Kulturë
Prend Buzhala: Nga lirika e haresë fëmijërore deri te komikja ezopiane
E hene, 08.11.2010, 10:57 PM
Këndvështrim
Nga lirika e haresë fëmijërore
deri te komikja ezopiane
Në 40-vjetorin e punës e të krijimatrisë letrare të Halil Xanit
Nga Prend BUZHALA
1. Portreti krijues: përtëritja e shkrimit
Pikërisht në një atmosferë të tillë, Halil Xani shfaqet me krijimet e para, një etjeje e dashuri të madhe për artin e shkrimit, të cilit nuk iu nda asnjëherë. Edhe tani, pas dyzet vjetësh, Halili dhe brezi i tij i kulturës po e përjetojnë një renesancë tjetër, të re, me energji të çliruara krijuese, të cilat ishin ndrydhur për kaq e kaq dekada për shkaqet që dihen. Krijuesit e provincës nuk e kishin të lehtë t’i thyenin rrathët e ekzorcizmit shtetëror edhe në fushën e krijimtarisë, për të botuar veprat e tyre. Këta rrathë plasën bashkë me të ligat dhe të këqijat që i lamë pas, ani se edhe koha jonë nuk kursehet nga shumë e shumë të liga, për të cilat di të shkruajë me aq përkushtim edhe pena e Halilit. Portreti i tij krijues shtrihet në disa fusha: në atë të krijimtarisë letrare për fëmijë, në fushën e lirikës fabulative, humoristike e satirike, në atë të anekdotës popullore e bashkëkohore, si dhe në atë të publicistikës e gazetarisë. Portreti krijues i Halilit shfaqet e ravijëzohet i larmishëm, gjithnjë në përtëritje të shkrimit letrar, humoristik, satirik e publicistik, gjithnjë me qëllimin human në shërbim të të vërtetës, sikundër do të thoshte Belou: “E vërteta na shfaqet ndonjëherë në trajtat, në të cilat ne nuk jemi të ,përgatitur”, apo sikundër kishte thënë Gete: “Të vërtetës së re asgjë nuk i bën më shumë dëm, se ç’i bëjnë iluzionet e gabimet e vjetra.” Prandaj, këtë prirje të ringjallur ai po e përjeton në botimin e krijimtarisë letrare për fëmijë e në atë të zhanrit të humorit e të satirës, si dhe në trajtat tjera të shkrimit publicistik e letrar, në dy përmbledhje vjershash për fëmijë: “Ndal Drenushe” (1996) dhe “Unë e babi mjeshtër”(2005), si dhe në tri vëllime të tjera humoristike e satirike: “101 qyfyret e Nastradinit” (2009), “Pak për mahi më shumë përnjëmend” (2009 dhe “Ec e mos u bëj nervoz” (2010). Prandaj, shkrimit të tij i shkojnë së bashku, dorë për dore, buzëqeshja e hareshme e botës së fëmijëve, e qeshura e shëndetshme dhe nënqeshja tallëse e humorit dhe satirës.
2. Ringjallja e poetikës së fëmijërisë
Të ringjallësh poetikën e fëmijërisë, atë poetikë kaq emotive e kaq jetësore, do të thotë të thurësh edhe poetikën e bashkëkohësisë, sepse poeti nuk është thjesht një kalimtar rasti, por është një vëzhgues e gërmues i të fshehtave shpirtërore,... i përjetimit të brendshëm. Këtë vëzhgim e gërmim në të fshehtat e artit e të botës së fëmijëve, Halili e qëmton qe dyzet vite. Fryt i këtij shoqërimi me muzën e virgjër të lirikave për fëmijë, janë librat e larttheksuar. Te përmbledhja e parë “Ndal drenushë”, ai na e rrëfen shtegtimin e tij të parë në takim me artin e shkrimit, në një natë pagjumësie, kur nuk kishte guxim ta ndizte as dritën, në kushtet e atëhershme, të rënda, të jetesës në katund:
U ktheva kah drita e stufës
Fillova të shënoj në letër
Kur pa dashur preka mashën
Ajo rrapëlloi në stufën e vjetër.
E pra, këtë flakë të ndezur të pasionit për artin, të pashuar që nga fëmijëria, Halili e mban të ndezur edhe sot. Drita e tij sa vjen e përhapet, sepse kurrë nuk ka dritë të tepërt, as dashuri të tepërt për qenien e fëmijës, as dashuri të tepruar për artin e për gjërat tjera sublime në botë. Mund t’i kenë dalë pengesa Halilit që në fëmijëri, për të mos u marrë me artin, më vonë ato veç sa mund të jenë shtuar, krahas kushteve të rënda sociale, nacionale e politike, por ja që ai, si arsimtar e publicist, si poet dhe gazetar, diti ta mbajë të zgjuar fjalën e tij të artit. Madje, te poezia për fëmijë, bota nuk është e tillë, e rëndë, por e bukur, me ngjyra ylberore, me peizazhe mahnitëse, me botën e pasur të florës dhe faunës, me harenë dhe larminë e lojërave për fëmijë, me vlerat humane të shpirtit njerëzor, siç i komunikon poezia “Ndal drenushë”, me rritjen emocionale e mendore të fëmijës, me artin e edukimit aspak moralizues:
Mësimit kur ia nisi
A-në e bëri si shkallë
I-në si maje lisi.
Halil Xani i kërkon në poezitë lirike për fëmijë pikërisht ato inspirime fine, tejet të ndjeshme, inspirime të gjetura edhe nëpërmes metrit dhe rimës, edhë nëpërmes një rrëfimi pasionant në vargje, duke manifestuar, kështu, vetëdije të fortë krijuese për specifikat e artit për fëmijë e të botës së fëmijëve, me një fjalë, duke dhuruar energjinë e tij krijuese dhe shpirtin e tij aq të pasur me imagjinatën edukuese, artistike e argëtuese për qenien aq të dashur e të virgjër, siç është fëmija. Këtë prirje ai do ta vazhdojë e do ta thellojë edhe në dy librat tjerë poetikë për fëmijë, “Unë e babi mjeshtër”, në të cilën tërësia e motiveve e temave, gama e ideve dhe e ligjërimit figurativ-poetik,sa vjen e pasurohet. Tashmë në lirikën për fëmijë hyjnë edhe gjurmët e kohëve: dhuna e ushtruar nga pushtuesit serb dhe rezistenca e lufta për liri, me emrat e shenjtë të dëshmorëve dhe të të rënëve. Diçka e ka vrarë buzëqeshjen e librit të parë:
Përse ma vranë lapsin
Ai ish pushka ime?
Gjatë leximit ti do ta ndjesh pasurinë e brendshme të thesarit estetik që ta dhuron kjo krijimtari, do të përjetosh këndshëm kërkesën e krijuesit, se sa me respekt ai merret me pamjet e fëmijërisë e të shëmbëlltyrës së fëmijës, do të reflektosh se me çfarë përkushtimi ai do të meditojë për fëmijërinë, si një faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm të kulturës sonë e të letërsisë sonë veçanërisht:
Ua hapa derën
Luleve, bletëve
E fëmijëve përnjëherë,
Hyri edhe dielli
E mora dhe shiun
Vjersha u bë ylber.
Më tha trimi
Me pushkën time
Edhe unë do të vi,
Ju asnjë pa mua
Fare s`keni vlerë
Teksti i tillë, i poetikës së lirikës për fëmijë, flet për identifikimin e plotë të krijuesit me botën imagjinatave e emocionale të fëmijëve, por flet edhe për atë poetikë të ngulitur në ndërgjegjen e hershme të krijuesit, kur i kishte formuar idetë e inspirimet për thesaret e bukuritë e rruzullimit, atdheut dhe botës së fëmijëve e të cilat vijnë te kjo lirikë si pamje me thellësi trajtimi.
3. Fryma ezopiane: humori e thumbimi
Të tre librat tjerë, “101 qyfyret e Nastradinit”, “Pak për mahi më shumë përnjëmend” dhe “Ec e mos u bëj nervoz” (vargje me gjemba) për nga strukturimi i tyre, shfaqin një prirje tjetër, të kryehershme, të Halil Xanit: pikësynimin për ta krijuar kategorinë e përgjithshme të humorit, pra të komikes e të të qeshurës. Dikur Platoni i moçëm nënvizonte se komikja përbën kontradiktën midis të shëmtuarës dhe seriozes, duke e përveçuar kundërshtinë në dukurinë komike që bëhet objekt i të qeshurës. Atëherë edhe këto tri vëllime, i pari me lirika humoristike e satirke fabulative të tipit anekdotik e kund e kund ezopian, i dyti me anekdota e kallëzime humoristike-satirike, të frymës popullore, po edhe të frymës bashkëkohore; dhe i treti me vargje të satirës politike, sociale e të larmishme - arrin që tek situatat, personazhet, idetë, temat, motivet e sidomos tek shfaqja e dukurive të vjetra që paraqiten nën petkun e së resë, ta shquajë disfatën morale të këtyre personazheve komikë e të këtyre dukurive komike, nga njëra anë, po edhe vënien në pah të mprehtësisë satirike kundruall situatave të sotme të deformimeve morale e social-politike, nga ana tjetër. Në vëllimin e parë, figura interesante, e këndshme dhe qesharake e Nastradinit, kësaj shëmbëlltyre me përmasa ndërkombëtare, bëhet subjekt e objekt i krijimeve fabulative në poezi. Te secila poezi, shfaqet një humor i butë, në frymë popullore. Mirëpo, nën petkun e tyre shpërthen mjeshtërisht e përqeshura nga pak e hidhur, acaruese, madje, edhe revoltuese, kund e kund moralizuese, përplasjesh të zhveshura komike-satirike, për ta shqiptuar një porosi nga mësimi i vështirë i përvojës së rëndë të jetës.
Duke i trajtuar kotësitë primitive të kësaj shoqërie, besëtytnitë si mjete të zgjidhjes së fatit të njeriut apo të problemeve familjare, nga njëra anë, si dhe të trajtimit të problemeve të rëndësishme shoqërore, nga ana tjetër; procedimori i tillë letrar e shfrytëzon mjeshtërisht gërshetimin e këtyre dy anëve. Ndërsa në planin tematike-humoristike shquhen veprimet qesharake, gjestet e replikat që zgjojnë gaz, karshi demaskimit të degjenerimit të përgjithshëm moral e politik të shoqërisë sonë, qoftë edhe të kësaj të mbas luftës. Po kjo frymë humori, hareje, qeshjeje e demaskimi e përshkon edhe vëllimin e dytë “Pak për mahi më shumë përnjëmend” që ndahet në katër njësi tematike-anekdotike: “Mahi nga lufta” (1998-99), “Të bëmat e Dautit”, “Me Nastradiniin e ri nëpër Kosovë e Shqipëri” dhe “Në veten e parë”, trajton anë të ndryshme të jetës sonë të luftës e të mbas luftës. Kjo shtrirje tematike-humoristike-demaskuese e që nxit, mbi të gjitha, gaz të lezetshëm e të këndshëm, flet për natyrën komplekse, të ndërlikuar dhe gjithëpërfshirëse të humorit e të komikes.
Duke i paraqitur frymën humoristike e kritike në trajtat ezopike, të shkurta e spirituoze (anekdotën, thënien aforistike, fabulën lirike, skicën narrative-humoristike, vjershën satirike etj) nëpër disa periudha e nëpër disa kohë, të periudhave të ndryshme e të kohëve të ndryshme; duke i riaktualizuar e duke iu veshur, si heronjve e protagonistëve, ashtu edhe përmbajtjeve të dikurshme humoristike përmbajtjet e kohëve që i jetuam e përjetuam, Halil Xani sikur dëshiron të na e tërheqë vëmendjen se zhvillimin e njeriut e të shoqërisë sonë e kanë përcjellë edhe zhvillimi e evoluimi i spirituozitetit, pra i qeshjes e nënqeshjes sonë ironike. Sado që kohët ishin të vështira për popullin tonë, me përjetime të rënda, ishin mu këto vlera thëniesh, fabulash, ngjarjesh anekdotike e humoristike që e shënuan dhe e dëshmuan frymën tonë spirituoze, qëndrimin kritik të polemit tonë. Kundruall këtyre ngjarjeve e përvojave, represionit shtetëror, diktaturave e dogmave nga më të rëndat, populli ynë, në përgjithësi, po edhe krijues si Halil Xani, në veçanti, këtyre situatave të tilla u janë kundërvënë e përgjigjur shpesh me të qeshurën, me humorin e me satirën. Dhe të gjitha këto trajta na e japin edhe një model të posaçëm të qëndrimit kritik. Halil Xani këtë e manifeston dhe e dëshmon qe disa dekada.