Kulturë
Poezi nga Vaso Papaj
E diele, 24.10.2010, 01:31 PM
Vaso Papaj
1 9 9 1
Vite kan’ kaluar, humbur në mërgim
Nuk e di ç’ ësht’ bërë me qytetin tim
Botën kam shetitur, kam ndryshuar shumë
Po t’mos kisha ikur, do t’isha po unë.
Nuk e di përse, veç për ty mendoj
Moj rrugicë me lule, nëna të pagojë
Do të doja shumë t’ isha një ulli
Aty përmbi kodër gjer në përjetësi
Tepër vonë tashmë e unë s’ kthehem dot
S’ do më njihte kush, i kthyer në robot
Ditën jam në ëndërr, natën flas në gjumë
Dhe pse kam ndryshuar,përsëri jam po unë.
Nuk të harroj dot qyteti im ndër vite
Moj rrugicë me lule që mezi më rrite
Sa shumë do të doja të isha një ulli
Mbirë aty mbi kodër, sytë në kaltërsi.
Me këtë poezi Zihni Beqiraj ka kompozuar këngën “Në përjetësi” të cilën së afërmi do ta prezantojë këngëtari i njohur Sherif Merdani
Nëna e valëve
(me motive himarjote)
O Neço*, ngriu nga varri,
bëje këngën për së pari.
Vajz’ e valëve s’ësht’ këtu,
e rrëmbyen valët blu
Ngrihu , Neço dhe këndo,
s’ka as nuse, jo, mor jo!...
Koh’ të tjera sot kan’ dalë,
bëj’ një mund e këmbe fjalë.
O Neço, ngriu nga varri,
zër sokakun për së mbari.
Port’ më port’ lësho një zë,
nga tri plaka, mbetur një…
Kalo sot e kalo mot,
nëna valët i përlot.
Qan nat’ e qan ditë:
O kurbet, na thave sitë**
Ngrihe, Neço, zën e saj,
Çik’ e Qorre maj’ më maj’
Zëri nënës, kënga jote,
të mos tretet nëpër mote.
*Neço Muka këngëtari i shquar himarjot i viteve njëzet tridhjetë.
**sitë-forma dialektore e fjalës sytë.