E enjte, 01.05.2025, 05:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Dorian Koçi: Trashëgimia kulturore dhe shatërvani i Durrësit

E diele, 07.11.2010, 08:58 PM


Trashëgimia kulturore dhe shatërvani i Durrësit

 

Nga Dorian Koçi

 

Qytetarët e Athinës së shekullit të XIX  nuk e kuptonin rëndësinë e qytetit të tyre. Ata ndiheshin  shumë të habitur me udhëtarët e shumtë evropianë që ishin aq shumë të interesuar për rrënojat dhe gjërat antike të qytetit. Madje shpesh herë ata afronin vetë si dhurata statuja antike apo sende me vlerë të antikitetit udhëtarëve të huaj. Të zënë në kurth mes mbijetesës së përditshme dhe vuajtjes nën pushtetin abuziv otoman atyre as që u shkonte në mendje se nën këmbët e tyre shtrihej një nga civilizimet më mahnitëse të njerëzimit dhe rrjedhimisht një burim krenarie për ta në të ardhmen. Në fakt ajo që ndodhte në Athinë ndodhte në gjithë Mesdheun lindor ku kish pasur qendra të rëndësishme të qytetërimit botëror. Kjo padituri dhe mosvlerësim i së shkuarës ndodhte ndonjëherë që të ndriçohej  nga elita e qytetit, por në përgjithësi numri më i madh i qytetarëve nuk e kuptonte shqetësimin e tyre. Kjo ishte arsyeja që shumë qytetarë të Athinës nuk e kundërshtuan por madje dhe e ndihmuan të transportonte mermerët e Panteonit gjatë viteve 1801-1802 , Lordin Elgin ambasadorin e Britanisë së Madhe në Perandorinë Otomane kur ai një ferman perandorak të dhënë vetëm për skicime dhe për meremetime të mundshme të Panteonit  e interpretoi si zhvendosje të tyre drejt Anglisë.

Në vitet e mëvonshme që pasuan, atëherë kur filloi të ndihej dhe zgjimi nacionalist i popullatës greke nën ndikimin e rrymës së fuqishme kulturore të Filohelenizmit, filloi një periudhë ndërgjegjësimi për zbulimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e thesareve antikë të Greqisë. U provua se e shkuara e lavdishme e mbushur plot me mite dhe antikitet ishte pasaporta më e mirë e vendit të tyre  për t’iu përqasur Evropës ndaj jo vetëm që nuk gjejmë më grabitje në masë të antikiteteve nga Greqia por qeveritë e saj filluan të diskutojnë dhe për kthimin e thesareve të botës antike greke nga muzeumet evropiane në Greqi. Ajo që po ndodhte tashmë në Greqi , në fakt ishte një reflektim më i gjerë i shqetësimit të përbotshëm për trashëgiminë kulturore, e cila në disa vende mbase nuk kishte shkëlqimin e Greqisë por kishte një vlerë simbolike për historinë e vendeve përkatës. Kështu, godina, kështjella, çezma publike, vepra kulti fetar që shënonin dhe simbolizonin vite dhe periudha të shënuara për çdo bashkësi qytetare në Evropë u morën nën mbrojtje  dhe u meremetuan nga shteti për tu lënë një memorie historike brezave të tjerë pasardhës.

Të fundit që iu bashkëngjitën këtij procesi qoftë për arsye historike qoftë dhe për arsye vështirësie të ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit ishte Shqipëria dhe shqiptarët. Edhe pse historia jonë është e mbushur me periudha të ndryshme të dominimit kulturor qoftë të perëndimit apo dhe të lindjes është shumë e vështirë që në Shqipëri të identifikosh këto periudha nëpërmjet monumenteve. Kjo gjë nuk ka ndodhur sepse Shqipëria është bërë “shesh lufte” siç bëhet shpesh komenti për të përligjur shkatërrimin dhe rrënimin e trashëgimisë sonë kulturore por dhe sepse pothuajse çdo 50 vjet ne prishim godina dhe monumente kinse për ti hapur rrugën së resë. Debati më i fundit në këtë drejtim është ai për shkatërrimin e shatërvanit të Durrësit të projektuar dhe ndërtuar  që më 1928 nga arkitekti Kristo Sotiri,  pasi plani italian i  hartuar për rregullimin e qendrës së qytetit  nuk e përfshin në agjendën e vet restauruese. Viti 1928 është një vit emblematik për Durrësin dhe për historinë e Shqipërisë pasi është vit kur shpallet mbretëria shqiptare. Po kështu ai është viti kur fillojnë një varg investimesh publike nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, pjesë e të cilit ishte dhe ky shatërvan dhe në të njëjtën kohë është viti kur hartohet statuti i parë ligjor modern shqiptar ku një pjesë të disa neneve e zënë dhe ato të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së trashëgimisë kulturore. Kështu pra qoftë  dhe si një vepër e ndërtuar në një vit të tillë, shatërvani i Durrësit nuk meriton të prishet por të ruhet dhe restaurohet për të shërbyer dhe si  një stacion në memorien kolektive të qytetit dhe pse jo dhe gjithë Shqipërisë. Shoqëria civile ka kohë që e ka ngritur zërin në mbrojte të kësaj vepre prandaj është koha që përtej debateve të kota politike dhe dilemës vandaliste të “shkatërrosh apo të mos shkatërrosh”, qeverisja vendore e Durrësit të marrë një vendim të matur jo vetëm për të shpëtuar këtë vepër por dhe për të hyrë në histori si një administratë moderne që njeh dhe vlerëson të shkuarën e qytetit të vet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx