E shtune, 27.04.2024, 10:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Thani Naqo

E diele, 24.10.2010, 06:24 PM


Thani Naqo

 

 

KUR JAM I MËRZITUR

Kureshtjen mënjanoj nga ngjarjet tragjike,

Përgjoj xhezven kur ende s'ka marë valë.

Shikimi im vëngërosh mer veti magjike,

Mbi orendi, gjymtyrë dhe kulprat përballë.

 

Mëndjen ma thëthin vetiu vëndlindja,

Gjurmoj numra në telefonat e tejshme.

Me gllënkat e kafes gëlltis lajmet e këqia,

Ndërlikoj bisedat me vitet e hershme.

 

Kur jam i mërzitur, derdh dufin në vargje,

Hithrohen mendimet, fraza prozaike.

S' ka ndrim stinësh, as kapërcim pragjesh,

Porta të mbyllura shoh, boshllëk e braktisje.

 

Dëgjoj daulle e s' mar vesh nga vijnë,

Hapësirave verdhashe, apo të largëtave dete?

Lumenjtë kthehen prapthi, pyjet oshëtijnë, 

Këngë paslufte dëgjoj e ngjethje klarinete.

 

Kur jam i mërzitur zemërohem me veten,

I dehur mes dyshimesh ku mbytet shpirti.

Përkëdhelia e ashpër e trungjeve të pemëve,

Më mjafton t' ia filloj e njëherë nga hiçi!

 

KUR JAM I GËZUAR

 

Kur jam i gëzuar, bari bëhet më shumë jeshil,

Lulet e kaltëra i gjej ku janë fshehur.

Koha s' më dhimbset, nëse vëzhgoj një kërmill,

Me jargë ai mjekon trungun e shëmbur.

 

Kur jam i gëzuar, dyshimet marin arratinë,

Fantazinë time s'e vë dot në fre.

Fëmijërive u jap shpresë e të shtypurve lirinë,

Me kombin e coptuar krijoj një Atdhe!

 

Kur jam i gëzuar, më shkurtohet rruga e gjatë,

Sa shpejt mbrrij për ku jam nisur!

S' më dhimbset koha e te fundmes dekadë,

Të shoh e prek ato që kam pritur.

 

PËRNDEZJE

 

Ç'janë përndezur sonte stërnishtat,

Lëngëzon rrakita dhe filiz'i shelgut.

Trëndafil'i egër me shpoi gishtat,

Kulloshtër e hënës mbi gjoks derdhur.

 

Platitur gu-gu-ja e tufës gjumashe,

Trungjet e shelgjeve si barinj të prapë.

Shpalosin gunat në vallen çobanëe,

Ngjeshin calikët me kulloshtër e djathë.

 

Flakërojnë lajthishtat e thanat në korije,

Qyqja e vetmuar strukur nën degë.

Drapër'i hënës kosit pllajave drite-hije,

Gjoksit vajzëror florizojnë dy shegë.

 

SFOND I TRISHTE

 

Sfond i trishtuar edhe çasti ynë i fundit,

Në sytë e gjelbër shkëndia zemërimi.

Mjegulla zvaritej mbi rrjedhen e lumit,

Në vetullat e saj sinjak dimërimi.

 

Ç'u ftohën ditët e fundvjeshtës tonë,

Dritherojnë rrakitat, kudo leskra akujsh.

Trungjet e shelgjeve si barinj të gjorë,

Vjen rrotull mbi to re e zezë gargujsh.

 

Kashta e stërnishtave sot është nxirë,

Mullaret e barit si kukudhë mjeranë.

Në shtratin e tyre netët kemi gdhirë,

Sot trishtim në sfondin pa fund e anë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora