E diele, 28.04.2024, 10:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Petraq J. Pali: Marika!

E merkure, 03.11.2010, 08:24 PM


Petraq J. Pali

 

MARIKA!

 

Me Marikën punuam për 16 vjet në një zyrë. Ne ishim shumë të rinj të dy, por ishim edhe shumë miq. Ajo ishte hartografe e unë teknik ndërtimi, tavolinat i kishim ngjitur në formën e një L-je. Marika ishte e veçantë. Veçantia e saj qendronte tek buku ria. Të verbonte. Ishte shumë e përkryer dhe e pastër. Fisnikëria e saj gjithmonë qëndronte në majat më të larta. Ajo ndriçonte e tëra. Kishte një trup shumë elegant, ngjante si një atlete, vishej shumë bukur, me pantallona xhins pothuaj ngjitur për trupi nga ku i dalloheshin tërë linjat dhe konturet. Flokët e gjatë e të mreku llueshëm të saj, të lëshu ra deri mbi vithe, shpesh na pengonin shiki min për të parë këto linja që aherë unë e shokët e mi i shikonim me shumë admirim si të rinj që ishim! Veshja e saj nga mesi e lart ishte provokuese. E kishte hobi të ngac monte sytë lakmiqarë të rinisë së qytetit, se ishte shumë çap këne dhe mund të them, e pa përmbajtshme. Gjoksi i saj gjith monë, dimër e behar, ishte pothuaj pak sa i mbuluar dhe pjesa më e madhe ishte plotësisht e ekspozuar. Ajo s’ndiente kurrë të ftohtë. Unë e kisha shumë shoqe dhe me afirmitetin që kisha, kurrë nuk më është dhënë mundësia të kaloja kufijtë e miqësisë, për të cilën edhe shpesh shprehesha me lakmi..! Ajo mundohej të më qetësonte lakminë dhe tundimin tim prej mashkulli, duke më afruar faqen dhe më thoshte… “Më puth! A kemi thënë që jemi shokë?...” Ç’t’i bëje Marikës? Ajo të impononte respekt dhe miqësi të çiltër. Ishte shumë finoke dhe shumë e zgjuar. Ishte e vështirë t’i dilte njeri para në gojtari, aq më tepër ishte “shej tane” në dialog! Ama gjithmonë ngacmonte këdo që i kruhej. Ajo e tërbonte tjetrin me shikim dhe me naze, derisa i linte meshkujt me gisht në gojë…dhe hajt mirupafshim! Ishte si magjistare dhe kushdo e shikonte si një femër të veçante. Ajo përshëndeste dhe respektonte njerëzit me admirim. Por kishte shumë tipa që, dalldiseshin nga sjelljet e nazet e saj, mendonin se ajo kishte simpati për ta dhe binin në grackë, sa injoro heshin. Sa e sa raste të tillë!

Unë ikja si i turpëruar. Shpeshherë dilja nga zyra dhe ndizja një cigare për të qetësuar tërë qënien me provokacionet e saj, natyrisht miqësore, por që gjithsesi më turbullonin. Ajo përsëri vraponte nga zyra duke harbuar dhe më hidhej në qafe në mes të oborrit duke më përqafuar e lozur me duar e me këmbë, pa çarë kokën nga askush. Por edhe unë kisha rënë në të njëjtin “batak”, siç na thoshte shpesh edhe drejtori… mua edhe asaj…

- U ka plasur cipa të dyve dhe s’keni pikë truri në kokë. Jeni të martuar edhe me fëmijë të dy. Pika që s’u bie!

Ajo qeshte dhe përgjigjej duke qeshur:

- Ha haa haa …shoku drejtor, çfarë po bëjmë ne? Ne jemi shokë…! A e dini se ç’ka thënë Partia e shoku Enver... “që do t’i djegim me zjarr e do t’u shtypim kokën kujtdo që merr nëpër këmbë ligjin e shenjtë të Partisë për mbrojtjen e grave dhe të vajzave”! …Ne përkrahim lirinë e grave dhe ka ikur ajo kohë që gratë nuk u thoshnin mirëmëngjes burrave të botës e shokëve të punës..

Ikte drejtori buzagaz dhe thoshte me vete… “E mori dreqi këtë punë…!”

Drejtori ynë ishte veteran dhe njeri mjaft i mirë, i zgjuar, kërkues jashtë mase, në shumë raste tepër i rreptë. Po para asaj edhe ai i lëkundej burrërisë së tij dhe kurrë nuk e qortonte. E kujt nuk i pëlqen e bukura?!

Qysh në moshën 23 vjeçe ajo kishte dy fëmijë shumë të bukur, me sy bojëqielli si sytë e saj, bjondë dhe thua se këta fëmijë kishin rënë nga qielli. Të dy ishin djem! Edhe i shoqi ishte shumë simpatik, intelektual dhe shumë njeri i mirë! Qyteti i gjithë i kishte zili si çift dhe familje ideale. E gjithë familja vishej bukur dhe binin në sy për mirë. Ndokush që nuk i njihte do thoshte - “këta janë evropjanë”.

Shoqja ime tepër moderne dhe shumë e avancuar, duke e çmuar të gjithë për bukurinë e saj, s’pyeste nga asgjë dhe vepronte si një vajzë adoleshente e llastuar. I dukej se gjithë botën e kishte nën këmbë! Hipur mbi biçikletën e saj ajo terbonte tërë Vlorën dhe Vlora e shikonte atë me habi! Ishte lindur e rritur në Tiranë dhe babai i saj ishte qeveritar!

Ishte specjaliste shumë e mirë, në vizatim teknik e për kryer, shumë e hollë dhe shumë inteligjente, thua se zoti nuk i kishte lënë gjë mangët.

Kishte një besim të madh tek njerëzit. Hapej me këdo dhe përpiqej që në biseda me meshkujt t’u ngjallte interesim duke u dredhur e duke u bërë naze sa kushdo, dhe çelik të ishte, do t’i dilnin nga goja jargë. E më pas ajo qeshte dhe ndjente në vetvete njëfarë krenarie që bashkëbiseduesin e dërrmoi përfundimisht, qofshin edhe në biseda shoqërore dhe tepër miqësore! Ajo kishte vetinë e ngacmimit. Ishte me të vërtetë interesante, mishëronte thënien madhore të popullit që “të çon në nënqind çezma dhe s’të jep ujë”..!

Gjithmonë kisha jo qejf po dëshirë të madhe të isha pranë saj se dhe vetë natyra ime ishte e tillë, ngacmuese dhe ironizu ese. Më pëlqente të qeshja dhe shpesh e provokoja duke i thënë asaj se filani të ka shumë në qejf dhe i shtija në mëndje të bënte lodra e të tallej me admirusit, gjë që ajo e bënte me shumë dëshirë dhe e realizonte me sukses si një artiste… I bënte burrat e botës të mekeshin dhe të ngeleshin si guakër.  Ja kjo ishte Marika.

Kemi luajtur “teatër” me shumë burra dhe intelektualë vlonjatë, të cilët kur “i regjistronte” Marika për t’i tallur, i vinte në shënjester dhe nuk shpëtonin nga thonjtë e saj.! Ajo u shkonte në zyrë duke gjetur një preteks, qofshin këta doktorë, inxhinjerë, a profesorë, natyrisht ata që ishin pak qejflinj dhe simpatizantë të femrës! Ishte për t’u habitur, ata ngeleshin përditë tek ne, në ndërmarrjen tonë, duke krijuar miqësira me shokë e miq, si preteks, por të gjithë e dinin se ata vinin për të bukurën Marikë. Dhe në shumë raste ata kujtonin se e hodhën në dorë… Po ku kapej Marika! Ajo dinte vetëm të rrëshqiste si ngjalë e vërtetë!

Do tregoj një rast…nga dhjetra e dhjetra të tillë!!

 

* * *

Në zyrat tonë erdhi nga një ndërmarrje tjetër inxhinier, i cili ishte burrë i lartë dhe simpatik, gjë e zgjuar dhe me humor… I them Marikës:

-  Ky është qejfli i madh dhe sot ka ardhur për ty!

Me K.T. kisha miqësi me të kisha mbrojtur edhe diplomën dhe çdo herë muhabetin e asaj bënim. Sa takoheshim më thoshte:

-  Është e bukur, e mrekullueshme. Është llokum, është ngjalë!

-  Po - i thoshja - edhe qejfleshë…

-  Po, e di - më thoshte - unë e lakmoj, por ajo e dredh dhe mund të të bëjë të pabërën. Të të ekspozojë e të pësosh të paprituarat! Apo nuk është dhe anëtare partie.

Edhe Marika e njihte mirë KT-ën.

- E drejtë - i thoshja mikut tim - ashtu është! Ama ajo po e simpatizoi një burrë, ka veçanti që me nazet e saj dhe me muhabetin që bën t’i thotë… “Hë, more budall, këtu jam, pse nguron, po mezi më nxjerr një fjalë nga goja mëk, mëk?! Mos do të të them unë e para?! Pika që s’të bie, i thua vetes dhe burrë!.”

I joshur nga të gjitha këto KT-ja erdhi në ndërmarrjen tonë dhe mbasi trokiti në zyrën tonë, e ftuam nga brenda, ne një zë: “Hyrë…!”

-  Mirëmëngjes! - thotë, - U çuam në këmbë të dy.

E përshëndeta unë i pari dhe në kohën që përqafoja mikun tim, i shkel syrin Marikës duke i dhënë të kuptojë që me nazet e saj ta dërrmonte! Kisha çdo ditë qejf të qeshja dhe humorin e kisha për zemër çdo ditë e çdo çast, ashtu si edhe Marika, që kishte lindur për të bërë një jetë gallatë, siç i themi ne kur dikush qesh gjithë ditën.

Sa u ndamë së përqafuari unë e KT-ja, Marika i vërsulet me disa të puthura gjithë pasion, pa më të voglin shqetësim, sikur e kish mik të zemrës, ose më afër se mikun.., duke i thënë:

-  Pse s’na ke ardhur?! Na thave sytë! Ti e di se ne të duam. Unë e di që ti ke respekt për mua dhe Petraqin! Ke bërë mungesa. Nuk të falet, po bën gabime. – e të tjera broçkulla, të cilat i përdorte për t’i mposhtur. Unë mezi mbaja të qeshurën që të mos kuptonte miku se në bashkëpunim me mua po bënim lodra e po e fusnim në kuadrat. Ai u hutua, u skuq dhe filloi të ndjente një debolesë dhe dridhje. I dolën djersë të ftohta. Unë bëra sikur s’kuptova gjë dhe i them:

-  Ulu - dhe i drejtoj dorën nga karriket rezerve që kishte zyra. Atij gati po i binte vilani…!

Mbasi ndenji pak, mori veten, nuk foli asnjë fjalë e na ftoi të pinim një kafe tek bufeja e spitalit që nuk ishte as treqind metra larg. Atje e pinim kafen çdo ditë dhe duhej ta respektoja se ishte me të vërtetë njeri i mirë, pamvarësisht që ishte pak si i sëmurë me femrat dhe simpatizant i tyre.

-  Po pooo! - tha me kënaqësi duke ju marrë goja. - Vemi, por me ne do vijë edhe Marika.

-  Patjetër. - thotë ajo. - Unë shyqyr që ju pashë dhe, me thënë të drejtën, më dhe kënaqësi që erdhe.

Unë hiqesha i pavemendshëm me ç’thoshte ajo, që të mos lija që të dyshonte miku për ç’po kurdisnim!

Ishte shumë interesante gjallëria e asaj femre dhe kurrë nuk mund të themi se po i kalonte caqet e emancipimit. Ajo ishte një çapkëne e lindur dhe veprimet e saj, në fanatizmin e kohës, bëheshin më problematike në opinion për të cilin ajo as që e çante kokën fare.

Rreth një ore e solli vërdallë inxhinierin, i tha e ç’nuk i tha, herë me pëshpërima e herë me zë të lartë, me gjeste e me qepalla, sa e dalldisi fare. Në fund, e mbylli çdo gjë me seriozitet e qetësi, sikur të ishin njohur atë çast. Ai sa s’u çmend. E ndjeu se për Marikë e bukur ishte një shok si gjithë të tjerët, asgjë më shumë...

E përcollëm T.K.-ën nga bufeja komplet të dërrmuar. Atje në klub Marika tërhoqi vëmendjen si zakonisht të doktorëve por edhe të fshatarëve që vinin të takonin të sëmurët dhe që u ndodhen aty gjatë kafesë sonë. Ata ngelën të habitur dhe thoshnin me vete… “Kështu e kanë gratë qytetare”...Marika e vinte re këtë gjë e më shumë vazhdonte me paudhësit e saj që të çudisnin!

Kjo hobi e saj pa dashur mori një rrugë, e cila ju bë si e domosdo shme. Kudo që do shkonte dhe të ishte filloi të shikohej si një grua jo e rregullt, por realiteti ishte ndryshe. Ajo ishte femer shumë e mirë dhe me shpirt të mirë, e dashur dhe shumë fisnike.

Me kohë filluan problemet edhe në familje! Shumë zëra dhe gojë të keqia i flisnin direkt apo indirekt të shoqit a të afërmve të tij për veprimet e “nxituara” të saj.

Një ditë prej ditësh në një bisedë që kishin bërë disa intelektualë diku në një zyrë, ishte përmendur emri i saj jo për mirë. Bile njëri kishte arritur të përfliste, pa asnjë vërtetësi, se me të kishte kohë që kishte marrëdhënie, gjë që çuditi bashkëbiseduesit. Nuk vonoi që kjo shpifje të shkonte në vesh të të shoqit, i cili e dinte natyrën e saj dhe nuk thellohej në xhelozi apo në tradhëti kurore! Kërkoi me këmbëngulje i shoqi se pse X foli në kolektiv pa përgjegjësi rreth gruas së tij dhe në shumë debate me të shoqen kërkoi që të dilte e vërteta! Atë natë humori i saj s’shënonte fare gradë dhe, si zakonisht, qeshte dhe ironizonte. Nga natyra ishte gazmore dhe s’mbante mëri. U përpoq pra të qetësonte të shoqin me humor, mirëpo ai u nxi më keq dhe këmbënguli egërsisht të thoshte të drejtën. Marika me qetësinë e saj i thotë:

-  Do të shkoj në zyrë të tij nesër dhe do bisedoj për ç’ka thënë.

-  Jo. Jooo! Këtë nuk duhet ta bësh. - thoshte me shumë shqetësim i shoqi.

-  Pse? Pse nuk duhet të shkoj? - përgjigjet Marika - Me sa shikoj, ju keni bindje se unë jam në duart e tij? Po më çudit dhe më fyen njëkohësisht, se sikur të egzistonte një miqësi e tillë me të, ai duhet të me ruante mua dhe të mbante sekretin, mirëpo ai, X, është treguar egoist dhe xhelozia që ne shkojmë mirë dhe që ti je ngritur në përgjegjësi e bëjnë të flasi pa doganë. Unë duhet ta pyes dhe ta sqaroj dhe, në qoftë se ai i mohon thëniet me njerëzit që ju kanë lajmëruar do hap padi për fyerje përsoni.

Dhe kështu u bë. X u dënua me 8 muaj heqje lirie si shpifës dhe njeri që do të shkatërronte familjen. I shoqi kurrë nuk u qetësua, megjithëse X hyri e doli nga burgu.

Ajo shpesh shfaqte tek i shoqi pakënaqësinë se ai, me ndodhinë e X-it, s’ishte më i pari dhe kishte humbur besimin tek Marika, e cila deri në ato momente përpiqej të tregonte se s’kishte ndodhur gjë.

Në punë përpiqej të ishte si më parë dhe të mos u tregonte të tjerëve problemet që çdo ditë po rriteshin ndërmjet saj dhe të shoqit. Mua më rrëfente në detaje çdo gjë me shpirt, me miqësi dhe sinqeritet. E këshilloja dhe i lutesha të ruante familjen nga ndonjë shkatërrim total, se shqiptari s’të fal për nder.

- Unë s’kam shkarë - përgjigjej herë pas here ajo, me një pezmatim në kulm. - Ama s’jam e zonja që atij t’ia mbush mendjen dhe të më shikojë si më parë. Ai vuan dhe unë më keq se ai… Pse, ku shkela, ç’bëra? Pa bërë asnjë faj të humbas dashurinë? Unë e dua tim shoq si edhe jetën time dhe fëmijët e mi! Ai, ka ndryshuar.

Përpiqesha ta qetësoja. Bëra dhe disa biseda miqësisht me të shoqin, natyrisht me lejen e saj, dhe ndikova pozitivisht që marrëdhëniet e tyre të mos tronditeshin duke marrë përmasa të pakorrigjueshme më.

Marika nuk ndryshoi asgjë në sipërfaqe, në sjelljet  me shokët, miqtë, në ngacmimet dhe nazet. Ama përbrenda vlonte, se mori një faj të pa kryer. Nga një thashethem i njërit për ego, për kunj, për xhelozi, për intrigë po humbiste familjen e fëmijët.

Kaluan dy-tre vjet me këtë gjëndje. Plaga që mori i shoqi nga një thashethem nuk po shërohej.

-  Unë - më thoshte Marika - çdo ditë që shkon e shikoj si të pandreqshme miqësinë me të. Ai përfundimisht ka rënë pre e thashethemit. - Dhe kështu ndodhi.

I shoqi, ose nga inati ose nga kapriçua, filloi të mos ja varte më Marikës që ishte yll, por as fëmijëve. Humbi kujdesin për ta, vinte vonë nga puna ku ishte titullar në ndërmarrje, filloi të pinte alkool. Mospërfillja e shtirur kundër Marikës, e mundonte më shumë dhe e dobësonte, nxitohej, rrëmbehej, bërtiste dhe përfundimisht po rrëshqiste nga ajo!

Ishin të dy anëtarë Partie. Në Vlorë po binte në sy që çiftin ideal diçka e mundonte. Për të burgosurin e morën vesh dhe komentet ishin nga më të ndryshmet. Disa thoshin se “e ka pasë dashnore dhe në fund e shiti”, disa thoshin sikur ta kishte dashnore pse duhej të bënte publike miqësinë me të ..! Enigma dhe rezultati i thashethemit po merrte përmasa. I shoqi u thirr në Komitetin e Partisë së rrethit, pas një ankese që kishte bërë i shoqi i një teknikeje, me të cilën kishte lidhur miqësi të re! Familja dhe Marika po shkatërrohej!

I shoqi për “hakmarrje”, për “egoizëm”, për “dashuri” po prishte kalanë e florinjtë që kishte ndërtuar. Gjithashtu nga titullar në ndërmarrje e çuan K/ing sektori, me masë ndëshkimore…!

Marika e bukur nuk donte të humbiste bukurinë e jetës. Ajo u lidh më shumë me fëmijët, me punën. Ndërkohë më shumë shtoi edhe humorin dhe të bëmat si çapkëne.

-  Ku e gjen këtë forcë! - e pyesja shpesh, - Ç’po të ndodh dhe ti tregohesh sikur nuk ka ndodhur asgjë!

-  Pse më thua kështu? - pyeste ajo - Ju nuk po e kuptoni që dashuria e marrë që unë kisha për tim shoq dhe besimi që vetë ndjeja për të, më bënë që të jem e çiltër dhe kurrë nuk kam menduar se një ditë do ndahem prej tij! Po natyrën time dhe karakterin s’kam si t’i ndryshoj. Por jam e ndërgjegjshme dhe për një gjë, ai kurrë nuk bindet që unë s’e kam tradhëtuar. Për këtë më vjen keq!

U shkatërrua familja e Marikës. Ajo familje për të cilën Vlorës i erdhi mjaft keq. U ndanë me gjyq, që në seancën e parë, pa akuzuar njëri-tjetrin, thjeshtë se nuk u puqej karakteri! U bindën gjykatësit dhe dhanë vendimin.

Pas një muaji, mikja teknike kërkon shkurorëzim nga i shoqi dhe nga dy fëmijët e saj dhe u martua me të shoqin e Marikës! Opinioni dënoi të shoqin e Marikës si prishës të familjes!

Gjykata në këtë rast fëmijët ja dha Marikës dhe në rastin tjetër, gjyqi vendosi që fëmijët t’ja linte të shoqit të braktisur.

Marika vendosi përfundimisht që fëmijët t’i çonte në Tiranë tek e ëma dhe të vazhdonte jetën e saj vetëm në qytetin ku humbi edhe dashurinë!

Një gjë na mundonte të gjithëve: kjo femër kaq e mirë, kaq e bukur, aq e zgjuar a mund të përballonte jetën pa telashe, pa probleme?

Megjithatë ajo vazhdoi zanatin e parë, “të çonte tek çezma dhe ujë s’të jepte”. I vinin vërdallë shumë e shumë herë më tepër se sa kur ishte grua e tjetër kujt, sepse tani “gjahtarët” e kishin më të lehtë dhe nuk kursyen përpjekjet për ta “përlarë”! Marika i përcillte siç vinin. Shkonin për lesh dhe dilnin të qethur. Ajo ironizonte, nuk fyente, nuk bënte harbuten, por me delikatesë e çmendte edhe më shumë “Romeon” dhe i tregonte rrugët.

Kaluan disa vjet kështu, ndoshta edhe pesë a gjashtë, ku shpesh i thoshja miqësisht:

-  Shiko jetën tënde ende sa je e re dhe e bukur! Fëmijët - të cilët i donte verbërisht, - do rriten, do gjykojnë dhe më pas do të të japin edhe hak! Ti duhesh të zgjedhesh fatin e ri.

-  Fatin e ri?! Për ç’fat bëhet fjalë? - më thoshte - Se dashurinë e parë e humba pa arsye. Një dashuri e re është si një “përshesh i dytë” thotë populli… “Dielli po të ngrohu, të ngroh në mëngjes se, kur perëndon ..” është vonë dhe nuk të ngroh fare.!!

Më vinte me të vërtetë keq dhe tani e doja më fort si shoqe, por edhe më dhimbsej më shumë!

-  A kemi thënë që jemi shokë??

-  Çfarë shokë, moj e tmerrshme…?! - i thoshja dhe qeshnim. - Ajo më vlerësonte si shumë mik, me plot zemër dhe sinqeritet, pa më të voglin aludim, megjithse të gjithë në Vlorë thoshin… “Ajo është mikja e tij…!” Një thënie e pa vërtetë. Opinioni i bindur katërcipërisht, ndërsa i shoqi asnjëherë, kurrë nuk hodhi një dyshim të tillë sa shpesh i thoshte… “Pse nuk të akuzoj edhe me PP-ën që rri gjithë ditën me të, hypur mbi motoçikletën e tij??”

Me thënë të drejtën, ajo kishte shumë qejf shoqërinë dhe miqësinë time. Në shumë raste shponte biçikletën që unë ta çoja në shtëpi mbas pune dhe, në sy të gjithë ndërmarrjes e të gjithë Vlorës, ajo pa çarë kokën nga fanatizmi dhe injoranca e asaj kohe bënte një veprim që shikohej shtrembër në opinion. Një gjë e tillë mund të ndodhte edhe për mua sadopak… Po thënia e drejtorit që “u ka plasur të dyve cipa e ballit” më bënte që të mos pyesja nga asnjë gjë, për të vetmen arsye se e dija në ndërgjegje dhe me shpirt që ishim vetëm shokë dhe s’kisha pse të ruhesha nga opinioni ose nga të afërmit e mi, kur ndërgjegjen e kisha të pastër.

-  Dhe çelik të ishe moj grua - i them një dite, - do ishe dorëzuar me gjithë këto propozime, levdërime e lakmira. Pse të dënoi zoti të mos dashurosh?! Pa dashuri po humbet gjithçka…

Qeshi, më ftoi për kafe dhe më thotë me zemër dhe me sinqeritet, mbasi m’u hodh në qafë dhe më përqafoi si një fëmijë që kërkon ndihmë… Filloi të lotojë dhe me ngashërim më thotë:

-  Po kam rënë në dashuri! E dua marrëzisht, po çmendem!…

-  E di - i them… - Ke ditë që të mundon diçka dhe po të uroj të jesh me fat.

-  Jooo - më thotë - Kam lindur për të vuajtur. As me të s’do përfundoj. Kam një parashikim dhe çdo ditë ëndërroj….!

Kaloi dy-tre vjet në dashurinë e tij. Ai ishte djalë i ri, i pamartuar, me një trup muskuloz, simpatik, i shkathët dhe çmendej pas saj. Bile unë e kisha shumë shok para se ai të fillonte dashurinë me të, por më vonë kufizoi edhe miqësinë me mua. Marika lotonte dhe më thoshte me hidhërim…

-  Është i tmerrshëm…

-  Si mashkull - i them - apo si xheloz…???

-  Që të dyja - më thotë. - Aman, mos ma merr për keq, por ai s’ka besim as tek ti.

-  Po, kjo qëndron - i them, - Atij i janë verbuar sytë, po ishalla ta mbajë deri në fund!…

-  E parashikoj të vështirë - më thotë - megjithse është i vetmi rast që unë ju dhashë e tëra. Unë e dashuroj dhe të zhgënjehem do më vinte keq.

Mbas pesë vjetësh të lidhur çdo minutë me njëri-tjetrin, shpalli fejesën! Jo me Marikën…por me një vajzë të re.

Kur unë ika në mërgim Marikën e lashë duke qarë. Më duket se ende qan!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora