Kulturë
Petraq J. Pali: "Cigania".... Vasilika!
E diele, 31.10.2010, 07:44 PM
Petraq J. Pali
"Cigania".... Vasilika!
Ishte një brune shumë shumë e bukur, tamam si një cigane, nga ato që fytyrën e kanë si një porcelan i shkëlqyeshëm ikonash me engjëj…, flokët e zeza të gjata e të drejta që i jepnin më shumë hijeshi i binin gjer në vithe, tregonin se ishte një hibrid i një nëne me ngjyrë dhe i një babe të bardhë, megjithatë në fabrikë e thërrisnin “Cigania”, prezenca e së cilës kudo që të ishte do të tërhiqte sytë lakmitarë të meshkujve dhe kureshtjen e madhe të grave.
Ajo, ishte tamam e stolisur, me një trup selvi, sytë e zinj, këmbët të drejta me shikimin e saj dhe ecjen karakteristike, gjithmonë ishte në qendër të vëmendjes, ajo vishej thjeshtë dhe shumë bukur, gjendja ekonomike e saj ishte nën mesataren.
Ishte vajzë nga fshati, e martuan në qytet me mblesëri, vetëm e vetëm të mos jetonte aty, në mes të baltës në Myzeqe…!
Nëntëmbëdhjetë vjeçe u largua nga ai ambient i dashur familjar, ku la nënën, babanë, një motër dhe një vëlla më të vogël. Ajo sa kishte mbaruar gjimnazin në lokalitet.
Qyteti ku u martua nuk ishte veç një orë e gjysmë larg me makinë nga fshati i saj!
Sytë e dasmorëve dhe vetë Vasilika u zhgënjyen nga fati i saj qysh ditën e parë, fatkeqësisht burri i saj që nuk e kishte parë asnjëherë ishte një lloj “majmuni” nga ata të kopshtit zoologjik, me pak fjalë ishte shumë i shëmtuar.
Vajza kur erdhi nuse qau për ditë të tëra, jo pse bëri zakonin, por, nuk pandehu se ai mblesi dhe prindët do ta hidhnin poshtë… për një cikë qytet. Prej vitesh, ajo nuk u pa kurrë të delte me burrin, qoftë edhe për ndonjë vizitë… “majmuni” veç dhe “cigania” veç!
Megjithatë, vitet e para Vasilikës as që i shkonte në mendje të mos ishte e denjë për burrin e saj dhe as që mendonte se mund të bënte tradhti bashkëshortore. U përqendrua rreth vet-vetes dhe i vuri një gur zemrës dhe tha: Ky qe fati im!
Vitin e parë e të dytë të ardhjes nuse në qytet dhe puna në fabrikë me turne e vështirësoi gjendjen shpirtërore dhe morale të saj, ajo në fund të vitit të parë lindi edhe vajzën e cila për mëshirë të fatit ngjante nga ajo.
Vasilika, mbas gati dy muaj të qendrimit në shtëpi mbas lindjes, siguroi një vend në çerdhe për gocën dhe menjëherë filloi sërish punën në fabrikë, por këtë rradhë jo direkt në prodhim afër makinerisë, por në administratë.
Drejtori, që ishte dhe antar i Byrosë së Partisë në rreth, në mbledhjen e këshillit teknik, nxori urdhërin e ditës që Vasilika, meqë “ishte” me fëmijë të vogël, të punonte si ndihmës sekretare dhe arshiviste pranë drejtorisë…!
Ajo i plotësonte kushtet, ishte me shkollë të mesme dhe me gjendje politiko-shoqërore në rregull.
Antarët e këshillit drejtues të ndërmarjes natyrisht pranuan njëzëri propozimin e drejtorit, por në ndërgjegje të tyre, kuptuan se drejtori e kishte me “hile” këtë lëvizje…!
Vasilika, në moment ngurroi për detyrën e re dhe njëheresh mornica i shkuan nëpër trup kur e thirrën në zyre t’i komunikonin vendimin e drejtorisë…, ajo, kishte kohë që kish kuptuar se drejtori që s’ishte më tepër se tridhjetë e tre vjeç i martuar pa fëmijë e shikonte me sy shumë lakmitar, ai shpesh shkonte në repartin dhe makinerinë e saj. Sytë e punëtoreve “vigjilente” i shikonin me dyshim këto “vizita” të inxhinier Saimirit, Drejtor!
Sa filloi punë Vasilika aty, komentet dhe thashethemet e fabrikës morën përmasa të mëdha jo vetëm brenda por edhe në qytet…!
Me pak fjalë, si drejtori edhe Vasilika e nënshtruar, filluan një dashuri të re….!
Drejtorit me influencën e madhe që kishte në rreth i ishin mbyllur sytë dhe nuk donte t’ja dinte për asgjë. Arriti deri aty sa kur shkonte me shërbim… për në qytete të ndryshme dhe shpesh në Tiranë… sekretaren e bukur ”Cigane” e merrte me vete, në shumë raste edhe bashkë me kërthinjën… “flinin” nëpër hotele… sigurisht duke porositur dy dhoma, ajo u bë një me drejtor Saimirin, hoqi përfundimisht dorë dhe ftohu çdo marrëdhënie me burrin e saj “majmun” i cili bluante në vetvete... dhe nuk duronte dot këtë turp.
Filluan letrat anonime për drejtorin, kritika në organizatën e partisë… ashtu edhe jashtë e saj, për qëndrimin e tij moral… po pa pasur asnjë fakt konkret, Saimiri ishte artist i vërtetë dhe si një magjistar mbyllte çdo kundërshti apo thashetheme…!
Nuk dua të dëgjoj me të tilla gjëra, jemi në një shtet ku mbrohen të drejtat dhe liritë e njeriut… prandaj kush intrigon do ta shpijmë edhe në burg…! Kështu shprehej në mbledhjet e shpeshta të drejtorisë…!
Po ku të pyet masa, se je drejtor? Ajo shpërthen si uragan… i filloi fletërrufetë kundrejt tij pa menduar të keqen që mund të ndodhte, herë anonime e herë me emër… u bë problem në qytet…. drejtor Saimirin e thiri sekretari i parë… por edhe ciganes i kishin ardhur disa hetues në zyre… të cilët e kishin pyetur herë miras e herë me kërcënim për marrëdhëniet me Saimirin…! Vasilika disa herë i kundërshtoi ata dhe mbrojti heshtazi marrëdhëniet intime që kishte me Saimirin, derisa një ditë nuk duroi dot e u tha… shkruani firmosni vendosni… unë kam dashuri me të… dhe ai me mua…!
E thiri sekretari i parë sërish drejtorin… bile edhe Vasilikën veças dhe mbeti i habitur… kur Saimiri kishte mohuar intimitetin midis tyre, ai, i tha Saimirit se edhe gruaja e tij Berta, ishte ankuar për të…! Saimiri nuk kishte pranuar asgjë!
“Majmuni” i Vasilikës e kishte kërcënuar të shoqen, kishte lajmëruar njerëzit e tij, bile edhe kryetarin e degës së brendshme… se mund të bënte ndonjë hata…! Ata e kishin këshilluar të kishte kujdes se Partia e zë lepurin me qerre…! Unë, kishte thënë “majmuni’ kam besim tek Partia, prandaj është bërë ç’është bërë të mos i bjerë më qafë gruas sime, mbasi ajo, une e di që s’ka gjë me të, por meqë është e bukur ai e lakmon… ashtu është i tha kryetari, fjalët janë të kota e thashetheme.
Kryetari i degës, nuk ndenji duarkryq dhe siç ishte mori një vendim të mos ndodhte ndonjë hata… të thërriste Saimirin, ta këshillonte dhe t’a paralajmëronte të priste çdo marrëdhënie me “ciganen” se pasojat do të ishin të mëdha…!
Gjendja ishte tepër kritike, midis Saimirit dhe Vasilikës kishte lindur një dashuri që mund të përmbyste gjithçka….!
Nuk vonuan dhe inxhinier Saimirin e hoqën nga drejtori dhe e çuan në një fermë si inxhinier të thjeshte ofiçine… Vasilikën e lanë hë për hë aty…! Atëherë fjalët ishin më të tmershme…!
Ata shiheshin dhe takoheshin më rallë, bile kaq u vështirësua afrimiteti i tyre sa të dy plasën dhe nuk dinin ç’të bënin.
Çdo veprim i tyre ekspozohej sado që konspiracion të kishte.
Ish shoferi i tij kur ishte në fabrike e ndihmonte ish drejtorin madhërisht, ai krijonte mundësitë e takimit të tyre… herë në makinë e herë nëpër shtëpi miqsh e shokësh… të dy po thuaj i kishin abadonuar familjet… Berta e shoqja e drejtorit kishte humbur çdo shpresë, ajo e bindur plotësisht se çdo gjë u shkatërrua dhe luste veten shyqyr që s’kishin fëmijë… ndërsa “majmuni” hiqte me zinxhirë…. duke u shprehur aty këtu… do ta vras do t’i therë të dy… mos më thëncin në emër..!
Kjo gjendje tejet e rrezikshme mori përmasat e një orteku… ishin vitet e fundit të diktaturës… njerëzit ishin futur dhe kishin ikur nga ambasadat, pushteti dhe diktatura e kalbur ishte bërë më egër.
Një ditë Saimiri e mori për kafe ish shoferin e tij dhe i qau hallin… do të të them një sekret i tha me lot në sy… jeni i vetmi që do të më ndihmoni… unë të kam dashur, të kam respektuar… prandaj dua edhe ndihmën tënde… më shpëto, unë Vasilikën e dua dhe nuk kam si ndahem prej saj… Ne duam të arratisemi….!
Llambi, shoferi, u çua nga vendi e iu lut aman të mos shprehej më dhe nuk donte të dëgjonte atë fjalë… nuk u besoi veshëve… Po po, tha drejtori! Më ndihmo të arratisemi… unë, ajo dhe vajza e saj. Unë në çdo rrethanë nuk do të tradhtojë… as Vasilika… ndihmomë Llambi!
Deshi s’deshi Llambi i shkreti organizoi “ikjen e sforcuar të tyre”
Një të shtune në mbrëmje i merr të tre në BC dhe u nisen drejt Pogradecit! I la matanë Drilonit, në Tushemisht me të gdhirë kur kishte dhe dy tre orë nate…, u takua me ta dhe me lot në sy… u thotë paçi fat…!
Të tre u munduan të kalonin kufirin dhe të hidheshin andej nga Shën Naumi, sido që shteti kishte marrë teposhtën… ata u kapën nga rojet kufitare pa bërë as pesë km në këmbë….!
Fat që nuk shtinë mbi ta, kufitarët.
I morën, i arrestuan, i çuan në postë e matanë të lidhur… Në Pogradec e pastaj në Tiranë…!
Gjyqi i tyre me dyer të mbyllura e me dëshmitarë kufitarët e Repartit të Kufirit të vijës Qafë Thanë-Tushemisht… i dënuan…! Saimirin 16 vjet për tentativë arratisje, Vasilikën 12 vjet… Fëmija e cila ishte tetëmbëdhjetë muajshe në atë kohë, do të rritej në shtëpinë e fëmijës… “Majmuni” baba do të interesohej për të me vendim të gjyqit…!
Jemi në vitet ’91, shteti mori teposhtën… dhe u shkatërrua totalisht… një amnisti e përgjithshme nxori edhe të burgosurit. Ishin rrëzuar diktatorët, populli fitoi lirinë… si edhe ata!
Sot familja e Saimirit që jeton në SHBA, përbehet nga e shoqja Vasilika, goca dhe dy fëmijë të tjerë, Çlirimi dhe Shpresa…!
(Ngjarja është e jetuar, emrat janë realë…!)