E premte, 02.05.2025, 02:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Malltezi: Aleks Buda dhe Skënderbeu

E shtune, 30.10.2010, 02:37 PM


Aleks Buda dhe Skënderbeu

 

Nga Luan Malltezi, Gazeta Shqiptare

 

Buda është shquar si studjues i Skënderbeut; ai është edhe studjuesi i njohur kritik i veprave historigrafike kushtuar heroit tonë. Buda ka qenë ndërkohë personaliteti i njohur që iu përkushtua drejtimit të punës për hartimin e bibliografisë së Skënderbeut nga Biblioteka Kombëtare. Ai është edhe edhe autori që ka bërë reçensionin e thelluar kritik mbi veprën e Nolit " Gjergj Kastrioti Skënderbeu" , botuar në Neë-York më 1947. Lexuesi mund të konstatojë aty lehtë, se Buda njihte thuajse plotësisht burimet arkivore të kohës dhe literaturën përkatëse. Kjo të shtyn të mendosh se Buda ndiqte prej kohësh figurën e Skënderbeut për t'i kushtuar, me sa duket, një studim monografik. Dhe kjo nuk ka përse të na çudisë po të kemi parasysh vendin e veçantë që zinte Skënderbeu në historiografinë shqiptare.

Siç konstatohet edhe nga të dhënat bibliografike të veprimtarisë shkencore të Budës në botimin "In memoriam" të Akademisë sonë të Shkencave, Buda ka lënë shumë shkrime të thelluara mbi Skënderbeun dhe epokën e tij. Detyra jonë në këtë takim është të vëmë në dukje kontributin e tij.

Mendoj se nuk gaboj, nëse them këtu se kjo nuk është një detyrë e lehtë për t'u kryer si duhet në këtë komunikim të shkurtër, që organizohet sot me rastin e 100 vjetori të lindjes së tij. Themi kështu, për faktin se Buda është marrë me probleme të shumta mbi Skënderbeun dhe periudhës e tij, probleme, që ai me të drejtë i konsideronte "të rendësishme". Kuptohet se në mungesë të kohës, ne do vëmë në dukje këtu disa nga këto.

* * *

Buda shtroi për herë të parë në histografinë shqiptare kërkesën shkencore "për një kuptim të drejtë të epokës dhe të heroit". Perse vallë?

Buda vinte në dukje se në literaturën historiografike dhe publiçistike - letrare mbizotëronte vlerësim pozitiv për Skënderbeun, ai konsiderohej si një nga herojtë e mëdhenj të historisë, shëmbull frymëzues për luftën dhe çlirim kombëtar të Ballkanit e të Europës në përgjithësi. Buda konstatonte me mprehtësi se ky vlerësim, nisej në shumicën e rasteve, nga vetitë personalitetit të heroit; autorët e shihnin atë si "kordhëtar" të madh si "luftëtar për lirinë" për "krishtërimin" etj.. Buda vinte re se Skënderbeu paraqitej i shkeputur nga ambienti shqiptar dhe sfondi konkret historik - shoqëror i kohës. Si pasojë njerëzit më të cilët jetoi e luftoi luanin vetëm rolin e figurantit.

Buda tërhiqte vëmëndjen se kishte ndërkohë edhe pikpamje që nënvlehtësonin figurën e Skënderbeut; Fojti (G.Voigt) psh, historian kritik i fillimit të shek XX, shprehte mendimin skeptik mbi Skënderbeun si sajesë, apo flluskë sapuni të fryrë nga humanisti shqiptar Barleti; historianë të tjerë (Jorga, Marineskuu etj.,) e konsideronin Skënderbeun një figurë të nxitur nga Venediku, Napoli, Papati. Në sytë e tyre Skënderbeu nuk ishtë gjë tjetër, veçse një udhëheqës "bandash malësore" ose "kondotier i zakonshëm i shek.XV" Forcat e brëndshme të vendit që luftonin me Skënderbeun u dukeshin këtyre historianëve të pamjaftueshme për të shpjeguar luftën antiosmane që udhëhoqi heroi shqiptar. Këto vlerësime të gabuara vinin si pasojë e njëanshmërisë së burimeve historike; studjuesit e mësipërm kishin rënë - sipas Budës viktimë e këtyre burimeve . Pushtimi osman -shkruante Buda - e kishte bërë vendin tonë "tabula rasa" për sa u përkiste monumenteve e dokumenteve historikë të vendit. Burimet dokumentare për periudhën e - bënte të ditur ai vijnë nga arkivat veneciane, napolitane, papale, raguzane; ato paqyronin veprimtarinë e kancelarive të këtyre shtetëve në lidhje më Shqipërinë në fushën ekonomike, politike, ushtarake. Nga këto materiale duket sikur rolin kryesor e kanë luajtur të huajt në Shqipëri.

Buda hodhi mendimin se Skënderbeu mund të vlerësohej drejt "vetëm duke u nisur nga kushtet historike në të cilat ndodhej vendi, nga detyrat që shtronte epoka dhe nga shkalla në të cilën mundi të realizonte ato heroi ynë. Kushtet ekonomike e shoqërore të epokës përbëjnë sfondin e domosdoshëm për një kuptim të drejtë të Luftës Shqiptaro-Turke të shekullit XV; që këtej dilte qartë roli dhe funksioni historik i Skënderbeut si burrë shteti dhe strateg në plan të brendshëm dhe të jashtëm".

 

Klasa së cilës i përkiste Skënderbeu dhe struktura sociale e kohës

 

Buda ka meritën se diti të trajtojë drejtë problemin e klasës së cilës i përkiste Skënderbeu. Pse lindi ky problem? Ky problem lindi nga Noli; sipas tij në Shqipëri nuk ekzistonte diferencimi shoqëror dhe ndarja në klasa në pronar toke dhe bujkërobër; tek " dhe shokët e tij - shkruante Noli kemi të bëjmë më krerë që nuk janë feudalë por krerë patriarkalë" "Klasa së cilës i përket Skënderbeu - vijon më tej Noli- është një klasë që është më afër fshtarësisë së çdo klasë tjetër; karakteri i kësaj aristokracie të vogël ose më mirë i artistokracisë provinciale janë : ajo nuk ka bazë ekonomike dhe prandaj nuk formon një klasë më vete".

Buda kritikoi këtë pikëpamje; ai kritikoi Nolin se nuk kishte parë drejt strukturën sociale ekonomike të Shqipërisë në shek XV. Buda solli argumenta të shumta që provonin se aristokracia formonte një klasë më vete, me tipare të përcaktuara mirë, klasën feudale; autori vinte në dukje dokumente të njohura të Gjon Kastiotit, ku rreshtohen detyrimet në natyrë, angari dhe të holla që i detyroheshin atij si kryezot fshatarët bujkërobër në zona të brendshme të vëndit. Pas ketyre fakteve, Buda konkludonte se "në domenët e Gjon.Kastriotit sundonin raporte feudale tipike për gjithë mesjetën" Buda provoi se struktura themelore e shoqërisë shqiptare në kohë të Skënderbeut ishte feudale: "Raportet feudale, -shkruante ai - ishin raporte themelore që përcaktonin karakterin e shoqërisë shqiptarë të asaj kohe. Fakti që Skënderbeu rezultonte si pjestar i kësaj klase nuk ishte aspak në kundërshtim me karakterin popullor të lufte antiosmane.

 

Familja e Kastriotëve, ngritja

 

Buda është marrë mënjë problem tjetër të rendësishëm lidhur me vëndin e kastriotëve si familje e parë e vendit Buda vinte në dukje se zotërimi i Kastriotëve (domena e tyre - siç e quan ai) zinte një pozitë qendrore në tokat shqiptare nga Shufadaja pranë Lezhës gjer në Prizren në Veri dhe gjer afër Beratit në Jug; përmes saj kalon në vija komunikacioni me rëndësi tregtare që lidhnin Veriun me Jugun, Lindje dhe Perendimin; këto dhe sillnin të ardhura të mëdha nga doganat ; kësaj pozite të domenës - shkuante Buda- i përgjigjej dhe pozita me rëndësi që zinte familja e Kastiotëve në mes feudalëve të tjerë; me anë të një sistemi martesash Kastriotët u lidhen më familje tjera kryesore të vendit. Buda ka paraqitur me mjeshtëri, me logjikë dhe intelegjencë të rrallë si historian, mendimin se Skënderbeu u kthye si ushtarak dhe burrë shteti i formuar kur filloi kryengritjen e tij të përgjithëshme në vitin 1443; Buda e nxjerr këtë konkluzion duke marrë në konsideratë faktin që Skënderbeu organizoi menjëherë pas kthimi të tij Kuvendin e Lezhës (2 mars 1443). Kjo do të thonte sipas Budës se Skënderbeu kishte nxjerrë mësimin e duhur nga luftërat e pasukseshme antiosmane, që kishin bërë deri atëhere prijësat e meparshem shqiptarë (Andrea Topia, Gjon Kastioti, Gjergj Araniti). Nga kjo përvojë e hidhur Skënderbeu nxorri mësimin e duhur se pa u përpjekur për të kapërcimin e përçarjes së vendit në një varg zotërimesh formalisht më vete, për shqiptarët e për luftën e tyre nuk do të kishte asnjë perspektivë për të fituar. Buda i jep rëndësinë e duhur Kuvendit të Lezhës dhe trajton gjërësisht vendimet që u morën aty. "Lidhja shënonte një hap më rëndësi vendimtare në historinë e Shqipërisë; ajo përfaqësonte organizmin e parë politik të vëndit tonë, bashkimin e parë të krahinave e të popullsisë të tyre deri atëherë të shkëputura. Buda megjithatë shkon më larg, ai bën të ditur se Skënderbeu në këtë lidhje ishte " i parë midis të barabartëve"; Lidhja qëndronte mbi baza vullnetare, pa mjete shtrëngimi ndaj zotërinjve kur këta kishin qëndrime të kundërta politike me të; komandanti epror (capitaneus generalis) i lidhjes, Skënderbeu, nuk kishte mundësi për të frenuar politikën luhatëse të feudalëve anetarëve të Lidhjes. Përvoja provonte se Lidhja nuk i siguronte Skënderbeut mbështetjen e duhur për t'i bërë ballë invazionit osman. Buda ka qënë i pari në radhët e historianëve që ka shpjeguar krijimin e pushtetit të përqëndruar të Skënderbeu. Si u bë ky hap i rëndësishëm para? Sipas Budës veprimet ushtarake kundër osmanëve sollën prishjen e kufijve tokësorë të zotërimëve feudale. Për të siguruar mbrojtjen e tyre Skënderbeu vuri në kështjellat kryesore të vendit reparte që ishin nën komandën e njërëzve të varur prej tij. Në këtë mëyrë, nga njëra anë u kufizua pushteti politik i feudalëve të mëdhenj, kurse nga ana tjetër, u zgjerua sistemi i proniave, të cilat Skënderbeu ua shpënndante në përdorim feudalëve të vegjël për shërbimet shtarake. Nga radhët e tyre dilnin kuadrot e aparatit ushtarak e administrativ, i cili kryente tashmë shumë funksione, që më parë ishin në duart e sundimtarëve feudalë. Buda shkruan se, gjatë dhjetëvjeçarit 1450 -1460 zotërimet e Skënderbeut u rriten në kurriz të zotërimeve të feudalëve të tjerë, të dënuar për tradhëti " . Buda solli dëshmi konkrete nga Gjon Muzaka lidhur me forcimin të pushtetit qëndror të Skënderbeut. "Pasi Skënderbeu u bë kryekomandant - shkruan Gjon Muzaka në "Kujtimet" e tij - ai vendosi të vinte dorë mbi gjithë vendin …Ai mbylli në burg zotërit Gjon e Gojko Balsha ….rrëmbeu tokat e tyre që shtriheshin ndërmjet Krujës dhe Lezhës; zotit Mojsi Komneni i mori principatën që ndodhej në Dibër… dhe pas vdekjes së atit tim na rrëmbeu Tomorricën dhe Myzeqenë e Vogël, e po kështu veproi ai me zotërit e tjerë …por ata nuk kishin çfarë të bënin fare, sepse në duart e tij ishte ushtria, kurse turqit mund t'i sulmonin në çdo kohë"

"Me politikën e zgjuar të shpërndarjes së feudeve të vogla ushtarake -shkruan Buda …pushteti qendror, si kudo në Europë gjeti te këta feudalë të vegjël një mbështetje efektive politike - shoqërore e ushtarake… Me një politikë të tillë të hapur nga poshtë, radhët e kësaj shtrese feudalësh të vegjël, vinin duke u shtuar, ndërca acaroheshin marrëdhëniet me feudalët e mëdhenj".

 

Rëndësia evopiane e epokës së Skënderbeut

 

Buda tërhoqi vemendje për rëndësinë evropiane të luftës antiosmane të shek XV Lufta heroike njëqindvjecare e popullit shqiptare kundër pushtuesve ishte pjesë e ngjarjeve historike me rëndësi botërore . Buda e krahasoi vërshimin osman të shek XIV-XV, me pushtimet arabe të shek VIII, si pushtime që kërcenonin gjithë qytetërimin evropian. Lufta fitimtare e Shqipërisë, që vazhdoi 25 vjet, i bëri të famshëm në të gjithë botën popullin shqiptar dhe udhëheqësin e tij".

Periodizimi historisë

Buda shtroi nevojën e periodizimit të historisë së shek XIV-XV për të përcaktuar që këtej, shkallën e zhvillimit ekonomik dhe vendin që zë një personalitet i shquar në histori.

Buda tregoi më qartë se kushdo tjetër vëndin që zinte në historinë shqiptare Skënderbeu. Autori vuri në dukje se funksioni i tij ishte " kapërximi i anarkisë feudale dhe ecja drejt formimit të një monarkie feudale të përqëndruar për formimin e një shteti kombëtar". Buda ka vënë në dukje edhe kujtimin e madh të Skënderbeut dhe të epopesë legjendare të shek XV deri në ditët tona . Trajtimi Skënderbeut nga Buda është në kundërshtim me pikpamjet e njohura të historianëve të huaj, të Fallmerajerit, Radoniçit që e quanin Skënderbeun një "meteor të shkëlqyer", që kaloi nëpër qiellin e Shqipërisë me një shkëlqim të feksur për t'u shuar shpejt pa lënë asnjë gjurmë, si gjithë meteorët, ashtu siç kishte ardhur dhe befas e i papërgatitur, sikurse të kishte lindur rastësisht në Shqipëri. Skënderbeu zë një vënd të rëndësishëm në ndërgjegjen sonë kombëtare; figura e tij - shkruan Buda - ngrihet lart në popull sa herë që vihet në rrezik liria e vendit. Flamuri Katriotëve u bë flamur i Shqipërisë.

 

 ________

 

Luan Omari: Kur Aleks Buda citoi Leninin për të mbrojtur historinë

 

Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare

 

Duket se mes tyre ka pasur një miqësi të madhe, përtej kornizave profesionale. Luan Omari dhe Aleks Buda u njohën në vitin 1975 dhe miqësia e tyre 'përfundoi' me ndarjen nga jeta të profesorit erudit. Edhe kur ky i fundit ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes, Omari vijoi ta vizitonte në shtëpi derisa ai iku përgjithnjë. Megjithatë, dje kur Akademia e Shkencave organizoi Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Budën me titull "Një jetë për Albanologjinë", juristi Luan Omari nuk mungoi. Vlerësimi për Budën duket të ketë qenë i madh. Luan Omari e cilëson atë si një njeri me kujtesë fenomenale, erudit, të gjithanshëm, gazmor e të këndshëm. Në konferencën e djeshme ku referuan Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi, Luan Malltezi, Feriod Duka, Pierre Cabbanes etj, dolën në pah edhe njëherë vlerat, meritat dhe kontributi i Budës në historiografinë shqiptare e më gjerë. Ne mundëm t'i shkëpusnim juristit Luan Omari një intervistë si mik i Budës. Gjatë saj, kujtimet janë ato që dalin në pah, duke na rrëfyer dimensione të albanologut por edhe çaste nga kohë të largëta.

Ju e keni njohur për vite të tëra Profesor Aleks Budën. Ç'do të thotë për ju kremtimi i 100-vjetorit?

Kremtimi i 100-vjetorit të lindjes së Prof.Aleks Budës na jep mundësinë të vëmë në dukje kontributin që ai i ka dhënë arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Ai ka pasur një rol të madh në mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë sonë historike e kulturore në raport me të huajt. Unë e kam njohur atë në vitin 1975 dhe kam pasur miqësi me të deri sa u nda nga jeta. Për mua ka qenë shumë i dobishëm. Ai ka pasur një kulturë të gjerë dhe ishte njohës i mirë i letërsisë, arkeologjisë dhe historisë. Buda kishte kujtesë të jashtëzakonshme, fenomenale dhe më lejoni t'ju them një episod. Në vitin 1993, pak para se të vdiste, ishte në banesë i paralizuar. Shkova ta takoja në shtëpinë e tij dhe e gjeta të shtrirë. Nuk e mbaj mend mirë se çfarë po bisedonim, por gjatë bisedës ai më tha një sentencë latine që më habiti. U habita se si një njeri i tillë që ishte afër vdekjes, kishte një mendje kaq të kthjelltë.

Pse e cilësoni atë si "ambasador të shkencës dhe kulturës shqiptare"?

Në konferencën shkencore "Çështja e Kosovës dhe Shqiptarëve në ish-Jugosllavi", që u zhvillua në Tiranë në prill të vitit 1993, publicistja e njohur dhe përkrahësja e flaktë e çështjes shqiptare, e ndjera Kristinë fon Kol, gjatë një diskutimi të saj deklaroi se ajo filloi të interesohej për problemet e shqiptarëve dhe u bë mike e Shqipërisë, pas njohjes me Aleks Budën. Duke shtuar se edhe mjaft të huaj të tjerë kanë filluar të ndjekin me simpati çështjen shqiptare pas takimeve me Prof.Budën, ajo e cilësoi atë si "ambasador të Shqipërisë në botën e jashtme". Mendoj se ky cilësim i zonjës Fon Kol pasqyron shumë mirë një aspekt të rëndësishëm të veprimtarisë së profesor Aleksit për të çarë perden e heshtjes dhe madje dezinformimit, me të cilën forca armiqësore shoviniste dhe studiues në shërbim të tyre janë munduar dhe mundohen ende sot të mbulojnë të vërtetën për kombin shqiptar, për të mohuar të drejtat e tij të ligjshme, të marra vazhdimisht nëpër këmbë.

Si i mbrojti Buda këto?

Në kushtet e vështira të izolimit të Shqipërisë nga bota e jashtme, izolim që favorizonte objektivisht nxirjen e imazhit të shqiptarëve dhe fushatat denigruese kundër vendit tonë nga qarqe të huaja, edhe akademike, të njohura për pikëpamjet e tyre shoviniste, ai mbrojti vendin e tij. Këtë detyrë fisnike në mbrojtje të kauzës së drejtë të kombit shqiptar, Aleks Buda e ka kryer me një frymë patriotike konsekuente, por edhe me vërtetësi shkencore, larg çdo pasioni shovinist, duke i qëndruar besnik parimit, që miku i tij i ngushtë Eqrem Çabej e përsëriste herë pas here: "Të jemi objektivë, por jo indiferentë". Brenda dhe jashtë Shqipërisë, në konferenca shkencore dhe në takime të veçanta, Buda ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për të përhapur të vërtetën shkencore. Erudicioni i tij i përgjithshëm, njohja e thellë e historisë së vendit tonë, zotërimi i shumë gjuhëve të huaja (dinte gjermanishten, frëngjishten, italishten, anglishten, rusishten, greqishten, serbo-kroatishten, përveç njohjes së mirë të latinishtes dhe greqishtes së vjetër), çiltërsia e komunikimit, e bënin bashkëbisedues të shkëlqyer dhe bindës.

