Kulturë
Anastas Konstandini: Piktorët kosovarë i ka rrëmbyer modernia
E shtune, 30.10.2010, 09:52 AM
Bardhyl Berberi, Gazeta Shqiptare
Piktori Anastas Kostandini çeli në Prishtinë ekspozitën "Udhëtimi i piktorit nëpër Shqipëri". Ekspozita u mbajt në një nga sallat kryesore të Prishtinës, ku qenë ekspozuar 25 peizazhe të realizuara nga "Piktori i Merituar". Anastas Kostandini bashkë me veprat e tjera, çoi në Prishtinë edhe 35 grafika kushtuar veprës së mjeshtrit të prozës shqipe, Mitrush Kutelit. Ai u ftua në Kosovë nga Ministria e Kulturës. Në çeljen e ekspozitës, kritiku i artit figurativ në Kosovë, Mustafa Ferizaj është shprehur: "Jam shumë i entuziazmuar me këto vizione realiste të Tasos, pasi ne jemi të lodhur së tepërmi këtu në Kosovë me ekspozitat moderniste që vazhdojnë të kryejnë eksperimente pafund". Ndërkohë, piktori Kostandini iu ka thënë të pranishmëve se të pikturosh peizazhin shqiptar është dëshirë dhe pasion i përhershëm. "Udhëtimi im, - ka theksuar Kostandini, - është anekënd viseve shqiptare. Në qytetin tim të lindjes Pogradec, në Korçën e Vangjush Mios, Strugën poetike, Gjirokastrën, këtë qytet magjik të UNESCO-s dhe Beratin e 1000 dritareve". Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", ai ka folur për pikturat e tij dhe për "vizitën" në Prishtinë.
Përse e titulluat ekspozitën tuaj "Udhëtim nëpër Shqipëri"?
Këtë vit kam kaluar një verë të jashtëzakonshme, që shpalosi gjithçka të bukur me dritë, ngjyra e ngrohtësi dhe vendosa të bëj një udhëtim në vende ku ka peizazhe realiste. Vendosa të vizitoja bukuritë e Shqipërisë, duke e filluar nga qyteti im dhe duke vazhduar me Korçën, Gjirokastrën, Beratin, Strugën etj. Kështu, munda të sjell atë sharm të veçantë që kanë këto qytete. Kam kapur peizazhet e Linit, derdhjen e ujërave të Drinit në liqen në Strugë, Beratin, lagjet karakteristike të Gjirokastrës etj.
Shkuat në Prishtinë me një cikël pikturash realiste. Përse?
Për dy arsye. Së pari, se kolegët tanë në Kosovë janë larguar nga arti realist i të pikturuarit. Ata janë rrëmbyer vetëm nga arti modern dhe postmodern. E çova këtë ekspozitë për të provokuar një temë dhe për të sjellë një diskutim artistik mes kolegësh që kanë harruar pikturën realiste. Së dyti, në Shqipëri vijnë për të kaluar pushimet shumë kosovarë dhe unë iu dërgova këto peizazhe, që ata të njohin më thellë bukuritë e Shqipërisë.
Keni qenë më parë në kryeqytetin e Kosovës me një ekspozitë?
Po, kjo ishte hera e dytë. Ekspozita ime e parë në Kosovë ka qenë para 11 vitesh. Më duhet të them se kësaj radhe unë munda të ndjej vërtet aromën e Kosovës së lirë.
Ju, përveç 25 peizazheve të Shqipërisë, ekspozuat edhe 35 grafika rreth veprës së Kutelit...
Po. Unë kam ilustruar veprën e Kutelit "E madhe është gjëma e mëkatit". Desha të bëj një sfidë me këto grafika duke ditur që Mitrush Kuteli ka qenë shumë i botuar edhe në Kosovë. Me një kreativitet të lartë dhe një teknikë komplekse grafike në përputhje me misterin biblik, jam munduar të ngre në art idetë e Kutelit të madh në këtë vepër të përkryer.
Si u pritët në Kosovë nga kolegët tuaj ?
Të them të drejtën, ekspozita u prit mirë, por ata u shprehën me tone kritike ndaj drejtuesve të dy ministrive të Kulturës për pamjaftueshmërinë e kontakteve midis këtyre institucioneve. Ja si thanë disa prej tyre, të cilët po i citoj fjalë për fjalë: "Edhe ne kosovarët kemi nevojë që të shohim Onufrin tonë, Vangjush Mion dhe Odhise Paskalin". Ata theksuan se duhet urgjentisht që të vendosen urat e një bashkëpunimi të frytshëm dhe konstruktiv.