E diele, 28.04.2024, 06:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Horoskopi im për sot

E enjte, 04.11.2010, 10:56 PM


Sabit RRUSTEMI

 

HOROSKOPI IM PËR SOT

 

 

ZGJIMI

 

I njejtë do jetë

Si dje pardje

Larg Çepurit

Pa një puhi mali

E aromë fushe

 

Një orëzile telefoni

Rrapëllimë dere

Disa  të teshtitura

Radhazi

Do të të shkundin

Dhe këtë mëngjes

 

Në vend të asaj gurreje

Që të rrjedhë vetëm n’ kujtesë

 

 

DETYRAT

 

Futi mbulesat në vitrinë

Rregullo shtratin

Dhe shtatin

 

Dil e ecë  koridorit

Në kuzhinë

Pastro gotat e palara

Krijo atmosferë

Për  kafe mëngjesi

 

Mos i  harro

Dritat e ndezura në ndërkohë

Nga rikthimi i korentit

 

Një muzikë këndelljeje

Të prêt para ekranit

Me pamjen e një bukurosheje

 

 

GJATË DITËS

 

Do  kesh një orar të ngjeshur

 

Sa në krye të shehrit

Tek qendra

Për t’ia  lehtësuar dhimbjet

Ditës sate

Me  një bocë të re gjaku

 

Sa kah sheshi

Për t’i takuar miqtë

 

Pastaj në teatër

Për një skenë të re politike

E një goditje të ulët

Nën brez

 

 

KARRIERA

 

Me xhepa të zbrazur

Je i përflakur

 

Kuzhinat janë stërmbushur

Me trurë

Moshash të ndryshme

 

Dhe çmime tejet të lira

 

Ma mirë kthehu kah vendlindja

Tek ajo fidanishtja

Për gjumë të qetë

Nën hije pemësh të vjetra

 

 

KUJDES

 

Letrat anonime që vijnë

Përmes faqesh interneti

Mos i lexo

Fshiji

Që të mbrohesh nga virusët e rinj

Adresat  me porosi

 

Në ëndrra të reja mos u lësho

Trupin tënd

Brenda vetes

E streho

 

 

DASHURIA

 

Është fshehur diku thellë

 

Kohë e kohë

Të duhet

Për t'u kthjellë

 

Kërkoje aty ku e takove

Së fundmi herë

Se kjo vjeshtë me erë

E thyen

E përdredhë

 

Ai planet ëndrrash

Përpëlitet nëpër dredhë

 

Shpalo sa më parë zemrën

Tënden dorë

që t' mos shkrihet si meteorë

 

 

SHËNDETI

 

Merri gjërat shtruar

Ruaju nga tensionet

Nga ambicja që fshihet

Pas një ëndrreje

 

Ma shpesh

Ecë nëpër Çepur

Deri tek ajo maje

 

Lirohu ofshamash

Nga ajo shkumë

Mbetur nën gjuhë

Prej kohësh

 

Gjilan, 3 nëntor 2010



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora