Kulturë
Dy këngë qytetesh nga Tefta Tashko
E shtune, 06.11.2010, 12:33 PM
Nga Jorida Pasku
Dy këngë të panjohura të sopranos Tefta Tashko Koço, të regjistruara në kohën e studimeve në Francë, vitet 30. I biri i shpëton nga harrimi. "Tirana" dhe "Saranda" sonte në zërin e Teuta Koços
Dy këngë të muzikës qytetare, "Tirana" dhe "Saranda", publiku shqiptar nuk i ka dëgjuar kurrë të kënduara nga zëri i Tefta Tashko Koços, këngëtares lirike të viteve '30. I biri, Eno Koço zbulon regjistrimin 80 vjet më vonë për një natë speciale, për 100-vjetorin e lindjes së artistes.
Përvjetori kujtohet sonte, ora 19.00, në Akademinë e Arteve me një program ku bashkohen këngë të repertorit të muzikës popullore, muzikë së lehtë dhe lirike.
"Tiranës" dhe "Sarandës", me vargje dhe muzikë të Neço Mukos, i jep zë sopranoja e re Teuta Koço, e mbesa e Tefta Tashko Koços.
Të pranishmit do t'i dëgjojnë këngët në versionin modern, dhe në sfond për 25-30 sekonda, regjistrimi i vjetër me zërin e Teftës.
Disku i vjetër Pathé, ku gjenden edhe dy këngët e panjohura, i ka rënë në dorë dirigjentit Eno Koço në fund të viteve '70, në një shtëpi himariote.
Për hir të një studimi ishte në kërkim të disqeve të vjetër në familjet e bregut të jugut, në Vlorë, Himarë, Qeparo. Ai kujton që disqet nuk ishin të mbajtur mirë, ishin të shkatërruar, por ai i grumbulloi, i dëgjoi në një gramafon të vjetër dhe i kaloi në shirit.
"Më 1930, një grup muzikantësh himariotë regjistroi në Paris, këngë të lehta, këngë humoristike dhe parodi. Tefta regjistroi tetë këngë të lehta. Në atë kohë ajo studionte në Francë, në Monpelje, ku kishte shkuar që më 1927. Duhet të kemi parasysh, që këngët janë të regjistruara në kushtet e atëhershme.
Çdo gjë është bërë në çast, nuk ka ndonjë sinkron të mirë midis këngëtares dhe muzikantëve. S'ka atë kompaktësi siç ka 7 apo 12 vjet më vonë, kur vajti dhe regjistroi në Itali, se edhe teknika përparoi dhe nëna ishte më koshiente për regjistrimin. Në këtë kohë ishte vetëm fillimi, ishte 20 vjeçe, vetëm në mes të Francës", tregon Koço.
I vlerëson tekstet për thjeshtësinë, fjalët e zgjedhura e që tingëllojnë bukur në këngë. "Tirana aty është e bukur, është Parisi i Shqipërisë, me zonja e zotërinj, me automobila që shkojnë poshtë e lart.
Dhe Saranda është lozonjare, kanakare", komenton Eno Koço.
Për autorësinë e melodive nuk shpejton të bëj përcaktime. Ai thotë se "nuk dihet nga vinin", dhe se është e vështirë të caktosh kufij në një terren si ai i muzikës së lehtë.
Një tjetër këngë, që i takon grupit të muzikës së lehtë, që interpretohet në këtë mbrëmje është edhe kënga "Korçarja e bukur", ajo ashtu siç njihet prej dekadash, me tekstin e deformuar, por origjinalin, që pakkush e di që për herë të parë është kënduar nga Tefta Tashko.
Kjo mbrëmje muzikore, i vlen këngëtarit të ri e dëgjuesve jo vetëm si njohje me jetën dhe aktivitetin e këtij zëri të veçantë që u shua herët, por edhe si një udhërrëfyes i njohjes së ambienti të hershëm muzikor ndërmjet dy luftërave.
Grupimi i këngëve të lehta mbyllet me këngën "Dua më shumë Shqipërinë", që interpretohet nga këngëtarja Irma Libohova.
Mbrëmja muzikore e organizuar nga dirigjenti Eno Koço, me dy fëmijët e tij, sopranoja Teuta Koço, violinisti Gent Koço, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar hapet dhe mbyllet me këngët popullore të repertorit të sopranos.
Janë këngët e njohura: "Kroi i fshatit tonë", "Kur më vjen burri nga stani", "Unë e ty moj të kam dashtë", "Zare trëndafile", ku interpreton këngëtarja Irma Libohova, në violinë shoqëron Gent Koço. Më tej hyhet në ujërat franceze të repertorit të sopranos, duete, opereta, terceto, të interpretuara kryesisht nga Teuta Koço.
Në fund është një duet i saj me tenorin Gaqo Çako, i cili këndon në regjistrin e baritonit "Buzët që qeshin", që dikur e ka kënduar baritoni Kristo Koço, i shoqi i sopranos. Mbrëmja mbyllet me këngë popullore dhe të muzikës së lehtë.
Në këtë pjesë të spektaklit, interpretojnë edhe dy këngëtarët lirikë të Teatrit të Operës, baritoni Armando Likaj dhe mexosopranoja Lindita Kola.
"Korçarja", origjinali me pak fjalë frëngjisht
Kënga "Korçarja e bukur", e kënduar nga sa e sa këngëtarë të muzikës së lehtë, këndohej ndryshe në vitet '30. Ekziston një version i panjohur për shqiptarët, i kënduar nga Tefta Tashko Koço në vitet '30. Korçarja është "e vogël si pupe", "me shik e me naze". I biri i sopranos tregon se fjala e bukur frënge "pupe", ku i këndohet "një kukulle", është zëvendësuar me fjalët "sa e bukur je", në kohën e socializmit.
Koço prezanton origjinalin në mbrëmjen e sotme, në Akademinë e Arteve, ku prezantohen edhe dy këngë të vjetra të sopranos, "Saranda" dhe "Tirana", të interpretuara në vitet '30, në kohën e studimeve në Francë. Për herë të parë pas 80 vitesh në zërin e Teuta Tashkos, mbesës së sopranos.