Kulturë
Vullnet Mato: Grabitqarja e djeshme
E hene, 08.11.2010, 07:12 PM
Vullnet Mato
GRABITQARJA E DJESHME
E djeshmja m’i përdori sytë
për Marksin dhe thepin e pushkës,
më pengoi zotësinë,
për të më barazuar me proletarin,
më rraskapiti krahët,
për të më paguar me tallonin e bukës,
më incizoi te shiriti i zorrëve
këngën e kursimtarit.
E djeshmja më injektoi
frikën e burgosjes nga intelekti,
më dogji frymëzimin,
për të ushtruar artin shabllonist,
më dogji dashurinë,
për të mastrubuar në ëndrra seksi,
më grabiti kohën, për të pritur
mashtrimin e lugës së florinjtë.
E djeshmja më la qiradhënës
te shtëpia betonarme e shtetit,
më bëri memec për mangësitë
e nevojave të domosdoshme,
më hoqi dinjitetin për t’u bërë
“Leifen” i eksperimentit,
më dërgoi te “rinia vullnetare”
për pleqëri të parakohshme.
Të gjitha, të gjitha m’i rrëmbeu
grabitqarja e djeshme,
fsheha vetëm zemrën
që më rrihte për të nesërmen...