Ai ka takuar shumë të huaj që erdhën para vitit 1990 në Shqipëri...

Shumë shkencëtarë, publicistë, njerëz të kulturës të vendeve të ndryshme, sidomos të Evropës Qendrore e Veriore që vinin në Shqipëri për probleme të ndryshme, kërkonin shprehimisht të takoheshin me Budën. Politikani i njohur gjerman, Franz Jozef Shtraus u njoh me Budën gjatë vizitës së parë në Shqipëri, u miqësua me të dhe ai, sidomos pasi vizitoi përsëri vendin tonë, u bë një mik i mirë i popullit shqiptar, kjo ishte meritë e Prof. Budës. Përmenda këtë rast, por ka shumë të tjera. Në mesin e viteve '80, erdhi në Shqipëri një grup i madh nga Shoqata Gjermane për Evropën Juglindore, i cili përfshinte parlamentarë, profesorë, gazetarë dhe afaristë. Prof. Buda mbajti një ligjëratë prej më se një orë në gjermanisht, në të cilën bëri një paraqitje të sintetizuar të problemeve kyçe të historisë së Shqipërisë, që nga lashtësia deri në atë kohë. Sapo mbaroi ligjërata, një profesor gjerman i kaloi Prof.Budës një shënim ku shkruhej: "Ju lumtë, kam qenë në shumë universitete të huaja, por nuk kam dëgjuar ndonjëherë një ligjëratë të tillë".

Ju ka rrëfyer ndonjë bisedë me Shtrausin?

Jo, nuk kam pasur rastin të bisedoj për këtë.

Meqenëse ishit miq, a ju fliste ai për problemet e veta? Çfarë e shqetësonte?

Më fliste, por jo për ndonjë gjë të veçantë. Shumica e tyre dihen, sepse janë bërë publike në librin që botoi për të e bija, Tatjana. Tani nuk më kujtohet ndonjë gjë. Kam qenë në shtëpinë e tij disa herë i ftuar në raste të ndryshme. Aleksi ishte njeri i këndshëm, gazmor dhe shumë i afrueshëm.

Prof. Buda ka qenë shumë "i afeksionuar" sa i takon shqiptarëve në ish-Jugosllavi...Si u përgjigjej ai tezave sllave?

Ai ishte patriot i madh dhe kishte debulesë të veçantë për Kosovën. Idetë e tija mbi të i ka shpalosur në vitin 1968, kur në Kosovë u bë një konferencë mbi Skënderbeun. Ai shkonte shpesh në atje dhe gëzonte respekt të madh. Aleks Buda në konferenca shkencore ndërkombëtare ka qenë edhe një polemist i mprehtë, i gatshëm për të përballuar me argumente shkencore tezat e kundërshtarëve. Vlen të përmendet një rast që ka ndodhur në Beograd, në Kongresin e V-të të shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve për Evropën Juglindore. Një studiues malazez, me tone të forta, duke cituar edhe Leninin, u përpoq të godasë nga pozita shoviniste tezat e historiografisë shqiptare për Rilindjen tonë kombëtare dhe për bashkimin tonë. Aty për aty, profesor Aleksi i dha një përgjigje të qartë, duke cituar përmendësh po Leninin, për të provuar të drejtën e çdo populli, pra edhe të shqiptarëve për vetëvendosje. Menjëherë pas diskutimit të Aleks Budës, atij iu afrua një profesor kroat për ta përgëzuar meqenëse i kishte bërë përshtypje jo vetëm forca e argumenteve, por edhe saktësia për t'u përgjigjur me diskutim të improvizuar një kundërshtari që lexoi një kumtesë të përgatitur me kohë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx