Kulturë
Adem Berisha: Lediana Kapaj - Margaritar i ri i artit dhe kulturës shqiptare nga mërgimi
E shtune, 06.11.2010, 08:13 PM
Lediana Kapaj - Margaritar i ri i artit dhe kulturës shqiptare nga mërgimi
Nga Adem Berisha
Ja, arriti në atdheun e tij të dashur edhe një margaritar i artit dhe kulturës tonë kombëtare nga mërgimi që poetja e talentuar dhe humanistja zemërbardhë LEDIANA KAPAJ e solli këtu, këtu ku shpirti e zemra i pushojnë më qetë se çdo ku tjetër në rruzullin tokësor. Madje, edhe më qetë se sa në vet djepin e kulturës, demokracisë e civilizimit evropian e botëror, Francë ku tash e njëzet vite Lediana jeton dhe punon duke gëzuar gjithë mbështetjen e atjeshme për jetën dhe veprimtarinë e saj kreative në lëmin e artit letrar të cilin ajo me pasion e kultivon për ta sjellë tek lexuesit e saj të dashur shqiptar së pari në atdhe por edhe gjithandej Evropës e Amerikës ku jetojnë e punojnë bashkëkombasit e saj. Pas përmbledhjes së parë të saj poetike DALLGË DASHURIE ku gjithë fitimin nga shitja e të cilit ua kishte dedikuar fëmijëve jetimë të Shqipërisë, Lediana për lexuesit e saj që i do dhe e duan shumë, tash na sjell librin e saj të dytë FLLAD PSHERËTIMASH në botim të shtëpisë botuese ADA dhe redaktim të shkrimtarit të shquar fterriot z Vullnet Mato i cili si duket, nuk kishte nevojë të mundohej shumë për të redaktuar këtë libër pasi që poetja me vullnet dhe përkushtim kishte realizuar pasionin e saj. Promovimi i këtyre dy veprave me vlerë të pakontestueshme artistiko-letrare që do të bëhet më datë 14 nëntor në ora 15 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, për të cilin autorja bën një udhëtim të gjatë nga Franca në Shqipëri, edhepse ka mund ta bënte atje, është edhe një mundësi e mirë që artdashësit dhe dashamirët e fjalës së shkruar poetike nga Tirana e qytete tjera të Shqipërisë ku me gjasë nuk do të mungojnë as lexues e artdashës tjerë edhe nga Kosova e viset tjera shqiptare, të njihen më afër me vlerat e larta artistiko-letrare që Lediana sjell në këto anë.
Ftoj bashkatdhetarët e dashur që në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë ceremoni promovimi dhe jam i sigurt se nuk do të zhgënjehen, përkundrazi do të përjetojnë kënaqësi të veçanta të çastit. Unë bashkë me një grup miqsh të mi nga Kosova përkundër moshës që kam dhe gjendjes së brishtë shëndetësore, nuk do të hezitoj të kaloj disa qindra kilometra për të qenë pjesëmarrës i këtij manifestimi prej nga do të bart me vete një ndër kujtimet e veçanta të kujtesës sime. Uroj autoren e nderuar dhe respektuar znj Lediana që botimi i këtyre dy veprave të jetë vetëm fillimi në vazhdën e shumë botimeve të reja në vijim për çka ajo në favor ka edhe moshën e saj të re, gjë që në këtë edhe nuk dyshoj.