E premte, 03.05.2024, 02:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël tregimesh nga Luan Çipi

E diele, 07.11.2010, 06:57 PM


QYFYRET E TELEMAKUT

 

Cikël tregimesh, nga Luan Çipi

 

Telemak Xhaxhua ishte, mbi çdo gjë financier i mirë i dalluar midis dhjetëra specialistëve vlonjatë dhe model në shkallë kombëtare. Ai punoi për një kohë të gjate shef finance në disa ndërmarrje të rrethit të Vlorës, më shumë në Ndërmarrjen Ushqimore dhe në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi, po për disa vite ishte dhe kryerevizor në Ministrinë e Industri Minierave në Tiranë. Ishte nga ata djem Vlore që krenohej me të drejtë se mbaroi, pas shkollës fillore 5 vjeçare në fshatin Nartë me mësuesin e paharruar Jorgo Ceko, Shkollën e Mesme Tregtare 8 vjeçare të qytetit të Vlorës dhe më vonë ndoqi e përfundoi suksesshëm me korrespondence pa u shkëputur nga puna, studimet për financë-kontabilitet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Telemaku ishte trup gjatë, hollak, që i merrej pak goja  dhe kur fliste qysh në germëzimin e parë, kuptohej nga çdo vlonjat se ishte nartjot, sepse si shumica e banorëve të shatit Nartë, ngaqë gjuhën e mëmës e kishte greqisht, disa germa të shqipes i formonte të mangëta e si të belbëta. Po kjo nuk ja përçmonte ligjëratën, përkundrazi e bënte atë gjithnjë më interesante dhe më të pëlqyer.

 Duhet thënë që në fillim se Telemak Xhaxhua ishte njeri me humor të lindur, që asnjë veprim nuk kryente në jetë në çdo rrethanë, kurdoherë dhe kudo, pa një ndjenjë humori, pa bërë qyfyre si i quante ai, pa shaka të kripura. Atij i ishte bërë organike dhe nuk mund të përfytyronte formulimin e mendimit e nuk mund të shprehej pa një ndjesi apo përfundim dytësore, aqësa ndonjëherë, kur e cytnin me qëllim dashakeq, kalonte deri në zhvleftësim e tallje të partnerit bashkëbisedues apo viktimës objekt bisede. Sidoqoftë, gjithnjë ai dilte i fituar, sidomos në përpjekjet fatkeqe që dikush mund të ndërmerrte për ta qesëndisur, përfolur apo nënvleftësuar atë.

Telemaku, më së shumti, banoi në fshatin Nartë, rreth 7 kilometra larg, në veri perëndim të qytetit të Vlorës, Ai shkonte e kthehej nga puna zakonisht me një biçikletë të vjetruar, që nxirrte dhe ajo tinguj vjetrimi e oksidimi, nga fërkimi  i ashpër i pjesëve rrotulluese, skatolës, koronës dhe zinxhirit të pa lubrifikua prej vitesh dhe të dukej se edhe ajo lëvizte e fliste  e bashkëbisedonte me të zotin pafundësisht.

Fshati Nartë është  në tërësinë e vetë nga ana panoramike e jetësore si një  kartolinë e bukur turistike dhe si një shfaqe gazmore e veçantë, që të tërheq si me magji për jetë aktive, punë të dobishme dhe shoqëri të këndshme. Nartjotët, që në fshatin e tyre të bukur lodhen e rropaten gjithë ditës duke punuar fort, shfrytëzojnë çdo çast të lirë për t’u mbledhur bashkë, për të dëfryer e çlodhur aktivisht me valle, këngë dhe gatim karakteristikë. Janë të njohura në mbarë vendin vera “vlosh” dhe “ngjala qillomane”, delikatesa të fshatit Nartë, që vetëm njëherë po t’i shijosh, do ti kujtosh  e do përpëlitësh gjuhën sa të jetë jeta.... Këto “dhurata Zoti” nartjotët i kanë pasur në të gjitha kohët. Në qytetin e Vlorës dhe kudo, në periudhën e skamjes ekstreme hahej thuajse gjithë vitin bukë misri, “babanace” si quhej, ndërsa nartjotët gjithnjë kane konsumuar bukë “gruri rumbulake”.

Fshati i Nartës vërtetë është fare afër qytetit të Vlorës, por njëkohësisht është si një lagje  e tjetër sojshme e zgjedhur e tij. Mund të them se as Vlora dhe as Narta nuk kuptohen tërësisht si kompleks unik dashurie dhe mirëkuptimi, pa njeri tjetrin. Nartjotët gazmorë e punëtorë venë e punojnë më së shumti në qytetin e Vlorës dhe në rrethinat e tij, në kripore e në ndërtim, në vreshtari dhe në peshkim, si dhe atje ku janë punët më të renda e me te vështira, po më te pagueshme e më të dobishme, Ata dallohen nga larg me ato veglat e tyre të punës të stërmëdha (lopatë e shat nartjoti).

Rinia qytetare vlonjate ka frekuentuar, në të gjitha kohët, shpesh dhe me dëshirë e kënaqësi, së bashku me vëndalijtë, rrugët e kalldrëmta  e të pastra të Nartës; Kishat e vjetra të zbukuruara me ikona gjithfarësh; Pusin e Kavallonës me atë ujin e ftohtë dhe mjedisin ekzotik, ku zinin radhë vajzat e bukura nartiote, veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe; dasmat karakteristike rituale, ku nuset shoqërohen për te burri të nisura e të stolisura me gjerdanë e monedha ari gushës dhe ku nga katet e dyta krushqit presin orendi e pajisje shtëpiake si dhurata për nusen; Liqenin e Nartës, me ato kaiket e shumta të peshkimit e deri Manastirin Mesjetar Ortodoks të Zvërnecit, ku qindra pelegrinë e gdhijnë çdo vit, me shprese se u shtohet jeta dhe u falen gjynahet. Vlonjatë e Nartjotë mblidhen për çdo rast fatlumë me njeri tjetrin, ndërsa në Festën e Karnavaleve, që nis ditën e verës, ceremoni tepër e veçantë e më se gazmore, ku këndohet, kërcehet e luhet muzikë sazesh dhe paraqiten veshje e maska gjithfarë llojesh, festa zgjat tre ditë e tre net.   

 

Telemak Xhaxhua gazmor, pjellë e vendlindjes, mbart karakteristikat e fshatit Nartë. Duhet thënë se ai është thelluar edhe në studimin e historikut të këtij ngulimi të hershëm  karakteristik  me doke e zakone të bukura tradicionale. Një pjesë e nartjotve kanë ardhur dhe janë vendosur në trevat e sotme nga  Zvërneci bregdetar dhe më hershëm, si detarë piratë, nga Arta, po ka dhe dyndje të pjesshme Labërie e deri nga trevat veriore shqiptare. Sidoqoftë faktikisht ata janë bilinguistë dhe greqishtja e tyre  paksa arkaike është më e afërt me origjinalin se e folmja himarjote.

Le të kenë ardhur nga të duan. Ky është kuriozitet historik dhe këtë le ta zgjidhin  vetë ata dhe historianët. Nartjotët kane qenë gjithnjë pjesë e halleve shqiptare, pjesë e Vlorës heroike e patriote, qëndërestarë aktivë kundërshtie e proteste për çdo padrejtësi e shtypje, pjesëtarë dhe vatër rezistence antifashiste dhe strehë e ilegalëve të parë vlonjatë, kundërshtarë të diktaturës dhe  të çdo padrejtësie popullore, përkrahës të perëndimit e sidomos ëndërrimtarë për ditë më të lumtura dhe për marrëdhënie më të mira me bashkëfolësit fqinjë të Greqisë së ëndërruar, si ylli i mëngjesit, për burim mirësie, shprese e lirie. Nartjotët mbi çdo gjë kanë qenë dhe janë punëtorë si rrallë të tjerë, po që njëkohësisht si rrallë të tjerë, e duan dhe e gëzojnë jetën në vazhdimësi, për çdo çast dhe me çdo të mirë që ka.

Ja, ky është mjedisi që e lindi dhe e formësoi Telemak Xhaxhon, financierin dhe gaztorin e madh.

 

 

1.- TELEMAKU DHE SEKRETI SHTETËROR

 

Kur ishte kryerevizor financiar i Ministrisë Industri Miniera Tiranë, me nje grup shokësh siç ishte rregulli, ai u dërgua për të kontrolluar, revizionuar e mbyllur aktivitetin financiar, si dhe për të ndihmuan nxjerrjen e bilancit kontabël në një Minierë Kromi në zonën kufitare veriore. Pasi punuan për gati 15 ditë rresht, në kushte të papërshtatshme jetese e ushqimi, në acarin dimëror verior, grupi i kontrollit ishte lodhur e mërzitur edhe sepse gjendja dokumentare atje tregonte për parregullshmëri, falsitete e ndofta vjedhje. Punonin me orë të zgjatura mbi dokumente dhe pushonin rreth një orë sa hanin drekën, diku në një mensë punëtorësh aty pranë dhe informonin e mbanin lidhur në telefon eprorët e tyre në Tiranë, hap pas hapi për rezultatet revizionimit.

Në një fillim jave, kur grupi ishte duke ngrënë atë pak lëtyrë që gatuhej aty, hapet dera e mensës dhe njëkohësisht dy batigardë të armatosur kërkojnë, gati duke bërtitur kryerevizorin. Kishte ardhur nga Tirana vete Ministri i Kontrollit gjeneral Sh., i  dalluar nga te gjithë për arrogancë dhe skrupulozitet ekstrem.

-Ti je kryerevizori i Ministrisë Industri Miniera?

-Po, shoku gjeneral, Unë jam Telemak Xhaxhua nga Vlora.

-Pa hajde të na japësh shpjegime se morëm vesh për abuzimet e këtushme, që kanë shqetësuar deri Udhëheqjen e Lartë.

Telemaku shtyn derën dhe futet te dhoma e kontrollit. Nje erë e fortë fryn nga dritaret e lëna hapur për ajrosje dhe disa dokumente i  përhap mbi tavolinat e  deri për tokë. Fill pas Telemakut futet ne zyrën e vogël dhe gjenerali me shpurën e tij. Ai sa sheh gjendjen, vë dy duart në kokë e çirret e bërtet, sipas zakonit:

-More, po ç’bëhet këtu: Dera e zyrës është e hapur dhe e pa mbyllur me çelës dhe pa dyllosur e vulosur, dokumentet gjenden jashtë kasaforte dhe të përhapura ne tavolina e deri në dysheme!

Po ç’bëni more ju të poshtër, që këtu buze kufirit i lini pa zot dokumentet e Partisë dhe sikur ia dorëzoni me duart tuaja armikut  të egër titist, tamam këtu, buzë kufirit shtetëror? Po, sikur këtu të vinte një agjent imperialisto-revizionist dhe ti grabiste këto dokumente e projekte shfrytëzimi, ku do shkonte fati i vendit. Kjo do formonte nje katastrofë ndërkombëtare, që do cenonte emrin tonë të madh dhe do errësonte qiellin, që ndriçohet prej yllit marksist leninist, prej komandantit tonë legjendar... Do të të arrestoj, qen!

Telemaku, meqë ligjërata ishte e gjatë dhe i la kohë, e mblodhi shpejt veten dhe  iu përgjigj gjeneralit, aty për aty:

-Kjo mund të bëhet dhe unë ta them me kuraje, se e di që jeni trim i shquar, ndaj po të flas me guxim, mbase të tepruar, si trimi trimit: Nga arrestimi unë nuk  kam frikë se nuk humbas shumë, ngaqë edhe këtu si ne burg jam prej 15 ditësh, po, nëqoftëse është e mundur, para se të më arrestoni,  a kini mirësinë të  më lejoni të shpjegohem?

Gjeneralit që i pëlqeu  dhe i shkoj për shtat sedrës se tij kryeneçe fjala “jeni trim i shquar”, e futur enkas nga Telemaku, i dha leje atij për të dhënë shpjegime, ndaj Telemaku vazhdoi:

--Ju, shoku gjeneral, kini të drejte për çka thatë, se unë kam shkelur rëndë normat elementar të punës dhe të porosive që kanë të bëjnë me ruajtjen e sekretit shtetëror, e sidomos faji rritet se ne jemi buze kufirit dhe fare afër, si thoni me të drejte ju, pranë agjenturave titiste. Po, duhet te dini se, unë specialisti më i mirë i vendit për kontrollin financiar, siç më kanë quajtur, edhe që jam dekorua për këtë, madje edhe i shoqëruar me disa vetë këtu, kam 15 ditë haptas që kërkoj  e kërkoj, po deri tani nga këto shgaravina nuk kam marrë vesh asgjë, veç falsifikimeve në borderotë e pagesave, që tregojnë për vjedhje sistematike në shuma të mëdha parash. Ndaj mendova se si do mundet një agjent i maskuar i vetmuar titist do mund të vijë këtu për të marrë ta zëmë projekte e studime rezervash kromi, etj., kur në këto dokumente këtu nuk gjenden fare. E aq me tepër ta bëjë këtë vjedhje për gjysmë ore që unë largohem për të ngrënë buke me sy nga kjo derë, ai nuk ka asnjë mundësi të  zgjedh, kontrolloi dhe përvetësoi dokumentet sekrete të Partisë.

-Ik, more malukat, se qenke hezber dhe avokat nga goja ti. Pastaj, me përvojën tënde, vlerësimin që të kanë bërë dhe dekoratat e mara, na duhesh më shumë këtu se sa në burg. Ulu tani e na shpjego se çfarë ke zbuluar dhe si është e vërteta, që na alarmuan e na kanë prurë urgjentisht nga Tirana deri këtu!?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora