Kulturë
Adem Murati: Një libër shkencorë ndryshe për të burgosurit politik shqiptarë
E shtune, 30.10.2010, 06:06 PM
NJË LIBËR SHKENCORË NDRYSHE PËR TË BURGOSURIT POLITIK SHQIPTARË
Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990, botoi Sh. B. Logos-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2010, 600 f.
Nga Mr. Adem Murati
Kam nderin që, në këtë promovim, të përshëndetës të gjithë të burgosurit politik shqiptarë në krye me bacën Adem Demaçin-simbolin e rezistencës shqiptare kundër pushtuesit serb, pjesëmarrësit tjerë nga të gjitha viset shqiptare. Po ashtu dua të përshëndes udhëheqësit institucional të Anamorëvës në krye me kryetarit e Komunës së Gjilanit z. Qemail Mustafa. Përshëndetje për luftëtarët e lirisë, familjet e dëshmorëve, subjektet politike dhe jopolitike, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
Të përndjekurit dhe të burgosurit politik shqiptarë me punën , vuajtjet, persekutimet dhe gjithë veprimtarinë e tyre, dhanë kontribut të madh kundër dhunës, gjenocidit dhe padrejtësive që bënë pushtuesit serbë mbi popullin shqiptar. Shembulli i punës së tyre për lirinë e popullit dhe të atdheut ishte dhe do të mbetet inspirim për krijuesit e fushave të ndryshme shkencore dhe artistike. Përmes këtyre krijimeve ndriçohet e vërteta shkencore për kontributin e secilit individualisht dhe e të gjithëve, përgjithësisht. E kaluara jonë, si komb, sa do që ka qenë e vështirë, megjithatë ajo ka pasur edhe madhështinë e saj.
Në morinë e shkrimeve, veprave, trajtesave e tribunave të shumta që i janë kushtuar të burgosurve politik shqiptarë, pa dyshim për trajtimin shkencor që i është bërë kësaj teme, vend të merituar dhe të veçantë zë vepra: Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990 e autores Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, promovimin e së cilës po e bëjmë sot. Shkencëtarja Sabile Keçmezi-Basha me këtë vepër jo vetëm që po e pasuron fondin e krijimtarisë sonë historiografike rreth temës në fjalë, por ajo u jep studiuesve dhe lexuesve të dhëna që deri më tani kanë qenë shumë pak të njohura dhe jo sa duhet të ndriçuara në aspektin shkencor. Autorja në këtë vepër e ka arritur gamën e vështrimit të kësaj teme duke e trajtuar nga aspekti shkencor e historiografik. Në vazhdim do të përpiqem që në pika të shkurtra të shpreh mendimin tim lidhur me përmbajtjen e kësaj vepre, e cila meriton mendimin e duhur shkencor të studiuesve tanë.
Në vazhdim do të jap disa nga të dhënat e nxjerra nga libri voluminoz i autores Sabile Keçmezi-Basha. Sipas autores politika gjenocidale e pushtuesve serbo-sllav ndaj shqiptarëve pati zanafillë të hershme edhe para elaborateve famëkeqe të Garashaninit, Andriqit, Qubrilloviqit dhe ato të Akademisë të Shkencave serbe.
Përmasat e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve ishin të organizuara dhe të institucionalizuar nga çarqet më të larta të pushtetmbajtësve serbo-sllav. Këto masa u shtuan veçanërisht pas ripushtimit të Kosovës dhe trevave tjera shqiptare nga Jugosllavia në nëntor të vitit 1944. Janë të njohura masakra e Tivarit, Gjilanit, Drenicës, Ferizajt, Tetovës etj., duke vazhduar me procesin e Prizrenit 1945, aksionin e UDB-së për mbledhjen e armëve 1955-56, dhe shumë aksione tjera që vazhduan në vijimësi me demonstratat e 1968, 1981, me heqjen e autonomisë së Kosovës në mars 1989, dhe ai pas vitit 1990, kur filluan edhe konfliktet e armatosura me forcat ushtarake e policore jugosllave.
Pushteti ushtarak dhe ai institucional – shtetëror serbo-sllav, në vazhdimësi me dhunë gjenocidale të bërë ndaj popullit shqiptarë, qoi deri te një rrugë e vetme, që shqiptarët të organizohen e të mobilizohen me të gjitha forcat për të rezistuar kundër pushtuesve çetnikë-komunist serbo-sllav. Në fushatën kundër shqiptarëve, pushteti serbo-sllav i kishte shpallur element të rrezikshëm për Jugosllavinë, dhe njësitë e shumta ushtarake e të OZN-ës, që nga viti 1944-1945, u dënuan dhe u pushkatuan me dhjetëra mija shqiptarë, pa gjyq apo nga i ashtuquajturi “Gjyqi popullor”.
Edhe pse pushtetarët serbo-jugosllav kishin propaganduar dhe premtuar “liri” e “barazi” edhe për shqiptarët- kjo nuk ndodhi, por gjatë tërë kohës ndodhi “një kalvar” i vërtetë, me masakra masive , me shtypje politike, ekonomike e kulturore, me një robëri e padrejtësi të pa përballuar e cila vazhdoi deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999.
Kjo politikë dhe ky qëndrim gjenocidal shoqëror ekonomik e politik, i detyroi forcat kombëtare shqiptare të rezistojnë me forcën e armës, dhe kur kjo formë u detyrua për shkak të pasojave të ndryshojë taktikën gjatë viteve 1946- 1947, të kalojë në strategji të re, organizimin dhe veprimin i lëvizjes ilegale. Ndër të parat organizata për nga masiviteti ishte ajo Nacional Demokratike Shqiptare, ajo “Grupi i Lidhjes së Prizrenit”, e cila filloi të veproj nga vera e vitit 1949, duke vazhduar në organizatën “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë” e themeluar më 1957 nën udhëheqjen e Metush Krasniqit. Në maj të vitit 1960 formohet Organizata “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, kryetar i së cilës një zërit ishte zgjedhur Kadri Halimi. Edhe kjo organizatë e formuar në sistemin e tresheve, pati shtrirje të gjerë dhe sikur edhe organizatat tjera në program kishte kërkesat e Lidhjes së Prizrenit, Pejës, Bujanit dhe ONDSH, për çlirimin dhe bashkimin e gjithë popullit dhe trevave shqiptare në një shtet.
Në vazhdim të kësaj vepre mjaft voluminoze (600 f), autorja Sabile Keçmezi-Basha, vend meritor i ka dhënë organizatës me emrin “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e cila u formua në vitin 1963 nën udhëheqjen e militantit dhe veteranit Adem Demaçit. Pikat kryesore të programit të kësaj organizate ishin: 1. Bashkimi Kombëtarë dhe 2. Çlirimi Kombëtar, gjegjësisht “qëllim i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje nga Jugosllavia dhe bashkimi me nënën e vet – Shqipërisë-pohon Adem Demaçi.
Vend me rëndësi sipas autores të këtij libri zënë formimi i “grupit politik” të demonstratave 1968. Sipas të dhënave dokumentare thuhet se grupi politik për organizimin e këtyre demonstratave ishte formuar me 1964, atëherë kur nga pushteti jugosllav ishte zbuluar organizata ilegale me emrin: “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), kohë kur nga organet e pushtetit jugosllav u arrestua Adem Demaçi me shokë. Me këtë rast të pa zbuluar ishin mbetur të rinjtë Selatin Novosella, Ibrahim Gashi, Shemsi Hoxha, të cilëve më vonë iu bashkuan edhe Osman Dumoshi Adil e Ilaz Pireva. Anëtarët e kësaj organizate kryesisht ishin të rinj, student dhe intelektual, patriot të dalluar, të cilët ishin të përndjekur dhe torturuar nga organet e pushtetit serbo-jugosllav. Në fillim anëtarët e kësaj organizate kishin shpërndarë flamujt kombëtarë në tërë Kosovën, por treshja e parë u arrestua nga udbashët; por grupet tjera e vazhduan veprimtarinë. Në kërkesën e grupit të arrestuar në një shkresë dërguar SPB-së të Prishtinës kërkohet lirimi nga burgu i Adem Demaçit.
Përkundër arrestimeve dhe burgosjeve, numri i grupit shtohet dhe në gusht të vitit 1967 iu bashkëngjitën edhe Gjeladin Rakaliu, Afrim Loxha dhe Skënder Muqolli. Në shtator 1968, grupi vendos të organizoj demonstrata që u bënë më 27 nëntor 1968. Këto demonstrata u zhvilluan në shumicën e qyteteve të Kosovës, si dhe në viset tjera shqiptare të Maqedonisë. Demonstrata e parë u organizua në Prizren dhe si parullë kryesore ishte “Kosova Republikë”, e cila ishte kërkesë e mbarë popullit shqiptarë. Përmes kësaj kërkese parashihej barazohej me popujt tjerë të Jugosllavisë në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik- gjegjësisht ishte realizimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve, e cila kërkesë u realizua vetëm me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qershor të vitit 1999.
Në vazhdim, në veprën të cilën po e promovojmë sot, vend meritor zë paraqitja e veprimtarisë të grupit Marksist –Leninist i Kosovës, gjegjësisht “Grupi Revolucionar” në vitet 1977-1978.
Programin e kësaj organizate me emrin “Në rrugë drejt Lirisë” e kërkoi udhëheqësi i sajë , atdhetari Mehmet Hajrizi me shokë, i cili e ka shtruar kërkesën në librin e tij “Histori e një Organizate Politike dhe Demonstratat e vitit 1981”. Autorja lidhur me Organizatën Marksiste – Leniniste të Kosovës thotë se një material me vlerë të kësaj organizate është gjetur në vitin 2008, në derën e shtëpisë të oborrit të atdhetarit Hasan Mala, e cila ishte shkruar nga Rexhep Mala. Në këtë material pos tjerash, Rexhep Mala shkruan: “Gjatë Luftës së Dytë Botërore... “populli ynë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, rroki armët dhe u ngrit në luftë për Çlirim Kombëtar... ai mendonte se do të fitonte të drejtën e vetëvendosjes, për bashkim me shtetin shqiptar, pasi të triumfonte Revolucioni në Shqipëri e në Jugosllavi”.
Pas sulmeve të lagerit socialist në udhëheqjen e PKJ-së, qysh gjatë luftës, në fshehtësi, kishin thurur plane për të futur nën sundimin e tyre, jo vetëm Kosovën e krahinat tjera shqiptare, por edhe Shqipërinë si një republikë të shtatë të Jugosllavisë... me tradhti, me forcën e armëve e metodat tjera bandat e Titos ripushtuan viset shqiptare, duke bërë dhunë të egër, duke i lënë të prapambetur në të gjitha aspektet.
Kundër këtyre padrejtësive që nga përfundimi i luftës dhe ripushtimi jugosllav, u formuan shumë grupe të cilat në programet e tyre kishin çlirimin, përparimin e viseve shqiptare nën sundimin jugosllav dhe për bashkimin me Shqipërinë, zhvillimi dhe përparimi shoqëror-ekonomik sikur i republikave tjera në Jugosllavi si dhe: çlirimi dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare me shtetin amë të cilin e kishte në program “Lëvizja për Çlirimin Kombëtarë të Kosovës”.
Një kontribut të madh për organizimin ilegal në luftën për çlirimin e trevave shqiptare nga Jugosllavia e dhanë edhe organizatat të cilat u formuan në perëndim – diasporë siç ishin: “Lëvizja për Republikën shqiptare në Jugosllavi” e formuar më 1982 “Fronti i kuq popullor”, “Grupi Revolucionar” i Xhafer Shatrit në Zvicër me organin “Zëri i Kosovës”, me parullën kryesore “Kosova Republikë” në kuadër të Jugosllavisë, por me synime, që më tutje të bashkohet me Shqipërinë.
Pas vitit 1981 e deri më 1990, u formuan grupe dhe organizata të shumta ilegale me ngjyrime të ndryshme ideologjike, por që të gjitha në programet e tyre kishin mbështetje te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që në fillimin e viteve të 90-ta zënë fill formimi i grupeve të armatosura, gjegjësisht i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me kohë doli haptazi nga puna ilegale dhe në te ndikim të madh pati veprimtaria e partisë Lëvizja Popullore Shqiptare e Kosovës. Nga të gjitha organizatat ilegale shqiptare të cilat vepruan gjatë viteve 1945-1990, në program ishte krijimi i një Shqipërie të bashkuar në hapësirën e sajë historike dhe etnike, si një shtet sovran, i lirë e demokratik të krijuar sipas vullnetit të gjithë qytetarëve të cilët do të jetonin të lirë, të barabartë, pa dallim kombësie, feje, gjuhe, krahine apo çfarëdo përkatësie tjetër qofshin ata. Kjo kërkesë kishte të bënte me reagimet ndaj vendimeve të kuvendit të Prizrenit me 11 korrik 1945 kur Kosova dhunshëm iu bashkëngjit Serbisë.
Sipas të dhënave të autores së veprës të cilën po e promovojmë, del se që nga ditët e para, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera nën pushtimin jugosllav, do të përjetojnë zhgënjimin dhe tradhtinë më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga fqinjët e tyre (f.55). Ato dolën nga lufta me besimin dhe me shpresën se gjaku, sakrificat dhe kontributi i dhënë në fitoren do të shpërblehen në realizimin e aspiratave kombëtare, por kjo nuk ndodhi, vetëm se vazhdoi fatkeqësia historike me nacionalizmin e egër, gllabërues serb. Burgosjet, ndjekjet, torturat e bëra ndaj shqiptarëve ishin institucionale me likuidime fizike, u vunë gjithëshqiptarët e në radhë të parë shqiptarët demokrat e atdhetarë , të cilët nuk u pajtuan me pushtimin dhe haptazi iu kundërmuanë me gjitha format e rezistencës.
Pushteti serbo-jugosllav formoi shumë gjykata “popullore” në viset shqiptare, Kosovë, Maqedoni e Mal të zi, në krye të tyre ishin caktuar individ nga radha e serbo-malazezve, të disponuar armiqësisht ndaj shqiptarëve. Në vazhdim autorja jep shumë të dhëna statistikore: Në popullsinë e gjithëmbarshme të ish Jugosllavisë shqiptarët merrnin pjesë me afër 12%, kurse në numrin e përgjithshëm të të dënuarve politik me mbi 90%. Pra me burgje shqiptarët gjithmonë ishin shumicë. Nga viti 1945-1990, u dënuan me burgim të rëndë mbi 7.684+1536 persona = 8220, të cilëve iu shqiptuan mbi 66.672 vjet e 7 muaj burgim apo shndërruar në shekuj 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj. Mesatarja e dënimeve për individ ishte 7 vjet e një muaj. Vetëm në periudhën 1981-1990, u dënuan me burg 3.348 veta dhe iu shqiptuan 23.770, 8 vjet burgim + 10000 ishin dënuar me kundërvajtje apo 1.233 vjet burgim. Në këtë periudhë u dënuan edhe 1.346 ushtarë shqiptarë, ndërsa 63 u vranë në kazermat ushtarake. Nga policia prej marsit 1981, deri në tetor 1989 u trajtuan 584.373 shqiptarë. Ndaj tyre u përdor dhuna prej kërcënimeve deri në rrahje të shkallës së humbjes të vetëdijes dhe burgimet për gjykimet, dënimet dhe likuidimet e shqiptarëve. Nga ana e OZNA-UDB-ja, që nga marrëveshja e Mukjes 1943-kundër ballit Kombëtarë, Organizatës NDSH, byros informative, aksioni për mbledhjen e armëve 1955-56; organizatorëve dhe pjesëmarrësve gjatë dhe pas demonstratave 1968 dhe 1981.
Gjatë analizave të bëra për periudhat 1945, del se vetëm gjatë vitit 1945-1990, del se në Kosovë janë dënuar mbi 2086 veta, të cilëve iu shqiptuan 14.810 vite e 6 muaj burg. Në periudhën 1956-1980, ishin burgosur 901 veta dhe u dënuan me 6.397.1 vite burg. Periudha 1981-1989, çdo i treti shqiptar do të kalojë nëpër duart e policisë jugosllave. Pas demonstratave të vitit 1981 u dënuan 3.348 veta me 25.002,8 vjet burg si dhe 1346 ushtarë shqiptarë me 955 vjet e 6 muaj burg, ndërsa prej tyre 63 u kthyen në shtëpi në arkivole.
Në vazhdim të librit pasojnë të dhënat dokumentare të paraqitura në libër si Pjesa e parë, të burgosurit politik shqiptarë në gjykatën e qarkut të Prishtinës 1945-1990. Pjesa e dytë – në Prizren, Pjesa e tretë – në Pejë, Pjesa e katërt – në Gjilan, Pjesa e pestë – në Mitrovicë, Pesa e gjashtë – për të burgosurit politik shqiptar të dënuar në gjykatat civile dhe ushtarake në ish Jugosllavi, gjatë viteve 1945 – 1990. Pjesa e shtatë – flet për shqiptarët e vrarë dhe të likuiduar gjatë viteve 1945 – 1990; dhe të dënuarit gjatë viteve 1981, 1982 dhe 1989.
Pasojnë: Përfundimi,Rezymeja, Treguesi i emrave, Shtojca me faksimile të ndryshme, Burimet dhe literatura, Nën të LP të Jugosllavisë që ndëshkuan shqiptarët dhe shkurtesat.
7. 10. 2010
Vështrim i lexuar me rastin e promovimit të veprës në Gjilan