edhe anonimusat më fatzinj të kryeqytetit!

Para dy tre vjetësh, shkrimtarët ua patën marrë krejt bukën historianëve! Ishte kohë e hartimit të monografive për të gjallët e për të vdekurit! Edhe hoxhollarët, gati patën mbetur me gishtërinj në gojë! Kush nuk shkruante hajmali  as porosiste hatme për babën , nënën, gjyshin e stërgjyshin! Të gjithë porositnin monografi në vend të hajmalisë! Pazaret, si rëndom, bëheshin në kafene, larg syve të Pen Klubit apo Lidhjes së Shkrimtarëve! Sa më shumë faqe që kishte monografia aq më e trashë ishte pagesa! Tani edhe puna e monografive ka shteruar, por shkrimtarët pehlivanë me punën e nekrologjeve  nuk mbeten pa makiato ose pa një gotë  dopio me raki rrushi!

- Mos i shko rrotull, Akun! Mos m’i bëj pyetjes leqe! Cilit klan i takon shkrimtari i nekrologut për Rahilën?

- Klanit tonë, zoti Lugat! Anëtar i vjetër i Klanit tonë është! Me dekret special të komitetit pati ardhur në Klanin e Mëhallës së Xhehenemit!

- Aha, tash e kuptova filozofinë e kurthit të lavdëratave për Rahilën!? Edhe  atij pis shkrimtarit duhet t’i biem fshesë! Si anonimus që është për te nuk do të çohet shumë pluhur në kryeqytet!

Bytha e tij t’ia hedh Lugatit, a?!

- Hajde më shpejt, të luem  Akun! Ngutu pak! Sa i ngathët që je ! Gjithmonë nisesh i pari dhe dështon i fundit! Ne të parët  do duhej të arrinim në ceremoninë e të shtatave! Gaz i botës do të bëhemi në kryeqytet nëse nuk i presim te dera të ftuarit! Nuk janë gjithkushi të ftuarit e sontëm, Akun! Janë ministra, zëvendësministra, asistente ministrash, deputetë e deputete, gjykatësit e prokurorët më në zë, mjekët e mjeket më të njohur të kryeqytetit?! Pastaj,hidhërohen Zebek Zabuni e Ziban Ziu nëse pritja jonë te dera nuk i nderon! Lëri këta të kryeqytetit, por duhet t’i nderojmë këta jashtëtokësorët, si i quan Lush Rebeli! Duhet të kujdesemi që  në vendet e nderit  t’u bëjnë vend, kurse karshi tyre do të ulen agjentët e agjentet e shërbimeve jashtëtokësore që veprojnë në kryeqytet!

- E di, vëlla Harun! E di, por dhembja për Rahilën po ma ha shpirtin! Pa Rahilën , më beso nuk mund të jetoj, edhe pse...?

-Edhe pse ishte spiune e shumëfisht, ?!- ironizoi Haruni.

- Shpërblim më të mirë se vdekjen e Rahilës kurrë nuk kemi pasur! – u përgjigj Akuni.Vdekja e Rahilës shpëtimi ynë! Pëëësssst! Harroje Rahilën pëgjithmonë, Harun Bixhozxhia!

- Mos ti....?! Mos ti ....? !

- Çka mos ti...?! Mos ti...!

-  .... vare Rahilën!?

- Grua imja ishte Rahila!

- Por edhe unë kisha hisen time të Rahilës, Akun!

- Sa cikrrimtar je Harun!

- Sa mizantrop je Akun!

- Lëri llafet tash, im vëlla! Ka kurva si Rahila sa të duash në kryeqytet, nga gjithë bota kanë ardhur! Po Lugati ku mbeti?!

Pështjellan i prapshtë është i ziu! Sa duket , zhduket si shurra e pulës!

- Ja, erdha! u përgjigj Lugati pa e thirrë njeri. Sa kokëtrashë të padurueshëm  jeni ju Akunët! Shkoni në ceremoni mortore si në dasmë! Spiunët  matufë! Ti Akun lëre atë të mallkuar nekrologu që ka  shkarravitur  anonimusi!  Dëgjoni!  Mirë dëgjoni! Sonte mos e përmendni Rahilën! Sonte vetëm vajtoni Rahilën! Kujdes! Nuk guxoni të qeshni! Ti, Harun shkul flokët e loto,  shkarravitu në dyshemenë e hotelit , shtiru gjeja se je  çmendur për Rahilën! Mos harroni të  bëni si ju  mësova! Thoni se Rahila kishte kohë që ishte çmendur! Varja e saj duhet të arsyetohet me çmendurinë e saj! Qëllimi arsyeton mjetin! Fjalimet mbani të shkurta dhe shumë  patetike! A kuptuat?! Tregoni në  vepër artin e spiunit!  Aktëroni    mirë se aktorët e teatrit të kryeqytetit! Garë aktrimi  sonte do të jenë të shtatat për Rahilën! Nekrologun për Rahilën do ta lexoj unë , kurse kujtime për Rahilën do të shpalosin Tatlije fallxhesha e Dudie hanmi! Pajtoheni  sipas  skenarit  tim?!

Të dy vëllezërit në fytyrat e të cilëve tanimë dukej ashiqare dhembja fallse për Rahilën, pasi aprovuan  pajtimin me skenarin e ceremonialit të Lugatit, hipën në makinën e zezë dhe mespërmes qendrës së kryeqytetit,  u nisën  drejt hotelit me pesë yje . 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora