Kulturë
Xheladin Mjeku: Meditime për jetën dhe imagjinatën e fëmijës
E diele, 31.10.2010, 07:51 PM
MEDITIME PËR JETËN DHE IMAGJINATËN E FËMIJËS
Xhevat SYLA: “VEL VJESHTE”, poezi për fëmijë, botoi SHB “LIBRI SHKOLLOR” – Prishtinë, 2009
Nga Xheladin MJEKU
Me “Syrin e pranverës” (1976)
Rezultat i kësaj pune përkushtuese është edhe kurorëzimi i sukseseve të tij me librin “Vel vjeshte” që i solli edhe shpërblimet nga Panairi i XII I librit në Tiranë në nëntor 2009, dhe Çmimi “Ymer Elshani” nga Karavani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” për librin më të mirë për fëmijë midis dy karavaneve.
Imazhe të botës rurale dhe fenomenet natyrore në prizmin e poetit
Edhe në librat e mëparshëm këndoj me admirim për stinët e luleve, për kallirin e grurit dhe bukatoret e pafund të vendlindjes, për detin dhe diellin me rrezet e ngrohta, për shkollarin e gjithë botën fëmijërore dhe preokupimet e imagjinatës së tyre për të kapur me dorë si valën shkumbëzuese të gjitha objektet që i rrethojnë dhe imagjinojnë me fantazinë e tyre fëmijërore. Ndërsa në përmbledhjen e vjershave “Vel vjeshte” na nxjerr në një ambient paksa më të ndryshëm, më të përgjithësuar, më shumështresor dhe të përpunuar, si nga vargëzimi poetik, ashtu edhe nga brumosja e temave dhe shtjellimi i ndodhive të ndryshme dhe mjaft interesante, që i bëjnë presion imagjinativ kurreshtjes së fëmijës, të cilit i dedikohet kjo materie e bollshme dhe interesante.
Poezia programatike “Është një çast…”, që ka si moto e përgjithësimin, përfshirjen globale të materies së vendosur në brendësinë e kopertinave të librit, lot rolin e një përkufizimi brumësor të organizimit tematiko-ideor dhe ngërthen vlerat artistiko-letrare në gjithë botën poetike të krijimeve lirike të krijuesit. Këtë përshtypje na e krijon ky libër, ku: ”Ai shqetësim/Pashitet fare,/kur si vjershë/hap dritare…”(fq.5). Me një fjalë sikur vë strumbullarin e këngës së tij shpirtërore me hapjen rrugë për këndimin e vrullshëm të botës imagjinative të fëmijës.
Ciklet: “Gjethet i rrok mërzia”, “Sikur të mos ishin numrat”, “Zemra që për ty drithërin”, “Çerdhe ku çel dashuria”, “Plagë që duhet shëruar”, “Atdheu është vetë dashuria” dhe “Një urim i paharruar”, janë ndërtuar secila mbi bazën e vet, me tematikën, kohën që i këndohet, ngjarjet që e preokupojnë autorin, e që në përkufizimin e këtij organizimi përmbajtësor të akcilit cikël, në veçanti, paraqet një libër me vlera të mirëfillta, duke konsistuar në prekjen e temave të profilizuara, varësisht kohës dhe ambientimit të ngjarjeve a situatave për të cilat këndon poeti.
Kjo mbase është e theksuar që nga cikli i parë “Gjethet i rrok mërzia”, me vjershat kryesisht për natyrën, fenomenet natyrore, me erën, shiun, mjegullën, pastaj ndryshimi nëpër stinë, kushtet klimatike, etj.:
“Vjeshta ecën fushës,
Bryma i prin n’çdo hap;
Lulet zënë murr’tisen-
Humbin aq shumë ngjyra,
Drunjtë i jepen gjumit,
Mjegullat kthehen prapë,
Me velin e vjeshtës
Vishet gjithë natyra”.
(“Vel vjeshte”, fq. 14)
Vjersha të shumta, si kjo që cituam, në një mënyrë paraqesin njohuri të gjithanshme për këto veti të natyrës, që për kurreshtjen e fëmijës janë një mësim i mirë dhe me interes në njohjen e fenomeneve klimatike, gjeografike dhe seizmike. Kjo mbase e pais imagjinatën e tyre me njohuri të mira në këto sfera, duke u mbetur në kujtesë në formën e vizatimit poetik dhe pikturimit ambientor. Përralla dhe legjenda gjen vend të merituar edhe në vjershat e kësaj përmbledhjeje, ku veçojmë vjershën karakteristike “Plakat shkunden”. Në përgjithësi në këtë cikël takojmë një pasqyrim poetik në frymën e edukimit shkencor të lëndëve natyrore, si ndihmesë e mirë edhe për këtë brez lexuesish.
Bota rurale gjithmonë ka qenë dhe mbetet ndër më interesantet në kujtesën e fëmijës. Krejt çka mund të ndodh tek krijuesi në këtë rrafsh është aftësia imagjinative e tij që të bëj transponimin e temave nga forma e botës rurale, me vetitë dhe karakteristikat e saj në një formë ndryshe, duke e mveshur me një petk të modernes, të kushteve të zhvillimit modern, si një tranformim logjik edhe i zhvillimeve teknologjike. Një vlerësim të këtillë e bëjmë kur marrim në shqyrtim ciklin e vjershave “Sikur të mos ishin numrat”, ku gjejmë një zbërthim mendimesh në vargjet e poezive për shumë fenomene që do t’i ipen lexuesit në një formë të re, me elemente të zhvillimeve të reja dhe kuptimin e logjikës së mendimit estetiko-letrar. Sidomos do të veçohen vjershat: “Korrigjim hartimi”, “Sikur të mos ishin numrat”, “Asgjë s’është e përjetshme”, “Gjimnastika e trurit”, e ndonjë tjetër, që dëshmojnë për nivelin e arritur të krijimit të veçantisë krijuese të autorit, gjithnjë në kërkim të shprehjeve dhe transmetimeve të reja të mendimeve dhe ideve tek receptuesi i tij i sinqertë.
Vendlindja, familja dhe miqtë e veprimtarisë në vargje
Cikli poetik “Zemra që për ty drithërin” kryekreje ndërtohet mbi bazën e dashurisë dhe respektit familjar, për prindërit, për vendlindjen , gjyshin, për gëzimin e fëmijës në festën e Abetares, që tashmë është bërë ndër festat më të dashura të fëmijës, në fillimin e jetës shkollore. Dashuria prindore në këto vjersha sikur kalon ambientet e rrethit familjar dhe bën një krahasim sa bindës, aq edhe interesant për lexuesin e vogël:
“Do të dëshiroja,
Do të dëshiroja
Të jem kangur,
Birin tim nga gjiri
Të mos e heq kurrë,…”
(“Dëshirë”, fq.49)
Edhe në ciklet tjera takojmë ambiente të ndryshme, të ndërtuara me mjeshtrinë poetike dhe me ndjesinë shpirtërore të ngjarjeve dhe situatave të bollshme, që e përshkuan gjithë periudhën e fundshekullit të kaluar, duke ngritur lartë njohuritë e lexuesit kurreshtar në këto tema që për bazë kanë ngjarjet e hidhura të luftës, shkatërrimet, djegjet dhe torturat e shumta nga barbaria e okupatorit shumë shekullor, pastaj portretimin e heronjëve dhe legjenarëve të kauzës kombëtare, etj. që i gjejmë të skalitura kujdesshëm dhe me përkushtim në ciklin “Atdheu është vetë dashuria”.
Një tjetër veçanti të këtij libri e takojmë në ciklin “Plagë që duhet shëruar”, me vjershat përkushtuese për njerëzit më të dashur, me të cilët autori kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij, duke ngarendur nga shkolla në shkollë, nga një lagje në tjetrën, nga qyteti në fshat, për të kënaqur kërshërinë e fëmijës, me vargjet dhe rrëfimet e tyre. Gjejmë aty përkushtime për një pjesë të asaj shoqërie që i mungojnë në përditshmërinë e tij dhe në aktivitete krijuese, por jo edhe në mendjet, në kujtesën dhe mesazhet që lanë në librat e tyre të shumtë. Kapitulli më mbresëlënës edhe për lexuesin, ku në brendësinë e këtij cikli sikur të kujton një orë letrare të improvizuar me shkrimtarët Odhise Grillon, Rifat Kukajn, Ymer Elshanin, Zejnullah Halilin, Qamil Batallin, etj.
Përmbyllja, ose vlerat që dëshmojnë
Në gjithë këtë që vrojtuam, pa i bërë ndonjë analizë të përgjithshme, por me një ndalesë rutinore prej lexuesi të rëndomtë, nëpër stacionet e shumtë poetik, që na zgjuan vëmendjen për pak çaste, për të prekur me ndjeshmëri atë fjalë a mesazh që mbetet gjatë në kujtesë dhe, sidomos për kujdesin e autorit në përzgjedhjen e temave, të ngjarjeve a shtjellimeve interesante të tyre, me një kronologji të shtjellimeve kohore-historike dhe peripetive jetësore në veçanti.
Përkushtimi i vëmendshëm i autorit në gjetjen dhe krijimin e temave interesante për botën fëmijërore, pastaj pregatitja artistike dhe një përzgjedhje e mirë e pikturave, vizatimeve dhe portreteve të figurave të rëndësishme historike, i rrijnë mirë kësaj përmbledhjeje, për ta bërë atë të këndshme dhe artistikisht të realizuar. Bota fëmijërore edhe në këtë aspekt tashmë ka arritur të veçoj interesimet e saja dhe të bëj një hap para në kërshërinë e mendjes artistike. Këtë, si duket do ta ketë hetuar me kohë edhe autori, i cili është treguar mbase i kujdesshëm në paisjen e kësaj përmbledhje me të gjitha elementet, deri edhe në një bibliografi të veprimtarisë së tij, që e bëjnë të dëshiruar për lexuesin.
Me ngritjen e nivelit të shkrimit të një libri të këtillë, nuk nënkupton se është arritur kulmi i vlerave të krijimtarisë së autorit, ngase muza e tij krijuese ende duhet të jetë aktive dhe prodhimtare. Kjo ka për bazë ecurinë e pandërprerë të Xhevat Sylës, këtu e katër dekada më parë, ku gjithnjë kemi takuar një ngritje dhe pasurim si në shqyrtimin e vlerave, ashtu edhe në shtjellimin tematik dhe frymën aktuale të zhvillimeve kohore kundruall kërshërisë, imagjinatës dhe forcës apsorbuese të fëmijës, si marrës i kësaj materie të bollshme krijuese.