Kulturë
Jorgo Bulo: Si zgjodhëm 20 autorët më të mirë për "Balkanikën"
E diele, 07.11.2010, 12:03 PM
Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare
Ato janë 20 veprat më të mira, të botuara në Shqipëri në vitet 2008-2009. Emrat e autorëve të tyre janë nga më të ndryshmit, që prej autorëve më në zë e deri tek më të rinjtë. Emra të lakuar, të diskutuar, emra të suksesshëm të letërsisë shqiptare, janë bërë tashmë pjesë e konkursit për çmimin "Balkanika", që zgjedh veprën më të mirë të Ballkanit për vitin 2008 dhe për vitin 2009. Prej autorëve përmendim: Ben Blushi, Piro Misha, Visar Zhiti, Kadare, Flutura Açka, Teodor Laço, Kim Mehmeti, Agron Tufa etj. Kjo është vetëm faza e parë e përzgjedhjes, në të fundit, vetëm një prej 10 emrave të autorëve për vitin 2008, e po ashtu për vitin 2009, do të përfaqësojë Shqipërinë në shpalljen e çmimeve më 28 nëntor në Vlorë, zgjedhur prej Fondacionit "Balkanika" dhe Institutit të Librit dhe të Promocionit "Toena", si qyteti ku mbahet aktiviteti. Aty, veprat më të mira letrare të vendeve ballkanike, të propozuara me çmimet letrare "Balkanika", do të shpallen në një aktivitet të mbështetur nga MTKRS-ja dhe Bashkia e Vlorës. Do të ketë 2 trofe, 2 fitues për veprën më të mirë të Ballkanit për vitet 2008-2009 dhe Vlora, qyteti i librit, do të jetë vendi mikpritës dhe organizator. Prej kohësh, siç është bërë e ditur, juria shqiptare po punon për përzgjedhjen e veprës dhe autorit, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar për shpalljen e veprës më të mirë letrare për vitet 2008 dhe 2009. Ky edicion që organizohet në Shqipëri për herë të dytë, do të akordojë dy çmime për vitet respektive, pasi për arsye madhore është bërë i mundur organizimi i eventit të vitit 2008 në kohën e duhur. Juria shqiptare përbëhet nga Prof. dr. Jorgo Bulo (kryetar), Diana Çuli, Prof. dr. Ali Aliu, Preç Zogaj, Virgjil Muçi (anëtarë). Tek autorët dhe veprat veçojmë: Ben Blushin me romanin "Të jetosh në ishull"; Piro Mishën me esenë "Arratisja nga burgjet e historisë: Ç'do të thotë sot të jesh shqiptar"; Visar Zhitin me vëllimin me tregime "Shekull tjetër"; Agron Tufën me romanin "Tenxherja"; Kim Mehmetin me romanin "Kulla dykatëshe", roman; Flutura Açkën me romanin "Ku je?" dhe Ismail Kadarenë me romanin "E penguara". Kryetari i jurisë kombëtare që është marrë me përzgjedhjen, Jorgo Bulo ka folur dje për kriteret dhe parashikimet në një intervistë për Gazetën.
Profesor Bulo, si është bërë përzgjedhja e veprave?
Si bazë ka shërbyer informacioni për veprat e dorëzuara në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës, si dhe veprat e botuara nga autorët shqiptarë në Maqedoni, Malin e Zi dhe diasporë. Në punën tonë, ne kemi marrë parasysh të gjitha veprat letrare të botuara gjatë viteve 2008 dhe 2009 (roman, vëllim me tregime, ese).
Cilat kanë qenë kriteret mbi të cilat është bërë përzgjedhja?
Kriteri kryesor ka qenë kriteri i vlerave që përfaqëson secila vepër dhe natyrisht, në ndonjë rast kanë pasur përparësi vepra që trajtojnë tematika ballkanike, ose që kanë një rezonancë të këtyre temave.
Nëse flasim për tematikën ballkanike, kë keni parasysh?
Mund të përmendja romanin e Ben Blushit, "Të jetosh në ishull". Por, siç e thashë, në ndonjë rast, jo gjithmonë. Sa i takon vlerave, aty nënkuptojmë risinë që sjell secila vepër nga pikëpamja e formës, e përmbajtjes dhe risisë artistike.
Vihen re emra të rinj dhe të vjetër të letërsisë, por mungon poezia...
Janë emra të rinj dhe të vjetër, ose emra që kanë përvojë më të gjatë. Është pasur kujdes që të ketë sa më shumë emra të rinj. Por, kriteri themelor ka qenë ai i vlerave artistike të veprës. Zhanri i botimeve kanë qenë romanet, vëllimet me tregime dhe esetë.
A ka qenë kusht botimi i librave në gjuhë të huaj?
Kjo është faza e parë e përzgjedhjes. Është një kusht që në fazën përfundimtare, vepra e përzgjedhur të jetë botuar e përkthyer në frëngjisht ose anglisht.
Sa i takon çmimit "Balkanika", deri ku shkojnë parashikimet tuaja?
Ju po thoni sa shanse ka që juria ballkanike të vlerësojë autorët shqiptarë? Shpresojmë të marrim një çmim për të dyja edicionet. Duhet thënë se Çmimet "Balkanika" mbahen për herë të dytë në Shqipëri, e këtë radhë ato do të shpallen në Vlorë më 28 nëntor 2010. Është një rast për të shpërfaqur edhe vlerat historike e turistike të Vlorës.
A janë marrë parasysh librat më të shitur, apo ata më të debatuarit?
Më duhet të them se botimet janë parë në kompleks. Janë marrë parasysh, por nuk ka qenë kriter kryesor, sepse për t'u shitur mund të shiten shumë, edhe libra që nuk kanë asnjë vlerë artistike.