E enjte, 01.05.2025, 07:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Kur Likenet Vallëzojnë (IV)

E diele, 31.10.2010, 03:16 PM


Adem Zaplluzha

 

 

TË LUMËT NE

 

Del moj zanë

Ti sot në këtë log

Eja e beko dashurinë

Fluturo këndej si zog

Shihe pranverën si na përtërinë

 

Lulet më të bukura

Rriten në këto anë

Virgjëresha e djem beqar

Eja sa më shpejtë moj zanë

Se të presim me behar

 

Të lumët ne

Për këta lastarë

Që lëshojë rrënjë në tokën tonë

Eja moj zanë

Ti sa më parë

Se fëmijët e lindur zoti i bekon

 

 

Deh moj bijë pra

Ti del në këto fusha

Eja të lozim

Si dukur  në Dardani

Me ngazëllim na mbushet gusha

Kur lulëzon kjo shqiptari

 

 

NË PREHËRIN TËND

 

Dua të të shoh

Në trajtën më të mirë

Ty moj vashë

E bukura e dheut

Ti del te porta

Dhe përshëndet

Djemtë kur kthehen

Në prehrin e mëmëdheut

 

Mjaft i vrau

Këta djem mërgimi

Ku humbet gjuha

E treten burrat

Asgjë nuk mbetet

Përpos hidhërimi

Kur mes nesh

Na shemben urat

 

Pra moj vashë

Moj ti syzanë

Del e largoje pak mërzinë

Se djemtë që kthehen

Në këto anë

Në prehrin tënd e gjejnë qetësinë

 

 

T’I PUTHSHA ATO DY SY

 

Kur m’i dërgoje letrat

Të kaltër si qielli

Pas teje moj mike

Pa brenga vraponte dielli

 

Posa vinin shirat

Ti e përqafoje ylberin

Sa bukur moj e mira

E mashtroje skifterin

 

Ishe pëllumbeshë në hapësirë

Fluturoje kah doje ti

Ah moj sybajame     

Sa të kam zili

 

Në frymëmarrjen e fundit

Të përqafova ty

Moj nerenxë e egër

T’i puthsha ato dy sy

 

 

KUR IKE

 

Trokëllimat në kapi

Nuk i pritja atë natë

Por erdhën ca dreqër të zinj

Te unë në krevat

 

Mi shkulën ëndrrat

Kujtesën ma vranë

Mi vodhën zhgjëndrrat

E pas etjes vanë

 

Ikën edhe mjegullat

Ylberi mbeti pa ngjyra    

Në rrënjë u thanë pjergullat

Na kaploi mynxyra

 

Në dorë tani më mbeti

Si kujtim kjo letër

Sa keq hija më treti                    

Kur ti ike me një tjetër

 

 23.O4.2O1O, Prizren

 

 

ZAMBAKU

 

Përbri kalasë te rrapi i vjetër

Kashaisën erërat pa pra

Sa mirë i përkundnim ëndrrat

Kur të ledhatonte era

 

Ti nuk e largoje dorën

Prej flokëve

Mallkoje ditën

Që nuk u takuam më parë

 

Lumëbardhi

Na e mbyllte syrin e djathtë

Ne i numëronim yjtë

Në prehrin e lashtësisë

 

Përbri kalasë

Qeshte loja i epikës

Aq shumë dashuri pate

Sa  që i trembe lisat

 

 

Uji disi i fshehte shikimet

Ëndërronte i turpëruar dashurinë

Zambaku çeli për herë të parë

Në frymëmarrjen e petaleve                 

 

 

NË KUJTESËN E VDEKUR

 

Në buzët e hënës dritëzbehtë

Mbetën peng ledhatimet

Aq shumë  ndryshuam trajtat

Në tablonë e dashurisë

 

Nuk më kujtohet aq mirë

Tregimi për ty moj lule

Ti ike përtej hapësirës

Me lojërat e tua mashtruese

 

Kurrë nuk deshe të kuptosh    

Kryeneçësinë time

Flokët t’i ledhatonte era

Kur e humbe virgjërinë

 

As që u bezdise

Për ngjyrën e shevarit

Edhe bari atë ditë qeshi

Me marrëzinë e djersës

 

Kaluan disa vite

Kur e përkujtuam gjelbërimin

Por bari ishte tharë

Në kujtesën e varreve

 

 

KUR U DOGJËN KULLOTAT

 

Sa herë që na e vranë kujtesën

U rilindëm si Feniksi

Në etjen tonë të pashuar

Galopuan atkinat e moshuara

 

Deshëm t’i rikujtojmë ato hingëllima

Kur na i dogjën kullotat

Hajdutçe na sulmuan të paftuarit

Dhe na i përdhosën varret

 

Kur deshëm të këndojmë

Për dashurinë e gurit

Na i mbytën zogjtë

Ende pa fluturuar             

 

Ikëm përtej vetëdijes

Për të mos na ndjekur mallkimi

Kokëfortësia i mbyti mëkatet

Në potkonjtë e ndryshkur të kuajve

 

Qëkur ishim luftëtarë

Asnjëherë nuk vdiqëm kaluar

Dizgjinët i mbanim peng

Duke u dhënë ujë kuajve

 

 

ERRËSIRA

 

Këngët e epikës së lashtë

Si varret hyrën në hinore

Eshtrat na i dogjën lypsarët

Se nuk patëm çka t’u japin

 

Në librin e shenjtë i lëruam arat

Bukën na e kishin vjedhur ushtarët

Sofra e harrimit shtroi urinë

Për t’i mbajtur gjallë çarçafët

 

Kalorës të verbër kalëruan

Duke i shkelur murgjit

Vashat i çnderuan që në agim

gjëmën  nuk e ndalën as malet

 

filloi të tymosej pjergulla

bryma u përhap si ethet e zeza

natën vonë na ikën miqtë

errësira i fshehu ikonat në mal

 

 

UDHA

 

Me tingujt e kambanës

Ngjyrosen pelerinat

Ikonat përtypin ylberin

Posa lëshon rrënjë në hapësirë

 

Nga brinjët e Adamit

Shkëputet një copë dheu

Eva mbetet e virgjër

Kur gjarpri kafshon mollën

 

Në kopshtin e trilluar

Hallakaten rrënjët

Nata e humb kujtesën

Në gjumin e barit

 

Askurrë nuk më besuan

Se sërish do të jetoj

Kafshimet e djallit i përtypa

Si lëngun e mollës së pjekur

 

Mbijetova gjumin që vdiste

Dhe pas zgjimit atë ditë

Në fletat e zambakëve gjeta

Udhën për në rrugën e kujtesës

 

 

TRËNDAFILI I KUQ

 

Përtej hijes së likeneve

Muret e ngjyrosura

Zambakët e Prizrenit

Përshëndesin Xhaminë e Pashës

 

Zbritëm në thellësinë e hijeve

Tregimet ishin zhdukur në ujë

Mes guralecëve të gjelbër

Dallohej ngjyra remtë e rërës

 

Myshqet disi nuk luluan sivjet

Kripa humbi shijen e lyshtrave

Dashnorët mbetën pa fjalë

Kur erdhën ujqërit

 

Sërish na i shkulën pjergullat

Në rrënjët e likeneve fle mallkimi

Trëndafili i kuq nga xhelozia

E humbi ngjyrën e agimit

 

I shtruam dasmorëve të flenë

Nata kishte ikur me korbat

Asgjë nuk na mbeti në kujtesë

Pos vdekjes së bletës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LIKENI

 

Më kanë humbur fjalët

Në brishtësinë e natës

Yjtë kënduan mbrëmë

Për lashtësinë e epikës

 

Një gjerdan prej likeneve

Ma dhuroi Lumëbardhi

Si dhëmbët e nuses

Shkëlqeu agimi

 

Nuk desha të eci përpara

Uji më ndoqi deri në amshim

ofshamat i lashë pas dore

Kur rastësisht takova hijen time

 

 

ATY E MBOLLËM LULEN

 

Në asnjë metaforë

Mos e kërko prejardhjen e fjalës

Likenet zbresin deri në fund

Të përmbytjes së liqenit    

 

Lajmi për gurëzimin e nuses

Na befasoi pamasë

Zambakët i ushqejnë mizat

Deri vonë në mbrëmje

 

Nuk dua të më kontrollojnë

Në hyrje të qytetit

Në muranat e rrënuara

Kam harruar kodin e mirësjelljes

 

Kur erdhën ujqërit

Delet i kishin vrarë të puset

Kurrë nuk i harruam kullosat

Në brinjët e deshve

 

Sa herë që shkuam te gurra

Uji na e ngrinte gjakun

Aty e mbollëm lulen e parë

Në dashurinë e atdheut

 

24.04.2010. Prishtinë



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx