Kulturë
Ilir Muharremi: Skulpturat dhe pikturat e Adem Rusinovcit
E diele, 31.10.2010, 07:13 PM
Skulpturat dhe pikturat e Adem Rusinovcit
Nga Dr. Ilir Muharremi
Motivi kryesor i të jetuarit sipas psikoanalistit të famshëm botëror Sigmund Frjojd, është shumë i thjeshtë, dhe në anën e kundër mjaftë problematikë: Seksualiteti. Tërë njerëzimi vërtitet rreth kësaj teorie të famshme dhe tejet intime, por intimiteti rrënohet në punimet e artistit Adem Rusinovcit, i cili para disa ditësh në Galerinë e Arteve në Prishtinë, solli një ekspozitë mjaftë konceptuale me qëllim të mprehtë dhe filozofik. Organet gjenitale të meshkujve dhe organet e jashtme të ekspozuara të femrave ishin dominonte në skulpturat gjigante të punuara nga druri, poliesteri dhe metali. Ndërsa, në piktura, Rusinovci përdorë kanavaca dhe ngjyra të vajit. Ekspozita në tërësi është një lojë ngacmuese mes intimes dhe filozofisë, secila skulpturë komunikonte në mënyrë të shëndoshë më tjetrën, derisa ndriçimi me nuanca të ngjyrës së ngrohtë të verdhë, jepte imazhin dhe përjetimin estetikë skenik. Pastaj, përformansa e baletit, e realizuar nga një vajzë, ajo mjeshtërisht gjatë vallëzimit ngadalë me një butësi prek skulpturat e Rusinovci, duke i joshur në një shkallë të mesme. Ato sikurse pranojnë lëvizjet e kësaj balerina, dhe dëgjojnë tingujt e një melodie mjaftë të zymtë. Nën tingujt e muzikës, ndriçimit, vallëzimit skenik, ekspozita dëshmon një gërshetim në sferat e ndryshme të artit, dhe në këtë radhë, arti na vije si diçka universale, e jo konkrete. E bukura qëndron tek puqja, gërshetimi, dhe të gjitha bashkë, krijojnë lojën. Andaj, lirisht mund të them se ekspozita ka një kontakt të drejtpërdrejt në mes vëzhguesit. Balerina, ngjason me ato Balerinat e piktorit Edgar Degas. Te Degas lëvizjet i kanë më të ngadalësuara, dhe në shumicën e rasteve i bëjnë nxehjet para se të nisin lojën, ndërsa te Rusinovci, ajo nuk pushon së luajturi, madje kalon edhe në një shkallë ekstreme, sepse shoqërohet nga tingujt ritmik të zymtë. Skulpturën tri dimensionale artisti e shoqëron edhe me “Llullën”, mirëpo, ajo nuk është e ndezur, por e fikur, dhe korrespondon me punimet tjera. Ekspozita e artistit në fjalë “Kontakt II”, shpreh lirshëm një punë të menduar dhe të precizuar në një shkallë të lartë me një qasje krejt të re në fushën e skulpturës dhe pikturës.
Rusinovci është pjesëmarrës i shumë ekspozitave kolektive të organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Kosovës dhe po ashtu. deri më tash ka pasur një numër të konsiderueshëm të ekspozitave personale në vend dhe rajon.
Për veprimtarinë e deritashme artistike nga fusha e skulpturës dhe atë të pikturës, artisti ynë shumëdimensional, Adem Rusinovci është shpërblyer me disa çmime me karakter kombëtar. Aktualisht, Prof. Adem Rusinovci mban postin e dekanit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 04. nëntor,2010.