E enjte, 01.05.2025, 08:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Ne shkruajmë për të thënë të pathënën…

E shtune, 06.11.2010, 08:58 PM


KRISTAQ TURTULLI

 

Bisedë e hapur

 

Ne shkruajmë për të thënë të pathënën…

 

Thonë se ne shkruajmë ngaqë nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër, ndërkohë jeta ikën të lë mbrapa, të nxjerr aksidentalisht ndanë udhës me mizëri makinash të botës së madhe...

 

Sigurisht jo miq te mire. Ne nuk shkruajmë ngaqë nuk kemi ç’të bëjmë tjetër.

 

Jeta e mërgimtarit e te gjithëve ne tërësi është tmerrësisht e vrullshme, rrëmbyeshme sa nuk të lë kohë të marrësh frymë. E po ti thuash dikujt,  të flasësh për art, letërsi, libra, në përgjithësi mërgimtarëve kudo që ti ndeshësh nëpër botë, ata te vështrojnë me habi nga poshtë lart, ngrenë supet dhe largohen me shikim te pjerrët, acarues, me mendimin shpartallues, sikur ke ardhur nga tjetër planet. Ka njerëz që shkruajnë akoma! Vërtet! Ha! Prit, unë mbaj mend vetëm ata të vjetrit, të lashtët, kadaretë ,agollët, arapët.  Ah po? Me kujtohet, dale prit një minutë, hë e gjeta, komisari  Memo qe u vra  ballist, prit, me duket se e kish emrin Protopapa kam të drejtë? Hëm! Vërtet i a vlen te flasësh me gjatë miku im për kësi gjërash, hëm, nuk e di! Oh, ju lutem mjaft, kur ndërkohë kriza llahtarshme ekonomike ka mbërthyer botën si me darë! Ju lutem! Oh! Ika,nuk kam kohë...!

 

Ndërsa të rinjtë, kuptohet ata që lexojnë, njohin; Dan Braun, Danielë  Stel, Stefen King e ndonjë tjetër. Ata nuk dinë dhe nuk duan të dëgjojnë ne ekziston ndonjë letërsi shqiptare. Bisedon me prindërit, ata janë modernizuar mjaft, janë indiferentë, nuk duan të ndërhyjnë në jetën e fëmijëve.

 

Ndërkohë pyetjeve dhe veprimeve çmendurake nuk u kthejmë përgjigje, luajmë kokat ngadalë. Ne nuk mërzitemi, nuk ligështohemi.  Vazhdojmë të krijojmë me thjeshtësi dhe pa zhurmë dhe bujë, sepse ndjejmë përgjegjësi morale dhe shpirtërore ndaj vetes qe gjendemi në mërgim, mërgimtarëve të tjerë, atdheut te dashur, ndaj të gjithëve. Është një zinxhir I trashë dhe I rëndë që na mban të pranguar pasgjishmërisht. Janë mijëra fije te ndehur ne ajër, zëra dhe zhurma që ngrihen dhe ulen, ne i ndjejmë dhe i përjetojmë i mbartim pas ngado, derisa te marrim frymën. Dëshirojmë, shkruajmë pa mëdyshje me përkushtim, pa interesa, të bëjmë vepra të kohës dhe me cilësi që lexuesi të kthejë sytë, të afrohet, mbasi arti, kultura, gjuha, tradita përbëjnë identitetin i një kombi,është vetë jeta.

 

Ne morëm mbi supe peshën e rëndë të mërgimit. Shkatërruam gjithçka të shenjtë, shitëm shtëpinë për të siguruar biletat e shtrenjta të udhëtimit. Paratë e shitjes së shtëpisë prindërore përfunduan në një thelpi përkundrejt vlerës së lartë të dollarit amerikan dhe kanadez dhe zhvleftësimit të lekut shqiptar. Ne lame pas gjithçka me zemër të plagosur; plaçkat, shtretërit, bufetë, komodinat, televizorët, jorganët dyshekët, dhe u thamë të njohurve dhe të panjohurve: ‘merrini nuk I duam ju a kemi falur, por tinës kafshuam gjuhën deri në gjakosje, dhe kambana e nostalgjisë shungulloi ne gjokset tona. Por a mund të mbarteshin atë në mijëra kilometra së bashku me mallin e rëndë sa një mal?!

 

Grumbulluam rrëmbimthi ëndrrat e turbullta dhe ikëm në mëngjese të ftohta me shi dhe thëllim si shumë të tjerë, drejt një bote të panjohur,pa kthim, me zemër të ankthuar dhe frymë ndalur, Trupat tanë qëndronin të ndehur, fëmijët na përgjonin me sy, ata ishin të mbërthyer mbas nesh si zogj të vegjël me sytë e trembur, në to ishin përzierë pasiguria, frika dhe kureshtja e papërballueshme nga e panjohura.

 

Ne ikëm larg, shumë larg, me mendimin e ngulitur se atdheu ngeli pas I lodhur, I munduar, I trishtuar. Ndërsa përpara kishte vetëm mjegull dhe re, re, re dhe ëndrrat e bukura, plot fantazi i kyçëm në memorie dhe luajtëm kryet në heshtje...

 

Dihet prej te gjithëve e vërteta e pakundërshtueshme, ne nuk ikëm se donim të iknim, nuk ishim dhe aq kureshtarë fëmijërorë. Ne ikëm sepse na detyruan të iknim. Shume arsye u mblodhën së toku të cilët lëvizën me zhurmë gurët e mëdhenj, të rëndë të ikjes, duke shkatërruar dhe përmbysur çdo gjë të shenjtë të vatrës qindra vjeçare prindërore. Ne nuk ishim të paaftë, por ikëm se ishin kushtet e tjetërsuara, të disfavorshme, kur mekanizmat e politikes pasioneve dhe të tensioneve marrake ishin tejet të ndezura.

 

Te gjithë të ikurit u përballën me botën tjetër, dhe asgjë nuk u afrua si në tepsi të florinjtë. Paratë e shitjes së shtëpive fluturuan në krye të disa muajve. Ne vështruam duart dhe qytetin e madh që shtrihej përpara. Ulën kokat, pranuam pa kompromis punët më të vështira dhe të rëndomta. Vendi i huaj nuk kërkon, dekurajim dhe dorëzim pa kushte, ndryshe të shtyp si brumbull, ku lëvizin rrëmujshëm miliona njerëz nga të gjitha kombet, nacionalitetet dhe racat. Ne ishim një bulëz uji në oqeanin e madh të emigracionit, dallgët dhe uraganet të flakin shumë shpejt në breg, shtypesh si një copës leshterik. Ndërkohë ingranazhet e jetës filluan të lëvizin me ngadalë dhe me këmbëngulje. Zhgënjimi, trishtimi janë bashkudhëtarë të jetës, por vendimi ish marrë njëherë e mirë,qysh se u vendos këmba në shkallinën e parë të shpendit metalik dhe të shkëputjes, ngritjes në ajër prej tokës mëmë: ‘Do të luftojmë me të gjitha forcat për të mbijetuar!’

 

Jeta rrodhi dhe vitet filluan të ndjekin njëra tjetrën gjithë ngutje dhe rrëmbim. Ndërkohë krahas luftës për mbijetesë , mendonin për tokën që lamë pas,mëmëdheun e dashur, matanë oqeanit,qindra, mijëra kilometra larg dhe qindra male kaptuar si në legjendat e lashta. Mendimi i ngulitur qëndronte ndezur, krahas zgjimit të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së gjithsecilit. Ftillimi i realitetit, zbardhja e së  vërtetës bëhej ndalë ngadalë, graduale, por tërësore. Më pas vjen kthjelltësia, pa kompromis, pa oshilacionet dhe komplekset e mundimshme të trashëguara apo të krijuara prej pasionet e çastit,ose interesat e domosdoshme. Përgjegjësia dhe maturia ecin në të njëjtën kohë me zhvillimet e situatave.

 

Si gjithnjë, si dikur në rilindje me kolosët e mëdhenj të shqiptarizmës, vëllezërit Frashëri, Çajupi, Vaso Pasha, më tej Noli, Konica,Koliqi e të tjerë mund të merreshin me diçka tjetër por shkrinë jetën e tyre për rizgjimin Kombëtar. Letërsia e emigracionit ritet, zhvillohet në kushte dhe mundësi të tjera. Krijohen kështu dy shtylla të rëndësishme: letërsia që zhvillohet në mëmëdhe me letërsia e emigracionit, të cilat kanë të njëjtën qëllim dhe lidhen me shumë fije me njëra tjetrën. Mbasi nuk duan të pranojnë shurdhërinë, asimilimin e dhimbshëm, kur në të njëjtën kohë indiferentizmi, nihilizmi, kompjuteri, interneti, lojërat, facebook i merr rinisë kohën më të madhe.

 

Ndërkohë ngrihet pyetja e madhe:’Emigrantët shkruajnë ngaqë nuk kanë me se të merren, apo ndjejnë përgjegjësinë e intelektualit të zhveshur nga interesat e ofiqit, të interesit, tarafit dhe parasë?

 

Të mbushur me ngjarje, fenomene dhe momente, të ikur shumë larg atdheut mëmë ne shkruajmë, botojmë dhe i shpërndajmë librat falas, ngaqë është tejet e vështirë të qëndrojnë në libraritë e vendlindjes të mbushura buzë për buzë me libra kujtimesh grafomanë për fshatin dhe letërsi të huaj të mbushur me ankth, drogë dhe letërsi nostalgjike. Shkrimtari emigrant që e filloi jetën përsëri nga e para, lekët nuk i gjeti në rrugët e mëdha të botës së huaj, mbasi kriza ekonomike qëndron pezull si sfinks mbi kryet tona. Obligimi dhe përgjegjësia është më e madhe se interesat e vogla meskine, ndaj vetes që gjendemi në mërgim dhe mëmëdheut që ndodhet shumë larg, në largësi ajrore por shumë afër në fije shpirtërore. Shkrimtarëve emigrantë kontakti me botën, perëndimin, kulturën, përplasjen me jetën u dha mundësi dhe avantazhe të tjera, por njëherësh kthjelltësi mendimi dhe veprimi për veten dhe për të tjerët për të parë dhe analizuar situatat më qetë dhe gjakftohtë.

 

                Mekanizmat e shpërndarjes, njohjes së kësaj letërsie të zhveshur nga klishetë, në mëmëdhe dhe kudo gjetkë janë të ndryshkura, ende të pranguar prej pasioneve dhe nostalgjive e së kaluarës. Një mjegull e dendur endet akoma mbi trurin dhe mendësinë shqiptare. Nuk ka letërsi të re të fuqishme, çfarë u bë u bë, kjo tani është periudhë impaku siç është në impak dhe shoqëria shqiptare. Këtë e thonë nën zë dhe me zë të plotë të djeshmit. Por harrohet, në situata të tilla krijohet dhe konsolidohet letërsi e fuqishme, por kjo duhet të evidentohet jo të shtyhet dhe të injorohet me qëllim.

 

                Ku janë korifenjtë e lashtë të realizmit socialist, me mjekër apo pa mjekër, flokëbardhë, apo pa flokë, dredhin duhan sheldia, apo pinë cigare me filtër. Pinë raki rrushi dhe sjellin nëpër mend me nostalgji veprat e shkuara, dhe pinë koka-kola. Sigurisht ata meditojnë, mendojnë për përjetësinë. Ata heshtin, janë indiferentë se çfarë ndodh rreth nesh, fundja nuk u duhet atyre për çfarë ndodh. Mbrojnë me stoicizëm barrikadën e lashtë e cila ka filluar të ronitet dhe nuk e kuptojnë se po të kapesh mbas shtëpisë së vjetër humbet në të.

 

                Hesht akademiku i respektuar, kritiku Rexhep Qose, nuk ka kohë sepse ka mprehur shpatën kundër shkrimtarit të madh Ismail Kadare, nuk i intereson arti e letërsia e fuqishme qe shfaqet në horizont. Kadare gjithashtu mpreh vigjilencën, nuk mund të shfletojë libra të kolegëve të rinj dhe të vjetër, emigrantë si ai, jo se nuk do,por nuk ka kohë dhe ai, debatet historike duan djersë dhe mund. Ndërkohë opinioni ngrihet në këmbë, ndahet në dy kampe kundërshtare, i mbrojnë dhe i kundërshtojnë.

 

                Ndërsa plaku i mençur Dritëro Agolli replikon me bezdi për politikën, mbase ndjehet i lodhur, sepse edhe kjo shejtane politikë kërkon shkathtësi dhe mendim të ri. Nuk ka kohë dhe ai të lexojë letërsinë e re të mëmëdheut dhe të emigracionit. ‘Eh, ku është letërsia e dikurshme, pra e tyrja dhe ku janë këta të sotmit! Ujëra të tëra rrjedhin në mes.’

 

                Sigurisht rrjedhin ujëra të tëra, të bësh letërsi tani kërkon bythë të forta, për të përballuar fluksin e tmerrshëm të letërsisë botërore, krisën, internetin, facebookun dhe indiferencën e përgjithshme.

 

                Hesht Arapi me shokë, edhe ai ndjehet i lodhur. Të gjithë, sërish dhe  sërish janë të ngrehur, në pritje të dëgjojnë, të lexojnë çfarë thuhet për ta, ndonjë artikull, intervistë, lajm, etj, etj, etj. Një pjesë prej tyre marrin pozat e predikuesve, me petkun e rëndë të hipokrizisë. Dikush tjetër qëndron i varur, mbas një vepre të dobët puniste, por që u trumbetua si kryevepër për interesat e kohës dhe të partisë. Vallë akoma nuk janë të kënaqur  prej rëndesës së teksteve shkollore, të mbushur plot dhe përplot me krijimet e tyre në dhjetëra dhe dhjetëra vite që nga klasa e parë deri në tekstet e universitetit? Ata përsëri kërkojnë, vëzhgojnë dhe presin. Ndërkohë harrojnë se një brez ikën dhe një tjetër vjen. Të lindur dhe brumosur në të tjera kushte dhe mendësi. Një krijues inteligjent, Fatmir Terziu bën përpjekje serioze por është zë i vetëm.

 

                Ne gjithnjë i kemi respektuar, ndjekur, adhuruar, të djeshmit. Ata gjendeshin kudo, në ëndrra, në diskutime, politikë dhe dashuri, ishin ndihmësit e partisë. Ata kanë qenë të pazëvendësueshëm si ajri, mbasi libri aso kohe ishte gjithçka. Me veprat e tyre na ushqenin çdo ditë, si me pikatore. Ne sytë tanë ata rriteshin-rriteshin, shumë mirë që u ritën, një komb ka nevojë për korifenj, për personalitete ku tu referohesh. Por gjithçka ish atëherë, situatat ndryshojnë dhe epokat gjithashtu...

 

                 Kalimtarët e zakonshëm sigurisht harrojnë se prapa rrugicës ka një kishë po të mos dëgjojnë kambanën që bie. Siç ra kambana për ta për pesëdhjetë vjet me radhë ore dhe minutë.

 

Fisnikëria e tyre dhe e të tjerëve ritet dhe riparojnë diçka me vlerë, e do vazhdojnë të respektohen, nëse do marrin pozicionin e vërtetë të krijuesit, të shkundin prej supeve petkun e pluhurosur dhe të vështrojnë përreth, të përdorin ato vlera,  që u dha koha dhe rastësia, të thonë fjalën e tyre ne se munden, sepse godina e letërsisë është e madhe dhe ka vend për të gjithë. Çdo gjë me vlerë nuk bëhet për krijuesit por për kombin.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx