E diele, 28.04.2024, 06:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: Klea

E diele, 24.10.2010, 06:15 PM


Sami ISLAMI

 

KLEA

 

(Tregim)

 

Mbaj mend se u linda në spital në praninë e mamisë, tetës Donë dhe babit. Posa dola në këtë botë njeriun e parë që  pashë ishte mamia. Ajo qe   e para që e dha lajmin: „Vajzë qenka, urime!“ Fëmija qenka i shëndoshë – tha. Dhe pasi më peshoi  tregoi se edhe peshën e kisha normale. Ajo më prekte gjithandej nëpër trupin tim, dhe kur më preku në krye, tha: „U,  sa mirë,  kryet e paska të fortë! Rrallë kam pa kësi fëmije!“ Kjo „rrallë kam pa kësi fëmije“ më bante krenare, po u inatosa shumë në maminë që më tha se unë kisha „krye të fortë“! Çfarë donte të thoshte vallë me këtë? Më shkoi mendja t’i thosha edhe unë asaj:  „Pse çfarë krye paske ti, të butë a?“ - por nuk ia thashë, sepse frikohesha se mos po e hidhëroja. Nga inati që më tha ashtu mamia ia nisa vajit, sepse kjo ishte mënyra e vetme për të shprehur mendimet  dhe ndjenjat e mia. Përveç mamisë vërejta se aty ishte babi dhe teta Donë.  Nuk e pata fort bezdi për praninë  e mamisë dhe tetës Donë aq  sa për praninë e babit, i cili për herë të parë me pa ashtu lakuriq! U turpërova, sa u skuqa u bëra spec në fytyrë,  po s’kisha ç’të bëja. Krejt ajo çfarë mund të bëja ishte të qaja, edhe pse  e pashë që askush s’mërzitej fort, përveç mamit,  për vajin tim. Përkundrazi, i vëreja  se të gjithë u gëzunë për lindjen time.  Më duket se u gëzu pa masë edhe teta Donë . Ajo madje e mori telefonin dhe i telefonoi dikujt të vinte. Se me kë foli nuk e di, por e dëgjova kur iu tha se kishte lindë një vajzë shumë e bukur! Nuk vonoi shumë dhe aty në spital erdhën gjyshi e gjyshja. I vëreja se edhe ata  ishin shumë të gëzuar për lindjen time.  Më shikonin të gjithë me dashuri dhe me buzëqeshje. Me thanë të vërtetën më vinte mirë që të gjithë po më prisnin në atë mënyrë. Unë isha në qendër të vëmendjes në ato çaste!  Sytë ende i kisha mbyllë, megjithatë vëreja se para fytyrës sime më shkreptinin herë pas here drita të forta si  rrufe. Ç’mund të jenë vallë këto drita? -, thosha me vete. Dhe dikur e gjeta çastin,  kur ata po bisedonin në mes vete , i hapa sytë pakëz (se deri atëherë nuk i kisha hapë asnjëherë) dhe pashë fotoaparate të drejtuara nga unë.  Ata po më  fotografonin mu! Uh sa më bezdisnin këto drita dhe  këto farë aparatesh fotografike, edhe pse, me sa shihja, askush nuk e çante kokën se si ndihesha në ato momente!  Ata po bënin qefet e tyre! Për t’i mbrojtë sytë nga këto drita të mërzitshme, s’kisha ç’të baja tjetër, pos që t’i mbaja sytë mbyllë edhe ma tej. Se po t’i hapja do të verbohesha nga këto drita të mallkuara! Thosha me vete: “Si janë kështu këta të rriturit, më fotografojnë pa më pyetë hiç”!

 

- “Edhe pak dhe duhet të dilni nga këtu!“ - tha mamia. Dhe ashtu u ba. S’vonoi shumë  dhe unë me mamin, babin  u gjendëm në dhomën ku na tha mamia. Dhoma ku më vendosën tani ishte shumë ma e madhe. Ajo ishte e ndarë në katër kande, por vetëm  me perde. Në njanin kand  isha unë me mamin. Në kandet e tjera kishte fëmijë dhe njerëz të tjerë. Gjatë gjithë kohës sa qëndrova aty  vazhdimisht dëgjoja urime, që përziheshin me vajet e fëmijëve të tjerë. Nëpërmes zhurmës së fëmijëve që qanin në intervale e nganjëherë edhe si në kor,  dëgjoja (kur nuk kishte shumë zhurmë) komentet e të rriturve, se ky fëmijë po i përngjaka babit të vet, tjetri nanës, tjeri dajës e kështu me radhë...Për mu më duket se vetëm teta Donë tha se i paskam përngja mamit. Babi nuk foli gja.  Fillova të ndij uri. Më duhej ta merrja racionin e parë në këtë botë, dhe meqë nuk dija se si t’i thosha mamit se jam e uritur me fjalë, ia plasa vajit me të madhe. Dëgjova që dikush nga familja jeme i tha mamit: „Jepi qumësht me shishe“! Po mamia që kujdesej vazhdimisht për mu dhe mamin tem  refuzoi:„Nuk ban – tha- të mësohet me shishe, se nuk e merr gjinin e nanës  pastaj”. Për t’iu shmagë ushqimit me shishe (pra me biberon), mamia i sugjeroi mamit të më jepte qumësht me  gotë! Desha s’desha ia nisa të pija qumësht me gotë! Sa vështirë m’u duk!  Merre me mend ditën e parë të jetës të pija qumësht me gotë! Po s’kisha çka me ba. Ia nisa me pi qumësht ashtu  qysh më thanë. Gjyshja e mori një lloj gote të vogël dhe nisi të më ushqente me të,  por meqë ende nuk kisha haber si pihet qumështi me gotë, gati gjysma e qumështit m’u derdh në rroba! E di se gjyshen e futa në punë për  me m’i ndërru rrobat, por për m’u ngi  u ngiva dhe ma nuk qava.

Në kandin e dhomës ku unë rrija, pas pak erdhën edhe dy dajat e mi. Erdhi Kobi dhe Labi dhe fill pas tyre edhe daja Genc. Edhe ata ishin shumë të gëzuar që po më shihnin. Po gjyshin dhe gjyshen prej babe nga Kosova nuk i pashë.  Ah, sa kisha dëshirë të ishin këtu! Megjithatë, thashë me vete, sigurisht ata nuk  paskan mundë me ardhë, po s’prish punë se, sa të rritem pak bashkë me mamin dhe babin do të shkoj vetë në Kosovë e do t’i takoj.

Aty në dhomën e spitalit shoh se ishin mbledhë rreth meje të gjithë: mami, babi, teta Donë, gjyshi e gjyshja prej nane, si dhe dajat që erdhën ma vonë. Në këtë atmosferë hareje e përgëzimesh për lindjen time,  u dallu zani i teta Donës, e cila tha:

- Si po ia leni emrin, ore?

I pashë se të gjithë i drejtuan sytë kah mami  dhe babi, sikur të donin të merrnin vesh për vendimin e tyre. Se fundja ata do ta merrnin vendimin përfundimtar . Babi tha se mamit ia  kishte lanë për ta thanë  fjalën vendimtare. Kështu tha aty publikisht po unë i kisha dëgju se babi i kishte thanë mamit  se cilin emër kishin vendosë të ma linin në kohën kur ishim vetëm ne të tre.

- Pa, hë de, si keni vendosë për emrin?- ndërhyri gjyshi.

- Klea! – tha mami. Në kandin e vogël të dhomës së spitalit shpërthyen urimet, duke ua uru prindëve të mi emrin tem. „E gëzoftë emrin dhe u rritë me prind“, uronin njani-tjetrin.

 Atë natë pa dëshirën time  m’u desht me ndejtë në spital,ngase mamia i kishte thanë mamit nuk mund të dalësh pa i ba vajzës edhe disa kontrolle mjekësore të nesërmen. Pra,  duke e pritë kontrollin përfundimtar të mjekut,  e kalova  edhe një natë në spital duke pi qumësht ma shumë  me gotë, se nga mami jem ! Uh sa e gjatë m’u duke ajo natë!

 

Të nesërmen kah mesdita erdhi mjekja të më kontrollonte. E dëgjova kur i tha mamit se sot do të shkonim në shpi. Nuk di si m’u duk vetja. Në ato çaste m’u duk se po fluturoja nga gëzimi! Po shkoja për herë të parë në shpi, aty  ku do të jetoja përgjithmonë! Si dukej spitali, e pashë, po shpija, vallë, si  do të më duket, mendoja me vete.

 

Babi e kishte ba gati edhe shtratin e vogël, si shportë, për mu,  se  mamia i kishte thanë ma heret  se pa të as që do të më lëshonin fare nga spitali. Mami më vendosi në atë shtratin  si shportë që kishte formën gjysëm të lakuar. E dëgjova gjyshin kur  i tha mamit të mos më vendoste aty se kjo mund të ma deformonte  trupin tim të njomë. Po për çudi  mu pikërisht po më pëlqente ky lloj shtrati, ndoshta se isha mësu të rrija kështu, sepse kisha qëndruar ashtu me mujë të tanë para se të lindja! Bile ky shtrati si shportë më pëlqeu aq shumë sa gjatë gjithë rrugës fjeta shumë rehat! 

 

Ma në fund erdha në shpi. Sa i bukur m’u duk ambienti në shpi! Aty fillimisht nuk kishte zhurmë fëmijësh dhe tollovi njerëzish  si në spital. Më kaploi një ndjenjë e çuditshme kur po e kaloja pragun për herë të parë në shpinë time! Nga mallëngjimi apo nga gëzimi, nuk di se si, me erdhi të qaj. Dhe qava aq shumë sa fillunë të merakosen të gjithë për vajin tim. Gjyshja e akuzonte gjyshin se gjoja ai „i kishte sytë e këqij“ , se ai më kishte ‚marrë mësysh‘. E përdornin këtë fjalë , të cilën s’e kisha dëgju ma parë. Sipas gjyshes  kjo ishte arsyja pse unë po qaja. Po gjyshi  e akuzonte gjyshen, se mu për shkak  të mësyshit të saj po qaja unë.

 U ba një debat aq i madh lidhur me këte temë, sa ma nuk doja t’i dëgjoja. Nuk doja t’i dëgjoja se nuk ishte aspak e vërtetë këto që po thonin gjyshi e gjyshja për punën e „syve të këqij“. E vërteta ishte se unë kisha nevojë për ma tepër qumësht, të cilin posa e mora dhe u ngiva, në vend të vajit ia futa gjumit!.

 

Në shpi, mua  dhe mamin më vendosën në dhomën tonë  të qetë dhe të rregulluar. E dija se dhoma jonë ishte në katin lart,   ngaqë kur hyra në shpi, i hapa pakëz sytë ta shikoja shpinë time, në të njetën kohë i dëgjova hapat e shkallëve kur u ngjit babi me shportën ku unë po qëndroja. Në mbramje shpia jonë u mbush plot me mysafirë. U ba prap zhurmë sikur kur isha në spital.  Erdhën thuja të gjithë dajat dhe tezet  e tjera për urime. I dëgjoja të rriturit që po bisedonin në dhomën e pritjes, kurse aty me mu, në dhomën teme ishin tezet e tjera, me te cilat më pëlqente të rrija. Më flisnin ambël Tina, Keta e Nila, por unë s’mund t’u përgjigjesha, se s’dija  me folë. E ku mëson njeru me folë për dy ditë jete!

 

Sido që të jetë puna, vërtet, çuditesha me veten teme që unë, një vajzë e vogël sa një mistrece, e vura në lëvizje gjithë shpinë! Më duket që ma së shumti e vura në lëvizje gjyshen, e cila ma  nuk po ankohej se po i dhambin kambët, shpina apo  se ishte e lodhur qysh ankohej vazhdimisht . Sigurisht unë ndikova që ajo të mos kishte ma lodhje, si edhe  t’i humbte kilogramët e tepërt, për të cilët, siç mora vesh ma vonë, vazhdimisht ishte anku ma parë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora