E enjte, 01.05.2025, 10:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Toponimet në poezi - si truall frymëzimesh

E premte, 05.11.2010, 10:56 PM


(Këndvështrime letraro-gjuhësore)

 

TOPONIMET NË POEZI – SI TRUALL FRYMËZIMESH

(TOPONIMIA NË POEZINË E HASAN HASANIT)

 

Nga Prof. Skënder R. HOXHA

 

Shumë herë toponimet janë tregues të drejtpërdrejtë të djepit të lindjes së frymëzimeve poetke apo edhe të vetë vendit të krijimit të poezisë. Këtë mendim timin, të pashkruar deri më tash, do zgjeruar edhe pak: çdo art krijues, çoftë aplikativ, pamor, narrativ, deskriptiv, apo edhe imagjinativ etj., përveç të tjerash, ka vendin ku lindet ideja, vendin ku krijohet, vendndodhjen, legjendat të lidhura me atë vend a emërvend, qoftë në tokë apo në qiell … Kështu pra është edhe me poezinë. Ajo ka vendin e lindjes së frymëzimeve, vendin e krijimit të saj, ka vendin e simbolikës, të qenies e të legjendës reale apo të imagjinuar, ku poeti, me gjuhën dhe stilin e tij, e shenjon me anë të emërvendeve: topopnimeve, mikrotoponimeve, hidronimeve. Një përdorje e tillë ka qenë më e theksuar në epikën shqipe dhe në krijimtarinë popullore, mirëpo, toponimet, ku më shumë e ku më pak, i gjejmë edhe në vargje të lirike, në veçanti në lirikën deskriptive e përkushtuese.

     Duke rishfletuar, jo pa shkas, veprat e Hasan Hasanit, një poeti dushkajas, kemi vërejtur se në poezinë e tij  te përmbledhja e parë poetike “Krojet e bardha” e botuar para 40 vjetësh, janë përdorur një numër i madh toponimesh. Në këtë libër toponimia ka “pushtuar” të gjithë titujt e cikleve dhe të gjithë titujt e vjershave. Të gjitha vjershat e kësaj përmbledhjeje janë përkushtuese: sepse ju kushtohen krojeve, livadheve, kodrave, gurëve – si hidronime e mikrotoponime, me ngjarjet e legjendat e ruajtura për këto vende; janë përshkruese: sepse përshkruajnë natyrën pitoreske të Bjeshkëve të Rugëvës, pjesë të traditës, skena idilike etj.; janë refleksive: sepse në mënyrë lirike poeti shpreh reflekset e gjithçkaje që ndërlidhet me të kaluaren dhe të tashmen e atyre vendeve – të asaj natyre. Kësisoji, titulli i librit “Krojet e bardha” që është edhe titull i ciklit të parë, është toponim i ndërtuar nga shumësi i hidronimit kruakrojet dhe mbiemrit e bardha. Toponimet e mikrotoponimet e përdorura në këtë përmbledhje vjershash duhet sistemuar në: 1. Toponimia – hidronimia e krojeve: Kroni i Xhevit, Kroni i Akullit, Kroni i Studencit, Kroni i Bardhë, Kroni i Korisë, Kroni i Islamit, Kroni i Bogëve, Kroni në Qafë të Sirme, Kroni i Fanës, Kroni i Zhareve; 2. Toponimia e livadheve: Livadhet e Gjakut, Livadhet e Majes, Livadhet e Drejve,  Livadhet e Mrizeve, Livadhet e Blerta, Livadhet e Yjve, Livadhet e Thata, Livadhet e Gjarpnit, Livadhet e Egra, Livadhet e Buta; 3. Toponimia e kodrave: Kodra e Rogës, Kodra e Gredines, Kodra e Thime, Kodra e Mallkueme, Kodra e Rrezës, Kodra e Demirit, Kodra e Madhe,  Kodra e Kuqe, Kodra e Hutit, Kodra e Vorreve; 4. Mikrotoponimia e gurëve: Guri i Përgjakun, Guri i Shkallës, Guri i Nuses, Guri i Kuq, Guri i Rusolisë, Guri i Bardhë, Guri i Mustafës, Guri i Lamë, Guri i Shpuem, Guri i Ujkut.     

     Hidronimet, toponimet e mikrotoponimet e shënuara më sipër, na duket mirë dhe ja vlen t’iu qasemi nga disa këndvështrime. Së pari, ndërtimi strukturor: Siç shihet, të gjitha këto emërtime toponimike kanë strukturë dygjymtyrëshe – emër + emër, me përjashtim të hidonimit Kroni në Qafë të Sirme që është tregjymtyrësh. Pra, secila ka pjesën caktuese dhe përcaktuese të saj. Së dyti, kuptimi - rrethana ndikuese në formimin e toponimit: Shihet qartas se në gjymtyrën e dytë të këtyre emërvendeve (toponimeve) shprehet rrethana mbi bazë të së cilës edhe janë sajuar. Ta zëmë, Kroni Akullit (sipas ujit të ftohtë, akullit), Kroni Bardhë (ngase uji i gurrës së tij duket, kur derdhet shkëmbinjve duket si i bardhë), pastaj emërtime mbi bazë të pronarëve apo të atyre që e kanë ndërtuar, si: Kroni Islamit, Kroni Fanës etj.; Livadhet e Gjakut (sipas gjaqeve që janë bërë dikur aty (?)), Livadhet e Gjarpnit (sipas gjarpnit), Livadhet e Buta (sipas rrethanës se kanë bar të mirë – janë të buta); Kodra e Mallkueme (ngase e kishin mallkuar dikur…), Kodra Rrezes (sipas rrezes, i bie rrezja); Guri përgjakun (sipas gjakut të bagëtisë që i prente ujku), Guri Nuses (sipas legjendës së du parë krushqve, kur janë zatetë në rrugë, e nëse asnjëra parë nuk ka lëshuar rrugë, atëherë kanë luftuar mesveti…), Guri Ujkut (sipas ujqërve…) etj. Së treti, gurra gjuhësore: Toponimet e përdorura që i përmendëm, janë emërtime të një natyre bjeshkore dhe me rrjedhojë gjuhësore të gurrës shqipe. Së katërti, toponimet – pika frymëzuese për poetin: Secili prej këtyre toponimeve ka historinë e vet, legjendën, rëndësinë etj. ndaj edhe bëhen si pika vrojtimesh rreth të cilave poetit i lindin frymëzimet dhe krijohen vargjet poetike.                                 

     Në përmbledhjen me vjersha “Krojet e bardha” të Hasan Hasanit gjejmë të jetë përdorur edhe makrotoponimi Bjeshkët e Nemuna, si dhe toponime të tjera: Ishtedim (emër i një kompleksi bjeshkor), grykë, Shpella e Zezë etj. Toponimet e krahinës së Rugovës të cilat poeti Hasani i ka bërë objekt frymëzimesh poetike, duhet t’i vlerësojmë edhe si emërvende origjinale e të përdorura në trajtat ashtu siç quhen në traditën rugovase, ndërsa libri “Krojet e bardha” do t’ua përcjell breznive këto emërvende dhe do të mbetët djep i ruajtjes së tyre nëpër kohë sepse, siç kishte thënë studiuesi ynë prof. dr. Shefki Sejdiu “Toponimet janë pjesa më rezistente e leksikut të një gjuhe”.

     Toponimet, mikrotoponimet, hidronimet, ky poet i ka përdorur edhe në një libër tjetër me poezi, të botuar shumë më vonë, me titull “Përkolajt” (1988), madje në masë të theksuar. Në vargje të këtyre vjershave kemi të bëjë me emërvende të ndryshme, gjegjësisht emërtime toponimike, si: fitonime, ojkonime etj., karakteristike për vendlindjen e tij, Jabllanicën, si dhe territore të tjera  të Dukagjinit, Shqipërisë dhe më gjerë. Që në fillim të librit gjejmë vjershën “Zanat në Dushkajë”, ku kemi toponimin Dushkajë, emri i një krahine etnogjeografike në Dukagjin), emërtim ky i sajuar mbi bazë fitonimike. Toponimin Dushkajë autori e ka përdorur edhe në disa vjersha të tjera të këtij libri. Ojkonimin Jabllanicë (emrër i një katundi në Dushkajë – vendlindja e poetit Hasani), e përdor  atëherë kur vargëzon për të, natyrën e saj, apo për bashkëvendësit e tij. Duke qenë njohës i mirë i çdo skute të venbdlindjes së tij, Jabllanicës (tash Shqiponjë), Hasani me saktësi i merr dhe i fut në vargje aty ku i duhen, aty ku këndon për to, si dhe aty ku tradita apo ndonjë ngjarje lidhet me to, ndonjëherë edhe për tituj vjershash, si: Zabeli i Gojanit (vjershë në faqen 10), ku poeti e ka fjalën për një zabel të moçëm në jugperëndim të katundit Jabllanicë. Ky toponim është përdorur edhe në disa vende të tjera. Në faqen 12 të librit gjejmë vjershën me titull Ura e Madhe. Mikrotoponimi Ura e Madhe është emërtim i një ure mbi Përrua, në Jabllanicë, në mes të lagjeve Përkolaj dhe asaj të Lugjve. Quhej kështu kjo urë e drunjtë, ngase nuk kishte urë më të madhe aty. Është me interes titulli i vjershës Te Lisi i Ramë Kamerit, (f. 11.), sepse kështu mban emrin një mikrotoponim ( i sajuar sipas një Ramë Kamerit të dikurshëm) në vendin – toponimin Lugu i Shavarit, të cilin, po ashtu, autori e përmend në një varg të kësaj vjershe. Ky toponim ëshë i formuar nga fjala lug-u (sipas konfiguracionit të terrenit) dhe shavar-i (emri i një bime barishtore që del aty). Sipas bimës së Shavarit janë formuar shumë emërtime toponimike. Ja se si e përdor në një varg të një poezie ky autor: “Përse ikë Shavarinave të blerta” (f. 20.). I po kësaj natyre rurale është edhe toponimi Kodra e Madhe (kodër në jabllanicë), (f. 13.), me të cilën poetit i lidhen kujtime të cilat i ngreh në nivel frymëzimesh e vargjesh për vendlindjen.

     Ndërkaq, kur kishte shkruar kurorën e soneteve me titull Baladë për plakun e maleve (kushtuar Bajram Currit), e cila fillon nga faqja 23 e përmbledhjes me vjersha “Përkolajt”, Hasan Hasani përdor një regjistër tjetër të toponimeve e mikrotoponimeve, pra atë nga Malësia e gjakovës, natyrisht, që lidhen me jetën e veprimtarinë e Plakut të Maleve: Dragobi, Malësi, Shkëlzeni, Bjeshka, Kodra Gjarpnit n’Dragobi – shih në vargun: N’gjirin e Kodrës Gjarpnit n’Dragobi e ruanin një plak” (vj. f. 25). Toponimin Dragobi e gjejmë të përdorur në disa trajta nëpër vargje … N’ballë të Dragobisë…”, “… peng shekulli i Dragobisë” etj. Në disa vargje janë përdorur këtu edhe hidronimet: Ereniku, Valbona, Drini i Bardhë, Drini i Zi, të cilat bëhen të regjistruara e të pavdekshme edhe në këto vargje poetike. Te këto hidronime e mirkotoponime ndërtimi strukturor është - njëgjymtyrëshe: Valbona, Ereniku, Dragobi, Shkëlzen…; dygjymtyrëshe: Drini i Bardhë, Drini i Zi; …, trigjymtyrëshe: Kodra Gjarpnit n’Dragobi … Mirëpo, në një vjershë të këtij libri, kushtuar kushëririt të tij, një Selman Tahir Smajlit të dikurshëm, i cili s’ishte kthyer nga ushtria kurrë, autori përdor hidronimin Danubi, si dhe toponimet: Malet e Galicisë, Austria, Budapesti, për të mbetur këto, bashkë me vjershën, si dëshmitare të asaj ngjarjeje të hidhur.

     Përgjithësisht, te emërtimet toponimike që i zumë ngoje, pa marrë parasysh vendshtrirjen e tyre, veç asaj që u tha më sipër, do parë edhe karakterin formues, atë të qëllimit të thënies së tyre, ku në këto konstrukte mund të spikaten: objekti e subjekti, prona e pronari, objekti e rrethana e tipare të tjera. Në këtë shtjellim, gjymtyra e parë e shumë toponimeve: kroni, livadhi, kodra, guri, drini, mali, lisi, bjeshka, shpella etj. tregojnë objektin, pronën, ndërsa gjymtyra e dytë: i Xhevit, i Fanës, e Drejve, i Bogve, i Nuses, i Rusolisë, i Mustafës, i Gojanit, e Galicisë etj., trgojnë subjektin – pronarin. Gymtyrët e tjera të dyta të këtyre emërtimeve toponimike, si: i akullt, i bardhë, e blerta, e buta, i lamë, e thata, i kuq, i zi etj., tregojnë cilësi, tipar të objekteve, duke u bërë pjesë e rëndësishme e këtyre toponimeve. Ndërkaq, në këtë kontekst, do përmendur këtu edhe një lagje toponimesh, si: Kodra e Madhe, Livadhet e Majës, Ura e Madhe, e ndonjë tjetër, që tregojnë tiparin dimensional të vendit a objektit; si dhe ato që janë të sajuara mbi bazë të botës shtazore, përkatësisht sipas ndonjë legjende rreth tyre që është ruajtur në traditë: Livadhet e Gjarpnit, Guri i Ujkut, të cilat, gjithashtu kanë gjetur vend në vargjet e këtij poeti dushkajas.         

     Ndaj, në poezinë e Hasan Hasanit, të këtyre dy përmbledhjeve, del se shija e artit poetik korrespondon dhe mbetet në simbiozë me një nomenklaturë shenjëzuese toponimike autentike e autoktone, kryesisht, shqipe.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx